Shqiptarët e Rumanisë, një ndër komunitetet më të vjetra

Ilia Murzaku, ka mbushur 86 vjeç, flet një shqipe të kulluar, edhe pse prej 64 vitesh jeton në Rumani. Në vitin 1959 u zhvendos nga Shqipëria në Bukuresht me nënën dhe dy motrat e tij. Deri në atë moment jeta nuk kish qenë e lehtë për ta, pasi më herët Ilia kish humbur babanë dhe vëllanë, i pari dy javë pasi doli i pafajshëm nga burgu ku u mbajt për një vit si i dyshuar për bombën e vendosur tek ambasada ruse në Tiranë në vitin 1951, ndërsa vëllai pak kohë pasi kish shkuar tek ca të afërm në Rumani, si pasojë e një sëmundjeje.

Duke qenë se i ati, shkolluar në Rumani dhe ish-punonjës i ambasadës rumune në Tiranë para komunizmit, mbante pasaportën rumune, e gjithë familja mori gjithashtu të drejtën e shtetësisë, të cilën do ta shfrytëzonin atëherë kur u nevojitej.

“Në vitin 1959, qeveria rumune e asaj kohe dha një urdhër që të gjithë shtetasit rumunë mund të riktheheshin të jetonin në Rumani. Atëherë ne shkuam menjëherë në ambasadë, por na duhej dhe një miratim që shteti shqiptar na lejonte të iknim, më saktë ministria e Brendshme. Nuk na ndaluan të iknim”, thotë në një intervistë për DW.

Ndalesa e parë e familjes Murzaku do të ishte qytet-porti i Konstancës në Rumani, aty ku ndër shekuj zbarkonin shqiptarët e Rumanisë. “Ne erdhëm me vapor rus. Atëherë isha basketbollist, luaja me Tiranën, ish 17 Nëntorin. Kuzhinierja e tragetit na thoshte: Hani! Se ne ishim shumë të dobët. Gjatë udhëtimit ndaluam në Pire të Greqisë. Aty pushuam 5-6 orë, duke gjezdisur dhe parë dyqanet. Para se të nisesha kisha bërë një palë këpucë me porosi, por kur pashë ato dyqane, këpucët e mia dukeshin si opinga”, tregon mes nostalgjisë Ilia.

Diferenca Shqipëri-Rumani dikur ishte, si Rumani-Amerikë

Me të mbërritur, autoritetet vendase i pyetën nëse donin të vendoseshin në Konstancë apo në Bukuresht. Familja zgjodhi Bukureshtin, pasi varri i të vëllait ishte aty. Ca vite më vonë, në 1966-ën do të tërhiqnin edhe eshtrat e të atit. Ajo do të ishte dhe hera e fundit kur Ilia do të vizitonte Shqipërinë, deri në rikthimin pas viteve ’90.

Ikja nga një shtet në diktaturë, në një tjetër vend diktatorial, kishte sa ngjashmëri, aq edhe ndryshime sipas Ilias.

“Ato vite edhe këtej sapo kish nisur diktatura. Diferenca Shqipëri-Rumani dikur ishte, si Rumani-Amerikë. Këtej i gjetëm dyqanet plot. Ndërsa në Tiranë kishim bukën me racion. Nëna ime merrte 400 gramë bukë dhe ma jepte mua racionin e saj. Bëje hesap vetë. Ishte krizë e madhe. Ndërsa këtu nisëm të visheshim, të mobilonim shtëpinë, udhëtonim edhe në vende demokratike”, thotë ai.

Integrimin nuk e pati të vështirë, pasi shpejt u regjistrua në Institutin e Fizkulturës në Bukuresht dhe mësoi dhe gjuhën rumune. Më vonë u njoh edhe me një vajzë rumune, që u bë më pas gruaja e tij.

Edhe për të zënë miq, nuk ishte aspak e vështirë, sepse siç thotë Ilia, në ato vite gëzohej respekt për shqiptarët dhe komunitetin shqiptar. “Ka qenë një organizatë shqiptare e mirëorganizuar. Kishin Shtëpinë e tyre të Kulturës. Mblidheshim, këndonim, madje këndonim dhe këngë patriotike të vjetra. Kishte çifte të përziera dhe partnerët rumunë mësonin këngët tona. Atëherë komuniteti ka qenë shumë më i madh, ndërsa tani nuk flasin as gjuhën”, shprehet Ilia.

Për Ilian, mallin e Shqipërisë, aty ku nuk mund të udhëtohej më pas izolimit gjatë diktaturës, e shuanin takimet me grupet e sportistëve shqiptarë që vinin në Bukuresht. Ai i shoqëronte ato në ndeshjet dhe vizitat që kryenin, duke praktikuar në këtë mënyrë edhe gjuhën shqipe. Ai u rikthye në Tiranë në vitin 1991, përmes rrugës tokësore, ku gjëja e parë që i ra në sy ishin bunkerët, rrugët me gropa dhe malet e shpyllëzuar.

Ngjashmëri në kulturë dhe gjuhë

Renata Topçiu u rrit duke folur shqip dhe rumanisht. Prindërit e saj u njohën në Bukuresht, kur i ati, me origjinë nga Korça ishte student mjekësie, dhe e ëma, rumune nga Bukureshti, studente e Filologjisë, në degën Frengjisht-Rumanisht. Ata u martuan në vitin 1958 dhe më pas vendosën të jetonin në Shqipëri.

“Është pak e ndryshme fëmijëria kur njëri nga prindërit është i huaj. Bëhesh fëmijë dy-gjuhësh. Është pasuri e vërtetë, sepse gjuha që mëson në fëmijëri bëhet pronë e jotja, e cila arrin në të njëjtin nivel me gjuhën e vendit ku ke lindur dhe je shkolluar dhe të hap një dritare tjetër, për të njohur një kulturë tjetër”, thotë Renata për Deutsche Welle.

Nga kujtimet e fëmijërisë në Shqipëri, ajo mban mend vitet e vështira të nënës, kur vendi u izolua dhe kufijtë u mbyllën. “Gjyshja ime ia doli që të vinte në Shqipëri që të shikonte nipin dhe mbesat, por nënës sime nuk i jepej viza për të dalë nga Shqipëria. Gjyshja ime gjithmonë i drejtohej me një letër direkte Enver Hoxhës, ku i shkruante: Unë jam nëna e një vajzë ia kam falur Shqipërisë, dhe ajo ka tre fëmijë. Unë jam shumë e pasur por duhet ta gëzoj këtë pasuri, që janë nipi dhe mbesat e mia. Dhe gjyshja ime pas kësaj letre mundi të vinte në Shqipëri dhe mund të ketë ardhur dy-tri herë gjithsej. Kështu që ne nuk e kemi ndjerë aq shumë mungesën e gjyshes sepse ajo vinte. Letra përsëritej një herë në dy-tre vite. Mesa duket dikush vinte dorën në zemër dhe ajo vinte tek ne, ku rrinte 3,4, 5-6 muaj”, kujton Renata.

Vetë Renata vizitoi për herë të parë Bukureshtin dhe familjen e kushërinjtë e së ëmës në vitin 1991. Dy vite më pas, u ftua për një kurs vere dhe pastaj u vendos në Rumani, ku nisi të jepte mësimin e gjuhës shqipe, pas hapjes së katedrës së gjuhëve ballkanike në universitetin e Konstancës. “Nuk kisha asnjë problem të përshtatesha sepse njihja gjuhën dhe psikologjinë e popullit rumun, që është shumë e afërt me atë të popullit shqiptar. Nuk ndihesha aq e huaj këtu. Rumania kishte në ato vite shumë ngjashmëri me Shqipërinë, sepse të dyja kishin dalë nga sistemi komunist, përjetimet ishin të njëjta, shpresat ishin të njëjtat. Edhe pse duhet ta them që Rumania ishte shumë përpara nga ana e nivelit akademik, nga pikëpamja e kulturës, e gjuhësisë etj”, thotë Renata.

Krijimi i fjalorit të parë Shqip-Rumanisht

Duke jetuar dhe punuar në Rumani nisi të studionte dhe më thellësisht ngjashmëritë mes dy gjuhëve.

“Ngjashmëritë mes shqipes dhe rumanishtes janë të befasueshme. Sepse ato kanë të bëjnë me strukturën e gjuhës. Nuk janë ngjashmëri sipërfaqësore, pra jo vetëm që ka shumë fjalë të përbashkëta mes shqipes dhe rumanishtes që gjenden në gjuhët e tjera, por ka shumë shprehje frazeologjike të përbashkëta, ka shumë struktura fikse të përbashkëta”.

Puna si lektore e gjuhësisë bëri që ajo të ndihmonte dhe të ëmën, Ana Melonashi, që të finalizonte ëndrrën dhe punën disa-vjeçare të krijimit të fjalorit të parë Shqip-Rumanisht. “Fjalori ka qenë një nismë e nënës sime kur unë hyra në fakultetin e Filologjisë. Kur e pa që unë hyra përfundimisht në këtë rrugë, ajo mendoi të bënte një fjalor që i mungonte si leksikografisë shqiptare, ashtu edhe leksikografisë rumune. Kontributi i parë i përket asaj. Pastaj më vonë kontributi im dhe i bashkëshortit tim është sepse ne e kompletuam, e përgatitëm për botim. Zgjati shumë i gjithë procesi. Mamaja punoi nja 4-5 vjet dhe unë e ndihmova kur isha studente. Një punë shumë-vjeçare, të paktën rreth 20-vjeçare. Ishte një shpërblim i jetës së saj. Tani ne po punojmë për fjalorin e dytë”, thotë Topçiu. /DW/KultPlus.com

Kryeministri i parë në botë që merr një robot për këshilltar

Kryeministri i Rumanisë ka prezantuar këshilltarin e tij më të ri, një asistent robot i quajtir Ion. Sipas Nicolae Ciuca, ky është rasti i parë në botë kur inteligjenca artificiale merr një post të tillë, edhe pse honorifik.

Roboti është ndërtuar në Rumani dhe detyra kryesore e tij do të jetë skanimi i rrjeteve sociale për të informuar qeverinë “në kohë reale” për “propozimet dhe dëshirat e rumunëve”.

“Përshëndetje, ju më dhatë jetë dhe roli im është t’iu përfaqësoj, si një pasqyrë”, thotë Ion përmes një zëri të qetë. “Çfarë duhet të di për Rumaninë?”.

Sipas dokumenteve që u publikuan në ditën e prezantimit, roboti do të përdorë inteligjencën artificiale për të kapur mendimet e shoqërisë, duke përdorur të dhëna publike, në rrjete sociale. Por njerëzit do të kenë mundësi edhe të komunikojnë direkt me Ionin, përmes një faqeje interneti të ngritur për këtë qëllim.

“Jam i bindur se përdorimi i inteligjencës artificiale nuk duhet të jetë një mundësi, por detyrim, për të marrë vendime bazuar në informacion më të mirë”, tha Ciuca.

Rumania është një prej shteteve më të varfra të Bashkimit Europian, por ka ndërmarrë vitet e fundit nisma për zhvillimin e kompanive të reja, sidomos në fushën e teknologjisë së informacionit./A2CNN

Akademia e Shkencave, në simpoziumin shkencor në Rumani

Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mori pjesë në vizitën zyrtare në Bukuresht, me ftesë të Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Rumanisë.

Delegacioni kryesohej nga kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik Skënder Gjinushi dhe përfaqësues të Akademisë, si akademik Nazim Gruda, prof. Vjollca Ibro dhe përfaqësuesja e Universitetit të Tiranës, prof.dr. Linda Luarasi.

Në takimin e zhvilluar në mjediset e ASHRBP, përveç këtij delegacioni, ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i ambasadës së RSH në Rumani, Jonian Molla.

Gjatë vizitës zyrtare u diskutua mbi bashkëpunimin ndërakademik dypalësh dhe fushat potenciale të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, i institucionalizuar tashmë me marrëveshje që në 2021. Këto fusha, e më gjerë përfshijnë, bashkëpunim kërkimor shkencor, shkëmbim stafi akademik dhe universitar, bashkëpunim në fushën e ndryshimit klimatik, si një fushë me shumë interes. Gjithashtu u përmendën dhe mundësi konkrete me institucionet kërkimore shkencore, si psh. banka gjenetike, etj.

Kjo vizitë u pasua nga një simpozium shkencor, ku pala shqiptare u përfaqësua me prezantime shkencore të fushës së bujqësisë nga akad. Gruda, prof.Ibro dhe prof. Luarasi që paraqitën tema me shumë interes në këtë fushë.

Përfaqësuesi i ambasadës se Republikës së Shqipërisë, Molla, gjatë diskutimeve të ngritura, iu shpjegoi të pranishmëve për situatën aktuale të Shqipërisë në kuadrin e integrimit në BE, veçanërisht për kapitujt e lidhur me fushën e bujqësisë dhe ushqimit. /atsh / KultPlus.com

Në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune në Bukuresht nderohet figura e Mitrush Kutelit

Shkrimtari shqiptar Mitrush Kuteli (1907-1967) është nderuar në 115 vjetorin e lindjes, ditën e djeshme në një aktivitet të organizuar nga Shoqata e Lidhjes Shqiptare të Rumanisë në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune në Bukuresht. Aktiviteti u përfshi edhe në programin e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë në Bukuresht (edicioni i dymbëdhjetë).

I ftuar special në aktivitetin përkujtimor ishte shkrimtari dhe profesori universitar Eris Rusi, nga Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë (Shqipëri), i cili mbajti një kumtesë për rëndësinë e veprës së Kutelit në peizazhin e letërsisë shqipe. Ai u ndal te lidhjet historike rumuno-shqiptare dhe te komuniteti shqiptar në Rumani, anëtar i shquar i të cilit ishte edhe Mitrush Kuteli (me emrin e tij të vërtetë Dhimitër Pasko ose Dimitrie Pascu, në rumanisht).

Profesor Rusi vuri në dukje se aktiviteti i organizuar nga ALAR ka gjithashtu një ngarkesë të fortë emocionale dhe simbolike, jo vetëm për faktin se u zhvillua pikërisht në ditën e festimit të 115-vjetorit të Kutelit: “Fakti që emri i Mitrush Kutelit shqiptohet në mënyrë të përsëritur. Në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune është i nderuar për letërsinë shqipe dhe për komunitetin shqiptar në Rumani, muzeu është, par excellence, një vend që ruan vlerat në përjetësi”, tha Eris Rusi.

Luan Topciu, koordinator i Qendrës Kulturore Shqiptare të ALAR, foli më shumë për vitet që kaloi Mitrush Kuteli në kryeqytetin rumun, i cili përveç prezantimit të veprimtarisë së Kutelit në Rumani, lexoi edhe disa fragmente të letrave të tij, ku shkrimtari përshkruante atmosferën e letërsisë së Bukureshtit ndërmjet luftërave.

Gjithashtu, Luan Topciu përshëndeti praninë në sallë të Dr. Corneliu Zeană, nipit të shkrimtarit dhe përkthyesit Ionel Zeană (1912-2007), mik i Mitrush Kutelit, me të cilin mbante një korrespondencë. Në fakt, letra e fundit e Kutelit i është dërguar pikërisht Ionel Zeanës, në rumanisht.

Me ftesë të ALAR, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe shkrimtari dhe kritiku letrar Marius Chelaru, zëvendëskryeredaktor i revistës “Convorbiri literare” nga Iasi. I preokupuar prej shumë vitesh me fushën e albanologjisë, Marius Chelaru po punon për një vëllim kushtuar Mitrush Kutelit dhe në fjalën e tij prezantoi disa nga pikat historike të kërkimit që ndërmori, lidhur me “periudhën rumune” të shkrimtarit. Marius Chelaru këmbënguli gjithashtu për një sërë kontributesh më pak të njohura të Kutelit, të cilat nuk kishin të bënin me fushën letrare, por me formimin dhe profesionin bazë të Dhimitër Paskos, atë të ekonomistit. Në këtë cilësi, ai punoi në Ministrinë Rumune të Ekonomisë dhe madje u shpërblye për punën e tij.

Në aktivitetin në Muzeun Kombëtar të Letërsisë Rumune morën pjesë edhe deputetja Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuese e pakicës kombëtare shqiptare në Kuvendin e Rumanisë, si dhe zyrtarë të tjerë dhe njerëz të kulturës, së bashku me një audiencë të madhe. Një ekip televiziv rumun ishte gjithashtu i pranishëm në aksion./ KultPlus.com

1 gusht 1912: Kur në Rumani botohej gazeta “Atdheu”

Zhvillimet e organeve të shtypit shqiptar në Rumani u zhvilluan duke kaluar në disa faza, sipas viteve përkatëse, kur u botuan. Faza e parë përfshin vitet 1887-1912, që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Kjo fazë përfshin edhe gazetën “Atdheu” (1912-1914). Faza e dytë (1901-1912) përfshin periudhën, kur në kolonitë e tjera shqiptare, në Egjipt, Bullgari, Turqi, po ashtu edh enë ngulimet përtej oqeanit, gazetaria shqiptare njeh hove, baticat janë të dukshme e të ndjeshme.

Në verën e vitit 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë, më 1 gusht të atij viti filloi të botohej gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava. Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.

Zhvillimi i gazetës mund të ndahet në dy kohë:
Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit.

Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombiare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”

Këtij orinetimi e përkohshmja iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrine 35-të të saj. Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës.
Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e Vilhelm Vid në fronin e sovranit të Shqipërisë.

Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit. Në rrethnata e reja vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.

Gazeta “Atdheu” qarkulloi për një periudhë 2-vjeçare deri më 23 janar 1914. / KultPlus.com

Promovohet “Fjalor historik i Shqipërisë” i albanalogut të shquar Robert Elsie

Një epilog i bukur në Craiova, në Bibliotekën qendrore të qytetit, të mbushur me qytetarë, studentë, të mërkurën 22 qershorit, u promovua libri monumental “Fjalor historik i Shqipërisë” i albanalogut te shquar Robert Elsie. Vepra e rëndësishme është përkthyer nga anglishtja në rumanisht nga Presidenti i Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë, albanalogu Dr. Radu Săvulescu. Ishte i pranishëm dhe përshëndeti takimin deputeti i shqiptarëve në Parlamentin Rumun, Bogdan Alin Stoica.

Dr. Luan Topçiu, drejtori kulturor, që monitorinte takimin, tha se vepra është me rëndêsi të madhe, tani jo vetëm për Shqipërinë, por dhe për Rumaninë, për studiuesit dhe lexuesin e interesuar. Kritiku i njohur dhe poeti Marius Chelaru, njohës i letërsisë shqipe, vlerësoi veprën dhe punën e shoqates së shqiptarve. Do të doja të kishte nje shoqatë të tillë rumune në vendet e tjera, perfundoi ai.

Është si një ditar Shqipërie, thashë në fjalën time, Robert Elsie është albanalogu më i madh i gjysmës së dytë te shekullit XX dhe fillimi e te shekullit XXI. Biblioteka e shqiptarëve në Rumani po pasurohet, libri i saj po shkon në të gjitha universitet dhe akademitë e bibliotekat, jo vetëm në Rumani, po kudo në botë.

Pas përkthyesit Radu Săvulescu foli Eda Eda Agaj Zhiti, ajo tregoi për ardhjet e albanalogut Elsie në Shqiperi, perkthimi në anglisht i eposit fishtian, puna e tij kolosale, etj. Në perfundim ajo shtoi që kjo vepër sot është si një qiri në nderim të përjetësisë së tij….

Nga Visar Zhiti /Dielli/ KultPlus.com

Vdiq akademiku Grigore Brâncuş, një nga gjuhëtarët evropianë më të njohur

Vdiq akademiku Grigore Brâncuş (1929-2022), një nga gjuhëtarët evropianë më të njohur, përcjell KultPlus.

“Ka shumë fjalë nga substrati i rumanishtes që kanë gjegjëset e tyre në gjuhën shqipe.”

(Intervista me Profesorin Grigore Brâncuş është realizuar në vitin 2015 dhe u botua për herë të parë në revistën Miku i shqiptarit, të komunitetit shqiptar të Rumanisë)

In MEMORIAM

Z. Profesor, ju lutemi fillimisht na tregoni se si e zbuluat pasionin tuaj për gjuhësinë?

Pasionin tim për gjuhësinë e kam zbuluar shumë herët. Kam lindur në shtëpinë e një prifti. Im atë kishte studiuar teologji në vitin 1900, por, në të njëjtën kohë, dhe letërsi. Kishte pasur fatin që të ndjekë ligjëratat e Maiorescut, Ovid Densusianu-ut, profesorë të mëdhenj të fillimit shekullit XX pranë Fakultetit të Letërsisë dhe Filozofisë në Bukuresht. Ai mbante mend shumë mirë Bogdan Petriceicu Hasdeu-un, i cili, siç e dimë, u nda nga jeta në vitin 1907, në Campina, dhe kishte një admirim të madh për këta dijetarë. Në shtëpinë tonë kam gjetur, kur isha në shkollë të mesme, librat e Hasdeu-t “Magnum Etymologicum Romaniae”, “Fjalët e pleqve” dhe të tjera. Hasdeu ka qenë, siç dihet, dijetari i parë rumun që iu përkushtua me guxim të madh, por edhe me sukses, lëmisë më delikate të gjuhësisë rumune: substratit trako-dak, gjuhës pleqërishte të të parëve tanë dakë, që u pushtuan dhe u kolonizuan nga romakët, dhe, pas një periudhe të gjatë dygjuhësie, kanë mësuar latinishten, por në të njëjtën kohë, ata ruajtën shumë elemente të gjuhës vendase, autoktone, d.m.th. të dako-trakishtes. Kjo fushë e errët e gjuhësisë rumune, që merret me elementin trako-dak të gjuhës rumune, më ka pasionuar gjithë jetën. Kam pasur, qysh në shkollë të mesme, një prirje të veçantë për zbulimin e zonave më të errëta, më delikate të gjuhësisë rumune. Isha student në Fakultetin e Letërsisë në vitin 1948 dhe kam pasur shansin të kem kontakt me një profesor të madh: Alexandru Rosetti.

Di se ju keni pasur mbështetjen dhe simpatinë e gjuhëtarëve më të rëndësishëm rumunë. Si kanë ndikuar ata në karrierën tuaj të ardhshme shkencore në ballkanistikë?

Profesori im i parë që e kam dëgjuar, kur isha student në vitin e parë të Fakultetit, ishte një asistent i ri i profesor Rosetti-it, Ion Coteanu, i cili kishte studiuar në Francë, dhe qysh nga ajo kohë ne u bëmë miq, madje dhe miq të mirë. Prej tij kam mësuar shumë, sepse ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm dhe inteligjent dhe kishte një kulturë perëndimore, e cila i dha atij mundësinë që të ishte shumë aktiv në një fushë kaq delikate siç është gjuhësia. Ai iu qas të gjitha degëve të gjuhësisë rumune: historisë së gjuhës, dialektologjisë, gjuhësisë bashkëkohore rumune, gjuhës letrare etj. Ishte pikërisht ai që më ka prezantuar në vitin e parë të universitetit, me Profesor Rosetti-in, i cili, atëherë, ishte rektor i Universitetit. Kur e kam përshëndetur për herë të parë zotin profesor Rosetti, ai më ledhatoi dhe më pyeti: “Pse jeni kaq i dobët?”. Ishin vitet e zisë pas luftës, dhe, pas rreth një jave, dikush erdhi dhe më solli një triskë ushqimi për mencën e profesorëve të fakultetit, nga ana e Rektorit. Kjo ishte një metodë që Rosetti përdorte për të ndihmuar të rinjtë që mendonte se kishin të ardhme në fushën e hulumtimit shkencor, veçanërisht në atë të gjuhësisë. Ky vakt i dytë që sigurova në lokalin e fakultetit, sepse një vakt e kisha të sigurt në konvikt, më bëri të braktis mendimin tim që të largohesha nga Fakulteti i Letërsisë, për të shkuar tek Fakulteti i Mjekësisë, ku doja të shkoja fillimisht. Dhe mbeta student në letërsi. Në vitin e tretë të universitetit, madje edhe më herët, zoti Rosetti më propozoi mua postin e asistentit pranë Departamentit të Gjuhësisë. Isha atëherë ndoshta më i riu në universitet, në vitin e tretë u rekomandova për të punuar pranë departamentit të gjuhës. Ishte koha kur kishte një mungesë të madhe të pedagogëve, më të vjetrit i hoqën, disa i burgosën, të tjerët i dëbuan nga universiteti, kështu që ata kishin nevojë për kuadro të reja, siç thuhej asokohe. Kam qëndruar në vitit e tretë dhe të katërt në katedër, duke punuar tej mase në të gjitha disiplinat e gjuhësisë rumune, krahë atyre profesorëve të mëdhenj: Rosetti, Iorgu Jordan, Al. Graur, Ion Coteanu dhe të tjerë. Fatkeqësia ishte që në fund të vitit të katërt, kur po përfundoja fakultetin, ndodhi një goditje e tmerrshme politike në universitet. Rosetti u përjashtua në vitin 1952 dhe në qershor u përjashtuan edhe profesorët Al.Graur, I. Coteanu. Për ironi të fatit, edhe unë, për shkak të biografisë së keqe, si i biri i një prifti, i një prifti kulak, më përjashtuan nga fakulteti dhe nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Rumani. Pra nuk kisha më asnjë mundësi të regjistrohesha në asnjë fakultet. Iu rikthyen kësaj mase shumë të ashpër pas shtatë apo tetë muajsh, në sajë të një profesori të madh, akademikut Ilie Murgulescu, profesor kimie, i cili ishte asokohe Ministër i Arsimit. Shkova tek ai dhe i shpjegova gjithçka që më kishte ndodhur dhe menjëherë e kthyen mbrapsht masën aq të ashpër ndaj meje në qershor të vitit 1952. Nuk u pranova më si asistent i ri në universitet, por më rekomanduan arsimin e mesëm. Mbërrita në Brashovë si mësues, në një shkollë të mesme për vajza. Atje, për fatin tim të mirë, kam lëçitur letërsi. Kam lexuar shumë për sa kohë qëndrova në Brashovë. Pata fatin që në shtëpinë e një kolegeje gjeta një bibliotekë mjaft të pasur me letërsi rumune, veçanërisht nga periudha midis dy luftërave botërore, të cilën nuk e kishim studiuar në universitet. Ishte një zonë e ndaluar për studentët dhe nuk ishte shkruar asgjë për këtë letërsi, sepse nuk përkonte me filozofinë marksiste. Pas një viti e gjysëm, në nëntor 1954, u riktheva si asistent në Universitetin e Bukureshtit, falë po atij profesori të madh, Ilie Murgulescu, ministër i arsimit. Kjo ndodhi në vitin 1954. Nga viti 1958 hulumtimet e mia dhe preokupimet e mia të posaçme në gjuhësi u drejtuan veçanërisht nga gjuha e vjetër, gjë që e kisha filluar gjatë kohës kur isha student, kah zona më e errët e historisë së gjuhës rumune. Më tërhiqte, më pasiononte kjo zonë që ishte tejet e vështirë për “ta prekur”. Dhe në qershor të vitit 1958, Rosetti arriti të siguronte për mua një bursë për të studiuar në Shqipëri. Dhe më 1 qershor 1958 unë mbërrita në Tiranë.

Gjatë periudhës 1958-1965 keni kryer dy specializime në Shqipëri, me ç’rast keni hulumtuar në vend marrëdhëniet e ngushta mes të dy gjuhëve, rumanishtes dhe shqipes. Ju lutem, na tregoni se si ka qenë bashkëpunimi juaj me mjedisin shkencor shqiptar.

Kam qëndruar një vit në Tiranë, ku kam pasur avantazhin se aty, e vetmja metodë që mund të përdorej me sukses, ishte ajo e krahasimit me gjuhën shqipe, gjë që i përgjigjej pasionit tim për lidhjet e rumanishtes me shqipen, fushë e cila të siguronte një lloj suksesi në zonën e errët të substratit të rumanishtes. Them se kam pasur fat në Tiranë, sepse, që ditët e para kam hyrë në kontakt me profesorë të mëdhenj. Në radhë të parë me profesor Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtar dhe personalitet i kulturës shqiptare, i mënjanuar politikisht; me të moshuarin Aleksandër Xhuvani (1880-1961),me origjinë arumune nga e ëma, fakt të cilin njerëzit nuk e njohin. U takova edhe me Mahir Domin (1915-2000), gjuhëtar shqiptar. Kurse me Xhuvanin, i cili m’u bë një mik i afërt, kam edhe një korrespondencë të bukur. Ai vinte shpesh në hotel Dajti, ku unë rrija, dhe më ftonte të bënim shëtitje nëpër qytet dhe në rrethinat e tij. Ai ishte zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor të Shqipërisë dhe kishte një makinë në dispozicion. Një herë, në një mbrëmje e pyeta: „Zoti profesor, si shpjegohet kjo dashuri e juaja për rumunët, sepse këtë gjë nuk e manifestoni vetëm me mua?”. Dhe ai më tha me zë të ulët, mbase për të mos e dëgjuar shoferi: „Nëna ime ishte arumune”. Unë nuk ia thashë tjetërkujt këtë gjë, sepse besoj, se edhe ai e mbante sekret, por ai ishte një dashamirës i madh i rumunëve. Ishte i ditur, kishte lexuar shumë dhe ishte edhe një patriot i madh shqiptar. Një herë isha së bashku me Aleksandru Rosetti-n në një ekskursion nëpër Shqipëri, duke qenë i ftuar nga qendrat shkencore shqiptare dhe kërkova të shkonim edhe në Elbasan të vizitonim varrin e Xhuvanit. Ai vdiq në moshën 81 vjeçare, dhe ne, ndërkohë, kishim përgatitur, me insistimin tim dhe të Rosetti-t, i cili ishte anëtar i Akademisë Rumune, pranimin e tij si anëtar korrespondent i huaj i Akademisë Rumune. Por nuk arriti që ta gëzonte këtë nderim, sepse vdiq papritur.

Duke iu rikthyer kujtimeve të Tiranës, kam pasur një shans të madh: u pëlqeva atyre profesorëve, më pranuan qysh në fillim, sepse kam qenë një njeri shumë i çiltër, i hapur, nuk kam pasur manifestime politike të asnjë lloji, dhe kështu ata më pranuan dhe më ftonin në zyrën e tyre. Punonim, siç i thonë fjalës, në të njëjtën zyrë me Çabejin, me Xhuvanin dhe me Domin. Ky ishte një nder i madh, një favor për mua. Eqrem Çabej punonte atëherë në një edicion të “Mesharit” të Gjon Buzukut, teksti i parë në gjuhën shqipe, i vitit 1555, të cilin e shtypëm në Bukuresht, në Shtëpinë Botuese të Akademisë. Unë kam mbikëqyrur botimin e këtij teksti në gjuhën shqipe, i cili ishte një transkriptim i dorëshkrimit të Vatikanit.

Kam shkruar për këtë botim të Çabejit në revistat tona. Pra, ky ishte avantazhi im, se kam qëndruar për rreth një vit afër këtyre dijetarëve të shquar dhe mund t’i pyesja dhe të bazohesha vazhdimisht tek njohuritë e tyre. Por, në të njëjtën kohë, ata vetë kanë përfituar nga prania ime për të marrë informacione përsa i përket gjuhës rumune. U interesonte gjuha rumune, Xhuvani dinte mirë rumanisht, Çabej lexonte edhe ai rumanisht, por, sigurisht, informacionet që lidheshin me detaje të kësaj gjuhe, me strukturat e brendshme, me trajtat popullore të lashta, mundën t’i merrnin prej meje. Pra, me pak fjalë, një vit i kaluar në të njëjtën zyrë me tre dijetarë të mëdhenj ka qenë për mua një rast i jashtëzakonshëm për formimin tim si gjuhëtar. Aty ndoqa jo vetëm ligjëratat e Çabejit dhe të Domit, por edhe ato të dijetarëve të tjerë, që ishin profesorë në atë kohë. Me Shaban Demiraj ishim miq të mirë dhe shkoja shpesh në leksionet e tij.

E kam studiuar herë pas here Spiro Floqin, një specialist i mirë i sintaksës, ligjëratat e Domit më kanë pëlqyer. Ai dinte mirë rumanisht dhe kishte aftësinë e krahasimeve të strukturave të brendshme të rumanishtes dhe shqipes. Më kanë interesuar shumë edhe ligjëratat e folklorit. Zakonisht, qëndroja orë të tëra në zyrën folkloristëve shqiptarë. Kisha miqësi të ngushtë me Qemal Haxhihasanin, i cili ishte një folklorist i madh. Kjo fushë atëherë udhëhiqej nga një njeri i përkrahur politikisht, Zihni Sako, i cili kishte qënë partizan, por ishte i ditur dhe i interesuar. Një ditë, Sako më pa duke lexuar tekstet e Holger Pedersen-it (1867-1953), i cili ka shkruar një libër të admirueshëm rreth vitit 1895, „Albanesische Texte mit Glossar”. Tekstet ishin marrë nga jugu i Shqipërisë, nga Tepelena. Mua më pëlqente ky libër, sepse më jepte informacione në lidhje me të folmet e jugut të Shqipërisë, të cilat kishin kontingjente më të mëdha përkimesh me elementet rumune, siç ishte e folmja fërshëriote. Fërshëriotët, arumunë nga Shqipëria, të grumbulluar, kryesisht, në jugun e Shqipërisë dhe në veri të Greqisë, kishin ndikime nga shqipja e jugut, ishin ndikime reciproke, dhe, pikërisht, kjo gjë më interesonte. Është botuar disa vite më parë „Atlasi gjuhësor i Shqipërisë”, në të cilin punohej qysh atëherë. Një miku im, Jorgji Gjinari, një gjuhëtar shumë i mirë, i cili kishte studjuar në Rusi, së bashku me një specialiste ruse në albanologji, e ndjera Olga Desnickaia, ishin nismëtarët e kërkimeve në dialektologjinë shqiptare dhe kishin bërë shumë kërkime në terren. Këto kërkime ishin të inkurajuara edhe nga Çabej, Xhuvani dhe Domi. Ishte në atë kohë edhe një djalë i ri, Bahri Beci, i cili u bë edhe anëtari Akademisë së Shkencave në Shqipëri dhe që tani punon në Francë, jep në Paris ligjërata për albanologjinë. Të gjithë këta si dhe folkloristë si Haxhihasani dhe të tjerë kanë kryer kërkime në të gjitha zonat e Shqipërisë, duke përgatitur një material të gjerë për realizimin e “Atlasit gjuhësor të gjuhës shqipe” në ditët tona, pra pas 50-60 vjetësh, i cili, është një vepër tejet interesante. E kam parë këtë vepër dhe kam shkruar një recension të gjatë. E kam hulumtuar, sidomos, nga perspektiva e marrëdhënieve të rumanishtes me shqipen. Ajo që është interesante është fakti se, për herë të parë, kemi të lokalizuar me saktësi rrjetin e dendur të pikave të kërkimeve në territorin shqiptar. Ka shumë lokalitete në të cilat janë kryer kërkime në terren, në një mënyrë saqë kemi sigurinë e pranisë së kontakteve rumuno-shqiptare në zona të përcaktuara, të cilat, deri më tash, i hamendësonim, i presupozonim. Këto elemente nxjerrin në pah lidhjen në origjinë, lidhjen gjenetike rumuno-shqiptare.

Sa e vërtetë ju duket, nga pikëpamja shkencore, pohimi i Nicolae Iorga-s, sipas të cilit shqiptarët janë„fis të një gjaku” me rumunët?

Ky është një problem i vështirë, për të cilin është shkruar shumë. Është e vështirë të pohohet me saktësi për një fisërim. Ne u përmbahemi idesë se shqiptarët janë ilirë në origjinë. Rumunët nga perspektiva e autoktonizmit të tyre dhe e nënshtratit gjuhësor, janë dakë të romanizuar. Kështu, elementi etnik ilir i zonës veriore të Shqipërisë, të zonës së Dalmacisë, ka pësuar një ndërhyrje të thellë të elementit veri-lindor dak. D.m.th., ashtu siç thotë një albanolog i shquar, Norbert Jokl-i nga Vjena, i vrarë nga fashistët më 1940, ndodhi një sintezë trako-ilire në pjesën veriore, d.m.th. në jug-perëndim të Rumanisë aktuale, në veri-lindje të Shqipërisë. Elementi i përbashkët rumuno-shqiptar duhet të jetë ngjizur në këtë zonë të takimit trako-ilir. Thënë ndryshe, ekziston mbi themelin ilir një përbërës gjenetik trako-dak, qysh nga periudha e formimit të gjuhës. Kjo përbën pjesën e përbashkët rumuno-shqiptare, domethënë elementet trako-dakë në shqip. Ekzistojnë shumë fjalë rumanisht nga substrati i kësaj gjuhe që gjegjëset e tyre gjenden në shqip, me forma identike apo të ngjashme, me kuptime identike apo të ngjashme.

Kjo pyetje ka lidhje me atë që më thatë deri më tani. Si shpjegoni, kësisoj, nga prizmi i hulumtimeve tuaja, afrinë midis dy gjuhëve dhe popujve tanë, lidhje kaq të posaçme në kontekstin ballkanik? Ka lidhje me etnogjenezën e përbashkët të rumunëve dhe shqiptarëve, më saktësisht me një fqinjësi të pandërprerë?

Është tejet e vështirë që të saktësohet vendi i kësaj fqinjësie. U shkruajt shumë për këtë zonë takimi midis elementit parësor rumun dhe elementit shqiptar. Atë që mund ta themi me siguri në lidhje me Shqipërinë është se shqiptarët e jugut, të quajtur toskë, kanë më shumë ngjashmëri, më shumë afërsi me rumanishten. Dhe është tejet e mundur që ata të kenë zbritur nga zona më veriore në territorin e sotëm.

Si dëshmi, sipas mendimit tim, është dhe fakti që ngjashmëritë më të shumta me rumanishten i ka shqipja e jugut dhe afëritë më të forta strukturore në lidhje me elementin rumun ballkanik, në përgjithësi, me dako-rumunët, i kanë arumunët e Shqipërisë. Pra fërshëriotët janë më të afërt me dako-rumunët, krahasuar me degët e tjera arumune. Kjo gjë do të thotë se fërshëriotët kanë ikur nga një zonë e madhe fqinjë, nga një zonë që ka qenë shumë afër me dako-rumunët. d.m.th. në afërsi të Danubit. Kjo do të ishte një dëshmi e faktit se edhe elementi shqip tosk ka zbritur, fillimisht, nga një zonë malore, veriore, në afërsi të rumunëve. Unë mendoj se kështu duhen parë gjërat. Ngjashmëritë midis rumanishtes dhe shqipes janë ato që lidhen, sidomos, me zonën veri-perëndimore të dako-rumanishtes, d.m.th. me Olteninë, Transilvaninë, Banatin, Maramureshin, Krishanën, dhe me toskërishten. Po ju tregoj njërën nga ngjashmëritë më të dukshme: rotacizmi i n-së ndërzanore, i panjohur në gegërisht, i cili është një element karakteristik i toskërishtes. Themi rum. arină (rërë) nga lat. arena, e cila përdoret në formën ariră, me rotacism në malet Apuseni, ku ende ruhet kjo formë e rotacizuar. Kurse në jug të Shqipërisë, tek toskët, përdoret rërë. Në veri, tek gegët, thuhet ranë, me një a hundore, së cilës i përgjigjet në jug zanorja ë. Ka dhe shumë shembuj të tjerë: toskërishtja ruan një paskajore të shprehur me një strukturë me pjesore e tipit për të shkruar, e cila i korespondon me një strukturë të ngjashme në dako-rumanisht, i ashtuquajtur supin: de scris (are de scris=ka për të shkruar). Në veri të Shqipërisë nuk e kemi këtë strukturë, por një strukturë me parafjalë dhe me pjesore: me shkrue. Unë i ka studiuar me detaje të gjitha këto struktura, të cilat pasqyrohen edhe në hartat e atlasit që është botuar së fundmi. Por, është shkruar shumë mbi këto dukuri. Kam bërë edhe unë hulumtimet e mia dhe kam mbledhur një material të madh mbi veçoritë që mbështesin fisërimin që në origjinë të rumanishtes me shqipen, i parë nga perspektiva e nënshtresës së përbashkët gjuhësore.

Keni studiuar dhe keni shkruar për përkthimin e poezisë së Eminescu-t në gjuhën shqipe. Mendoni se lirika emineskiane ka ndikuar në kristalizimin e poezisë moderne?

Mua më kanë pëlqyer më shumë përkthimet e Vehbi Balës. Ai ishte një profesor në Shkodër, në Institutin e Shkodrës, dhe e njihte shumë mirë rumanishten. Ishim miq të afërt, madje ka qenë tek unë në shtëpi disa herë. Ai erdhi në Rumani për të bërë një doktoraturë për letërsi botërore me Tudor Vianu-n. Dhe e kreu këtë gjë. Shkroi për intelektualët shqiptarë të Rumanisë dhe më pas botoi studimet e tij, tepër interesante. Këto kërkime u rimorën më vonë, nga Catalina Vatasescu, dishepulli im i shkëlqyer fushën albanistikës. Dhe unë i kam studiuar dhe kam bërë shënime mbi strukturën prozodike të vargjeve të Eminescu-t, duke u nisur nga zgjidhjet që i kam gjetur tek Vehbi Bala në përkthimet e tij. Ai u mundua të mos bënte thjesht një përkthim të lirë, por u mundua të gjente pikat e takimit midis rumanishtes dhe shqipes, të reflektuara në strukturën prozodike të krijimit të epërm. Provoi të bënte një Eminescu në shqip. Unë besoj se Eminescu ka pasur një ndikim mbi poezinë shqipe në përgjithësi. Kjo gjë u evidentua tek Asdreni së pari (Aleksandër Stavre Drenova, 1872-1947) dhe më pas edhe tek të tjerë si Kuteli, Poradeci… Lasgush Poradeci ka një tezë doktorature të kryer në Graz të Austrisë mbi Eminescu-n, një tezë me interes. Ai dinte mirë rumanisht dhe njihej me të moçmin Xhuvani. Ka pasur edhe disa ndërhyrje në orientimin e gjuhës letrare shqipe, ka shënime interesante për pranimin neologjizmave në gjuhën shqipe, i cili ka qënë një nga problemet më serioze të gjuhës letrare shqipe. Është fjala për mënyrën se si duheshin adaptuar në shqip fjalët e reja nga frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja. Kur unë isha me studime në Shqipëri, ky ishte një nga problemet më thelbësorë të gjuhësisë shqiptare. U shkrua shumë në atë kohë, u zhvilluan edhe kongrese që trajtuan mënyrën e shkrimit të fjalëve të reja që kishin hyrë nga gjuhë të tjera. Ky ishte problemi numër një, në institut bënë edhe një udhëzues dhe besoj se është i pari i këtij lloji në gjuhësinë ballkanike. Ishte në fakt, një fjalor ortografik, ortopeik dhe morfologjik i gjuhës shqipe. D.m.th. udhëzohej jo vetëm ortografia e tyre, por edhe morfologjia e fjalëve të huaja, edhe mënyra se si duhej të pranohej gramatikisht. Këto janë udhëzime të domosdoshme dhe normale për një gjuhë letrare në formim e sipër. Sepse shqipja është një gjuhë që u integrua në zonën e kulturës nëpërmjet dialektit verior, gegërishtes. Shumë shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë janë gegë, Fishta, Mjeda, Migjeni e të tjerë. Tekstet e para shqip janë në gegërisht, „Meshari” i Buzukut e të tjera. Pas lufte, një udhëzim politik bëri vendosjen në radhë të parë të gjuhës letrare të dialektit jugor, të toskërishtes. Tani kjo gjë duket se është kristalizuar, sepse dialekti tosk mbizotëron në gjuhën letrare. Por kjo nuk na pengon të pranojmë se poezi kolosale si ajo e Gjergj Fishtës u shkruan në gegërisht. Kur unë kam qenë në Tiranë ishte e ndaluar të lexoje Fishtën. Atëherë, kur bridhja nëpër fshatra, mësuesit më jepnin nga një tekst të vjetër dhe kështu kam mbledhur shumë tekste të vjetra, midis të cilave edhe „Lahutën e Malësisë”, të Fishtës.

T’u kthehemi kohërave tona, do të dëshiroja t’ju pyesja si ka evoluar kërkimi shkencor gjuhësor në 25 vjetët e fundit? A ju duket korrekt opinioni sipas të cilit kërkimi shkencor themelor, duke përfshirë edhe fushën gjuhësisë, ka regjistruar një regres në vitet e fundit?

Nuk mund të them se ka regjistruar një regres. Por metodat e kërkimit shkencor kanë ndryshuar. Më përpara i vihej theksi historisë së gjuhës. Hetimi i teksteve të vjetra që reflektonte fazat arkaike të gjuhës sonë. Sot, vëmendja kryesore i kushtohet gjuhës bashkohore, kurse si metoda kërkimi preferohen ato që dominojnë sot gjuhësinë europiane dhe amerikane. Janë metoda strukturaliste që nuk praktikoheshin më parë dhe as nuk njiheshin më parë. Kështu që edhe rezultatet janë, në një farë mënyrë, të tjera, por është për të ardhur keq fakti se injorohen kërkimet në fushën e historisë së gjuhës. Kështu shpjegohet fakti që nuk shihen më me interes të madh zonat arkaike të gjuhës. Dhe kështu janë shfaqur ide nga më të çuditshmet në lidhje me origjinën e gjuhës sonë. Kam parë një fjalor etimologjik të gjuhës rumune, autori është një ish doktorant i imi, në të cilën mbështeten disa absurditete, siç është ajo që rumanishtja nuk është një gjuhë latine, por, përkundrazi, është një gjuhë me origjinë para latinishtes, që, madje, ka ndikuar vetë latinishten. Injorohet fakti se rumanishtja nuk është gjë tjetër veçse vetë latinishtja që evoluoi për një kohë 2000 vjeçare në hapësirën e Karpateve dhe Danubit të Poshtëm, sipas disa ligjeve zhvillimi të zbuluara prej shumë kohësh. Rumanishtja nuk ndryshon me asgjë nga latinishtja.

Elementet që e ndajnë nga latinishtja janë ato që lidhen me ndërhyrjen parësore të nënshtresës së gjuhës. Ndodhi procesi i dygjuhësisë së popullsisë së romanizuar, sepse dakët e pushtuar duhet të mësonin latinishten dhe në të njëjtën kohë flisnin edhe gjuhën e vet, duke u bërë me dy gjuhë, pra ishin dygjuhësh. Ata dinin edhe gjuhën e tyre, por dinin edhe gjuhën e pushtuesit, për të cilën kishin nevojë. Gjatë këtij procesi dygjuhësor kanë ruajtur nga gjuha që po e braktisnin elemente të një kulture indigjene, nëpërmjet të cilave dalloheshin nga pushtuesit. Autoktonët, dakët, popullsia e zonës së Karpateve dhe e zonës së Danubit, dallohej nga romakët pushtues përmes asaj se ishin një popullsi barinjsh dhe bujqish, pra një popull me një gjuhë në të cilin mbisundonte elementi popullor, baritor dhe bujqësor. Prandaj elementet që u ruajtën janë elemente që shprehin realitetin e lashtë, popullor, elementet thelbësore ishin vendase.

Ky është problemi i origjinës së lashtë të gjuhës rumune: është latinishtja me evoluimin prej 2000 vjetësh në këtë zonë primitive, të lashtë, të pasuruar me elemente autoktonë, që pasqyrojnë kulturën e popullsisë vendase.


Dhe jo e kundërta, sa marrëzira i komunikohen publikut të gjerë nëpërmjet internetit dhe përmes revistave.

Intervistë e realizuar nga Marius Dobrescu

Grigore Brâncuş (Brënkush) lindi më 20 mars 1929, komuna Peshtishan, rrethi i Gorzhit, Rumani, gjuhëtar dhe filolog i shquar, albanolog.

Vdiq më 1 prill 2022, në Bukuresht.

Ka kryer studimet e larta për filologji pranë Universitetit të Bukureshtit (1953). Studime specializimi në Shqipëri (1958-1959, 1965, 1972). Ne vitet 1973-2001 ka qenë shef i katedrës së gjuhës rumune në Fakultetin e Filologjisë së Universitetit Shtetëror të Bukureshtit. Zv. Dekan i fakultetit (1970-1972). Doktor në filologji që nga viti 1968 me tezën “Marrëdhënie gjuhësore rumune-shqiptare. Fjalori”. Studime kushtuar disa problemeve të historisë së gjuhës rumune (elemente të përbashkëta me gjuhën shqipe), studime mbi gjuhën letrare rumune, mbi dialektologjinë Sinteza të gjuhës rumune (1972), në bashkëpunim; Gjuha rumune moderne. Morfologjia e foljes, 1975. Bashkëpunëtor në Fjalorin e gjuhës rumune moderne. Në fushën e filologjisë është dalluar përmes botimit të shkëlqyer të veprës monumentale Etymologicum Magnum Romaniae nga B.P. Hashdeu. (3 vëll., 1972-1976). Fjalori autokton i gjuhës rumune, Elementet e përbashkëta rumuno-shqiptare, 1987, Studime rreth fondit trako-dak të gjuhës rumune, 1995; (versioni shqip përkthyer nga Luan Topçiu, Tiranë 2009) Përkime gjuhësore shqiptaro-rumune, 2001. Hyrje në historinë e gjuhës rumune, 2002 etj. etj


Akademiku Grigore Brancus është një ndër albanologët më të shquar sot në Europë e në botë që ka sjellë një ndihmesë kolosale në fushën e albanologjisë dhe të historisë së gjuhës shqipe. Si rezultat i veprimtarisë shkencore dhe, veçanërisht, i aktivitetit didaktik universitar (për mbi 40 vjet) të akademikut Grigore Brancus pranë Universitetit të Bukureshtit, gjuha shqipe dhe qytetërimi shqiptar kanë hyrë në vëmendjen e botës shkencore rumune dhe të qindra studentëve që kanë studiuar filologjinë pranë këtij universiteti.

Akademiku Grigore Brancus nuk është vetëm një filolog e gjuhëtar i shquar rumun, por, padyshim, edhe një albanolog i shquar. Personaliteti i tij shkencor është i mirënjohur në botën shkencore dhe kulturore shqiptare dhe rumune, për preokupimin kryesor të tij të vazhdueshëm, për gjatë gjithë jetës: atë të hetimit në thellësi të marrëdhënieve rumuno-shqiptare, duke sjellë elemente origjinale dhe perspektiva të reja në problemin aq të diskutueshëm të “substratit të përbashkët të dy gjuhëve”. Është e mirënjohur, gjithashtu, veprimtaria që ka kryer, me përkushtim të veçantë, për kultivimin tek studentët rumunë të interesit ndaj gjuhës së bukur e të lashtë shqipe dhe, nga ana tjetër, për inkurajimin dhe drejtimin në këtë fushë të një numri të madh doktorantësh të rinj, që do të çojnë më tej traditën më të hershme të këtyre hulumtimeve. Vepra studimore e akademikut Grigore Brancus forcon idenë se gjuha shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Gadishullit Ballkanik, dhe, siç i pëlqen atij të shprehet para studentëve, është një “thesar i artë” për filologjinë ballkanike.

Shqiptarët e Rumanisë

Pas Luftës së Parë Botërore, në Rumani erdhi një valë e re shqiptarësh, sidomos nga Maqedonia, për shkaqe ekonomike, për të punuar në qytetet e Transilvanisë: Oradea, Kluzh, Mediash, Sibiu, Sigetul Marmaciei, Baia Mare, Targu-Muresh, si bozazhinj, punëtorë të thjeshtë, pastiçerë etj.

Shumë të tjerë erdhën nga Shqipëria për studime në shkollat e larta rumune. Jeta e bashkësisë shqiptare u gjallërua së tepërmi, sidomos në Bukuresht e Konstancë, nën kujdesin e Shoqërisë “Bashkimi”, por edhe e simotrave të saj, të krijuara kryesisht mbi kritere gjeografike. Ndër botimet e kësaj periudhe bie në sy veçmas gazeta “Shqipëria e Re”, që doli pandërprerje në vitet 1919-1935.Le të bëjmë një prapakthim në kohë. Gjatë dy dhjetëvjetëshave të fundit të shekullit XIX, shqiptarët e Rumanisë zhvilluan një veprimtari të dendur në të mirë të Rilindjes Kulturore të popullit shqiptar. Pas botimit të një sërë studimesh nga dijetarët arbëreshë, rumunë, gjermanë, austriakë, italianë etj, kujtojmë se Nikolae Iorga pat zbuluar gjurmën më të hershme të gjuhës shqipe, në një formulë pagëzimi të vitit 1462.Të nxitur nga sprovat e para të dijetarit të shquar shqiptar Kostandin Kristoforidhi, i cili qysh më 1868 pat nisur të botonte në Stamboll pjesë nga Bibla, të përkthyera në gjuhën shqipe, mjaft të rinj shqiptarë në Rumani, me Sotir Pandelin në ballë, zunë të punonin për një alfabet me gërma latine, të cilat u shkonin për shtat tingujve të shqipes. Me këtë alfabet ata synonin të nxirrnin në dritë librat e para në gjuhën amtare.

Veprimtarinë e tyre e vazhdoi Nikolla Naço, njeri me më pak shkollë, por me më shumë energji, iniciativë dhe shpirt luftarak. I lindur në Shqipëri dhe shqiptar brez pas brezi, me prejardhje nga Pogradeci, N. Naço, pasi e provoi fatin në tregti, ashtu si Veqilharxhi para tij, fillimisht në Egjipt, ku u pasurua mjaft me shitblerjen e pambukut, në pragvitin 1884 u vendos në Rumani, ku njëri nga të dy vëllezërit, Gjergji Naço, njihej tashmë si pasanik i madh.

Njëlloj si Veqilharxhi, Naço mendoi si ta vinte në punë pasurinë e fituar me mund e djersë për t’i parë sa më shpejt bashkëkombësit e vet të lirë e të shkolluar.Më 1884, ai themeloi të parën Shoqëri Kulturore Shqiptare “Drita”, me seli në Bukuresht.

Ngaqë në atë kohë shqiptarët më në zë të Rumanisë, që mbanin lidhje me të afërmit e tyre në Shqipërinë e pushtuar nga otomanët, nuk mund të zhvillonin politikë nacionaliste duke u regjistruar në ndonjë shoqëri që shihej me sy të keq nga qarqet drejtuese të Stambollit, komiteti i parë i Shoqërisë “Drita” ishte i përbërë thuajse tërësisht nga rumunë. Kështu, kryetari i kësaj shoqërie ka qenë V. A. Ureke, nënkryetar D. Butkulesku, ndërsa sekretarë dr. Leonte dhe M. Deshliu. Edhe shumica e anëtarëve të komitetit ishin rumunë.Vetëm më 1889, me propozim të Nikolla Naços, fillimisht sulltan Abdyl Hamiti u shpall “Mbrojtës i Lartë” i Shoqërisë, ndërsa ish-kryetari dhe ish-nënkryetari i saj u zgjodhën anëtarë nderi. Tani që Shoqëria kalonte nën kujdesin e “Mbrojtësit të Lartë”, kryetar dhe nënkryetar të saj mund të zgjidheshin shqiptarë. Kësisoj, shqiptari V. Batan u zgjodh kryetar, ndërsa shqiptari tjetër, Nikolla Naço – nënkryetar. Tani edhe shumica e anëtarëve të komitetit ishin shqiptarë.

Më 1887, “Drita” mundi të krijonte degë në qytetet Braila, Fokshan, Kalarash e Marashesht, duke zhvilluar një veprimtari të fuqishme për botimin e librave shkollorë dhe të fletëve të përjavshme në gjuhën shqipe. Alfabeti që do të përdorej në këto botime, sipas pikës 4 të statutit të “Dritës”, do të ishte latin dhe pikërisht ai që përdorte fleta periodike “Dituria” në Stamboll.Në Bukuresht filluan të dilnin shumë punime në gjuhën shqipe, ndër të cilat përmendim epopenë kombëtare “Historia e Skënderbeut”, më 1898 (Lidhur me Skënderbeun, saktësojmë se para dy shekujsh e gjysëm, një punim italian për të është përkthyer në rumanisht në burgun e Milanos nga personaliteti rumun Vlad Boculesku. “Historia e Skënderbeut”, sikurse dihet, përfaqëson kurorëzimin e veprës poetike të Naim Frashërit, testamentin letrar, që do t’u linte shqiptarëve të kudondodhur. Poemin e përshkon si një fill i kuq thirrja e zjarrtë për çlirimin e Shqipërisë.

Poet, historian, moralist, pedagog, autor tekstesh shkollore dhe, para së gjithash, atdhetar, Naim Frashëri është këqyrur nga qarqet intelektuale përparimtare rumune si një nga figurat më të ndritshme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Naim Frashëri, gjatë veprimtarisë së vet të gjithanshme, ka gjetur përkrahje të fuqishme edhe në Rumani, ku botoi librat e para. Më 1886, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit i botoi poemën e njohur lirike “Bagëti e Bujqësi”, që i ngjan një himni poetik kushtuar njerëzve dhe natyrës shqiptare. Pò më 1886, në kryeqytetin rumun sheh dritën e botimit vepra e tij “Histori e përgjithshme”, që do të pasohet, më 1888, nga libri tjetër “Dituritë”.

Me këto vepra, Naimi i madh u erdhi në ndihmë shkollave të para shqipe, duke u bërë edhe një nga përhapësit e parë të dijeve shkencore ndër bashkatdhetarët e bashkëkombësit. Ndër veprat e tjera të poetit tonë kombëtar, që panë, gjithashtu, dritën më herët a më vonë, në Rumani, përmendim “Lulet e verësë” (1890), “Parajsa apo fjala” (1894), “Fjalë të urta” (1894), “Qerbelaja” (1898) dhe, më në fund, – jo për nga rëndësia, – “Historia e Skënderbeut”, që e zumë në gojë më lart.

Ndër shkrimtarët e tjerë shqiptarë, që kanë vepruar në atë periudhë në trevat rumune, janë Jani Vreto, I. R. Terova, Papa K. Negovani, Mihal Grameno e të tjerë.

Më 1887 filloi të dalë në qytetin rumun Braila gazeta “Drita”, ndërsa një vit më vonë, në Bukuresht botohet e përjavshmja dygjuhëshe (shqip e rumanisht) “Shqiptari” (“Albanezul”).

Në Bukuresht, më 1891 botohet i famshmi “Apel à nos frères albanais”.

Më 1897 sheh dritën e botimit një gazetë e re – “Shqipëria”, e drejtuar nga Visar Dodani, ndërsa një vit më vonë organi tjetër – “Ylli i Shqipërisë”, këtë herë në tri gjuhë: shqip, greqisht e frëngjisht.

Vlen të vihet në dukje se “Shqiptari”, me disa ndërprerje, vazhdoi të botohej deri më 1903.

Rumania, që u jepte strehim politik revolucionarëve shqiptarë, shkollë, kishë, mjete materiale e financiare për vazhdimin e luftës çlirimtare në Shqipëri, ka qenë për shqiptarët e asaj periudhe një atdhe i dytë.

Ja se çfarë shkruante Nikolla Naço, i cili më pas do të bëhej këshilltar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, në gazetën “Shqiptari”, numër 16, viti 1888: “Në një kohë që bijtë e Shqipërisë heqin të zitë e ullirit, burra fisnikë, njerëz të mëdhenj të Rumanisë, me një dashuri të vërtetë vllazërore, na rrokin përqafe me ngrohtësi, na japin strehë për shpëtim, na japin zemër në ndërmarrjen tonë, duke na dhuruar, në të njëjtën kohë, edhe të holla, që të mund ta çojmë më tej veprën e filluar” (Në origjinal: “Kur të bijt e Skiparisë langojnëna kata zjar burat, ta ndreçim neras ta mbadhen ta Rumanisë me na ta vertet dasuri vallazariste na perqiafojna, na apan spirt na panan qa kemi zana, na falin holta ta mundim ta mbarojma tamina qa kemi nisur”).

Pothuajse në të gjithë artikujt e Nikolla Naços përsëritet konstatimi se “shqiptaro-rumunët janë si dy vëllezër në një kërcell”, ndërsa lidhur me të drejtat që u takojnë në Gadishullin Ballkanik, i njëjti autor theksonte: “Ne shqiptaro-rumunët kemi të drejtë të themi fjalën tonë përsa u përket Maqedonisë, Shqipërisë dhe Epirit… sepse jeta e elementit shqiptaro-rumun është jeta e Perandorisë Otomane”.

Qeveria rumune, që e shihte me simpati të veçantë dhe me shumë tolerancë veprimtarinë e shoqërive shqiptare, pavarësisht nga ankesat e protestat e Portës së Lartë, u dha zyrtarisht disa të drejta atdhetarëve shqiptarë që vepronin në Rumani. Kështu, përmes Diplomës Mbretërore numër 1815, të 9 shkurtit 1901, Nikolla Naços i njiheshin “… të drejtat civile dhe politike të nënshtetasit rumun”. Diplomati austriak Markgraf Pallaviçini, më 4 korrik 1903, i raportonte ministrit të vet të Jashtëm për një bisedë që pat zhvilluar në Këshillin e Legatës në Bukuresht baroni Flotov dhe mbreti Karol I i Rumanisë, lidhur me daljen atje të disa numurave të rinj të gazetës “Shqiptari”: “Madhëria e Tij, mbreti Karol I, është shprehur se e njeh prej 27 vjetësh Nikolla Naçon për burrë të ndershëm e gjakftohtë. Qeveria osmane shpeshherë ka kërkuar dëbimin e tij nga Rumania, por këtu nuk shkohet sipas tekave të sulltanit”. Në vazhdim të raportit, theksohet se Qazim Beu, përfaqësuesi i Portës së Lartë, ka bërë shumë përpjekje pranë ministrit të Jashtëm rumun që të pengojë daljen e gazetës “Shqiptari”. Më tej përsëritet bindja e Karolit I për virtytet, krenarinë, besnikërinë dhe çiltërsinë e shqiptarëve të Bukureshtit dhe dëshira e tij për t’i mbajtur e mbrojtur, “meqë këta njerëz kurrë nuk kanë ditur të gabojnë, apo t’i kapërcejnë kufijtë e lejuar”.

Atdhetarët shqiptarë të asaj kohe i quanin arumunët me të drejta të barabarta në Gadishullin e Ballkanit: “Ne nuk bëjmë asnjë dallim ndërmjet kombeve vëllezër shqiptar e maqedorumun dhe luftojmë njëlloj, si për interesin e njërit, ashtu edhe të tjetrit” .

Në shtator 1902, qeveria otomane kërkonte prej Legatës Rumune në Stamboll që t’i dorëzonte qeverisë rumune këtë komunikatë: “Komitetet shqiptare që veprojnë në Rumani dhe që sulmojnë politikën e sulltanit, të ndalohen, ndërsa ata që nuk janë nënshtetas rumunë të dëbohen sa më parë”. Sulltani, vinte në dukje komunikata, e kërkonte një gjë të tillë duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira që ekzistonin midis Rumanisë e Turqisë. Pas dy muajsh heshtjeje, autoritetet otomane e përsëritën kërkesën më me forcë, duke këmbëngulur të zhbëheshin komitetet shqiptare, por qeveria rumune të ndërmerrte asnjë hap apo masë kundër tyre.

Mirënjohja e shqiptarëve ndaj qeverisë rumune u shpreh sidomos në Kongresin e Shqiptarëve, që u mbajt në Bukuresht më 1905. I organizuar me nismën e princit Albert Gjika dhe të Kolonisë Shqiptare të Rumanisë, me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve dhe përfaqësuesve të shquar të kolonive të tjera shqiptare në mërgim, si dhe nga Shqipëria, kongresi vendosi krijimin e një Komiteti Qendror me emrin “Kombi”, që do të udhëhiqte lëvizjen çlirimtare shqiptare. Shtypi rumun e shqiptar u bënë jehonë të fuqishme vendimeve të kongresit, duke theksuar faktin që punimet e tij u zhvilluan në qetësi e me sukses të plotë, falë qëndrimit, si gjithnjë dashamirës, të shtetit rumun. Albert Gjika do të deklaronte në Sofje se gjithçka ishte gati për një kryengritje në Shqipëri, me 50 mijë luftëtarë. As të hollat nuk do të mungonin. Më 28 qershor 1905, ai deklaroi të njëjtën gjë edhe për gazetën “Adevarul” (E Vërteta) të Bukureshtit. vijon …

Nga Kopi Kycyku / KultPlus.com

Korçarët e Bukureshtit me Asdrenin në mes – 1931

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

1 gusht 1912: Kur në Rumani botohej gazeta “Atdheu”

Zhvillimet e organeve të shtypit shqiptar në Rumani u zhvilluan duke kaluar në disa faza, sipas viteve përkatëse, kur u botuan. Faza e parë përfshin vitet 1887-1912, që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare.

Kjo fazë përfshin edhe gazetën “Atdheu” (1912-1914). Faza e dytë (1901-1912) përfshin periudhën, kur në kolonitë e tjera shqiptare, në Egjipt, Bullgari, Turqi, po ashtu edh enë ngulimet përtej oqeanit, gazetaria shqiptare njeh hove, baticat janë të dukshme e të ndjeshme.

Në verën e vitit 1912, në prag të shpalljes së Pavarësisë, më 1 gusht të atij viti filloi të botohej gazeta “Atdheu”, organ i shoqërisë “Bashkimi’, që asokohe kryesohej nga Jani Mihal Lehova, i cili ishte njëherësh edhe kryeredaktori i saj, ndërsa drejtor përgjegjës qe Aleksandru Naum Çërrava. Ishte e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore letrare, folklorike në gjuhën shqipe.

Zhvillimi i gazetës mund të ndahet në dy kohë:
Koha e parë qe periudha kur gazeta pasqyroi ngjarjet që çuan në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, më tej zhvillimet në Shqipëri nën qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit.

Programin e vet gazeta e shpaloste që në numrin e parë: “Do të punojë për të drejtat kombiare të Shqipërisë, pas Kostitucionit; do të predikojë bashkimin e shqiptarëve me ndjenjën kombtare; do përpiqet t’u shtjerë dhe ndërmend shqiptarëve të mërgimit, mos të harrojnë mëmëdhenë dhe të ndihin për përparim të kombit, ndër udhë politike, kulturore dhe ekonomike.”

Këtij orinetimi e përkohshmja iu përmbajt si në muajt e fundit të periudhës së Rilindjes (deri në shpalljen e Pavarësisë dolën 7 numra), ashtu edhe gjatë jetës në Pavarësi, sidomos deri në numrine 35-të të saj. Më tej, që nga numri 36, gazeta u transferua në Shqipëri dhe numri 37 doli në qarkullim në qytetin e Durrësit, por botimi bëhej në shtypshkronjën “Nikaj” të Shkodrës.
Koha e dytë e të përkohshmes “Atdheu” nis me shpalljen e Pavarësisë deri në fundin e janarit 1914, kur në Shqipëri bëheshin përgatitjet për ardhjen e Vilhelm Vid në fronin e sovranit të Shqipërisë.

Gazeta “Atdheu” pasqyroi probelmet me të cilat u ndesh qeveria e përkohshme e Ismail Qemalit. Në rrethnata e reja vëmendje e madhe iu kushtua bashkimkit politik të shqiptarëve.

Gazeta “Atdheu” qarkulloi për një periudhë 2-vjeçare deri më 23 janar 1914. / KultPlus.com

Anastas Avramidhi, korçari që u bë biznesmeni më i fuqishëm në Rumani

Janë të shumtë patriotët që shkrinë pasurinë dhe mundin e tyre, për të mirën e çështjes kombëtare. I tillë ishte dhe Anastas Avramidhi – Lakçe. Ai lindi në Korçë në vitin 1821 dhe vdiq në vitin 1890. 

Lakçe njihet si një nga bamirësit dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria. Anastas Lakçe emigroi që në rini, drejt Rumanisë. Aty ai nisi të merret me shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Me një punë të palodhur, Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike në atë vend. Edhe pse larg atdheut, Lakçe nuk reshti së punuari për Korçën dhe Shqipërinë.

Këtë e dëshmojnë donacione e shumta për ndërtime rrugësh e shkollash në Korçë si dhe ndihmonte me të holla familjet e varfëra duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Ja çfarë thoshte Lasgush Poradeci për kontributin e veçantë të Lakçes:

“Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”


Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.
Më 1888-ën, Lakce publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frënge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe. Një nga veprat më të mëdha që njihet nga Lakçe është financimi për ndërtimin e katedrales të Shën Gjergjit në Korçë, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253. Më 1875-ë, u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e saj.

Por, ndërtimi i saj u ndërpre. Dikush ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një kështjellë.
Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen dhe për të vazhduar punimet. Këtu ndërhyri sërish Lakçe. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, edhe në këtë rast ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë, një grup arkitektësh specialistë, të cilët raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë. Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe, financoi që në fillim punimet me 5 000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.

Ndërtimi i Katedrales përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u përurua. Mbi portën e brendshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i bamirësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.

Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, Fan Noli, dorëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitropolitë të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës. Kjo mrekulli arkitekturore nuk i shpëtoi inatit të komunizmit pasi u hodh në erë me dinamit, më 1971. Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurinë e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.

Në testamentin e tij të fundit, donte tua linte pasurinë e tij shoqatave për promovimin e arsimit shqiptar, por testamenti i tij u bllokua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. /konica/ KultPlus.com

Historia e fshatit që u zhduk brenda natës

Njëherë e një kohë, një vendbanim në një luginë piktoreske në Rumani, fshati Giamana u zhduk nga harta për t’i lënë vendin një liqeni toksik. Sidoqoftë gjurmët e këtij fshati ende mbizotërojnë në këtë zonë dhe padrejtësia që iu bë popullsisë lokale nuk do të harrohet aq lehtë.

Fatkeqësisht, në ato vite fatale, rezerva të pasura bakri u gjetën në një minierë aty pranë, e cila, gjatë nxjerrjes, gjeneroi një sasi të madhe mbeturinash. Banorët u detyruan të evakuoheshin sepse zona do të shërbente si vend për të ruajtur të gjitha mbeturinat toksike. Kështu qindra familje humbën brenda natës atë që kishin krijuar për dekada.

Sapo lugina u zhyt në ujë, ata filluan të lëshojnë materiale toksike në liqen, të cilat, e kthyen ujin në baltë shumëngjyrëshe.

Familjet u zhvendosën 100 kilometra larg dhe në vend të një grumbulli parash që u ishte premtuar, ata morën vetëm një copë tokë të vogël dhe ca para në mënyrë që të arrinin të fillonin sërish jetën nga e para, informon abcnews.al.

Nga mbi 1000 banorë që banonin dikur në këtë vend, sot rreth 20 persona jetojnë pranë liqenit toksik. Shtëpitë e tyre janë të vendosura në një kodër, por jeta në afërsi të liqenit është shumë e vështirë, kryesisht për shkak të gazrave toksikë dhe mungesës së infrastrukturës publike.

Megjithëse kanë kaluar pothuajse katër dekada nga zhdukja e fshatit, vendasit janë ende të zemëruar me autoritetet që i lanë në baltë dhe nuk përmbushën premtimin për të zhvendosur varrezat lokale, të cilat qëndrojnë të zhytura në afërsi të kishës./abcnews/ KultPlus.com

Ledion Halitaj fiton çmimin e parë në kategorinë ‘Junior’ në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Rumani

Nëntëvjeçari nga Kosova, Ledion Halitaj, ka fituar çmimin e parë në kategorinë “Junior” në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë.

Këtë çmim ai e ka ndarë edhe me dy kandidatë të tjerë, pjesëmarrës në këtë garë.

Sipas rregullit të festivalit, kandidatët që kanë marrë më shumë se 90 pikë nga juria profesionale, janë shpallur fitues të çmimit të parë.

Në konkurrencë me Halitajn kanë qenë edhe nëntë kitaristë të tjerë.

Ledioni ka luajtur katër vepra klasike. Ai është nxënës i profesorit Erhan Mujka në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.

Mujka është shprehur krenar me suksesin e nxënësit të tij.

“Ndonëse me vetëm disa muaj pune, ku pjesa më e madhe e saj ka qenë `online’ shkaku i pandemisë, Ledioni arriti jo vetëm të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar, por edhe të rrëmbej çmim në një festival tejet prestigjioz, si ky i Transilvanisë”, ka deklaruar Mujka, transmeton KultPlus.

Në edicionin e 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani, i cili sivjet u organizua ‘online’, marrin pjesë më shumë se shtatëdhjetë kitaristë nga 13 shtete të Evropës. / KultPlus.com

200 libra me vlerë të madhe gjenden nën dyshemenë e një shtëpie në Rumani, pasi ishin vjedhur kohë më parë

Rreth 200 libra “të pazëvendësueshëm” të cilët kanë vlerën më shumë se 3.2 milionë dollarë që ishin vjedhur nga një depo në Londër, janë gjetur të groposura nën dyshemenë e një shtëpie në Rumani.

Në to përfshihen botimet e para të Galileos dhe Isaac Newton.

Këto libra ishin marrë nga hajdutë në janar të vitit 2017, të cilët kishin bërë vrima në çatinë e depos duke shkëputur edhe sensorët.

Hajdutët ishin identifikuar si pjesë të një bande rumune të krimit të organizuar.

Banda është përgjegjëse për një sërë vjedhjesh të gjërave të vleshme përreth Britanisë, ka thënë policia e Londrës përmes një deklarate, shkruan BBC.

Zbulimi i tyre pason pas 45 bastisjeve në adresa në Britani, Rumani dhe Itali, në qershor të vitit 2019, kanë thënë hetuesit, transmeton KultPlus. 

13 njerëz janë akuzuar, 12 prej të cilëve janë shpallur fajtorë.

Ky grumbull librash përmban versione të rralla të Dantes dhe skica të piktorit spanjoll Francisko de Goya, si dhe tituj nga Galileo dhe Isaac Newton që datojnë nga shekulli 16 dhe 17.

“Këta libra janë ekstremisht të çmueshëm, por më e rëndësishmja se ata janë të pazëvendësueshëm dhe me rëndësi të madhe për trashëgiminë kulturore ndërkombëtare”, ka thënë hetuesi Andy Durham.

Punimet po mbaheshin në atë depo në pritje për t’u transportuar në një ankand special në Las Vegas, në SHBA. / KultPlus.com

Në Rumani “gjejnë” Michael Jacksonin, çmendet juria (VIDEO)

Konkursi muzikor “The Voice” në Rumani ka zbuluar një talent të vërtetë. Bogdan Ioan i ka mahnitur anëtarët e jurisë gjatë audicioneve të fshehta me interpretimin e “Këngës së Tokës” nga Michael Jackson.

Të habitur nga ngjashmëria e jashtëzakonshme me zërin e mbretit të popit, ata janë kthyer të gjithë që në sekondat e para të këngës.

“Nëse Michael Jackson do të ishte gjallë dhe do ta kishte dëgjuar këtë interpretim, ai me siguri do të mbetej i mahnitur si ne të katërt”, ka thënë njëri prej anëtarëve të jurisë.

Bogdan Ioan është diplomuar në arkitekturë dhe nuk ka studiuar kurrë në ndonjë degë që ka lidhje me muzikën.

Ai ka lindur në Konstancë dhe kënduar në mënyrë amatore që në moshën 16-vjeçare. / KultPlus.com

Vizat bëhen shkak që Kosova të mos paraqitet në një festival rumun

Shfaqja e Qendrës Multimedia “Një shfaqje teatri me katër aktorë…”, e cila është dashur të jepet sot, me datë 21 maj në ora 17:00, në Teatrin Hungarez në Timisoara të Rumanisë, si pjesë e festivalit TESZT – Euroregional Theatre Festival Timișoara, është anuluar.

Fatkeqësisht, siç thuhet në njoftim, një pjesë e ekipit të shfaqjes nuk ia doli që t’i siguroj vizat për të udhëtuar në Rumani.

“Këto dy muajt e fundit, stafi i Qendrës Multimedia kemi qenë në një përpjekje shumëfrontëshe për të siguruar vizat për krejt ekipin, por përpjekjet tona janë ndeshur me burokracinë dhe trajtimin poshtërues të disa prej ambasadave Evropiane në Kosovë. Jam i shokuar nga fakti se mbas krejt këtyre prezentimeve ndërkombëtare (mbi 100 sosh) të shfaqjeve tona, regjimi i vizave Schengen për artistët tanë është bërë më rigjid, më i egër dhe më jo-dashamirës. E provuar në lëkurën tonë, dhe jo vetëm këto dy muaj, por përgjatë krejt këtyre viteve të fundit, zona e Schengenit, për ne është shndërruar në një zonë të “fashizmit të butë”, me të cilin birokracia rregullative evropiane e konvertuar në “viza Schengen” shtypë, keqtrajton dhe poshtëron”, thuhet në njoftim.

Paradoksalisht, thuhet tutje, por para dhjetë ditësh, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë më ndau mirënjohjen “Evropiani i vitit”, për “promovimin e ideve dhe vlerave Evropiane”.

“Dhe ja, dhjetë ditë pas, mua dhe ekipit të shfaqjes na u pamundësua udhëtimi në Rumani. Dhe prandaj, po pyes, nëse këto “vlera e ide Evropiane” përfshijnë edhe këtë qasje raciste e poshtëruese që disa prej ambsadave të shteteve të EU-së në Kosovë kanë ndaj nesh kosovarëve? Sepse, atëherë më me dëshirë do të rrija pa këtë kurorë ‘evropiane’, atëherë më me dëshirë do të rrija artist që përpiqet dhe lufton kundër rregullave që shtypin të voglin, të pafuqishmin, të ndryshmin, artist që është kundër privilegjeve të disa qytetarë evropian në kurriz të disa të tjerëve ‘jo-evropian’”, thuhet në komunikatën dërguar nga Jeton Neziraj.

Kjo është hera e dytë që një shfaqje e Qendrës Multimedia pamundësohet të jepet jashtë Kosove. Para disa vitesh, autoritetet kineze patën anuluar vizat për ekipin Kosovar, dhe pjesmarrja e trupës kosovare në festivalin Shanghai International Experimental Theatre Festival (SIETF) qe pamundësuar.

“Sot ndërsa është hera e dytë që na pamundësohet të japim shfaqjen tonë, sërish si rezulltat i komplikimeve birokratike e politike me viza. Por përderisa herën e parë, komplikimet dhe anulimi i shfaqjes kishin njëfar kuptimi “logjik”, duke e pasur parasyshë që Kina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pamundësinë e pjesmarrjes tonë në një festival Evropian e shohim me shumë shqetësim. Evropa dhe zona e saj e schengenit dhanë sot një shembull të vogël (por domethënës) se, kur jan në pyetje kosovarët, me Kinën i ndanë vetëm gjeografia:, thuhet në fund. / KultPlus.com

Arilena Ara këndon “Nëntori” shqip në Rumani (VIDEO)

Mbrëmjen e kaluar është mbajtur finalja e madhe e kompeticionit, The Voice of Romania, ku është shpallur zëri më i mirë i Rumanisë.

E ftuar në këtë event ishte edhe këngëtarja shqiptare, Arilena Ara, e cila ka korrur mjaft sukses në Europën Lindore me “Nëntori”. Për t’i thënë mirupafshim nëntorit për këtë vit e për të prezantuar denjësisht Shqipërinë, Arilena ka dhënë një performancë që ia vlen për t’u komplimentuar.
Veshur me të bardha, e shoqëruar nga balerinë në sfond dhe duke kënduar në shqip, Arilena na dha të njëjtën energji që patëm gjatë festivalit “Kënga Magjike”. Nuk jemi të vetmi që jemi impresionuar nga Arilena dhe performanca e saj, por edhe anëtarët e jurisë duket se nuk kanë pasur asgjë tjetër veçse për t’i dhënë duartrokitje në këmbë këngëtares shqiptare.

I ftuar në finalen e mbrëmshme, ishte edhe këngëtari i njohur italian, Alessandro Safina, i cili këndoi me një prej finalistëve, shkruan Blitz.al. Ne tashmë presim vetëm dhuratën e Arilenës për ne, të cilat nuk janë pak, por 5 këngë për Krishtlindje dhe festa. / KultPlus.com