Shënohet 35 vjetori i miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të 1990

Shoqata e intelektualëve “Jakova” në Gjakovë me një tryezë tematike ka shënuar 35 vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës.

Iliriana Pylla

Shumë ish-delegatë pjesëmarrës në ngjarjen historike prezentë në këtë aktivitet mes emocionesh të përziera u shprehën se, në atë ditë historike, Kosova ishte shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme.

Ruzhdi Bakalli ish-delegat mes tjerash ka thënë se, Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënonte hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

“Akademia e Shkenacve të Kosovës sqaronte se, mund të aprovohej një deklaratë kushtetuese pa qenë nevoja të ndryshohej kushtetuta. Ky qëndrim na dha guxim neve delegatëve sepse askush nga ne nuk e dinim se mund të shpallej një deklaratë e tillë pa ndryshime kushtetuese”, ka thënë ai.

Ish-delegati dr. Gëzim Lipoveci ka theksuar se Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë delegatët e Kuvendit të Kosovës.

“Një numër i madh i intelektualëve shqiptar, kishin nënshkruar një apel i njohur si apeli i 215 intelektualëve me të cilin kundërshtonin ndryshimet e paralajmëruara të kushtetutës në dëm të Kosovës e të shqiptarëve. Me atë rast u keqtrajtuan, u torturuan e u izoluan të gjithë ata intelektualë të cilët u burgosën në burgje anë e kënd Serbisë”, u shpreh ai mes tjerash.

Leximin e Deklaratës së 2 korrikut e ka bërë delegati Muharrem Shabani i cili në fjalën e tij theksoi se Deklarata shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave. 

“Si protagonist i drejtpërdrejt me të gjitha sakrificat e mundshme që mund të ndodhnin, nuk hezituam të jemi në Prishtinë. Ato ditë ne përjetuam edhe maltretime e kërcënime nga organet e punëve të brendshme, nga policia. Por, përkundër asaj ishim që kjo të mbahet dhe të qëndrojmë në Prishtinë”, ka thënë Shabani.

Kjo deklaratë i parapriu Kushtetutës së Kosovë e miratuar më 7 shtator 1990 në Kaçanik. 

Ish-delegati Fehmi Nallbani ka folur për ndikimin që kishte në popullatë Deklarata unanime e delegatëve shqiptar.

“Ky akt solemn politik u shpall në një kohë kur regjimi serb kishte suprimuar me dhunë autonominë kushtetuese të Kosovës. Ndërsa institucionet legjitime të Krahinës ndodheshin përballë një fushate të organizuar të shkatërrimit dhe zhbërjes. Në këtë kontekst represiv deputetët shqiptar të legjislaturës 1989 deri në maj 1992 pas mbledhjeve të gjata dhe të tensionuara e shpesh herë të ndërprera me obstruksione e presione politike morën një vendim historik, të shpallin Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990”, ka thënë mes tjerash Nallbani.

Kryetari i Kuvendit të atëhershëm Iliaz Ramajli tha se deklarata e 2 korrikut është një akt shumë i rëndësishëm juridik e historik.

“Deklarata e kushtetuese e 2 korrikut përbën një nga momentet më të rëndësishme historisë juridike dhe politike të Kosovës. E miratuar nga Kuvendi i Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme të shtypjes juridike, politike, kulturore e fizike nga regjimi serb. Kjo deklaratë është themel juridik dhe politik i aspiratës së popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi”, tha mes tjerash Ramajli.

Kryetari i Shoqtës së Intelektualëve “Jakova”, prof dr. Ruzhdi Sefa pasi falënderoi ish delegatët për pjesëmarrje dhe prezantim të kumtesave të tyre, ndau mirënjohje në shenjë falënderimi për punën e pa kompromis që kanë bërë në ato vite dhe për rëndësinë e madhe historike të atyre ngjarjeve.

Më 2 korrik 1990, ligjvënës të kuvendit gjykuan se shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi serb. Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 korrikut e shpalli Kosovën njësi të barabartë të Federatës Jugosllave dhe u hapi rrugë veprimeve të mëtutjeshëm me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i shtetit të pavarur të Kosovës./ KultPlus.com

Kurti përkujton 144 delegatët e Deklaratës Kushtetuese: Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne (VIDEO)

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit.

Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka publikuar një video në faqen zyrtare në Facebook ku ka përkujtuar të gjithë delegatët e kësaj Deklarate.

”Para 31 vitesh, nën rrethimin e hekurt të tankeve e autoblindave të regjimit të Serbisë, triumfoi vullneti i lirë qytetar mbi legalitetin shtypës të Serbisë. Para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës, 111 delegatë miratuan publikisht Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e pavarur, si pararendëse e Republikës së parë të Kosovës. Nënshkrimi i kësaj deklarate, nga 114 delegatë, shprehte kërkesën e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje politike në ish Jugosllavi.

Sot kujtojmë veprën e guximshme të delegatëve nënshkrues, që i mveshi ata me petkun e lavdisë së përjetshme. Në këtë 2 korrik të parë pa të, kujtojmë atdhedashësin artist, Adem Mikullovci, deputet i të dy republikave të Kosovës: asaj të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, dhe të 17 shkurtit 2008. Shëmbëlltyra e tyre, udhërrefyes për ne”, ka shkruar Kurti në mbishkrimin e videos. / KultPlus.com

Osmani ndan mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës së 2 Korrikut

Më 2 korrik 1990 u miratua Deklarata Kushtetuese – gurthemel i pavarësisë së Kosovës. Miratimi i kësaj deklarate ishte padyshim një akt me rëndësi vendimtare për historinë më të re të Kosovës e të popullit shqiptar. Ky akt politiko-juridik ishte shprehje e aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe ndër shqiptarët dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi kriminal serb.

Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave. Ky ishte një akt historik i pritur moti dhe që shprehte aspiratat shekullore të popullit të Kosovës për mëvetësi shtetërore e territoriale nga Serbia.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e shënimit të këtij përvjetori historik për Kosovën, ka ndarë mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990.

Me këtë rast, Osmani është shprehur se 2 korriku, shënoi themelet e shtetësisë.

Ky është postimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sot prita dhe ndava mirënjohje për përfaqësuesit e legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, e artikuloi qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990. Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe qe akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti. Prandaj, ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, z. Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh.
Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë.
Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve ’80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik.
Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t’i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t’i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese. E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam.

Urime 2 korriku, që shënoi themelet e shtetësisë! / KultPlus.com