Nën sloganin ‘Ec me mua, çdo hap numrohet’, Shoqata Autizmi marshojnë për të shënuar Ditën Botërore të Autizmit

Shoqata “Autizmi” do të bëjë një marshim në sheshin “Skënderbeu” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”, për të shënuar 2 Prillin, Ditën Botërore të Autizmit, shkruan KultPlus.

“Nën patronatin e Presidentës së Republikës së Kosovës znj.Vjosa Osmani Sadriu dhe me moton “Ec me mua, çdo hap numrohet”, ftoheni të marshojmë së bashku për të shënuar 2 Prillin, Ditën Botërore të Autizmit”, thuhet në njoftimin e tyre.

Për të ecur në përkrahje të fëmijëve me autizëm, do të ofrohen papuçe artistike unike të dizajnuara nga fëmijët me autizëm të Shoqatës Autizmi.

“Qëllimi i ecjes me papuçet e ngjyrosura nga fëmijët është që të bashkëndjejmë me ta si dhe t’i përkrahim ata në talentet dhe potencialet e tyre unike”, thotë Shoqata “Autizmi”.

Në këtë marsh do të bashkangjiten edhe dy organizatat që punojnë me personat me autizëm “Autizmi flet” dhe “Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë”. /KultPlus.com