“Muaji i Kinematografisë”, përkujtohet kolona zanore e mrekullueshme e ‘Dimri i fundit’

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendjen e publikut imazhe nga filmi “Dimri i fundit” në kuadër të nderimit për kinematografinë shqiptare në 70-vjetorin e saj.

Nga filmi “Dimri i fundit”, prodhim i vitit 1976, i dy regjisorëve Kristaq Mitro e Ibrahim Muçaj, ministrja Margariti veçoi muzikën, duke e vlerësuar si një “kolonë zanore të mrekullueshme”.

Muzika e filmit u kompozua nga Aleksandër Lalo dhe është ngulitur fort në kujtesën e publikut.

Ngjarjet e filmit zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një fshat malor, të mbuluar nga dëbora dhe të rrethuar nga gjermanët. Aty kanë mbetur vetëm gratë, të cilat janë të vendosura të çajnë rrethimin e të ndihmojnë partizanët e strehuar lart në male. Megjithëse nën kontrollin e rreptë të gjermanëve, gratë e fshatit, dalin nga fshati me justifikimin se do të presin dru në pyll dhe arrijnë të shkojnë tek partizanët e t’u çojnë veshje dhe ushqime.

Skenat mbresëlënëse, të xhiruara në dëborë, si dhe shoqërimi që u bën atyre muzika e Aleksandër Lalos, e bëjnë këtë film të paharrueshëm.

Në rolet kryesore interpretojnë Liza Laska, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, Agim Qirjaqi e Guljelm Radoja. / KultPlus.com

Në kuadër të muajit të kinematografisë kujtohet filmi “Apasionata”

 Në kuadër të muajit të kinematografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, risjell në vëmendje filmin artistik shqiptar “Apasionata”.

Filmi, një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, mban firmat e 2 regjisorëve, Kristaq Mitro e Ibrahim Mucaj. U shfaq për herë të parë për publikun, në vitin 1983, me skenar të Peçi Dados e Nexhati Tafës, me një kohëzgjatje prej 1 ore e 26 minutash.

Filmi ka në qendër historinë e dy të rinjve të dashuruar, Mirës dhe Arturit, të interpretuar nga Matilda Makoçi dhe Kastriot Çaushi. Dashuria e tyre do të hasë në kundërshtimin e babai të Arturit, Demostenit, i interpretuar mjeshtërisht nga Kadri Roshi.

Motivi kryesor i sonatës së famshme “Apasionata” të Ludvig Van Bethovenit, kthehet në lajtmotiv të dashurisë së Mirës, studente e pianos, dhe Arturit, student i pikturës, i cili nuk është vërtet i dhënë pas pikturës, por studion aty, i diktuar nga i ati. Filmi u pëlqye, pasi trajtonte një temë sociale e problematika të të rinjve. Skenari i tij ishte shkruar sipas tregimit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit. / KultPlus.com

70-vjetori i Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ mbledh bashkë artistët që bënë historinë e filmit shqiptar

70-vjetori i Kinematografisë shqiptare mblodhi mbrëmjen e djeshme në një ceremoni festive aktorë, regjisorë, skenaristë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ish-Kinostudio, ishte e pranishme edhe ministrja Elva Margariti, e cila u shpreh se “Kinostudio prej vitesh nuk kishte përjetuar emocione të tilla”.

“U bëmë pjesë e një mbrëmjeje yjesh në 70-vjetorin e Kinostudios. Një mbrëmje-homazh për ata që nuk janë më dhe një falënderim për kineastë, aktorë, piktorë, inxhinierë e teknikë, që bënë historinë e filmit shqiptar. Një atmosferë e ngrohtë nën tingujt e kolonave aq të bukura zanore të kompozitorëve tanë të mëdhenj, interpretuar nga orkestra “Simfoart”, u shpreh Margariti.

70 vjet më parë u përurua Kinostudio “Shqipëria e re”, një kinema unike dhe e rëndësishme, që krijoi qindra karaktere, ilustroi mijëra vende e ngjarje. Sot ajo mbetet burim i rëndësishëm studimi për të kuptuar historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve të 70 viteve të fundit.

Filmi “Tana” është filmi i parë shqiptar me metrazh të gjatë, prodhim i vitit 1958 nga “Shqipëria Film”, e transformuar më pas në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Premiera e tij u shfaq më 17 gusht 1958. Filmi ishte me regji të Kristaq Dhamos, skenar të Fatmir Gjatës e Nasho Jorgaqit dhe muzika nga Çesk Zadeja.

Në rolet kryesore ishin aktorët Tinka Kurti, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka e Kadri Roshi. Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana, një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin, i cili banon në një fshat të varfër malor. Tana përballet me mentalitetin e vjetër të gjyshit të saj si dhe xhelozinë e Lefterit. Këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.

Kinostudio “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve’70 -’80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit.

Kinostudio “Shqipëria e Re”, e kthyer në 1992 në Albafilm dhe e mbyllur përfundimisht në vitin 1996, la një trashëgimi prej rreth 200 filmash, shumica e të cilëve, të realizuar nën propagandën e kohës./ atsh / KultPlus.com