‘Unë jom Era edhe koha jeme o tu ardhë’

22 Maj, 2018 - 9:51 pm

Era Istrefi nuk e gëzon famën e Shakirës, por nëse Shakira e ka kënduar para disa vitesh këngën e Kampionatit Botëror, Era është ajo që do të jetë këtë vit zëri kryesor për muaj të tërë në botë.

Era do të jetë këngëtarja e këngës kolonë zanore të Kampionatit Botëror Russia 2018.

Si nisi gjithçka me Erën? Disa këngë të regjistruara në Youtube si versione të saja, derisa doli me këngët e saja personale. Në fillim e njohën si motra e Nora Istrefit, ndërsa sot ajo e ka tejkaluar këtë epitet për tu bërë vetëm Era.

-Unë jom Era. – thotë vetë ajo në njërën prej këngëve të saj.

Era të premten do ta lansojë bashkëpunimin e saj për Kampionat Botëror, kësisoj duke marrë një pozitë muzikore të lakmuar prej shumë këngëtareve botërore.

E nisi në vitin 2013 me “Mani për money” ndërsa do të vazhdonte shumë shpejtë të ngjitej me hapa drejt skenës muzikore shqiptare, ndërsa me “Bon bon” tejkaloi parashikimet dhe u shndërrua në një hit evropian, për të mos thënë botëror.

Era sot nuk është emër i njohur ndoshta për të gjitha ta që do ta ndjekin Kampionatin Botëror të Futbollit, por situate nuk do të jetë e njëjtë pasi të përfundojë ky Kampionat.

“E dehun”, “13” janë dy këngë tjera të Era Istrefit. Provokimi – u quajt i tillë një videoklip që ajo e realizoi brenda një objekti fetar. Pak rëndësi ka kjo kur kujtojmë se Era edhe aty shkëlqeu, shkruan KultPlus.

Era nuk ka shumë këngë për të qenë e suksesshme sa është sot, por me pak projektet e saj muzikore ka ditur ku të godasë, cilat kontakte ti ketë rreth vetes dhe cilët njerëz ti ketë bashkëpunëtorët e saj.

“Origami”, “No I Love Yous”, “Redrum”, “Njo si ti” e “Shumë pis” janë disa prej këngëve tjera të Erës. Asnjëra nuk ka mbetur në hije, secila është hit i kohës kur u lansua.

Era nuk bën shumë zhurmë, por bombardon kur pritet më së paku.

Nicky Jam dhe Will Smith do ti bashkohen Erës në këngën e cila bën krenarë të gjithë shqiptarët. Sepse është sukses i madh që një shqiptare të jetë zëri kryesor i Kampionatit Botëror. / KultPlus.com

Të ngjajshme