Ligjërata e akademikut Mehmet Kraja: Shqipëria e Kosova, vende të vogla për të krijuar dy letërsi të ndara

Letërsia e Shqipërisë dhe letërsia e Kosovës janë dy letërsi me përvoja dhe zhvillime të ndryshme. Ato i bashkon shqipja, gjuha e tyre e njëjtë.

Ky ishte thelbi i një ligjëratë që akademik Mehmet Kraja ka mbajtur në qendrën Sotir Kolea.

Sipas Krajës, letërisa e Kosovës u zhvillua kryesisht pas luftës së dytë botërore në ndryshim nga letërsia shqipe që ka një traditë më të gjatë të shkrimit. Diferencimeve i shtohet edhe fakti që Kosova deri në vitet ’90 nuk kishte gjuhën shqipe gjuhë të parë.

Megjithatë, sipas Krajës, jemi një vend dhe i vogël për të krijuar dy letërsi të ndara./topchannel/KultPlus.com

Kurti e priti në takim Krajën, folën për hartimin e enciklopedisë shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademikun Mehmet Kraja.

Zyra e Kryeministrit njoftoi se në këtë takim është folur në lidhje me hartimin e enciklopedisë shqiptare.

“Në takim u theksua rëndësia e projektit madhor mbi enciklopedinë shqiptare, i nisur nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët të vitit të kaluar. Akademiku Kraja shprehu përkushtimin e tij dhe të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për hartimin e Enciklopedisë shqiptare, teksa e njoftoi kryeministrin me punën dhe arritjet kryesore të Akademisë”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com

Dua të them diçka për Ali Podrimjen

Mehmet Kraja

(Në 11-vjetorin e vdekjes)

…Kur e pashë për herë të fundit, ai mbante një kasketë vere dhe syza dielli. Ngjante i shpërqendruar, sikur ikte me ngut nga ndonjë ëndërr që e ndiqte pas. Edhe të folurit e kishte disi gungor, me ca zanore të zemëruara, që merrnin në thua herë në një fjalë dhe herë në një tjetër. Bablok, gjithë natën kam folë me të vdekur, për krye t’Lumit, nuk di çka ka me u ba me ne, kanë me e nda Mitrovicën, ke me e pa, a e ke pa çka ka thanë Çomski, jam tue shkru nji poezi, kanë me e pa! Hoqi kasketën verore dhe e rrotulloi nëpër duar, hoqi edhe syzat e zeza. Sytë e vegjël, nën vetullat e ulëta, ishin pa shprehje, disi të shpenzuar, të kurthuar në mes të një memorie të mjegullt.

Më pas pimë kafe në oborrin e Radios, nën ca bredha të mëdhenj, me hije halore, që të cimbisnin nëpër trup. Një kohë nuk folëm, pastaj thamë diçka pa rëndësi, pastaj sërish nuk folëm. Ali Podrimja u ngrit dy herë, i shkoi dikujt te tavolina, foli me të dhe u kthye duke turfulluar. Pastaj u ul përballë meje, shikoi qiellin dhe, i pakënaqur me pamjen e tij, iu kthye dritareve të epërme të godinës së Radios. Një grua hollake u ngrit nga tavolina pranë, u kthye nga ne dhe na buzëqeshi. Për mua ishte buzëqeshja e vetme e shumë ditëve të shkuara. Ali Podrimjes nuk i bëri përshtypje. Dukej i përqendruar në inatin e vet, të cilin sikur e kishte pikasur diku matanë dhe ia kishte ngulur sytë me një urrejtje të ligështuar. Bablok, mbramë e kam pa andër Azem Shkrelin, kish lanë mjekër, për kokë t’Lumit, nuk e njohta, m’tha se i kish botue edhe dy përmbledhje me poezi atje, n’botën tjetër, m’u duk mirë, ma i lumtur se kur ka qenë këtu.

Ali Podrimja qeshi, por pastaj u duk sikur u pendua për diçka dhe një pjesë të buzëqeshjes e la pezull. Në aneksin e Radios, andej ku kishte qenë dikur salla e koncerteve, u hap një derë xhami dhe për pak çaste u dëgjua një muzikë e prajshme. Pas pak dera u mbyll, tingujt u shpërbënë dhe ca hije drithëruese e të trazuara u dynden mbi gjelbërimin e nëpërdukshëm, duke kërkuar një peizazh ëndrre ku të preheshin.

(Nga romani “Prishtina”). / KultPlus.com

Mehmet Kraja: Nuk kam kërkuar falje, edhe një herë spekulime publike

Sot, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka mbajtur një mbledhje për të diskutuar shkarkimin e Mehmet Krajës nga detyra e kryetarit, shkruan KultPlus.

Megjithatë Kraja nuk është shkarkuar, e për këtë anëtari i AShAK-ut, Jusuf Bajraktari, tha se janë qartësuar të gjitha keqkuptimet.

Më pas reagoi edhe vetë Kraja i cili shprehet se nuk ka kërkuar falje dhe nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:

NUK KAM KERKUAR FALJE, EDHE NJE HERE SPEKULIME PUBLIKE

Ne mbledhjen e sotme te Kuvendit te Akademise nuk kam kerkuar falje dhe as e ka kerkuar dikush prej meje nje gje te tille. Duke mos pasur baze ligjore per te marre ne pergjegjesi kryetarin e Akademise, u poropozua nje kompromis, per te cilin eshte shprehur qarte akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky eshte kompromisi. Deklaratat tjera jane spekulime pa asnje peshe dhe vlere./ KultPlus.com

AShAK-u nuk e shkarkon Mehmet Krajën

Mehmet Kraja, nuk është shkarkuar nga detyra e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në takimin e sotëm, i cili ishte i mbyllur për media, raportohet se është arritur kompromis që të zgjidhen të gjitha keqkuptimet, transmeton klankosova.tv.

Anëtari i AShAK-ut, Jusuf Bajraktari, tha më pas, se ky takim ishte ndër më të mundimshmit të historisë së kësaj akademie.

”Ishte një ndër takimet të mundshme të historisë së akademisë, megjithatë janë diskutuar detajisht të gjitha problemet”.

”Kanë mbizotëruar arsyet, se në këtë kohë kur Kosova po përballet me probleme të llojllojshme qoftë problem të brendshme ekonomike apo politike, ne si anëtarë të akademisë, erdhëm në përfundim se nuk duhet t’ia shtojmë dhimbjet Kosovës, dhe gjetëm një zgjidhje kompromisi, që të vazhdojmë punën e mëtejshme me projekte shkencore, me harmoni e kompetenca që kemi”./ KultPlus.com

1 mijë studiues për shkrimin e enciklopedisë shqip

Dy krerët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, Skënder Gjinushi dhe Mehmet Kraja shpallën zyrtarisht redaksitë qendrore për Enciklopedinë Shqiptare. 1000 studiues nga hapësira mbarë shqiptare, nga fusha të ndryshme janë të angazhuar për projektin madhor.

“200 personalitete të lartë do të jenë të përfshirë në redaksi. Pranë tyre do të kenë hartues të zërave të veçantë dhe për fjalorin janë angazhuar rreth 500. Është e thjeshtë se pranë 100 anëtarëve në redaksi do të kenë rreth 400 hartues.“, tha Gjinushi.

Në këtë botim do të përmblidhen kërkimet që nga origjina, historia , gjuha dhe zakonet e shqiptarëve. Synimi sipas Krajës është krijimi i një enciklopedie larg polemikave.  “Ajo që është e verifikuar si dije ajo do të kalojë. Do të jenë të gjitha nga origjina, historia, gjuha, letërsia, kultura. Nuk mendojmë se do të bëjmë një enciklopedi të dobët dhe që përfshihet në polemika”, tha Kraja.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo Kosovës në janar të 2023, do të nisin punën konkrete për projektin madhor të shkrimit të Enciklopedisë Shqiptare. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut puna u ndërpre në 2009, pasi kishte shtrembërime për origjinen dhe historinë e shqiptarëve. Të njëjtën politikë ndoqi edhe Mali i Zi. /abcnews.al/ KultPlus.com

Akademik Kraja: Ka synime që Kosova të kthehet në Republikë Islamike, vajzat nën 16 vjeç me shami, të kufizuara dhe nën diktat

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës është përfshirë në debatin për bartjen ose jo të shamisë në shkolla, debat ky që u riaktualizua pasi një shkollë në Suharekë ia ndaloi ushtrimin e profesionit me uniformë fetare një mësuesje të matematikës, duke u thirrur në Udhëzimin Administrativ të MASHT’it. Për këtë çështje, ka folur Kryeakademiku Mehmet Kraja.

Kraja ka thënë se edhe në rastet e vajzave që bartin shaminë, e edhe në rastin kur vajzat zbulojnë pjesët e trupit publikisht, kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit.

Sipas Krajës, vajza që vendos shami në moshë minorene, është e kufizuar dhe nën diktat.

“Dy probleme themelore janë për ne te çështja e shamisë në përgjithësi në kontekstin në Kosovë. E para është e dëmshme për emancipimin e vajzës në Kosovë. Emancipimi i vajzës është problem i madh në Kosovë. Nuk është emancipim vetëm shamia, që vënë kufizim në pamjen e saj, vënë kufizime në përceptim, në zhvillim të mendimit, në lirinë e mendimit sepse ajo, vajza që vendos shami është e kufizuar, është nën diktat. E njëjta gjë sa i përket emancipimit, këtu ka një vijë shumë të hollë, midis asaj se kemi probleme serioze me emancipimin e femrës te ne, një vijë shumë e hollë i ndan vajzën që mban shami dhe vajzën e cila zbulon pjesët e trupit publikisht. Të dyja, me të dyja rastet kemi të bëjmë me probleme esenciale të emancipimit të vajzave dhe në këtë rast, të dyja rastet, shamia paraqitet një pengesë serioze në emancipimin e vajzës te ne. I vendos kufizime të cilat janë, domosdo do të reflektohen në krijimin e personalitetit të saj. Pastaj e dyta, çështje tjetër, çështje e dytë është se shamia vendos probleme të theksuara në çështje të identitetit”, ka deklaruar Kraja në RTK.

Kraja ka thënë se nuk bën fare të lejohet vendosja e shamisë nën moshën 16-vjeçare, meqë kjo ndikon në çështjen e emancipimit të tyre dhe formimin e personalitetit.

“Jo, nuk do të ishte mirë. Nuk bën fare nën moshën 16-vjeçare. Unë nuk e di pragun, nuk e di pse është caktu pragu. Kjo nuk është çështje nuk do të duhej, por nuk bën fare, sepse Kushtetuta ta ndalon…Ne s’po i themi kërkujt mos beso, kërkujt s’po i thuhet as mos beso e as beso, as falu as mos u fal. Thjeshtë të mbrojmë nga keqpërdorimi eventual, nuk po themi i domosdoshëm, një kategori sociale, siç janë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare, që të mos i nënshtrohen një urdhëri, i cili pastaj do të ketë pasoja në formimin e tyre të personalitetit, sepse siç ju thash, vendosja e shamisë nuk është çështje formale, është çështje e emancipimit dhe formimit të personalitetit. Vajza e cila vendos shaminë e kokës, në njëfarë forme vendoset në diktat dhe nuk e zhvillon lirinë e mendimit”, ka deklaruar ai.

Kryeakademiku ka fajësuar partitë politike që kanë qenë e janë në pushtet për këtë gjendje, pasi s’kanë procedurar dhe miratur Ligjin për Fenë.

Sipas tij, mungesa e një ligji të tillë, do t’i nxjerr problem Kosovës edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe UNESCO.

“Në rastin tonë ne kemi të bëjmë me shtet laik dhe kjo nënkupton se feja nuk ka punë në institucionet e shtetit. Është kushtetuese kjo dhe këtu ka një problem tjetër. Ne na mungon ligji për fenë. Ne nuk e kemi ligjin për fenë dhe për këtë një përgjegjësi të madhe për këtë e mbajnë dy-tri legjislaturat e fundit në Kosovë, të cilat nuk e kanë proceduar këtë ligj edhe nuk e kanë miratuar këtë ligj. Poashtu nga ekspertët kam marr vesh se për shkak të mungesës së këtij ligji, ne do të kemi problem edhe me Këshillin e Evropës, do të kemi probleme edhe për pranimin në Këshillin e Evropës, sikur që do të kemi probleme kurdo që do të kandidojmë përsëri për UNESCO, sepse dihen situatat tona që i kemi me institucionet e fesë”, ka thënë Kraja.

I pari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve ka thënë se ka synime që Kosova të kthehet në Republikë Islamike, duke përmendur këtu kosovarët që i ishin bashkuar ISIS’it.

“Jo rasisht probleme të tilla iniciohen në momente kritike për Kosovën. Nuk është asgjë e rastit…Nuk e di si do të zhvillohen situatat, por synime ka, duket qartë ajo punë, që Kosova të kthehet në Republikë Islamike…Mos të harrojmë se kemi pasur një numër të konsiderueshëm që kanë shku dhe janë bërë ushtarë të ISIS’it, gra e burra. Këtë nuk mund ta injorojmë”, ka deklaruar kreu i ASHAK.

Ndryshe, Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla, para disa muajsh.

“Për të mos na u përsëritur situata të tilla, kërkojmë edhe njëherë nga Ministria e Arsimit Shkencës e Teknologjisë, që ta anulojnë nenin 3 paragrafi 1 pika 1.13 të Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014, të cilin e konsiderojmë si burim të këtyre akteve e veprimeve që krijojnë situata të tilla”, ka qenë kërkesa e BIK’ut.

Ndryshe, me Udhëzimin administrativ të MASHT’it përcaktohen të drejtat, obligimet, veprimet e ndaluara, vijueshmëria në mësim dhe masat e procedurat disiplinore dhe zbatimi i tyre ndaj nxënësve të cilët i shkelin rregullat e etikës.

Në Nenin 3 të këtij udhëzimi, renditen veprimat e ndaluara për nxënësit. Në pikën 1.13 të këtij Neni, si veprim i ndaluar është edhe “bartja e uniformës fetare”.

Përveç bartjes së uniformës fetare, veprime të ndaluara konsiderohen edhe: mungesa e paarsyeshme, mbajtja e armëve të ftohta dhe të zjarrta si dhe mjetet e tjera që rrezikojnë jetën e nxënësve dhe personelit, veprimet e dhunshme, bartja dhe konsumimi i drogës, duhanit  alkoolit, hyrja me vonesë në orë mësimi, prishja e rendit dhe qetësisë, lëshimi i orës pa leje, përdorimi i celularit, bartja dhe përdorimi i ditarit të klasës, falsifikimi i dokumentacionit, kopjimi, dëmtimi i inventarit dhe veshjet ekstravagante dhe grimi i tepruar. /KultPlus.com

Kraja çuditet me të rinjtë: Mirë që flasin e shkruajnë perfekt anglisht, po shqip pse nuk mësojnë?

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Mehmet Kraja është shprehur i çuditur se pse të rinjtë kosovarë që flasin dhe shkruajnë në mënyrë perfekte anglisht, nuk dinë ta shkruajnë po aq mirë edhe shqipen.

Duke folur për përdorimin e gjuhës, Kraja tha se shpëtimi i vetëm në këtë situatë është që njerëzit të lexojnë më shumë.

“Nëse ka shumë djem dhe vajza në Kosovë, të rinj kryesisht, që e flasin perfekt anglishten, çuditem pse për tërë jetën e tyre nuk arrijnë ta mësojnë shkrimin. Nëse e shkruajnë mirë anglishten, pse nuk e shkruajnë mirë shqipen? Është një gjë që duhet ta tejkalojmë. Këtë nivel shkrimi duhet ta tejkalojmë njëherë e mirë”, tha Kraja.

Gjuhët e huaja duhet të vazhdojnë të mësohen e të fliten, por Kraja thotë se nevojitet përkushtim për ta mësuar edhe shqipen.

“Sepse nuk ka mendim pa gjuhë. Nëse jemi sakat nga gjuha, e kemi sakat edhe mendimin. Këtu është telashja. Është një telashe shumë e madhe puna e gjuhës. Nuk mund të ketë zhvillim, as mendor, as të komunikimit, as të artit, as institucional, pa zhvillim gjuhësor”, tha ai në një intervistë për RTK-në.

Kryeakademiku megjithatë vëren se përdorimi i gjuhës në Kosovë ka avancuar, ndërsa thekson se këtë “matje” nuk e bën duke parë se çfarë shkruhet në Facebook.

“Kemi një shkrim më të stabilizuar, standardin e përdorim më mirë, dhe natyrisht jemi pak më të lirë, në kuptimin që trajtat dialektore i fusim me një liri më të madhe”, tha Kraja.

Ajo që duhet të ndryshojë në Kosovë rreth gjuhës është shkolla, sipas tij.

“Ajo (shkolla) duhet të kultivojë dhe të insistojë që me gjuhën të punohet më shumë, që nga klasa e parë dhe deri në fund”, tha Kraja. / KultPlus.com

Mehmet Kraja: 10 libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar

Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen humbur pa lexuar nga letërsia shqipe. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë shkrimtari vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”:

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda,“Juvenilia”:

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”:

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”:

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”:

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”:

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen.  Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura.  Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”:

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi,“Ujku dhe Uilli”:

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore./MapoLetrare /KultPlus.com

Mehmet Kraja rizgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave

Shkrimtari Mehmet Kraja e ka fituar edhe një mandat në krye të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Atij iu ribesua detyra në Kuvendin zgjedhor të rregulltë, derisa u zgjodhën dy anëtarë të rinj në Kryesi.

Akademik Mehmet Kraja, Kryetar

Akademike Justina SH. Pula, Nënkryetare

Anëtar korrespondent Luan Mulliqi, Sekretar shkencor

Me anë të komunikatës bëhet e ditur se po ashtu se Kuvendi i Akademisë gjithashtu miratoi zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve:

Akademik Sabri Hamiti, Sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë

Anëtare korrespondente Gjyljeta Mushkolaj, Sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore

Anëtar korrespondent Fetah Podvorica, Sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës

Akademik Rauf Dhomi u caktua ushtrues i detyrës së Sekretarit të Seksionit të Arteve./ KultPlus.com

Premiera e dramës ‘Aroma e hënës’ hapi sezonin vjeshtor në TKK, shpalos problematikën thelbësore të shoqërisë kosovare

Drama “Aroma e Hënës” erdhi fuqishëm me ngrehjen e problematikave thelbësore që janë të rrënjosura thellë brenda shtetit të Kosovës, me ç’rast pyetjet se kush është ky vend, çfarë duam në këtë vend dhe çfarë presim nga ky vend, nëpërmjet gërshetimit të fakteve politike ditore si dhe atyre mediale, hyrën thellë brenda mendimeve njerëzore të pranishme duke ngacmuar atë ‘mjegullën’ që ka kapluar popullin. E kjo u shpalos pikërisht në premierën e shfaqjes “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi kur numri i madh i të pranishmëve, ngadalë po mbushte sallën e Teatrit Kombëtar e i cili tërë kohës po shoqërohej nga meloditë drithëruese që dëgjoheshin ende pa filluar shfaqja. Në skenë, e vendosur si një simbol preciz i shfaqjes, ishte edhe hëna për të portretizuar pjesën e tretë të triologjisë të titulluar “Hëna prej Letre”. E kjo hënë e cila së bashku me shfaqjen që ndërronte formë, përmes zhvillimit të saj, njëkohësisht vinte dritë mbi shqetësimin e madh kolektiv të shoqërisë tonë, e i cili mbetet vdekja e empatisë njerëzore që dita ditës po shpërbëhet.

Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë i cili lufton për vendin e vetë. Në një vend ku njeriu kërkon lirinë hap pas hapi, ai humb veten duke e kërkuar atë dhe jo vetëm. E vërteta, e drejta, liria, lumturia e ëndrra për lirinë, duket se nuk kanë vend në redaksinë e gazetës e aq më pak në misionin e tij për të ndjekur rrugën drejt së ardhmes e për ti dhënë një kuptim lirisë.

“Aroma e Hënës”, dramë e cila vë në pikëpyetje lirinë e fituar nga lufta dhe lirinë demokratike, pasqyron realitetin në të cilin po jetojmë. Por mbi atë pikëpyetje vendoset një tjetër pikëpyetje më e madhe; ‘A do të ndahet Kosova apo jo?’, e që nëpërmjet lojës mjeshtërore të kastës së aktorëve, dilema se a do të shiten vuajtjet e dhimbjet e popullit për pesë euro, të frymojë jo vetëm në skenën e Teatrit por edhe në publik.

Ndërlidhja e mahnitshme e përjetimeve personale të personazheve në skenë si dhe historisë tonë reale, shtyu që kjo shfaqje e cila fton publikun që të jetë pjesë e saj, të prek thellë në zemrën e problematikës kryesore të shoqërisë tonë.

Për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë më tutje, shfaqja vë në fokus lirinë e ëndërruar të njeriut, një liri që ndoshta nuk është e drejtë për tu përjetuar apo ndoshta edhe nuk është e merituar fare. Këto dilema herë shfaqen si arritje e të vërteta idealiste e herë si histori të cilat ngërthejnë në vete anët më negative të mundshme të perceptimit të ndjerë të lirisë.

Me dialogun e personazheve të cilët në qendër kanë lirinë e tashme në të cilën jemi duke jetuar, ata gërmojnë në të kaluarën për t’iu vënë pas një shpjegimi të panjohur, por ndoshta ai gërmim në të kaluarën rrezikon kohën e tanishme apo edhe të ardhmen, duke dërguar kështu në një fatalitet. Kurse, në anën tjetër dialogjet njëkohësisht thumbonin pikërisht në mendjen, zemrën dhe shpirtin e pranishëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për shfaqjen, për KultPlus foli regjisorja Rozi Kostani.

“Të gjitha elementet që sjell demokracia janë të dyshimta dhe ne kemi dashur të ngremë pikëpyetjen e fuqishme se a do të ndahet Kosova apo jo. Janë disa thirrje e ulërima të ujkonjës të brendshme, të thella për të arritur empatinë ndër ne sepse po bëhemi të ftohtë si akulli”, thotë ajo.

Sipas saj, shfaqja ka pasur një komunikim kulturor me audiencën dhe në fakt është arritur të realizohet dinamika e përçimit të ideve dhe mesazheve, pra ngacmimit të ndërgjegjësimit të popullit.

“Në teatër vihet për të menduar, për të reflektuar, për tu thelluar e për tu angazhuar me një pikëpyetje. Kur njeriu humbet forcën e gravitetit, ne shkojmë lart por të shkuar lart ne duhet të shohim poshtë dhe ky lloj raporti me universin, është ajo pikëpyetja që kanë këto personazhe brenda vetes”, përfundon Kostani.

Kurse, protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth shfaqjes,

“Me thënë të drejtën tani e dy muaj ditë kemi qenë shumë të angazhuar në këtë punë, por unë besoj se kjo puna jonë, kreacioni jonë artistik në dramën e Krajës, ishte një realizim që komunikojë me publikun. Ne bëmë përpjekje ta ndjejmë, dhamë shumë energji, u kënaqëm dhe shpresojmë që kjo shfaqje të ketë jetë më të gjatë”, thotë Azemi.

Po ashtu, aktori Shpëtim Kastrati foli rreth rolit të tij, të cilin ai e konsideron koxha të vështirë për tu luajtur.

“Një shfaqje shumë kompleksive, e në fakt ato personazhe që përpëliten në skenë, fatkeqësisht ndodh edhe në jetë dhe janë shumë aktuale që do të thotë se asnjë nuk është i lumtur e andaj shumica përfundojnë në fatalitet”, thotë Kastrati.

Sipas tij, roli i tij ishte një rol shumë i vështirë për arsye se personazhi është një person i mbyllur në vetvete dhe prandaj edhe është shumë problem të qëndrosh në skenë e të thuash shumë pa fol asgjë.

Gjithashtu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për KultPlus foli rreth përshtypjeve të tij për shfaqjen, të cilën e konsideron të një cilësie të lartë.

“Besoj se ishte një dramë politike me një përshkrim goxha të saktë të realiteti tonë në të cilin jetojmë edhe sot por sidomos për dy dekadat e fundit. Besoj që kombinimi i tekstit me regjinë të dy njerëzve me shumë vlerë, ka sjell një cilësi shumë të lartë të lojës dhe loja e mirë e aktorëve të njohur të skenës teatrore e bëri që sonte të kemi një përjetim të veçantë”, thotë Çeku.

Sipas tij, ishte premiera e shfaqjes, dhe ai beson që me cilësinë që është parë sonte, atëherë do të ketë mjaft shumë publik në reprizat e ardhshme, në kuadër të kalendarit kulturor me Kosovës dhe Shqipërisë.

“I përgëzoj të gjithë që kanë qenë sonte pjesë e kësaj shfaqje dhe besoj se sonte e kemi dhënë një dëshmi që Teatri Kombëtar i Kosovës është duke prodhuar një cilësi shumë të lartë artistike”, përfundon Çeku.

Ndërkaq, shfaqja “Aroma e Hënës” këtë muaj do të ketë edhe katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pastaj rikthehet përsëri në muajin dhjetor si dhe më pas do të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. / KultPlus.com

Hëna do të ‘lëshojë’ aromën e saj të martën në mbrëmje kur edhe do të shfaqet drama ‘Aroma e hënës’

Uranik Emini

Drama “Aroma e Hënës”, me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej Letre” e autorit Mehmet Kraja, do të ketë premierën e saj nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një dramë provokatore e ditëve tona, filozofike dhe surrealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale dhe social-politike e politiko-mediale.

Regjisorja nga Shqipëria, Rozi Kostani, në një prononcim për KultPlus ka rrëfyer pjesë nga shfaqja “Aroma e Hënës” një ditë përpara premierës së madhe.

E pyetur mbi pjesën se si erdhi deri te bashkëpunimi mes Tetarit Kombëtar, Kostani u shpreh se kur vjen një propozim i cili e intrigon apo e ngacmon teksti, atëherë e bind atë për të punuar rreth projektit.

“Pjesa e fundit trilogjisë së Mehmet Krajës, ishte ngacmuese për mua sepse jo vetëm mundesh të flasësh për lirinë individuale në raport me botën por ajo përshkallëzohet në një liri dimensionale, dhe duke qenë kështu ti provokohesh dhe mund të thuash të fshehtat e tua”, tha ajo për KultPlus.

Tutje, Kostani tregon se si drama flet për një vdekje të empatisë njerëzore, gati një gjendje amogu shpirtëror dhe sigurisht kjo vepër është politiko-mediale, prek politikën, prek socialen, prek shpirtëroren, mendoren e të gjitha të bashkuara që përfaqësojnë njeriun në shoqëri, apo e identifikojnë atë.

Sa i përket kastës së aktoreve, Kostani deklaron se nuk kishte njohuri për të gjithë ata, mirëpo përmes audicioneve ka bërë edhe përzgjedhjen e tyre.

“Kam ndjekur një parim të regjisorit Peter Brooku. Në këtë fshatin tonë të madh ne bëjmë teatër, nuk e kam për ambicie monetare, e bëj punën për pasion, ambicie profesionale, dhe e kam kthyer listën mbrapshtë. Audicioni ka qenë shumë interesant dhe meqenëse dikush ka punuar është këtu në skenë”, theksoi ajo.

Shfaqja në fjalë do të ketë katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës këtë muaj, 16 17 19 dhe 30 nëntor, dhe pastaj rikthehet në dhjetor. Në vitin e ardhshëm, kjo shfaqje pritet që të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

Regjisorja nga Shqipëria thotë se duhet të krijohet një bashkëpunim më i madh mes Kosovës dhe Shqipërisë kur vjen puna te veprat teatrale.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë së bashku jo vetëm në formë të letrave e llafeve, por me punë dhe vepra. Të fillojmë t’i qasemi gjërave, por ku vjen puna për të bërë gjëra konkrete që vlejnë”.

Një ditë përpara premierës të kësaj pjese teatrale, ekipi i “Aroma e Hënës” ka bërë një publikim të trailerit, për të cilin foli edhe Rozi Kostani.

“E kam si parim të punës të bëjë një trailer, jo për të dhënë gjithçka se çfarë do të shfaqet. Por në një mënyrë ngacmimi, për të menduar. Teatri është një medium që i bënë njerëzit të mendojnë e jo të argëtojnë. Nuk jemi cirk, edhe në cirk madje ka një mendim e derisa ne të shkojmë drejtë një teatri të angazhuar, unë trailerin e përdori për të provokuar shikuesin”.  

Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, Ismet Azemi, njihet me nofkën “Prokulsakati” që identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë, që synim kryesor ka mbijetesën dhe luftën për vendin e vetë.

Aktori tregon se puna në këtë shfaqje ka qenë shumë e vështirë dhe madje kanë punuar shumë ditë për të shfaqur në mënyrë sa më profesionale vetën e tyre.

“Sot së bashku me asistentin e regjisores, Lirim Behluli, bëmë një llogaritje se sa punë kemi bërë deri tani, që i bie diku rreth 50 ditë. I gjitha ekipi kemi pasur një punë të madhe, jemi të përzgjedhurit e regjisores, Rozi Kostanit, e të gjithë kishim një përkushtim të madh me një bashkëpunim shumë kolegial, shumë njerëzor, të natyrshëm nga të gjitha anët”, ka thënë ai.

I pyetur për bashkëpunimin me Rozi Kostanin, Azemi thotë se e ka njohur edhe më parë regjisoren, por një bashkëpunimi i tillë ka qenë kënaqësi e madhe për të.

“Domethënë ka qenë një bashkëpunim shumë i vyer do të thoja, por edhe mbingarkesë për arsye se në rrethanat në të cilit ishim nuk janë ato të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat e një pune me të cilat ne jemi zotuar që të punojmë. Shpresoj që ky bashkëpunim që kemi bërë të rezultojë me sukses dhe të jetë komunikativ me audiencën, të cilët kanë shpreh dëshirën që të vijnë dhe të komunikojnë me neve”.

Protagonistët e “Aromës së Hënës” kanë paralajmëruar për një konferencë, të zakonshme përpara premierës, në të cilën ka qenë e pranishme vetëm KultPlus, gjë për të cilën Azemi ndjehet shumë keq.

“Për aq sa unë di për teatrin, unë mendoj se kam bindje të thellë se është institucioni më i lartë kulturor në një vend. Ne shqiptarët e kemi një shkamb me tri kambë, dhe unë mendoj që ajo këmba në shpinë nga kurrizi është institucion i teatrit, kultura, identetiti dhe unë mendoj që këtë pjesë nuk jemi duke e ruajtur aspak, prandaj jemi në kurriz të shpinës. Vetë fakti që ne e gjitha ekipa përgatiteshim që të dilni në media përpara gjithë portaleve, mediave televizive, këtu u paraqitet vetëm ju (KultPlus) dhe ne themi se çka po ndodhë këtu, a jemi në teatër apo ku jemi ne. A jemi në teatër apo jo?”.

Në fund, ai e lidh këtë ngjarje me dramën të cilën do ta jap premierën ditën e martë. “ Kjo dramë trajton pikërisht këtë problem, gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend ti prapë ia vënë një pikëpyetje vetes, kush jemi ne? Pse jemi ne? Gjithmonë ekziston ajo pikëpyetja se kush është ky vend, kah duhet të shkojmë ne dhe kjo është një shqetësim shumë i madh kolektiv të cilin duhet, nëse ka mendje të ndritura në këtë vend, duhet të afrohen dhe ta shohim se është një komb që ka një kulturë dhe lashtësi shumë të lashtë, ta varrosim në këtë mënyrë, ta hedhim në këtë mënyrë, unë mendoj që është varfëri e madhe dhe është shqetësim i madh, është vrastare, tragjike, nuk di se si ta quaj këtë situatë, flas me zemër për këtë aspekt”, përfundoi ai.

“Përmbysjet e mëdha sjellin ndryshimin”, është mesazhi që pritet të përcjellët nga kjo dramë e përgatitur maksimalisht nga gjithë aktorët pjesëmarrës.

Shfaqja do të jepet në ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

Ekspozita me 200 ekzemplarë të botimeve shkencore të Kosovës ekspozohet në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

Gjuha bashkon dy akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës në QKLL

“Fajin ma ka gjuha” motoja e zgjedhur për këtë Tetor Libri ka bërë bashkë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, dy akademitë e shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, në promovimin e ekspozitës me 200 ekzemplarë librash shkencorë nga Kosova hapur në hapësirat e QKLL.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore, të vijmë në Tiranë për të prezantuar punën tonë ndër vite. Në Kosovë kemi një emancipim gjuhësor dhe duhet të jemi më aktiv në ngritjen e kulturës së gjuhës”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës. “Kosova ka jetuar në një periudhë shumë të gjatë në ambient dygjuhësor, sot është ndryshe. Shqipja është e para, por ende është e diskriminuar, kjo do të tejkalohet, sepse ka shenja pozitive”, vijoi ai, duke e quajtur Tetorin e Librit një mundësi të rëndësishme dialogu dhe diskutimesh mbi gjuhën.

Për kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, njohja me kolanën e librave të sesioneve të ndryshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është shumë e rëndësishme për të vendosur arritjet më të mira në hapësirat shqiptare bashkë.

“Gjuha është pjesa më identitare që na bën të ndihemi komb, ajo që i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët, ajo që na ka orientuar gjithnjë shpirtërisht dhe historikisht. Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të këtij gadishulli, e më të zhvilluara, e cila falë aftësive të saj, ka përballuar trysninë e historisë, me vështrimin e hershëm drejt Europës. Ju jeni mbrojtësit më të mirë të kësaj gjuhe, të cilën e keni pasuruar me punën tuaj studimore, eurodicionin e mendimit, duke e pasuruar me dhjetëra botime”, tha drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli. Sipas saj, ardhja e akademikëve të Kosovës në Tiranë është në vijim të përsosjes së raporteve të komunikimit mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes që dy qeveritë kanë në fushën e kulturës.

Rreth 200 ekzemplarë librash të autorëve shkencorë të Kosovës tashmë mund të vizitohen në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Gjatë takimit referuan akademikët Eqrem Basha, Justina Shiroka Pula, Luan Mulliqi, Myzafere Limani. / KultPlus.com

TKK fillon sezonin me “Aroma e Hënës” të Krajës, regjisorja Kostani: Publiku duhet ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e kastës së aktorëve për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Elementi i një teatri të angazhuar i cili ngreh problematika thelbësore të një vendi, duket se ka ‘ngacmuar’ dhe intriguar regjisoren e shfaqjes, Rozi Kostani, e cila është bazuar në pyetjet e zakonshme se çfarë duam ne në këtë vend, çfarë është ky vend dhe se çfarë na plotëson. Por që sipas saj, vendin e bëjnë njerëzit dhe jemi ne fajtorët që ky vend nuk ecën përpara.

Artikulimi që bënë autori dhe problematikat e shpalosura në vepër, duke u bazuar në faktet e politikës ditore dhe politikës mediale janë cilësuar si temat kryesore që përfshihen në shfaqjen e cila brenda vetës ngërthen ndërlikimin dhe ndërveprimin e politikës me median dhe gërshetimin e tyre që shpërndan mesazhe në popull si p.sh: gjithçka po shkon mirë dhe është një lloj mjegulle që ndikon te populli.

Ndërsa për të treguar më shumë rreth shfaqjes, për KultPlus, foli vetë regjisorja Rozi Kostani.

“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta, të jem brenda ngjyrimeve të personazheve që më ka propozuar autori në këtë vepër. Ka qenë një përpëlitje që të qoja rolet në ‘ato ujëra’ dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur”, thotë Kostani.

Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ e jo në një teatër ‘me lule e fishekzjarre’, ku publiku konsiderohet si një medium i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.

“Publiku kur të dal nga skena duhet të mendoj, të fillojë të ‘përtyp’ mendimet e tij, e jo vetëm të dal i çlodhur nga një shfaqje. Teatri ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe ndriçimin, ne vërtet kemi edhe hënë të madhe për të dhënë pak dritë mbi mendime dhe veprime njerëzore pikërisht për këtë vend i cili është pjesë themelore dhe përmbajtësore e këtij populli”, thotë Kostani.

Sa i përket procesit të provave, konsiderohet se është në një proces analitik ku po bëhet zbërthimi i veprës, shfaqen mendimet dhe ndjesitë e kastës, duke iu referuar tekstit në pika të ndryshme të cilat duhet të deshifrohen.

Publiku do jetë pjesë e shfaqjes sepse vepra është zemra e problematikës, është pjesë e këtij vendi dhe është super konkrete, e andaj dhe publiku duhet ‘të rrah’ dhe ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë”, thekson ajo.

Për Kostanin, masat anticovid nuk janë se kanë ndikuar në mënyrë negative në procesin e provave, për arsye se tashmë është mësuar me masat parandaluese të pandemisë.

Duke marrë parasysh se shfaqja “Aroma e hënës” hap sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, regjisorja ndjehet shumë e lumtur që po punon me kastën e aktorëve të përzgjedhur për këtë shfaqje, me ç’rast ajo dëshiron të barazoj ndjeshmërinë kombëtare. Ndërsa, Kostani tutje bëri të ditur se po punon për herë të parë me kastën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe pse me disa prej tyre njihet paraprakisht prej shfaqjeve të mëparshme në të cilat kanë punuar bashkë.

“Është e rëndësishme që ne jemi në të njëjtat ujëra, unë po kuptohem mirë me aktorët, e kjo është një gjë mjaft e rëndësishme”, thotë Kostani.

Ndërkohë, për prezantimin e kësaj shfaqje edhe në teatrin e Tiranës, regjisorja pohoi se kjo gjë patjetër që do të ndodh dhe është e paevitueshme.

Kështu krejt në fund, për dëshirën e mëtutjeshme për të bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të shfaqjeve tjera, regjisorja Kostani ka shprehur gatishmërinë e saj. / Edlira Musliu / KultPlus.com

TKK fillon sezonin vjeshtor me “Aroma e Hënës” të Mehmet Krajës

Teatri Kombëtar i Kosovës do të fillojë sezonin vjeshtor me dramën ‘Aroma e Hënës’ të Mehmet Krajës, përcjell KultPlus.

Në njoftimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës thuhet se përveç dramës së Krajës janë miratuar edhe dy tektë të tjera për skenë të vogël, ajo e Enver Petrovcit e titulluar ‘Muslimani’ dhe ‘Kuartet’ nga Heiner Muller’.

Njoftimi i plotë:

Përveç dramës së Krajës, e cila do të shfaqet në skenën e madhe, me propozim të zv/ Udhëheqësit Artistik, Këshilli Drejtues i TKK-së , ka miratuar edhe dy tekste për skenë të vogël: “Muslimani” të Enver Petrovcit dhe “Kuartet” të Heiner Muller.

Skena e madhe:

Teatri Kombëtar i Kosovës nga java e ardhshme do të fillojë provat për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, ndërsa, regjinë e shfaqjes do ta bëjë Rozi Kostani, profesoreshë në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Regjisorja Kostani në bashkëpunim me menaxhmentin e TKK –së, do të organizojnë një audicion të brendshëm, për ditën e Hënë (20 Shtator 2021) me aktorët e Trupës Rezidente të Teatrit, ku ajo do të bëjë përzgjedhjen e aktorëve dhe ekipin realizues të shfaqjes.

Poashtu është vendosur që të vazhdohet procedura e sigurimit të të drejtave autoriale të “Shakespeare in Love”, dramë që është bartur nga viti paraprak regjinë e së cilës do ta bëjë Ilir Bokshi.

Skena e vogël:

Dy tekste të miratuara nga Këshilli Drejtues duo-drama e autorit Enver Petrovci me titull: “Muslimani” dhe dramën e Heiner Muller “Kuartet” do të inskenohen brenda këtij viti.

Konkursi për platforma regjisoriale të skenës së vogël, do të mbyllet sonte në ora 24:00 ndërsa, që nga fillimi i javës tjetër KD – ja do të formojë komisionin për vlerësim të platformave (koncepteve) regjisoriale që do të përzgjidhen regjisorët që do të realizojnë shfaqjet “Muslimani” dhe “Kuartet”./KultPlus.com

Kraja: Mësoni të shkruani shqip, përdoreni korrektorin

Akademik Mehmet Kraja, këshillon të gjithë që të mësojnë të shkruajnë shqip dhe ta përdorin korrektorin kompjuterik, sidomos kur i drejtohen një audience të gjerë, shkruan KultPlus.

Këtë këshillë Kraja e ka dhënë në profilin e tij zyrtar në Facebook, teksa është thkeson se kjo vie pas një gabimi nga statusi i mikut të tij

Më poshtë gjeni statusin e tij të plotë:

Miq, shkrimtarë, profesorë, gazetarë, politikanë, ambasadorë, burra dhe gra te jetës publike, e kam një lutje për ju: Mësoni të shkruani shqip, Zoti qoftë me ju! Shumë nga ju keni mësuar gjuhë të huaja, flisni mirë anglisht, por kur vjen puna për të shkruar, përdorni korrektorin dhe përpiqeni ta bëni shkrimin sa më të kultivuar. Po shqip? Nuk flas për komunikimin e shpejtë, se ai durohet disi, por kur doni të komunikoni me një audiencë më të gjerë, bëni kujdes, sepse gjuha tregon jo vetëm kulturë e dije, por edhe dinjitet, nivel intelektual dhe përkatësi. Dje-pardje mbeta i çmeritur, kur pashë te një mik imi një ë të tepërt, në një tekst të prej 7-8 rreshtash. Ajo ë bërtiste deri në çmenduri në mes të atij teksti, sepse nuk e kishte vendin aty! Gjuha shqipe është e vështirë në shkrim, por njerëzit mësojnë kinezisht jo më gjuhën amtare! I keni mundësitë, keni “korrektorin kompjuterik”, keni fjalorë të ndryshëm, keni edhe fjalorë drejtshkrimorë! Unë e dua gjuhën shqipe, është gjuha më e mirë në botë! Duajeni edhe ju, se kujdesi për të ju nderon!/ KultPlus.com

Çmimi Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Mehmet Krajës

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të 13-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka ndarë çmimet vjetore për letërsi, shkruan KultPlus.

Këto çmime u ndanë nga Ministrja në detyrë, Vlora Dumoshi, e cila theksoi për të pranishmit se përgjatë mandatit të saj, ajo ëhtë munduar vazhdimisht t’i qes në pah vlerat kombëtare të popullit tonë.

‘Kënaqësi që i kam shërbyer këta muaj vendit tim, duke u munduar ti qes në pah vlerat tona kombëtare. Puna dhe përkushtimi juaj na ka bërë më të fortë për të kaluar këtë situatë pandemike’, është shprehur tutje Dumoshi.

Juria profesionale e përbërë nga pesë anëtarët Nysret Krasniqi, Dije Demiri Frangu, Anton Berisha, Xhevat Syla, Fazli Gajraku ndau çmimet si në vijim:

Mehmet Kraja u shpërblye me Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

Ag Apolloni për veprën ‘Një fije shprese, një fije shprepëse’ u shpërblye me Çmimin për Prozë “Anton Pashku”

Blerina Rogova Gaxha për veprën ‘Thasë’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Poezi ‘Ali Podrimja’

Agron Shala me veprën ‘Dekalogu’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë në Kritikë Letrare dhe Eseistikë “Ibrahim Rugova”

Nexhat Halimaj me veprën ‘I vetëm në mal’ u shpërblye me Çmimin për Veprën më të Mirë për Fëmijë dhe Të Rinj ‘Vehbi Kika’

Fatbardha Statovci dhe Teuta Blakqori ndanë Çmimin për Veprën më të Mirë të Përkthyre në Gjuhën Shqipe ‘Pjetër Bogdani’. Statovci për veprën ‘Rasti i çuditshëm i Bengjamin Button’ dhe Blakqori për veprën ‘Vogëlushja’

Ag Apolloni i cili për veprën ‘Një fije shprese, një fije shprepëse’ u shpërblye me Çmimin për Prozë “Anton Pashku”, bëri të ditur se çmimin (plaketën, certifikatën dhe të hollat) do t’ia dhuroj Muzeut të Familjes Qerkezi, përkatësisht protagonistes së romanit të tij, zonjës Ferdonije Qerkezi. / KultPlus.com

Kadare: Është e pakuptimtë ajo letërsi që qëndron jashtë kohës së vet

Pjesë nga intervista ekskluzive e Ismail Kadaresë dhënë gazetës “Rilindja”, Prishtinë, e mërkurë 31 dhjetor 1980

Dyzet vjet më parë, saktësisht në vjeshtë të vitit 1980 në “Rilindjen” e Prishtinës u botua kompleti i veprave të Ismail Kadaresë në 10 vëllime. Atëbotë, Kadare u ftua që të bënte një vizitë në Kosovë dhe më këtë rast zhvilloi takime të shumta me shkrimtarë dhe personalitete të rëndësishme të kulturës në Kosovë. Nga rubrika e kulturës e gazetës “Rilindja” isha caktuar të bëja një intervistë me Ismail Kadarenë, bëra një numër pyetjesh, të cilat u kontrolluan nga kryeredaktori Fadil Bujari dhe nga drejtori “Rilindjes”, Rexhep Zogaj, të cilët e miratuan listën e pyetjeve. Më pas ishte Azem Shkreli ai që i mori pyetjet, me idenë që t’ia jepte Kadaresë, meqë ai ishte shoqëruesi i tij. Ndërkohë, Kadare u largua nga Prishtina pa kthyer përgjigje për intervistën, por ndodhi që në disa ditë më vonë në Lidhjen e Shkrimtarëve në Tiranë u mbajt një konsultë për romanin shqiptar, ku ishin të ftuar edhe shkrimtarë nga Kosova. Unë iu bashkëngjita grupit të shkrimtarëve, jo si shkrimtar dhe autor romanesh, por si gazetar i “Rilindjes”, që ndiqja aktivitetet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Në Tiranë u takuam disa herë me Kadarenë, në hotel “Dajti”, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe në shtëpinë e tij. Atmosfera ishte shumë miqësore dhe mbase kjo mund të ishte arsyeja pse Kadare iu kthye intervistës dhe bëri ca përgjigje të drejtpeshuara, të cilat, mbi të gjitha, kishin vendosur një raport të çiltër me shkrimtarët dhe lexuesin e Kosovës, i cili për më shumë se pesëdhjetë vjet do t’i mbetet besnik këtij shkrimtari.

 Me ndonjë rast kritika letrare ka theksuar se romanet tuaja ndërtohen mbi raportin bota-Shqipëria dhe se këtu krijohet një konflikt i vazhdueshëm, që përsëritet nëpër kohë. A mendoni se lexuesi i huaj do ta kuptojë drejtë këtë raport?

Kjo është një materie artistike jo e shpikur, por e gjetur prej meje në historinë e vendit. Do ta kuptojë drejt ose jo, lexuesi i huaj s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ajo të pasqyrohet drejt. Në qoftë se do të ndodhë kështu, gjithmonë do të gjenden ata që do ta kuptojnë.

 Në veprat tuaja shpesh iu bëni jehonë ngjarjeve të kohës. A mendoni se duhet një distancë më e madhe, në mënyrë që shkrimtari të japë gjykimin e vet ato ngjarje?

Mendoj se kjo varet nga ngjarja. Por këtu duhet thënë se nuk është vetëm koha materiale që përbën distancën.

 Po shkrimtari a duhet të krijojë distancë me politikën?

Mendoj se çdo e ashtuquajtur distancë me politikën s’është veçse njëfarë politike.

 Lidhur me metodën e shkrimit tuaj në prozë një pyetje: metoda e realizmit socialist shpesh ka sjellë klishe dhe shabllone në letërsi. Me veprën tuaj nuk ka ndodhur kështu…

Ja një pyetje që pothuajse nuk mungon kurrë në intervistat me shkrimtarët që aplikojnë realizmin socialit. Si e tillë ajo mund të quhet pyetje-klishe. Më falni, nuk e kam në kuptim të keq këtë gjë. A kane krijuar klishe dhe shabllone shkrimtarët e realizmit socialist? Po i përgjigjem thjeshtë: po, kanë krijuar. Natyrisht që kanë krijuar. Do të ishim idealistë po të pretendonim të ndodhte ndryshe.Kështu ka ndodhur gjithmonë dhe kështu do të ndodhë gjithmonë, çdo metodë artistike, çdo metodë vitale artistike, krijon, krahas vlerave të saj, edhe klishetë e saj. Kjo është e natyrshme. Ajo që s’është e drejtë kur flitet për shabllonet dhe klishetë është fakti që ato i atribuohen vetëm realizmit socialist. Kjo s’qëndron kërkund. Realizmi socialist s’ka mbushur as shekullin kurse klishetë dhe shabllonet letrare janë të vjetra sa bota. Në krahasim me realizmin socialist, letërsia borgjeze, shkollat e ndryshme të saj, kanë krijuar dhjetëra herë, qindra herë më shumë klishe dhe shabllone. Madje, do të thoshja se disa nga shabllonet që vazhdojnë të jetojnë në letërsinë e shkrimtarëve të realizmit socialist janë të huajtura për fat të keq nga letërsia borgjeze. Që të kthehemi te klishetë: pak klishe dhe shabllone ka romantizmi evropian, sentimentalizmi, madje edhe realizmi kritik-lavdia e letërsisë borgjeze? Veç kësaj, ku është marrë kjo e drejtë që realizmi socialist të përfaqësohet vetëm nga shkrimtarët difektorë të tij? Shkrimtarë me aftësi të kufizuar ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, por metodat letrare nuk janë identifikuar kurrë me ta. Një filozof ka thënë se shpejtësia e një flote është baras me shpejtësinë e anijes më të ngadaltë, por në letërsi nuk ndodh kështu, përkundrazi. Këtu s’duhet harruar se dy nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit tonë, Majakovskin dhe Brehtin, i ka dhënë pikërisht realizmi socialist.

Në bisedat që krijuesit tanë kanë pasur me ju, fitohet përshtypja se e përcillni me kujdes atë që krijohet sot në Kosovë. Sa i ofrohet ajo lexuesit në Shqipëri dhe cili është mendimi për të?

Përherë e më tepër letërsia shqipe që krijohet në Kosovë është bërë dhe po bëhet e njohur në Shqipëri. Dhe këtu nuk është fjala për rreth të caktuara letrarësh e intelektualësh, por për masën e gjerë të lexuesve, duke filluar nga lexuesit e kryeqytetit e të qyteteve të tjerë e gjer në zonat më të largëta. Ky lexues e pret me interesim të veçantë, me kureshtje dhe ngrohtësi krijimtarinë e shkrimtarëve të Kosovës. Qindra mijëra kopje librash të autorëve kosovarë qarkullojnë në Shqipëri. Në revistën “Les lettres albaniases” që ne botojmë frëngjisht për botën e huaj, gati në çdo numër ka autorë nga Kosova.

Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë keni pasur kontakte me krijues dhe punonjës të kulturës, pastaj me lexues, të cilët janë të shumtë. Me ç’përshtypje po largoheni që këtej?

Po largohem me përshtypjet më të bukura, me një pasuri të madhe, tepër të madhe që e marr me vete dhe për të cilën ju falënderoj shumë, ju falënderoj shumë.

Foto kryesore: Kadare dhe Mehmet Kraja gjatë intervistës në Hotel “Tirana” (foto: Nazmi Rrahmani). / KultPlus.com

Vrasja e dinjitet dhe idesë së lirisë

Shkruan: Mehmet Kraja

Me 8 dhjetor 1990, tridhjetë vjet më parë, në Tiranë shpërthyen protestat studentore (e njohur më vonë si “Lëvizja studentore e dhjetorit”), të cilat zgjatën deri më 12 dhjetor dhe nxorën si rezultat rënien e diktaturës dhe rikthimin e pluralizmit politik në Shqipëri. Në Kosovë kishte mendime të ndryshme dhe ndjenja të përziera rreth këtyre zhvillimeve, por ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës e mbështetëm fuqishëm lëvizjen studentore dhe demokratizimin e Shqipërisë. E di gjithashtu se në Tiranë shumë më mirë kaluan ata kosovarë që mbajtën qëndrim “të rezervuar” ndaj këtyre ndryshimeve, ata që njohën “vlerat” e trashëgimisë enveriste, që nuk u entuziazmuan me lëvizjen demokratike dhe që më 1997 mbështetën “revolucionin demokratik” të “tre gishtërinjve”. Që atëherë mund të them se kishte një moskuptim mes Kosovës dhe Shqipërisë, jo nga ato moskuptimet historike dhe të përvojave të gjata dhe tragjike të ndarjes, por më shumë një si ndarje botëkuptimore, e cila konsistonte në të kuptuarit të realiteteve të ndryshme të të dy vendeve: idealistët e Shqipërisë e kishin prioritet demokratizimin, t’i jepej fund makthit të tmerrshëm të diktaturës, më pas të përfshiheshin në lëvizjen politike, e cila do t’i çonte në pushtet; idealistët e Kosovës duhej të zhvillonin dy beteja paralele, njërën më të rëndë së tjetrën: të luftonin për çlirimin e Kosovës dhe të hiqnin qafe trashëgiminë komuniste, të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë njëkohësisht. Pushteti mund të ishte ëndërr e largët, ose improvizim, si në rastin e LDK-së. Si demokratizimi i Shqipërisë, ashtu edhe çlirimi i Kosovës, për të dyja palët, në ato vitet e fillimit, do të dalë i pakuptueshëm dhe jashtëzakonisht konfuz, në shumë raste. Vetëm se, atëbotë, si në Kosovë si në Shqipëri, kishte shumë besim dhe entuziazëm, të cilin e shpërdoruan në mënyrën më të ulët klasat politike të të dy vendeve.

*

Por kjo i takon historisë, e cila zgjati plot 30 vjet shpresë dhe zhgënjim, deri natën e 8 dhjetorit 2020, kur në Tiranë vritet Klodian Rasha 25-vjeçar, që mund të jetë një rast për ta kapur për gryke njëri-tjetrin, për ta shkundur dhe për ta pyetur: Ore, çfarë bëjmë ne?! Por, përpara se të merremi me zhgënjimet tona të reja dhe të vjetra; para se t’ia bëjmë më dije prapësitë njëri-tjetrit, duhet të themi se një projeksion historik i zhvillimeve politike në Ballkan i nxjerr shqiptarët popull me avantazhe të mëdha: në fillim të shekullit XXI ata arritën të bënin dy shtete, Shqipërinë dhe Kosovën, dhe të participojnë në mbajtjen e dy shteteve të tjera, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kjo nuk është ëndërr, ky është projeksion fatlum historik, por kur këtë ta përthyesh nëpër marrëzitë tona, është edhe fatalitet, gjithashtu.

Veçse, këtu ku mbaron historia, aty fillon nevoja për t’i thënë qashtër të gjitha gjërat. Unë duhet t’iu them miqve të mi në Tiranë, gazetarë, analistë, shkrimtarë, akademikë, pedagogë universitetesh, intelektualë të të gjitha profileve, se kjo që ndodhi së fundi në Tiranë ishte e pritshme, se ishte një vrasje e paralajmëruar, se ajo do të ndodhte sot ose nesër, se edhe tani reagimi i tyre për këtë ngjarje është shumë i vakët, është konfuz, në të vërtetë nuk është asfare, është një strukje në mjegullën e ndërgjegjes, sikur ta kenë humbur busullën morale, sepse ata, miqtë e mi të Tiranës (njësoj si unë për zhvillimet në Prishtinë) mbajnë përgjegjësi për vrasjen e atij djali të ri, ngase ata e kanë ditur, ose është dashur ta dinë, se një autokraci çfarë sundon që disa vjet në Shqipëri, se nëpërkëmbja permanente e dinjitetit të njeriut, se bjerrja e shpresës, se dhuna mbi fjalën e lirë, se maniakizmi i hapur i “papës së zi”, “bosit të errësirës”, quajeni si të doni, të cilin ata e duartrokasin, se pushteti i shpërdorur i oligarkëve, se një gjyqësor i korruptuar etj., do të sjellë doemos një pasojë dhe se, në fund të ditës, një policie të politizuar i mbetet vetëm të tërheq këmbëzën dhe të vrasë qytetarin e pafajshëm, kushdo që të jetë ai, i ri apo i moshuar, sapo t’i vijë radha. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërkohë, ata e dinë, gjithashtu, se këta të rinj që protestojnë rrugëve dhe shesheve të qyteteve të Shqipërisë dhe që i bezdisin me vandalizmin e tyre, janë “mohikanët e fundit”, të cilët përpiqen të ndryshojnë diçka në atë vend, teksa që nesër, pasi të torturohen nëpër komisariate, pasi të futen në evidencat e policisë së rendit dhe të policisë së fshehtë, do të shantazhohen, do t’iu bëhet jeta e pamundur dhe, me ndihmën e pakursyer të baballarëve të tyre, do të bëhen kontingjent i parapërgatitur për të ikur nga vendi, nga sytë këmbët, si qindra e mijëra të tjerë para tyre.

*

Por tani më duhet ta pranoj, se humbjen e shpresës e kemi të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria, se Shqipërisë iu deshën 30 vjet “për ta prekur fundin”, kurse Kosovës më pak, 20 vjet, për të parë se zhgënjimi është rruga më e shkurtër për në askund. Nuk e kam të qartë, nëse është mallkim i racës ose mësim i përbashkët nga “e shkuara heroike”, por edhe Kosova, me mënyrën si instaloi në pushtet klasën e saj politike dhe të oligarkëve, ca maskarenj analfabetë dhe plëngprishës, pa asnjë vlerë morale dhe njerëzore, me bëmat e saj të dhjetë viteve të fundit dhe me ndihmën e pakursyer të Shqipërisë dhe të Serbisë, për pak iu shqyen hartat para syve, për pak u shkatërrua integriteti i saj territorial, për pak u fundos shteti dhe për pak u zhbë ideali i saj i lirisë dhe i pavarësisë. Kryeministri i Shqipërisë dy gjëra i bëri më mirë se çdokush tjetër: ndihmoi Serbinë të fuqizonte planin e Çubriloviqit dhe të Qosiqit për ndarjen e Kosovës dhe së fundi, me trysninë e përbashkët po me Serbinë, bëri që Kosova të pranojë kokulur “mini-Shengenin ballkanik”, atë që Kosova, disa vjet më parë, po nën udhëheqjen e LDK-së, kishte bërë një nga veprimet e saj më të mençura: në kuadër të “Procesit të Berlinit” nuk kishte pranuar që Ballkani Perëndimor të integrohej nën protektoratin ekonomik të Serbisë.

Nuk është vetëm ky zhvillim, që e bëri Kosovën vend të shpresave të humbura, njësoj si Shqipërinë. U deshën njëzet vjet “punë intensive” e klasës sonë politike, që çdo gjë të humbë rëndësinë dhe vlerën: shteti, pavarësia, njohjet ndërkombëtare, liberalizimi i vizave, diplomacia, privatizimi, ekonomia, arsimi, rendi, të gjitha u bënë pluhur e hi, pa asnjë shpresë se mund të riktheheshin ndonjëherë në vendin e vet. Njerëzit e zhgënjyer i sheh gjithkund; tashmë ata e kanë të pamundur të bëjnë jetë të dinjitetshme në Kosovë: nëse je vrojtues i vëmendshëm, duhet të mbyllësh njërin sy, që të mos shohësh krejt çfarë ndodh në praninë tënde; nëse je gazetar ose analist, duhet të shitesh dhe blihesh njëqind herë, që të mbrosh interesa joparimore të injorantëve; nëse je mësues, duhet të betohesh në Zot të mos e mësosh fëmijën tënd, siç i mëson të tjerët; nëse je profesor, duhet të bëhesh shkatërrues i sistemit arsimor dhe i vlerave intelektuale; nëse je biznesmen, duhet të futesh në spiralen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, ndryshe nuk ke të ardhme. Por, mbi të gjitha, ishte Gjykata Speciale, e fundit në këtë radhë zhvillimesh negative, që ia humbi Kosovës busullën morale, ia humbi pikat e orientimit në kohë dhe hapësirë.

Derisa “ushtarët besnikë të partisë” filluan të shëtisnin poshtë e lart, për të “rekrutuar” nëpër Kosovë mbështetës për “kauzën e çlirimtarëve”, Shqipëria, ndoshta pas një kohe shumë të gjatë, u bë patericë e Kosovës në këtë kauzë politike, duke plotësuar një kuadër formal të mbështetjes: bëri deklarata në medie, shkroi tekste sipas rastit dhe nevojës, ose sipas porosisë, pra njëjtë si Kosova, asnjëra palë pa u përpjekur të kuptojnë se Gjykata Speciale ishte rrjedhojë logjike e zhvillimeve politike të njëzet viteve të fundit në Kosovë dhe në mileun shqiptar. Unë e kam thënë edhe një herë tjetër: Gjykata Speciale është e padrejtë, sepse shqiptarët në luftën e viteve 1998-99 ishin viktima dhe se ajo, në një mënyrë shumë të shëmtuar, arriti të deformojë narracionin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për liri të një populli, madje të të gjitha luftërave për liri në çdo cep të globit. Dhe e bëri këtë në një mënyrë krejt të përmbysur: memorizoi bëmat kriminale të çlirimtarëve gjatë njëzet viteve të fundit dhe me këtë perceptim, me këtë këndvështrim, iu vërsul Kosovës për krimet e luftës të ndodhura njëzet vjet më parë. Kjo është e njëjta gjë, njësoj, sikundër që krimet e Serbisë dhe klasa e saj politike e pareformuar u amnistuan jo duke u mbështetur në gjendjen dhe zhvillimet reale të asaj kohe, por duke e perceptuar situatën në raport me interesat aktuale të Perëndimit, për të larguar Serbinë nga ndikimi rus. Një diskurs i këtillë e bën Gjykatën Speciale krejtësisht johistorike, por vetëm një instrument politik për të pacifizuar Ballkanin. Më anë tjetër, në reagimet e shumta folklorike kundër Gjykatës Speciale harrohet se ajo u themelua nga një parlament demokratik dhe se ata që u bënë viktimë e saj, ishin vendimmarrës të plotfuqishëm. Se cilët ishin kalkulimet e tyre, mund ta dinë pak njerëz, por që ndonjëri syresh të kërkojë të lirohet nga paraburgimi, duke ofruar si mundësi banimi “një vend jo fqinj të Kosovës”, është një cen i paprecedent i integritetit moral. Po të mos e kisha parë vetë të shkruar, nuk do ta kisha besuar se mund të ndodhte.

*

Tani Kosova dhe Shqipëria përpëliten në krizë politike dhe në krizën e sëmundjes e të vdekjes nga pandemia. Derisa shkruaj këtë tekst, mediet e Shqipërisë njoftojnë se policia në Tiranë rrethon kryeministrinë, ndërkaq analistët në Prishtinë, bashkë me vetë liderët politikë, bëjnë llogari mbi llogaritë, si mund ta zgjedhin presidentin duke evituar zgjedhjet, sepse nuk duan që së paku në tri vitet e ardhshëm ta qeverisin Kosovën sipas vullnetit të votuesve, por me ata që manipulojnë opinionin dhe vullnetin demokratik. Ndërkohë, pandemia ka një përhapje të frikshme në Kosovë dhe në Shqipëri dhe, nëse i lidh diçka këta dy vende në këtë situatë të rëndë, është numri i pasaktë i të infektuarve nga virusi, sepse statistikave të tyre nuk ka si t’u besojë njeri: ishin po këto qeveri që gati dhjetë vjet më parë gënjyen veten dhe botën për numrin e popullsisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që ta përdornin kurdo që t’iu hyjë në punë pushtetarëve, në mënyrë që të dalë se sukseset e tyre janë me shifra më të larta, si në ekonomi, punësim, në bruto prodhimin, në infrastrukturë, në arsim, kudo. Ta besoni, më herët këtë veprim të shëmtuar të zvogëlimit të numrit të shqiptarëve e bënin ata që donin të na zhduknin nga faqja e dheut, këtë e dimë të gjithë, kurse tani na e bëjnë shtetet tona, para syve tanë dhe ne, të pafuqishëm, bëhemi viktima edhe të shifrave të tyre të gënjeshtërta: sëmuremi dhe vdesim sipas statistikave të tyre të rrejshme! / KultPlus.com

Trilogji për vendlindjen

Mehmet Kraja

Sëmundja e ëndrrave (Trilogji për vendlindjen)

Me këtë “ngarkesë” jashtëletrare, por me nxitje të padiskutueshme artistike, në vitin 1984 i shkrova këto tre rrëfime për vendlindjen, një triptik ose një trilogji e vogël, ku ishin përfshirë tri kohë, të cilat lidheshin mes veti përmes një ambienti me përthyerje të mëdha mitike, historike dhe bashkëkohore. Dhe derisa koha mitike, koha që kishte prodhuar legjendat kalorësiake për mua dhe vendlindjen time ishte kohë e mrekullive të paarritshme, koha historike ishte një zhgënjim i madh, sepse kishte lënë pasoja të pariparueshme në jetën e njerëzve, duke i tjetërsuar ata, madje duke i bërë që të jetonin si somnabuj në një realitet të paqenë, i cili vazhdonte të hijezohej nga memoria mitike, e kthyer në një realitet të dytë, duke marrë njëkohësisht atributet e refuzimit të realitetit aktual tërësisht të pamundshëm. Gjithnjë kam pasur përshtypjen se paraardhësit e mi, siç ndodh zakonisht, jetonin më mirë në një botë mitesh dhe legjendash, sesa në një botë reale, ose, që afërsisht mund të jetë e njëjta gjë: i krijonin mitet dhe legjendat për të kompensuar mungesat e mëdha të një realiteti refuzues.

(pjesë nga parathënia)/ KultPlus.com

Reagon Mehmet Kraja për shtrembërimet e historisë së Kosovës ku është i përfshirë Frashër Demaj

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), Mehmet Kraja, ka reaguar në lidhje me Projektin e Historisë së Përbashkët të CDRSEE-së, ku ishte i përfshirë edhe anëtari korrespodent i AShAK-ut, Frashër Demaj.

Sipas Krajës kjo është një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht.

Ai tutje kërkon që kjo përgjegjësi duhet të tejkalojë individin dhe të marrë përgjigje institucionale.

Ky është reagimi i plotë i Krajës:

Një ndërhyrje krejtësisht e çmendur në historinë e Kosovës nga e cila hiqen masakrat sërbe dhe toponimet e Kosovës bëhen sërbisht. Përgjegjësia për shkarje të tilla nuk mund të ndalet te individët me mendje të turbullt e të korruptuar, por duhet të marrë përgjigje institucionale: MASHT-i dhe Instituti i Historisë nuk guxojnë ta bëjnë këtë, nuk mund të livadhisin në këtë mënyrë mbi historinë tonë, sepse janë institucione të Kosovës, që duhet të mbajnë përgjegjësi. Tani duket një makiavelizëm i shëmtuar nëse thua se nuk të janë marrë parasysh vërejtjet, por nuk distancohesh nga projekti, madje merr pjesë në panel kur bëhet promovimi i botimit të tij. Brengos fakti se këta njerëz sapo përballen me kritikë ose me përgjegjësi publike përmes një retorike djallëzore, por banale në substancë, i lajnë duart nga përgjegjësia si Ponc Pilati dhe na dalin patriotë të thekur. / KultPlus.com

Kraja: Personat që flasin me nostalgji për komunizmin jugosllav, janë po ata persona që jetuan me privilegje

Suada Qorraj

Gjatë ditës së martë qendra për edukim dhe kulturë “Libart” ka mbajtur takim me kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Krajën. Gjatë këtij takimi u diskutua për përvojën e shkrimtarit, si dhe ish – gazetarit në raport me librin, dijen, artin dhe kulturën si dhe veprimtarinë e ASHAK, shkruan KultPlus.

Mehmet Kraja gjatë takimit që u moderua nga Roland Peraj shpalosi përvojat e tij që nga koha sa ishte student, më pas shkrimtar e gazetar për artin, të shkruarit, kulturën, gjuhën por dhe kujtesën historike të popullit tonë. Biografia e Mehmet Krajës tregon se ai ka pasur një jetë në lëvizje, nga një qytet në tjetrin, e ka ushtruar profesione të shumta, që nga ai i shkrimtarit, gazetarit, profesorit e së fundmi edhe kryetar i akademisë së shkencave të Kosovës. Kraja ka shpjeguar se pikërisht këto lëvizje të shumta të tij nga Ulqini në Kosovë, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht prap në Kosovë kanë ndikuar që ai ta njoh deri në detaje botën shqiptare, madje edhe ta njoh gjuhën, dialektet dhe të folmet e saj.

“Në një pikëpamje kjo lëvizja imja ka ndikuar që unë botën shqiptare ta njoh shumë mirë, njoh zakonet, gjuhën, kulturën mentalitetin e shqiptarëve në krejt hapësirën ku jetojnë, sepse kam jetuar gjithkund ku jetojnë shqiptarët dhe kam jetuar me ta”, u shpreh ai gjatë këtij takimi.

I pyetur se nëse mbështetë idenë e rishikimit të gjuhës ai ka thënë se gjuha standarde është një dhe e pandryshueshme që nga koha kur për këtë standard shqiptarët janë marrë vesh në kongresin e drejtshkrimit të 1972. Sipas tij gjuha standarde nuk lind së bashku me njeriun sikur gjuha e nënës, standardi është gjuha e cila mësohet.

 Gjatë këtij diskutimi ai ka shtuar se gjuha standarde është ajo që duhet mësuar e kultivuar dhe se ajo ndryshon nga gjuha e folur ngase nuk mund të pasurohet me dialektizma apo edhe të folmet krahinore.

“Gjuha e folur krijon hapësirë dhe mundësi për variante për lokalizma për dialektizma, gjuha e shkruar është ajo që mat standardin. Pra ne duhet ta mësojmë gjuhën e shkruar ajo është standardi dhe përmes saj komunikojmë në mënyrë standarde dhe mënyrë të kultivuar”, ka thënë tutje Kraja.

Ai ka folur edhe për ligjin e gjuhës i cili tash e disa kohë diskutohet edhe ne vendin tonë. Sipas tij Shqipëria mund të krijoj një ligj të tillë ngase është një vend monoetnik, por jo edhe Kosova sepse vendi jonë ka si pengesë pakon e Ahtisarit dhe shumë etni. “Shqipëria ka filluar të bisedojë për punën e një ligji që rregullon gjuhën dhe mënyrën e përdorimit të saj, ata le ta bëjnë sepse janë shtet monoetnik, por ne nuk mundemi sepse nuk na lejon Pakoja e Ahtisarit sepse ne jemi shtet shumë etnik”, ka thënë tutje Kraja.

Sipas tij rregullimi i gjuhës, standardit të gjuhës shqipe nuk mund të rregullohet me një ligj, sepse ligji nuk ndryshon dot kulturën dhe zakonet e një vendi. Përgjatë diskutimit të gjatë ku Kraja shpalosi mendimet e tija, u fol edhe për kujtesën kolektive të vendit tonë, bazën e saj si dhe pengesat.

Mehmet Kraja pohoi se historia kërkon një distancë më të gjatë kohore, madje më të gjatë se kjo e jona me luftën e fundit ngase në vendin tonë ende ngatërrohet e bardha me të zezën. Ai përmend qasjen e ndryshme që njerëzit kanë kundrejt komunizmit dhe regjimit të Titos. Sipas tij personat që flasin me nostalgji për atë periudhë kohore të vendit tonë, janë po ata persona që nuk përjetuan komunizmin jugosllav sepse jetuan me privilegje.

“Nuk mund të ngatërrohet e bardha me të zezën, askush nuk mund të thotë që periudha e komunizmit në Kosovë ka qenë e lehtë dhe ka qenë e tillë që i ka dhënë Kosovës mundësitë që të zhvillohet. Unë kam jetuar në dy kohë, po jetoj në dy kohë, unë e kam provuar në lëkurën time se çka është komunizmi, liria për të cilën tani një numër i njerëzve flasin me nostalgji, është liri për ata që flasin jo për mua”, ka deklaruar gjatë këtij diskutimi Kraja.

Sipas tij komunizmi si ideologji ka bërë shumë pak dëme në Kosovë, komunizmi i Jugosllavisë që ka luftuar deri në momentin e fundit për zhbërjen e Kosovës dhe shqiptarëve është dëmi më i madh që mund t’i ketë ndodhur ndonjëherë vendit tonë.

Kraja nuk ka lënë pa përmendur edhe fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave të Kosovës, sipas tij pritshmëritë për këtë fjalor ishin keqkuptuar sepse ky fjalor nuk shënonte derën e hyrjes së vendit në histori, por është më tepër një mbledhje e shënimeve, databazë universale që vendoset para një standardi dhe prezantohet. Ai madje ka shpjeguar edhe arsyen se pse ky fjalor nuk përmban disa nga të vrarët e pasluftës, ish – anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se akti i vrasjes kriminale nuk të bënë hero, ti mund të cilësohesh viktimë por asnjëherë hero. Ai këtë qasje e shpjegon edhe me vrasjen e Hasan Prishtinës ku thotë se nuk ishte vdekja ajo që e bëri hero atë po ishin të bëmat e tij ato që e lartësuan më tepër.

“Një prej vërejtjeve që i ka pasur dhe ndër debatet me të forta për fjalorin enciklopedik është se disa të vrarë te pasluftës të LDK-së nuk janë të përfshirë sepse unë kam thënë akti i vrasjes kriminale nuk e bënë hero, është viktimë, por hero nuk është sepse nuk bëhesh hero se pse ta zë rrugën një kriminel e të vret”, ka shtuar kryetari i akademisë së shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.

Ai ka diskutuar edhe për kritikat e vazhdueshme në adresë ASHAK-ut. Sipas tij, ASHAK-u është akademi honorifike dhe se nuk është në tagrin e saj që të bëjë ndryshime.

“Njerëzit kërkojnë që Akademia të veprojë si ajo e Serbisë, e cila bënte në të kaluarën memorandume e programe. Po kërkohet që Akademia të luajë rolin që nuk e ka”, ka thënë Kraja.

Gjatë bashkëbisedimit, studenti i gazetarisë, Shpend Bujari, pyeti akademik Krajën nëse mund të ngrihet paralele mes Kosovës dhe Moldavisë për të krijuar identitet të ri, larg shtetit amë. Për Mehmet Krajën, procesi i formimit të kombeve ka përfunduar njëherë e përgjithmonë, njëlloj edhe në rastin e shqiptarëve. Ai ka shtuar se Kosova ishte e përfshirë në të gjitha proceset kombformuese prej Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1913, kur u aneksua dhunshëm nga Serbia.

“Kosova ka përfunduar procesin e kombëtarizimit dhe nuk është normale të flitet edhe një herë për këtë gjë”, ka thënë Kraja. Për paralelen e ngritur me Moldavinë, ai ka thënë se modeli i veriut të Kosovës është përvijuar edhe në rastin e Transnistrisë.

“Në rast se moldavët do të bashkoheshin me shtetin e tyre amë, Rumaninë, rusët brenda 24 ore do të pushtonin Transnistrinë”.

Diskutimi vazhdoi tutje me të pranishmit të cilët ishin të interesuar të merrnin përgjigje nga Kraja e ky i fundit me shumë përkushtim u përgjigj në secilën prej tyre. / KultPlus.com

Si e ndihmoi Kadareja Kosovën në rrugë letrare dhe politike

Nga: Mehmet Kraja

Atëherë kur situata në Kosovë ishte ndër më të nderat, Ismail Kadare kërkonte ta shkrinte ngricën shekullore mes popujve të Ballkanit.

Ai do të thoshte të vetën, do të mbante anën e Kosovës, duke u bërë zëri i saj nëpër diplomacitë e botës, në mënyrë letrare apo të drejtpërdrejtë. Si dëshmi e asaj kohe, vjen për herë të parë si libër më vete romani i Kadaresë, “Krushqit janë të ngrirë”.

Shtëpia Botuese “Onufri”, sapo ka hedhur në qarkullim romanin që shkrimtari i madh ia dedikon Kosovës. Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë, në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj në vitet 1981-1983.

Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”.

Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës. I botuar nga “Onufri”, libri vjen me një parathënie nga akademik Mehmet Kraja: “Kadareja dhe Kosova”.

1.Edhe ndonjë vit, Kosova do të mund të shënonte një jubile, nga ata jubiletë e rëndësishëm që përbëjnë historinë e saj më të re: tridhjetëvjetorin e mbështetjes këmbëngulëse, të fortë dhe pa rezervë të Ismail Kadaresë.

Pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare ose politike, ajo përbën një ngjarje në këtë histori, sepse pësimet dhe synimet e Kosovës, përfshirë edhe arritjet e saj të viteve më të vona, përmes zërit të Kadaresë, janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare, në një zë që bashkëndien dhe flet për brengën më të madhe shqiptare. Por nuk është vetëm kjo.

Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet multifunksional: ai ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar, ka arritur të depërtojë nëpër kancelaritë e ftohta diplomatike dhe, që është po kaq me rëndësi, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish, pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë edhe ata që, në aktin final të kësaj historie, u vunë në radhët e para të luftës për çlirimin e Kosovës.

Në këtë pikë, Kadareja ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar. Në një kohë të ndjeshme të strukturimit të vetëdijes së kosovarëve, ai u hapi rrugë lidhjeve të tyre mbiideologjike dhe tejideologjike me shtetin amë, duke anashkaluar dhe minimizuar rolin e kufizimeve dhe të dasive botëkuptimore (madje edhe rajonale dhe krahinore), për krijimin e një tërësie kompakte nacionale.

Zëri i tij, pavarësisht nëse vinte nga vokacioni letrar ose nga diskursi politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Edhe ata që në Kosovë e konsideronin Kadarenë si kundërshtar politik, që nga komunistët projugosllavë, tek autonomistët e deri tek ideatorët e lëvizjeve më të vona politike, që të gjithë me radhë “i mbanin veshët në krah” (dhe akoma vazhdojnë t’i mbajnë) për të kapur sa më shpejt dhe për të dëgjuar sa më qartë mesazhet e tij. Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadareja është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotë- sueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një gjuhë të qartë konotative, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës.

Sado që kritikat e Kadaresë te disa politikanë lokalë ndonjëherë krijonin shqetësim dhe pakënaqësi, në opinion ato pranoheshin gjerësisht, si mesazhe fort të vyera dhe udhërrë- fyese, shpesh edhe si kredo e angazhimit dhe e reagimit politik ndaj zhvillimeve aktuale. Edhe sot, shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinionin kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor, kanë bërë që Kadareja të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor.

2. Imazhi më i hershëm i Kadaresë për Kosovën është ravijë- zuar në poezinë “Kosova”, e shkruar në vitin tashmë të largët 1966. Kadaresë i rastis të kalojë në avion mbi Kosovën dhe, në këtë fluturim të shpejtë, ai kap një pamje të tokës së zymtë, e cila shfaqet dhe zhduket “midis zgavrave dhe humnerave të reve”. Kosova, për Kadarenë asaj kohe, është tokë disi e largët, e cila rri matanë reve të rënda dhe gjëmimeve të rrufeve, ndërkohë që pikat e shiut në xhamin e avionit janë lotët që akoma prekin vetëm jashtësinë, jo vetëm pse ato janë disi të përtejme, të paarritshme, por ngase flasin diçka që poeti nuk e thotë dot. Megjithatë, ligjërimi i pikave të shiut në xhamin e avionit përçon një mesazh të tejkohshëm brenge, sepse ato janë sinjalet më të afërta të një trishtimi dhe zymtësie gjithëpërfshirëse, të krijuar nëpër një qiell të mbushur me gjëmime dhe vetëtima të pareshtura, të cilat mbulojnë tokënenigmë të kësaj bote të largët dhe të panjohur.

Poeti e personifikon imazhin: një vetëtimë që çan midis reve, edhe përkundër faktit se është e frikshme dhe përcëlluese, sikur ndalet për një çast dhe ia bën me dorë poetit. Është kjo një përshëndetje miqësore, disi përkëdhelëse e një bote të sertë, e cila i ka gjuhë të komunikimit krismat dhe flakën. Dhe, pikërisht, nga ky çast duket se midis asaj bote dhe poetit do të vendoset një lidhje dhe referencë e gjithmonshme: poeti do të mbajë me vete përjetësisht brengën për Kosovën, kurse ajo do t’i dhurojë atij, po ashtu, miqësinë e përjetshme.

Por, mbi të gjitha, imazhi i Kadaresë për Kosovën, i ndërtuar në këtë poezi, shpreh edhe një situatë (politikisht dhe historikisht) konotative: në vitin 1966 vështrimi mbi Kosovën ishte i shpejtë, fluturues, ngarendës, ikës, pothuajse i pavërejtshëm, siç është vetë fluturimi i avionit nëpër një qiell të mbuluar me re. Imazhi është i shkurtër. Ai krijohet nga një pamje e paqartë, e rrëmujshme dhe e dhembshme në veten e saj, por që është disi e jashtme, e pamundshme që të futet brenda. Pikat e shiut ndalen në xham dhe thonë diçka që nuk shpjegohet. Vetëtimat, diku matanë, çajnë qiellin midis reve të rënda. Kaq. Poeti ikën me avion dhe poshtë mbetet Kosova, e vetmuar në trishtimin dhe dhembjen e saj. Shqipëria, e mbyllur në kuvli, nga largësia, sheh imazhe të mjegullta dhe merr mesazhe të turbullta.

Pra, në pikëvështrimin letrar të Kadaresë, Kosova tashmë i kishte të gjitha parakushtet që të shfaqej e dyzuar, ndërmjet një realiteti të vrazhdë dhe dramatik, më një anë, dhe mitit e legjendës, më anën tjetër. Tragjedia e saj ka një fillesë të largët, në kohën e “Mundjes së ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389”, pra në një mesjetë të errët, kur njerëzimi ishte i prirur që ngjarjet dhe zhvillimet tragjike, pa ndonjë vështirësi, i kthente në mite dhe legjenda, sepse nuk gjente një shpjegim racional për to. Kosova, e sotme dhe e gjithmonshme, i ka të gjitha parakushtet të shfaqet dhe të rishfaqet disi përgjysmë e dukshme dhe përgjysmë e hijezuar. Edhe e sotmja e saj është e kapërthurur në këtë dikotomi.

Madje, për Kadarenë, të gjitha zhvillimet që ndodhin në Kosovë, përveç që shfaqen të dyzuara ndërmjet mitit dhe realitetit, edhe mesazhet largvajtëse i kanë dykuptimshe: Kosova është si një teatër i tragjedive antike, ku vdekja merr kuptimin e vërtetë jo në çastin kur ndodh, por diku në vazhdimësinë e saj, pasi të jetë “eksploruar” mesazhi i saj i tejkohshëm. Ky diskurs letrar i Kadaresë për Kosovën i ka shpjegimet e veta. “Realizmi magjik” këtu nuk është trill letrar, është imanencë, është mënyrë e vetme e komunikimit me realitetin. Në dy romanet e tij për Kosovën, “Krushqit janë të ngrirë” dhe “Tri këngë zie për Kosovën”, Kadareja nuk bën çmitizimin e ngjarjeve, si në ndonjë rast tjetër, por ndjek një logjikë të brendshme të zhvillimeve, duke ia vënë realitetit “irracional” kornizën mitike. Kjo është shkathtësi e shkrimit dhe e observimit, nuk është shmangie. Përmes kësaj kornize mitike ai nuk u shmanget realitetit dhe mesazheve të drejtpërdrejta që përçon ai. Ai vetëm sa i kthen në materie letrare zhvillimet dramatike, të cilat kanë konotacione thellësisht historike dhe politike.

3. Në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja do të vizitojë Kosovën, me rastin e botimit të parë të kompletit të veprave të tij, në dhjetë vëllime. Me këtë rast, atij iu bë një pritje institucionale dhe pati takime të shumta me lexues dhe intelektualë kosovarë. Disa muaj më vonë, në pranverën e vitit 1981, do të ndodhin demonstratat e përgjakshme në Prishtinë, të cilat në esencë do të ndryshojnë rrjedhën e të gjitha ngjarjeve të mëpastajme. Për afro njëzet vjet të tjera, Kadareja nuk do ta shkelë më Kosovën. Demonstratat ishin një pretekst që Kosova të vihej në shënjestër të një agresioni serb dhe jugosllav, të paparë deri atëherë. Krahas agresionit politik, ushtarak dhe policor, mbi Kosovën u derdh një propagandë e shfrenuar shoviniste, e cila synonte të ndryshonte jo vetëm rrjedhën e atëhershme të ngjarjeve, por edhe historinë që nga themelet.

Synim ishte që miti serb për Kosovën, i ndërtuar në kohën e romantizmit nacional serb të shekullit XIX, të bëhej mbështetja kryesore për ristrukturimin politik të krahinës, deri atëherë me autonomi të gjerë, duke e zhbërë atë deri në atë shkallë, sa elementi etnik shqiptar të quhej i papërfillshëm. Trysnia politike, ushtarake dhe policore mbi Kosovën ishte e jashtëzakonshme. Përmes të të ashtuquajturit diferencim politik, inteligjencia e Kosovës u vu përballë shantazheve, denigrimeve dhe përndjekjeve, deri te burgosja dhe përjashtimi nga jeta publike. Kadareja doli në mbrojtje të Kosovës dhe të inteligjencies së saj. Jehona ishte e madhe, qoftë në Kosovë, qoftë në Jugosllavinë e atëhershme. Kundërreagimi i pushtetit ishte i menjëhershëm: veprat e tij u hoqën nga programet shkollore dhe, për një dhjetëvjeçar, ato nuk u ribotuan më në Kosovë. Por shkrimtari Kadare nuk mund të kufizohej vetëm në një reagim politik.

Më 1982-n ai shkroi romanin “Krushqit janë të ngrirë”, një sintezë letrare e zhvillimeve dramatike të Kosovës të vitit 1981, duke vënë në sfond të rrëfimit romanor rindërtimin e një miti ndryshe për Kosovën, i cili nuk do të përçonte mesazhe urrejtjeje ndërmjet popujve të Ballkanit, por bashkëjetesën e tyre në një hapësirë të përbashkët. Legjendën shqiptare dhe ballkanike të krushqve të ngrirë, ashtu siç ndodh zakonisht në romanet e tij, ai e kontekstualizon në një kohë të re, zhvillimet e së cilës kanë marrëdhënie të pashkëputshme dhe disi të natyrshme me kohën mitike. Legjendat derivojnë mesazhe të gjithëkohshme. Ato nuk vdesin bashkë me kohën e tyre, por riinkarnohen sapo të shfaqen rrethanat e përshtatshme për këtë. Kadareja nuk merret në mënyrë eksplicite me legjendën. Ajo futet në roman nga prapavija, nga kujtesa dhe shtresimet e kohës së largët, mitike dhe historike.

Dy popujt e armiqësuar për vdekje në Kosovë, shqiptarët dhe serbët, edhe përkundër faktit se kanë bërë jetë të ndarë dhe janë shikuar me njëri-tjetrin përmes tytës së pushkës, në marrëdhëniet e tyre domosdo që ndonjëherë do të kenë ndjekur edhe ligjshmëritë e natyrës dhe të jetës njerëzore. Dashuria e dy të rinjve, me përkatësi të ndryshme etnike, do të ishte zhvillimi më normal në rrethanat e një jete të përbashkët, sado kontradiktore të kenë qenë marrëdhëniet mes popujve. E tillë është dashuria e Shpend Brezftohtit dhe Mladenka Markoviçit, të cilët në vitin 1981, të përfshirë nga inercia e ngjarjeve, gjenden në dy anë të ndryshme të “vijës së zjarrit”.

Shpendi merr pjesë në demonstrata, vritet nga forcat policore serbe dhe i bëhet diku një varr pa gjurmë dhe pa nishan. Shkrimtari akuzon në emër të dashurisë, të ndjenjës më njerëzore, për një lidhje dhe afri, për një miqësi dhe krushqi të mbetur në tentativë, e cila rrënohet dhe këputet në mes, për shkak të ringjalljes së miteve të errësirës. Faqet e fundit të romanit, të cilat i kushtohen Shpend Brezftohtit, ndonëse të kursyera në sasi, vijnë si një katarsis “sui generis” dhe, ngjashëm me tragjeditë antike greke, sugjerojnë pavdekësinë e legjendave dhe miteve, bashkë me këtë edhe të akteve të papërmbyllura të një tragjedie.

4. Gjatë qëndrimit sado të shkurtër në Kosovë, në vjeshtën e vitit 1980, Kadareja kishte marrë me vete imazhe dhe mbresa, të cilat nuk do t’i shlyheshin aq shpejt. Ai e kishte njohur ambientin kosovar. Në mënyrë të veçantë atë të Prishtinës. E kishte parë nga afër si funksiononte ky komunitet i shqiptarëve, çfarë synonte dhe cilat ishin preokupimet e tij. Kishte pasur takime dhe njohje me njerëz të ndryshëm, veçmas me të tillë që i përkisnin shtresës intelektuale.

Ndonjë vit më vonë, ndërsa mund të ketë dëgjuar dhe lexuar se çfarë ndodhte me këta njerëz, tashmë miq të tij; si ishin përfshirë ata në një proces të egër të diferencimit politik; pra, në një rrethanë të këtillë, Kadareja do të ketë ndërtuar pa ndonjë vështirësi të madhe konstruktin rrëfimor të romanit “Krushqit janë të ngrirë”. Në të vërtetë, romani është mbështetje e përballjes së suksesshme dhe jashtëzakonisht dinjitoze të inteligjencies kosovare me aparaturën e egër represive të pushtetit dhe, në këtë pikë, romani përfshin një dimension më të gjerë të konfliktit të përjetshëm të shtetit represiv me atë shtresë të popullsisë, e cila ndryshe quhet ndërgjegje njerëzore. Në Kosovën e vitit 1981, kjo përplasje ishte e ashpër dhe gjithëpërfshirëse.

Në qendër të rrëfimit të tij Kadareja vendos një galeri personazhesh imagjinare, por që, disa prej tyre, krijojnë ngjashmëri të qartë me personat realë. Çifti Teuta dhe Martin Shkreli asociativisht përfshijnë çiftin Sahadete dhe Esad Mekuli. Përmes mbiemrit, gjithashtu korrespondojnë edhe me mikun e Kadaresë, Azem Shkrelin, i cili, atëbotë, kishte qenë organizatori kryesor i vizitave të Kadaresë në Kosovë. Mirë- po, ashtu siç ndodh rëndom në letërsi, imanenca e rrëfimit romanor e çon autorin në shqyrtime dhe përplotësime imagjinative. Teuta Shkreli është kirurge në spitalin e Prishtinës.

Ajo, në procesin e diferencimit, akuzohet për përfshirje në tri çështje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me demonstratat: Kush e shtoi numrin e shtretërve në spital, në repartin e kirurgjisë, një natë përpara demonstratave? Kush i angazhoi autoambulancat për bartjen e të plagosurve? Kush e zhduku librin e të vdekurve?

Ky është, si të thuash, rrafshi dokumentar i romanit. Por Kadareja, i cili shquhet për imagjinatë shpërthyese, nuk mund ta linte rrëfimin vetëm në suaza të ndodhive reale. Përballë çiftit Shkreli dhe personazheve të tjera të kësaj kategorie, ai vendos kundërpeshën e tyre, njerëzit e Sigurimit, të UDB-së, të cilët situatën e krijuar në Kosovë e shohin si mundësi për ringjalljen e kohëve të errëta, në radhë të parë, të periudhës së Rankoviçit.

Fitorja morale e Teuta Shkrelit mund ta ngazëllejë lexuesin, por në këndvështrimin e shkrimtarit ajo nuk i davarit retë e errëta mbi Kosovën e viteve të ardhshme. Mitet dhe legjendat vrastare, nga studimet etnografike të Martin Shkrelit, tashmë kanë dalë në dritë të diellit dhe kanë marrë forcën e shfaqjes reale. Mbyllja e romanit është rrëqethëse: Si te Skorsa, Kadareja zbret në varrin pa gjurmë të Shpend Brezftohtit dhe që andej sjell imazhin e një vdekjeje që gllabëron dhe tret trupin e një viktime të pafajshme. Kjo vdekje duket sikur pret në pusi kohë të reja dhe viktima të reja.

5. Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij.

Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën. Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë. /KultPlus.com

Dhjetë libra të letërsisë shqipe që duhen lexuar sipas Krajës

Shkrimtari Mehmet Kraja zgjedh “Rapsodi të një poeme arbëreshe” të Jeronim De Radës si një nga librat që nuk duhen lënë pa lexuar. Duke e quajtur një vepër pertej artit, Kraja na fton në një lexim ndryshe të De Radës. Më poshtë ai vjen me 10 sugjerimet e tij nga letërsia shqipe.

Jeronim De Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

Për mendimin tim, njëra nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqipe. Kjo vepër e De Radës pa të drejtë është zhvendosur nga letërsia në histori, pra është shtyrë disi matanë artit, është kthyer në data, në fusnota, në shënime bio-bibliografike dhe nuk sugjerohet si vepër për lexim. Arsye për këtë mund të ketë qenë gjuha, por vepra ka kohe që është rikënduar dhe, pranë tekstit origjinal, mund të shijohet edhe në këtë formë. Kjo vepër i qëndroi kohës për shkak të motiveve, të cilat, njësoj si tërë letërsia antike, shprehin raportet themelore të njeriut me enigmat kryesore të jetës e të ekzistencës. Së dyti, “Rapsoditë…” i bën art të lartë dendësia e madhe e figurave, që nuk shtrihet vetëm në rrafshin e gjuhës, por në shumicën e rasteve është qenësi e ligjërimit. Një prurje e veçantë e kësaj vepre është tematika kalorësiake dhe aristokrate, e cila për shkak të rrethanave historike, nuk do të përsëritet më në letërsinë shqipe.

Ndre Mjeda, “Juvenilia”

Ndre Mjeda është mjeshtër i madh i sonetit shqip, i papërsëritshëm në letërsinë shqipe, një skalitës i jashtëzakonshëm i vargut. Mjeda është klasik i letërsisë shqipe; poezia e tij është një monument letrar i gdhendur në mermer. Pa të drejtë është lënë disi në harresë, duket për shkak të rivalitetit të françeskanëve me jezuitët, përfshirë edhe supozimin cinik se Mjeda u njoh edhe në kohën e diktaturës, ndërsa Fishta u anatemua. Pavarësisht se konsiderohet dialektore, poezia e Mjedës është model i mbarë vargimit shqip, sepse ajo shpërfaq, njeh dhe bashkon në një të përbashkët vlerat tingullore të fjalës me vlerat e saj kuptimore figurative, që është ideali më i lartë i poezisë. Poezia e Mjedës mund të lexohet edhe sot me ëndje, nëse mënjanohen disa paragjykime.

Ernest Koliqi, “Tregtar flamujsh”

Është njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës sonë, që ndikoi në bashkëkohësimin dhe emancipimin e letërsisë shqipe. Proza tregimtare e përmbledhjes “Tregtar flamujsh” e Koliqit u shkrua në një kohë qetësie shpirtërore të shqiptarëve dhe ajo reflekton gjuhë të emancipuar, jetë të stabilizuar shoqërore, kulturë qytetare dhe mendim kritik. Mendoj se është mbivlerësuar ndikimi i letërsisë italiane në këtë krijimtari të Koliqit, sepse ai shfaqet i asimiluar, njësoj si letërsia perse te Naimi, apo ajo rumune te Lasgushi. Në këtë pikë proza tregimtare e Koliqit nuk përbën ndonjë përjashtim. Nëse duhet bërë vërejtje gjuhës së Koliqit, kjo nuk lidhet me dialektizmin e thellë të leksikut të tij, sepse ai i përshtatet ambientit, por më shumë me sllavizmat e paasimiluara që gëlojnë në ndonjërën nga këto proza.

Mitrush Kuteli, “E madhe është gjëma e mëkatit”

Është vepra më e arrirë e Mitrush Kutelit dhe njëra nga veprat më të rëndësishme të prozës shqipe. Në këtë prozë të Kutelit subjekti rrëfimor është vendosur në një kontekst fetar. Në një kuptim më të gjerë, rrëfimi është ndërtuar i mbështetur fort te situata biblike e “Këngës së këngëve” të Solomonit. Por motivi biblik është bartur në kohë dhe hapësirë, ashtu siç bëhet zakonisht në raste të këtilla. Vetëm se, kur bëhet fjalë te ne për misticizmin, në etër sikur ndihet njëlloj refuzimi, kështu që kjo mund të jetë një nga arsyet përse kjo prozë e Kutelit nuk ka arritur t’i vërë nën hije veprat e tjera të këtij autori, veçmas ato me tematikë sociale, ndonëse artistikisht është vepra e tij më e arrirë. Mistikja e shndërruar në situatë jetësore, kjo është veçoria themelore e kësaj proze. Gjuha e Kutelit në këtë prozë është model, se si koineja lokale ngrihet në nivelin e tekstit të kultivuar artistik. Ajo është gjuhë që krijon drejtpeshim të fuqishëm ndërmjet tekstit dhe kontekstit.

Petro Marko, “Qyteti i fundit”

Romani më i mirë i Petro Markos dhe njëra nga veprat më të mira të prozës shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX. Shquhet për subjekt të zgjedhur dhe për guxim krijues, sepse romani edhe për nga tema, edhe për nga metoda krijuese del në anën tjetër të skemës, duke sfiduar ideologjinë dhe njërën nga shtyllat e saj, realizmin socialist. Petro Marko në këtë roman merret me pasojat e luftës, duke dalë “në anën tjetër”, pra në kampin e atyre që e kanë humbur luftën. Dhe aty gjen drama të mëdha, fate të përmbysura, jetë që marrin rrjedhë tragjike. Pavarësisht se autori ndjek me konsekuencë vijën e qartë antifashiste, duket sikur në shumicën e rasteve rrëfimi i del “jashtë kontrollit” dhe bie në “grackën” e humanizmit. Edhe në pikëpamje të metodës letrare ndodh e njëjta gjë: romani për mrekulli iu shpëton shtrëngesave të realizmit socialist. Një përpunim artistik i shkrimit do të mund ta bënte veprën më të qëndrueshme në kohë.

Ismail Kadare, “Kronikë në gur”

Është kryevepra e Kadaresë dhe njëra nga kryeveprat e letërsisë shqipe, roman që del jashtë skemës letrare të këtij autori dhe përvojës letrare shqipe në përgjithësi, kryesisht përmes një diskursi narrativ thellësisht përpunuar dhe përmes shpërfaqjes së një bote, e cila qëndron në kufijtë e ëndrrës dhe realitetit, të mitit dhe legjendës në njërën anë dhe historisë dhe bëmave reale në anën tjetër. Vepra mbështetet mbi rrëfimin retrospektiv dhe të sublimuar të “fëmijërisë së botës” për luftën në përgjithësi dhe për Luftën e Dytë Botërore në veçanti. Është një rrëfim i sinqertë, jashtëzakonisht poetik dhe i ç’idelogjizuar për një dramë njerëzore përmasash të mëdha, e cila, në një vend të vogël nxjerr në pah fate njerëzish të një realiteti të çuditshëm, gati të përmbysur dhe fantastik. Është roman jo tipik për luftën, që sublimon dije dhe kulturë letrare, roman që i tejkalon përvojat individuale dhe bëhet përvojë e shkrimit letrar e një koineje pothuajse universale. Romani disa herë është klasifikuar nder njëqind romanet më të mirë letërsisë evropiane të shekullit XX.

Azem Shkreli, “Poezi”

Është njëri nga poetët më të mirë të letërsisë bashkëkohore shqipe, figurë e fuqishme integruese e letërsisë shqipe: poezia e tij, për aq sa lexohet dhe analizohet, funksionon pa dallim në mbarë hapësirën letrare shqiptare. Është poezi kryekëput meditative, me shtresime të thella kuptimore dhe me shprehje të kultivuar gjuhësore dhe artistike. Heroi lirik i poezisë së Azem Shkrelit nuk është as kosovari dhe as shqiptari pasionant dhe euforik, por shqiptari racional, meditativ. Ky hero lirik asnjëherë nuk bëhet pjesë e turmës, pra nuk është hero kolektiv, përkundrazi, është individualist i fuqishëm, që mediton për tema të përjetshme si liria, qëndresa, dashuria, vdekja etj. Poezia e Azem Shkrelit përdor gjuhë dhe shprehje të kursyer dhe shquhet për gjetje origjinale në fushën e figurës poetike. Vepra letrare e Azem Shkrelit ka tiparet e njeriu të urtë, që mediton shumë dhe flet pak.

Ali Podrimja, “Lum Lumi”

Të paktë janë librat e poezisë si “Lum Lumi” i Ali Podrimjes, që mbeten në vëmendje të lexuesit për një kohë kaq të gjatë, jo me ndonjë poezi, me ndonjë varg, me ndonjë motiv apo metaforë, por libri si tërësi. “Lum Lumi” vazhdon të jetë në vëmendje të lexuesit dhe të studiuesve të letërsisë. Ai u bë libër-emblemë i poezisë shqipe, një libër i veçantë, që shënon një kthesë me modernitetin e shprehjes, me emancipimin përmbajtësor, me një gërshetim jashtëzakonisht të suksesshëm të shprehjes së kultivuar dhe subjektit me referenca krejtësisht të qarta kuptimore. “Lum Lumi” është liria e panënshtruar për të shprehur dhembjen, është liria për të ndjerë, është liria për të vuajtur, është liria për të klithur, është liria për të thënë atë që ndjen. Për ta bërë “Lum Lumin” Ali Podrimjes iu desh shumë dhembje dhe po aq fjalë-figura dhe shprehje të gjetura. Në këtë libër elokuenca poetike e Podrimjes njeh depërtime të jashtëzakonshme.

Zija Çela, “Gjysma e Xhokondës”

Njëra nga veprat më të rëndësishme në opusin e krijimtarisë së Zija Çelës, për mua e veçantë, sepse, bashkë me romanin “Gjaku i dallëndyshes”, hap fazë të re të krijimtarisë letrare të këtij autori dhe manifeston qëndrueshmëri në tranzicionin e vështirë letrar të periudhës pas realizmit socialist në letërsinë e Shqipërisë. Me këtë roman Zija Çela bëhet model i frymës së re në prozën shqipe, e cila konsiston në përvetësimin kreativ dhe selektiv njëkohësisht të pluralizmit të shkollave letrare, duke ruajtur drejtpeshimin ndërmjet zërit të vet origjinal dhe kërkesave në rritje të lexuesit shqiptar. Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë që nuk arritën të ecnin në hap me kohën dhe me zhvillimet e saj dinamike, me këtë roman Çela bëhet autor që letërsinë e tij e vendos në raporte komunikimi dhe konkurrence me prozën bashkëkohore kontemporane, sepse, nga njëra anë, ai sublimon arritjet e mëdha të prozës së shekullit XX në ndërtimin e fakturës tekstore dhe të prosedeut, ndërsa, nga ana tjetër, me tematikën e veprave të tij qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, duke u bërë jehonë pësimeve dhe dilemave të saj.

Vath Koreshi, “Ujku dhe Uilli”

Pavarësisht se konsiderohet roman me tezë të paravendosur, ku e mira dhe e keqja kanë fatin e paracaktuar, ky roman i Vath Koreshit shënon një sukses të jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe pas kthesës së madhe të viteve ’90. Romani është një dëshmi se letërsia shqipe, pas shkërmoqjes së realizmit socialist, kishte potencial të brendshëm të rigjenerohej, veçmas romani, dhe të njihte depërtime të reja subjektore dhe gjuhësore. Romani është i rëndësishëm, sepse hap shtigje dhe ofron njërin nga variacionet e “ritregimit” të historisë, ndryshe nga ç’ishte rrëfyer historia deri atëherë: romani është histori ngjarjesh dhe rrethanash, por më shumë është histori lirike e dashurisë dhe pasionit, e vuajtjes dhe mbijetesës. Megjithëqë që sërish të skematizuar, autori i nxjerr personazhet nga skema ideologjike dhe i vendos në kufizime të tjera, duke bërë me dije se liria e vërtetë nuk ekziston, se ajo ka kufizime të tjera ekzistenciale, filozofike dhe botëkuptimore. Më anë tjetër, me këtë roman autori bën kërkime dhe depërtime gjuhësore të rëndësishme në nivel të prozës sonë romanore. /KultPlus.com