Dua Lipa sjell koncertin virtual “Studio 2054” në fund të nëntorit

2 Nëntor, 2020 - 12:04 pm

Dua Lipa i ka ftuar fansat ta shoqërojnë në koncertin virtual me titull “Studio 2054”, i cili do të transmetohet live më 27 nëntor të këtij viti.

Kantautorja me prejardhje kosovare dhe me famë botërore, është ylli i fundit i muzikës që po iu ofron adhuruesve mundësinë ta shohin duke interpretuar live në këtë kohë kur koncertet fizike janë pezulluar anembanë botës, si pasojë e koronavirusit.

Kështu, ata do të ketë mundësi ta shohin idhullin e tyre duke performuar në një koncert virtual, një eksperiencë kjo e re për publikun.

Ngjarja “Studio 2054” do të jetë një mbrëmje e mbushur me muzikë, performanca, aktrim, vallëzim dhe shumëçka tjetër, transmeton Koha. Të gjitha këto të bashkuara në një përvojë multi-dimensionale të drejtpërdrejtë.

Përgjatë koncertit i cili do të mbahet në një depo, Dua Lipa pritet t’i ndërrojë disa kostume dhe skenat ku ajo performon do të ndryshojnë nga njëra-tjetra. Gjatë performancave ajo po ashtu do të shoqërohet nga disa muzikant, valltarë, akrobat të ndryshëm, dhe mysafirë special identiteti i së cilëve po mbahet i fshehtë.

Sa i përket këngëve që do të interpretohen në koncert, besohet se Lipa do t’i kthehet edhe hiteve të saja të mëparshme dhe natyrisht, për herë të parë do t’i performojë live disa prej këngëve të albumeve, “Future Nostalgia” dhe “Club Future Nostalgia”.

Koncerti “Studio 2054” do të transmetohet live në orë të ndryshme, varësisht prej territoreve dhe biletat për të fituar qasje për ta parë shoun, tashmë janë në dispozicionin e publikut.

Në fillim të vitit 2020, Dua Lipa e publikoi albumin e saj të dytë muzikor me titull “Future Nostalgia”, dhe vetëm disa muaj më vonë e solli edhe një version të ri të këtij incizimi, “Club Future Nostalgia”, të realizuar në bashkëpunim me producenten, The Blessed Madonna. Muajin e kaluar këngëtarja e famshme e publikoi një version të ri të hitit “Levitating”, i cili e përfshinte reperin DaBaby, duke e shënuar bashkëpunimin e radhës së Duas me artistë të shquar të skenës muzikore.

Ndërkaq, më 30 tetor Lipa e lansoi këngën e re me titull “Fever”, në bashkëpunim me artisten belge, Angèle. Kësaj kënge pritet t’i publikohet edhe një videoklip këtë të premte. / KultPlus.com

Të ngjajshme