Lady Gaga me fjalim të fuqishëm kundër racizmit (VIDEO)

18 Janar, 2021 - 5:22 pm

Ylli i njohur i muzikës, Lady Gaga e ka dhënë një fjalim të fuqishëm për drejtësinë racore dhe luftimin e privilegjeve që i kanë të bardhët në Amerikë, gjatë kohës që po e pranonte shpërblimin “Higher Ground Award”, në ceremoninë e së shtunës “Beloved Community”.

Ky çmim ndahet nga organizata jofitimprurëse “The King Center” në Atlanta, e cila u themelua në vitin 1968 nga Coretta Scott King, për nderë të Dr Martin Luther King Jr.

Këngëtarja dhe aktorja e njohur, Jennifer Hudson, ishte ajo e cila ia prezantoi shpërblimin Gagas në ceremoninë e organizuar në formë virtuale.

Dhe në videon përmes së cilës ylli i muzikës pop e pranoi çmimin, morri vëmendje të madhe mediale për faktin se ajo diskutoi rreth eksperiencës personale me racizmin.

“Ngjyra e lëkurës sime nuk më ka humbur në këtë periudhë kohore shumë të radikalizuar. Unë jam e vetëdijshme se para jush vij si Stefani Germanotta, emri me të cilin kam lindur dhe si Lady Gaga, një grua e bardhë e famshme e cila e gëzon një platformë të madhe. Identiteti im racorë vetëm e thekson më shumë ngjyrën e lëkurës sime, teksa unë jam ende duke e gjetur vendin në krijimin e komunitetit të dashur të Dr. King Jr.”.

Pasi ia dedikoi shpërblimin gjithë personave me ngjyrë në Amerikë, Gaga iu drejtua të bardhëve me fjalët: “Jetët e zezakëve kanë rëndësi në këtë vend. Të qenit person i komunitetit afrikano-amerikan ka rëndësi. Të gjithë ju që i takoni racës së bardhë, u them se ky komunitet e përfaqëson më të mirën e kombit tonë, dhe besoj që ne kemi përgjegjësi ta pranojmë të vërtetën për historinë e shtetit tonë, ta pranojnë se dallimet racore dhe privilegjet e të qenit të bardhë janë jo të shëndetshme për shoqërinë, t’i ndërrojmë sjelljet karshi personave me ngjyrë dhe të kontribuojmë në një botë ku liria është e vërtetë për të gjithë. Njerëz të bardhë, mendoj se duhet t’i ndreqim gabimet pa u turpëruar, ne duhet t’i ndryshojmë veprimet dhe ta bëjmë këtë për vetveten. Ky është vetëm një prej roleve tona në këtë komunitet të dashur. Për t’u adaptuar me gjuhën e Dr King Jr. mendoj se ne duhet ta shërojmë brendësinë tonë dhe t’i ndryshojmë sjelljet dhe veprimet tona. Largimi i shprehive të këqija na lejon ta shohim botën më ndryshe. Unë më nuk them se nuk shoh ngjyrë, siç kam bërë më parë, sepse kjo është gabim. Në vend të kësaj, unë them se e festoj ngjyrën e secilit individ. Çdo ditë të jetës unë i luftoj padrejtësitë racore, dhe mundohem t’i ndryshoj veprimet e mia karshi personave me ngjyrë. Largimi i këtyre shprehive të gabuara m’i ka hapur sytë ndaj realitetit të ashpër me të cilin ballafaqohen të tjerët në këtë shtet. Sa më shumë shikoj nga kjo pikëpamje, as më shumë i ndryshoj besimet e mia, çka përfundimisht i ndryshon edhe sjelljet dhe veprimet e mia. Prandaj, shpresoj se angazhimi im për një komunitet të lirë dhe të çliruar nga padrejtësitë racore, do të ndikojë edhe në veprimet e të tjerëve”.

Tutje këngëtarja shtoi se personat e racës së bardhë kanë nevojë të madhe për shërim moral që u është krijuar ndër shekuj, si dhe ta pranojnë se kanë përfitime nga racizmi sistematik që i privilegjon ata.

Së fundmi Lady Gaga e konfirmoi lajmin se do ta interpretojë himnin kombëtar të Amerikës, në inaugurimin e Joe Bidenit president, ngjarje kjo e cila zë vend të mërkurën më 20 janar.

Këngëtarja e famshme e kishte mbështetur edhe kampanjën presidenciale, të presidentit dhe zëvendëspresidentes së sapozgjedhur, Kamala Harris. /Koha/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme