‘Vjen nji orë kur asgja s’bëzan përpos tik-takut imagjinar t’orës’

16 Dhjetor, 2022 - 11:00 am

Poezi nga Rozafa Shpuza

Vjen nji orë
kur qyteti kotet
tue u mbështetë në çagje oxhaqesh,
njajtë me fshesaret natore
që mbështeten përhumbshëm n’bisht t’cingares.
Vjen nji orë
kur asgja s’bëzan
përpos tik-takut imagjinar t’orës
që s’mbahet mend qysh kur u zhgul përdhuni
prej kullës së pagëzueme prej nji inglizi.
Vjen nji orë
kur ministri e lypsari shohin andrra perverse,
kur manekinët bahen realë e dashnorët virtualë,
kur semaforët pulsojnë e taksistët gërhasin,
kur peshkatarët struken mes kapërthime rrjetash
e pulbardhat ndihen si engjëjt në tavanin e kishës.
Vjen nji orë
kur qyteti kqyret mbi syprina ujnash t’lame n’hanë,
kur bryma i përgjet hukamës së lutjes
që shprazet në atë vijën naziqe të horizontit …

e kurgja e jashtëzakonshme nuk ndodh
veç qyteti nis me frymue prore… / KultPlus.com

Të ngjajshme