Dua Lipa në Champions League, Era Istrefi në Kampionat Botëror

22 Maj, 2018 - 6:21 pm

Dua Lipa do të performojë në ceremoninë e finales së Ligës së Kampionëve ndërsa Era Istrefi së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam janë artistët që do ta këndojnë himnin e Kampionatit Botëror.

Kosovarja Era Istrefi, vetëm 23 vjeçare, do të jetë zëri i këtij kampionati botëror, duke bashkëpunuar me një artist ndërkombëtarisht të njohur si Will Smith, e duke u renditur në mesin e artistëve si Shakira, Jennifer Lopez, Anastacia e Jason Derulo.

Kampionati Botëror i Futbollit që mbahet çdo katër vjet këtë vit do të zhvillohet nga datat 14 qershor deri me 15-të korrik në Rusi, ndërsa kjo është njëra ndër ngjarjet më të ndjekura në botë, që mbledhë me miliarda shikues.

Në anën tjetër UEFA përmes një videoje të shkurtër ka paralajmëruar se ylli nga Kosova, Dua Lipa, do të performojë në hapjen e ceremonisë së finales së Ligës së Kampionëve në Ukrainë.

“Kemi një tjetër artiste që do të pushtojë skenën e sivjetme të finales së Ligës së Kampionëve. A mund t’ia qëlloni kush është?” ka shkruar UEFA në faqen zyrtare në Facebook, derisa në video shihej Dua dhe një sekuencë e këngës “New Rules”. / KultPlus.com

Të ngjajshme