Elton John: Një gjeneratë muzikantësh mund të humbet nga BREXIT-i

11 Qershor, 2021 - 4:00 pm

Sir Elton John ka paralajmëruar ligjvënësit se industria e muzikës në Mbretërinë e Bashkuar mund të humbasë “një brez talentesh” për shkak të kufizimeve pas BREXIT-it në lidhje me turnetë nëpër Bashkimin Evropian.

Muzikanti akuzoi ministrat se nuk ishin të gatshëm të rregullonin një “hapësirë” në marrëveshjen aktuale të BREXIT-it, që do të thotë se artistëve u duhen vizat e shtrenjta për të organizuar koncerte nëpër shtetet anëtare të BE-së.

Qeveria britanike është arsyetuar se BE-ja hodhi poshtë përpjekjet e saj për të negociuar udhëtimin pa viza. Ndërkohë, për të njëjtën gjë, BE-ja akuzon Mbretërinë e Bashkuar.

Këngëtari veteran e ka cilësuar situatën si “buzë katastrofës” për Mbretërinë e Bashkuar.

“Unë dua të jem i qartë se çështjet e turneve pa viza dhe pa leje nuk kanë të bëjnë me ndikimin mbi mua dhe artistët që bëjnë turne në arena dhe stadiume”, ka thënë Sir Elton John.

“Kjo situatë e rëndë ka të bëjë me dëmtimin e brezit të ardhshëm të muzikantëve dhe artistëve në zhvillim, karrierat e të cilëve do të ngecin para se të fillojnë për shkak të kësaj loje të hedhjes së fajit”, ka shtuar krijuesi i hitit “Rocketman”.

“Nëse do të isha përballur me pengesat financiare dhe logjistike, me të cilat po ballafaqohen tani muzikantët e rinj, nuk do të kisha pasur kurrë mundësinë të ndërtoja bazat e karrierës time dhe shumë dyshoj nëse do të isha këtu ku jam sot”, ka tërhequr vërejtjen Elton John.

Deklarata e yllit britanik është lexuar në prani të deputetëve që po negociojnë ligjet e vizave të BE-së për industrinë krijuese. Pak orë më vonë të enjten, Elton John të njëjtën deklaratë e postoi në rrjetet sociale.

Komiteti për Digjitalizim, Kulturë dhe Media së bashku me atë sportiv janë bërë bashkë për të diskutuar rreth problemit me vizat.

Komiteti DCMS, gjithashtu, duhej të dëgjonte qëndrimin nga ministri i BREXIT-it, Lord Frost – por ai u tërhoq papritur, duke nxitur kritika të ashpra nga kryetari i komitetit, Julian Knight.

“Vëzhgimi parlamentar përpara komisioneve të zgjedhura është i një rëndësie thelbësore në sistemin tonë demokratik dhe është veçanërisht i rëndësishëm kur kemi një qeveri me një shumicë prej mbi 80 deputetësh”, ka thënë Knight., duke e quajtur të papranueshme dështimin e Lord Frostit për të marrë pjesë në seancë.

“Unë dhe ky komision presim që Lord Frost të bashkohet me ne në datën e ricaktuar dhe nuk do të vazhdojmë me anulime të mbledhjeve”.

Sidoqoftë, komiteti dëgjoi edhe agjentin e muzikës live, Craig Stanley, i cili paralajmëroi se industria e muzikës live në Mbretërinë e Bashkuar “po përballet me shfarosje”.

Ai ka theksuar se shumica e turneve evropiane nga grupet pop dhe rock e kanë origjinën në Mbretërinë e Bashkuar – që do të thotë se ata punësojnë ekipin e skenës, shoferët, furnizuesit e ushqimit, inxhinierët e zërit, teknikët e ndriçimit dhe muzikantët mbështetës për të punuar në të 27 vendet anëtare të BE-së.

“Amerikanët veprojnë kur vijnë, mirëpo shumicën dërrmuese të kohës marrin stafin britanik dhe përdorin pajisjet britanike 85 deri në 90% të kohës”, ka thënë Stanley para deputetëve. “Ata do të fillojnë të lëvizin në Schiphol, në Frankfurt, në depot në mes të Gjermanisë dhe të marrin pajisjet atje dhe e gjithë puna do të humbet”.

Ai ka shtuar se ekziston një “rrezik real” që orkestrat britanike të ndërpresin turnetë ndërkombëtarë. / Koha.net / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme