Dhjetë libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar sipas Krajës

Shkrimtari Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen lënë pa lexuar. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë ai vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda, “Juvenilia”

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi, “Ujku dhe Uilli”

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore. /KultPlus.com

Kjo është lista me 10 librat më brilant që janë shkruar për Skënderbeun

1. Kryqtari i fundit nga Virgjil Kule: E botuar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë ky është libri monografik më brilant deri tani për Gjergj Kastriot Skënderbeun, i cili tregon muaj pas muaji, vit pas viti çfarë ka bërë Skënderbeu.

2. Skënderbeu, një histori politike nga Aurel Plasari: Historiani që studion burimet dokumentare lidhur me karrierën e tij gjen dëshmi të pareshtura të qartësisë së vizionit të Skënderbeut. Veçohen dokumentet nga arkivat e Milanos.

3. Historia e Skënderbeut nga Marin Barleti: Edhe pse praktikisht biografi i parë i Skënderbeut është Martin Segoni, është Marin Barleti, prifti shkodran, që botoi në latinisht për herë të parë në Romë rreth viteve 1508 – 1510, një biografi “zyrtare për Skënderbeun. Edhe pse ky Barleti përdori si referencë Martin Segonin.

4. Skënderbeu nga Sabri Godo: Roman historik, ndryshe nga të tjerët, i shkruar nga i mirënjohuri Sabri Godo, që tregon historinë e heroit tonë kombëtar. Romani përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë mendon ai, mënyrën e komunikimit me të afërmit, ushtarët, trimat shqiptarë, dashurinë për Shqipërinë. Një roman që këtë figurë kaq të lartë kombëtare e afron më shumë me ne, e bën më njerëzore dhe më të afërt.

5. Skënderbeu –histori shqiptare e shekullit XV nga Antonio Zonkada: Romani, i botuar në Milano 1874, frymëzoi popullin italian në luftën për lirinë dhe bashkimin e Italisë, e cila ndodhej ende nën sundimin e huaj.

6. Historia e Skënderbeut nga Fan Noli: Është libri i parë historik i Skënderbeut në shqip i shkruar nga Fan Noli. Noli bëri një punë torturuese duke rrëmuar gjithë arkivat e mundshëm në kërkim të të dhënave për Skënderbeun. Historia e Skënderbeut ishte tema e diplomës së Nolit në Universiteti e Bostonit.

7. Skënderbeu: Një histori e Gjergj Kastriotit dhe e Rezistencës Shqiptare ndaj ekspansionit Islamik në Europën e shekullit XV nga A. K. Brackob: Një libër biografik i dalë së fundmi për Skënderbeun, i cili argumenton se sukseset e Skënderbeut shpëtuan Italinë duke vonuar operacionet ushtarake të Mehmetit II. Autori e botoi me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti, i cili sipas tij, shpëtoi qytetrimin perëndimor.

8. Skanderbeg: Nga i burgosur i osmanëve në heroin shqiptar nga Harry Hodgkinson: Biografia e parë për heroin kombëtar të Shqipërisë e botuar në Angli pas më shumë se 400 vjetësh.

9. Skënderbeu nga Oliver Jens Schmitt: Në vazhdën e jetëshkrimeve dhe monografive të shumta kushtuar Gjergj Kastriotit, “Skënderbeu” i Schmittit është portreti më i plotë, i ndërtuar me mjetet e historiografisë moderne, me një depërtim të pazakontë në shoqërinë, në protagonistin dhe personazhet kryesore rreth Aleksandërit të ri.

10. Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Shqipëria në shekullin XV nga Jovan Radoniç: Një punim volumiz i këtij autori serb për Skënderbeun, i cili ka dokumentuar historinë e Skënderbeut duke mbledhur dokumente nga të gjitha arkivat, si: Napoli, Milano Raguza të Spanjës etj./ KultPlus.com

Dhjetë librat që ndryshuan botën

Martin Puchner, autor i librit “Fjala e shkruar: Si i dha letërsia formën historisë së botës”, përzgjedh dhjetë librat, që ai beson se kanë pas një ndikim të fortë në kursin e historisë botërore.

“Epi i Gilgameshit”

“Epi i Gilgameshit” është teksti i parë i rëndësishëm në letërsinë botërore, dhe një shembull i përsosur i fuqisë së tregimeve të shkruara, për të formësuar historinë. Duke forcuar kohezionin kulturor në të gjithë rajonin, Epi ndihmoi në ruajtjen e perandorisë më të hershme territoriale. Shkruar në kuneiform, ai u zhduk pa lënë gjurmë, sepse nuk u përkthye kurrë në ndonjë sistem tjetër të shkrimit, derisa u rizbulua aksidentalisht dy mijë vjet më vonë. Saddam Husseini, një student i etur i historisë, shkroi një përshtatje në formë romani të Epit. Për habinë e tij të madhe, Epi nuk arriti të siguronte mbijetesën e regjimit të tij.

Bibla e Ezrës

Tekstet e shkruara u bënë gjithnjë e më të rëndësishme për jetën e hebrejve, gjatë mërgimit në Babiloni, vendi më i shkolluar mbi tokë në atë kohë. Kur shkruesi i quajtur Ezra i udhëhoqi pasuesit e tij përsëri në Jeruzalem, ai i mbante lart fletushkat e Torahut dhe u kërkonte mërgimtarëve të kthyer që të përkuleshin para tyre, ashtu siç do të bënin para një perëndie. Ishte fillimi i shkrimit të shenjtë, që i dha jetë Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit. Që nga ajo kohë, ne kemi jetuar në një botë të formësuar prej teksteve të shenjta.

“Diamond Sutra”

Diamond Sutra përkujton jetën e Budës duke portretizuar ndërveprimet e tij me nxënësit dhe zakonet e tij të përditshme, me hollësi të pazakonta. Kur sutra u hodh në libër shumë kohë pas vdekjes së këtij mësuesi të madh, u bë aq e rëndësishme, sa që murgjit e devotshëm e bartën atë deri në Kinë. Ishte pikërisht këtu, vendi ku Diamond Sutra gjeti letrën dhe u shkrua. Me ndihmën e këtyre teknologjive, ajo u përhap në Kore, Japoni dhe më gjerë, duke e bërë budizmin një fe botërore.

Përralla e Genjit

Kjo përrallë shumë-breznore, e shkruar nga një vahzë që pritej të bëhej grua, në oborrin e Japonisë, është romani i parë i madh në letërsinë botërore, dhe ai zgjeroi tej mase aftësinë e letërsisë për të kapur emocione komplekse dhe ndërveprime delikate. Duke i dhënë lexuesve të saj qasje të paparë në jetën e veçuar të grave në oborrin Heian, romani formoi kulturën japoneze për qindra vjet, ndonëse lexuesit perëndimorë nuk kishin qasje në përkthimet e tij, deri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

“Një mijë e një net”

Koleksione tregimesh dhe përrallash ka patur nëpër botë që nga India në Greqi, por asnjë koleksion nuk u bë kaq popullor sa Një mijë e një netët, me Sheherezaden e famshme, motrën e saj dhe mbretin vrasës. I ndihmuar edhe nga ardhja e prodhimit të letrës nga Kina, ky koleksion mbërtheu imagjinatën e botës arabe dhe, shekuj më vonë, Evropës. Duke shtuar vazhdimisht histori të reja, ai në fund u bë magazina më e madhe botërore e tregimeve, duke u përshtatur shumë herë prej asaj kohe.

“Popol Vuh”

Popol Vuh është kulmi i letërsisë Maya, tradita e vetme letrare që u zhvillua pa kontakt me kontinentin e Euroazisë. Kur pushtuesit spanjollë ndeshën libra Maya, ata u përpoqën t’i digjnin të gjithë. Por shkrimtarët e Mayave përkthyen fshehurazi epikën më të çmuar në alfabetin latin dhe e fshehën atë, duke shpresuar ta ruajnë atë për të ardhmen. Epika u rishfaq në shekullin e njëzetë dhe shërbeu si një frymëzim për Nënkomandantin Marcos dhe revoltën Zapatista në jug të Meksikës.

“Deklarata e Pavarësisë”

Shkruar nga Thomas Jefferson dhe përmirësuar nga komiteti, Deklarata e Pavarësisë kombinon idetë e Iluminizmit me një histori ankesash dhe dobësish. Benjamin Franklin, i cili kontribuoi me termin “të vetëkuptueshme” në fjalinë e famshme, siguroi që teksti të mbërrinte me shpejtësi tek lexuesit me ndihmën e perandorisë së tij të medias, ku përfshiheshin shtypshkronja, gazeta dhe një rrjet rrugësh postare. Deklarata e Pavarësisë u bë modeli për shumë deklarata të ngjashme në të gjithë botën, nga Haiti në Vietnam.

“Manifesti komunist”

Kur Marksi dhe Engelsi shkruajtën “Manifestin Komunist” me porosi të një grupi të vogël revolucionarësh mërgimtarë me banim në Londër, ata e dinin se donin të ndryshonin botën. Ata thjesht nuk dinin nëse do të kishin sukses. Duke kombinuar një histori madhështore të njerëzimit me një thirrje nxitëse për veprim, Manifesti Komunist u injorua për dekada të tëra, derisa i gjeti të gatshëm lexuesit, për të vënë në zbatim programin e tij revolucionar, në fillim të shekullit të njëzetë. Përkundër kësaj vonese fillestare, asnjë tekst tjetër në letërsinë botërore nuk ka pasur aq shumë ndikim, në një kohë kaq të shkurtër.

“Epi i Sunjatës”

Legjendari Sunjata themeloi Perandorinë Mali gjatë Mesjetës së vonë, por epika që përkujtonte veprat e tij u transmetua gojarisht për qindra vjet, përpara se të shkruhej në shekullin e njëzetë. Si një histori e përcjellë me gojë, Epi i Sunjatës lidhte jetën e dëgjuesve me një të kaluar të lavdishme, dhe si një tekst i shkruar, nxiti luftën kundër kolonializmit francez, që përfundimisht çoi në pavarësi.

“Rekuiemi” i Akhmatovës

Akhmatova e dinte që nuk do të lejohej të shkruante për jetën nën Stalinin, dhe se do të arrestohej, nëse një tekst i tillë do të gjendej në apartamentin e saj. Por këto rrethana nuk e penguan që të shkruante Rekuiemin, poemën e gjatë për gulagët. Ajo e mësoi përmendësh dhe dogji letrën ku e kishte shkruar. Më pas ia mësoi mikeve të saj femra, me qëllim që të mbijetonte edhe pas vdekjes së saj. Poema u qarkullua në kopje të fshehta dhe ndihmoi jo pak për të sjellë rënien e Bashkimit Sovjetik./ KultPlus.com