A ma mirë këtu a atje?

Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm për të mbështetur mirëqenien e atyre në atdhe. Nga mbledhja e fondeve dhe lobimi ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës që jetonin nën regjimin shtypës gjatë viteve ’90, në subvencionimin e anëtarëve të familjes dhe investimin në shtetin e pasluftës dhe pas pavarësisë.

Sot, me remitencat e diasporës që përbëjnë 16 përqind të PBB-së së Kosovës, roli i diasporës në mendjet e shumë njerëzve duket se ka evoluar duke u konsideruar pothuajse ekskluzivisht si një burim financiar. Ndërkohë, me qëllim të organizimit të diasporës së saj dhe për të pasur kontakt të vazhdueshëm me të, Kosova ka themeluar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Por profili i diasporës ka ndryshuar me kalimin e kohës. Pas ‘Gastarbeiters’ të viteve ’60 dhe ’70 dhe atyre që kërkonin azil në vitet e ’90, një fytyrë e re e diasporës është duke u zhvilluar, pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës po ndjekin zhvillimin e tyre akademik dhe profesional jashtë vendit. Ashtu si qytetarët kosovarë në shtëpi, shumë nga ata që janë larguar, po bëhen gjithnjë e më të frustruar me mungesën e përparimit në zhvillimin e një shteti plotësisht funksional.

Është koha për të parë përtej pyetjes “A është më mirë këtu apo atje?” dhe të njohim realitetet komplekse dhe shumë-shtresore të kosovarëve që jetojnë jashtë shtetit, shpesh referuar si një kolektiv i thjeshtë dhe i përkufizuar posaçërisht me termin pezhorativ ‘Schatzi’, si dhe të kuptojmë marrëdhëniet e tyre me Kosovën.

A do të njihen ndonjëherë anëtarët e diasporës më shumë se si thjesht një burim financiar? Çfarë mund të kontribuojnë studentët që studiojnë jashtë shtetit në kapitalin intelektual të Kosovës për zhvillim? Cili është saktësisht roli i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike? Cilat janë përvojat e anëtarëve të diasporës me institucionet kosovare? A janë adresuar siç duhet të drejtat dhe shqetësimet politike të pjesëtarëve të diasporës? Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës për të shfrytëzuar potencialin e diasporës?

Të enjten, më 19 korrik, në orën 18:00 do të diskutohet për të gjitha këto çështje dhe më shumë në Innovation Centre Kosovo, (rr. Rexhep Mala 28A. Prishtinë, Kosovë).

Për të diskutimin është ftuar Afrim Bekteshi – Zëvendës Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Liza Gashi – Drejtore Ekzekutive e Germin (OJQ e cila përdorë teknologji dhe kanale virtuale për të lidhur dhe angazhuar anëtarët e Ballkanit Perëndimor të diasporës në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre të origjinës).
Pastaj edhe Osman Osmani – Kryetari i shoqatës profesionale “Prointegra.ch” të Zvicrës (shoqatë e cila është ndërtuar nga profesionistë me prejardhje nga Kosova për çështje migracioni) dhe Adem Ferizaj – MA në Marrëdhëniet ndërkombëtare, Instituti i Studimeve Politike të Parisit (Sciences Po Paris), i rritur në Gjermani. Diskutimi do të moderohet nga Eraldin Fazliu./KultPlus.com