1 gusht 1912: Kur në Rumani botohej gazeta “Atdheu”

Zhvillimet e organeve të shtypit shqiptar në Rumani u zhvilluan duke kaluar në disa faza, sipas viteve përkatëse, kur u botuan. Faza e parë përfshin vitet 1887-1912, që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Kjo fazë përfshin edhe gazetën “Atdheu” (1912-1914). Faza e dytë (1901-1912) përfshin periudhën, kur në kolonitë e tjera shqiptare, në Egjipt, Bullgari, Turqi, po ashtu edh enë ngulimet përtej oqeanit, gazetaria shqiptare njeh hove, baticat janë të dukshme e të ndjeshme.

Në verën e vitit 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë, më 1 gusht të atij viti filloi të botohej gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava. Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.

Zhvillimi i gazetës mund të ndahet në dy kohë:
Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit.

Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombiare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”

Këtij orinetimi e përkohshmja iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrine 35-të të saj. Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës.
Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e Vilhelm Vid në fronin e sovranit të Shqipërisë.

Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit. Në rrethnata e reja vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.

Gazeta “Atdheu” qarkulloi për një periudhë 2-vjeçare deri më 23 janar 1914. / KultPlus.com

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit më 1912

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajm-ëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni! Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija!