Një jetë, disa histori, Drita Gjongecaj, profil i një mësueseje në SHBA

Një prej qindra mësueseve shqiptare që vazhdojnë misionin e tyre fisnik në Diasporë është edhe Drita Gjongecaj. Themeluese dhe drejtuese e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” sot për komunitetin ajo është më shumë se kaq. Ka pothuaj 5 vjet që i kushtohet edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë paralelisht e angazhuar edhe në sistemin arsimor publik në SHBA.

Mësuese Drita, profil i një mësueseje në ShBA, e vlerësuar si “Mësuesja e vitit 2014” nga AAWO, çfarë do të thotë ky vlerësim për ju?

Mësuesia mbetet një profesion i dashur për mua megjithëse u bënë shumë vite që nuk jap mësim drejtpërdrejt në klasë. Përvoja ime si mësuese dhe drejtuese shkolle në Shqipëri më dha një pikënisje të fuqishme në zgjedhjen e kahjes së karrierës këtu në vendin e ri. Përveç përkushtimit në punë dhe detyrimit profesional për t’i “pajisur” me dije nxënësit e mi, anë këto të formimit tim qysh herët, isha edhe kureshtare për të njohur metodat e mësimdhënies në Amerikë. Që në fillim pata një interes të dukshëm për t’i analizuar ato nga këndvështrimi dhe formimi im i mëparshëm në këtë fushë.

Kjo mundësoi që puna ime të japë rezultate të kënaqshme dhe të vlerësohej nga nxënësit, prindërit, kolegët dhe drejtuesit e shkollës ku punoja. Gjithsesi asnjë nga këto nuk pati efektin dhe sadisfaksionin që më dha vlerësimi “Mësuesja e Vitit 2014” nga organizata e grave “Motrat Qiriazi”. Jo vetëm për faktin që çmimi vinte nga një organizatë prestigjioze shqiptaro-amerikane. Mbi të gjitha, ishte një fill bashkues midis “dy jetëve”, realitetit të ri në ShBA dhe atë të vendlindjes që mbetet përgjithmonë pjesë e jona dhe të cilën mund ta prekja përmes kësaj organizate shqiptare.

Angazhimi juaj i përditshëm si drejtuese në arsimin publik në SHBA mbart në vetvete një investim sistematik që ka në thelb kualifikimin tuaj të cilin kemi dëshirë ta bëni prezent për lexuesit tanë; nxënës, kolegë, prindër.

Më vjen mirë që e quan investim sistematik. Kjo do të thotë që megjithëse jetojmë në vendin e mundësive, asgjë nuk arrihet pa një punë të gjatë, të lodhshme, sistematike. Duke marrë si pikënisje shkollimin në Fakultetin Filologjik të Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi si dhe përvojën në fushën e arsimit në Shqipëri, vendosa ta gjej veten në të njëjtën fushë edhe këtu në Amerikë. Fillimisht plotësova kreditet e nevojshme për njësimin e diplomës së Tiranës me atë të New Yorkut dhe menjëherë pas kësaj, përfundova programin e masterit shkencor në mësimdhënien e anglishtes për folësit e gjuhëve të tjera (Teaching English to Speakers of Other Languages-TESOL). Me të përfunduar këtë, m’u ofrua një bursë falas në studime pasuniversitare nga “Bank Street College of Education”. Ky program dhe eksperienca nga aktivitetet e shumta që departamenti i arsimit ofron për zhvillimin profesional të mësuesve, çuan në përzgjedhjen time si drejtuese metodike në shkollën ku punoja.

Më pas, u përfshiva në një master tjetër për Drejtim dhe Administrim shkollash, mora licencimin e plotë dhe prej 10 vjetësh jam z/v drejtore shkolle.

Ka pothuaj 5 vjet që ju i kushtoni një pjesë të kohës tuaj javore edukimit me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare ndaj një numri të konsiderueshëm fëmijësh shqiptarë, si shkon ky proces?

Gjithmonë më ka shoqëruar një ndjenjë përgjegjësie për të bërë ç’të jetë e mundur në ndihmë të atyre në nevojë. Shqiptarët jashtë atdheut hyjnë në këtë kategori përsa i përket gjuhës. Me një kualifikim të dyfishtë nga Shqipëria dhe Amerika, kam dashur që ajo çka mund të ofroj t’u vihet në dispozicion edhe njerëzve tanë. Me ndryshimin drastik që na diktoi koha, ne si grup i “Children of the Eagle” ua ofruam mësimin online nxënësve të shkollës shqipe qysh në prillin e kaluar, gati paralelisht me mësimin në shkollat publike. Duke qenë në punë të rregullt në shkollat publike, mësuesit tanë kanë fatin të marrin ndër të parët kualifikim bashkëkohor; kjo ndodhi edhe me mënyrat e mësimit online që ne i vumë menjëherë në përdorim me klasat shqipe. Përveç mësimit në distancë ne kemi edhe dy klasa që zhvillohen fizikisht në ambientet e Federatës Vatra, në grupe të vogla sipas kushteve të sigurisë shëndetësore. Më shumë se çdo leksion, ambienti i pasur i Vatrës shekullore u mëson fëmijëve historinë; dera e hapur e saj u mëson mikpritjen tradicionale shqiptare, etj.

Cilat janë disa nga veprimtaritë përmes të cilave AADLC dhe Shkolla shqipe “Children of the eagle” bëhet prezente në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan?

Ka një larmi aktivitetesh të cilat janë kthyer në traditë për shkollën tonë shqipe dhe ku pjesëmarrja e prindërve por edhe e komunitetit është e pranishme. Mund të përmend programet për ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës, festivalin e shkollave shqipe, Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, përshëndetjet në seminaret e gjuhës, etj. Me shumë vlerë janë edhe vizitat e organizuara në institucione a ambiente shqiptare siç ishte ajo në Misionin e Kosovës në NY, etj.

Prej pothuaj 5- vjetësh ju organizoni Seminarin e përvitshëm “Arritje dhe perspektiva të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë”, çfarë ka sjellë vit pas viti kjo veprimtari shumëplanëshe?

Seminari shkencor-arsimor organizohet nga shoqata Albanian American Dual Language & Culture (AADLC). Tashmë seminari është kthyer në një traditë, në një forum ku shpalosen referate shkencore, metoda dhe përvoja konkrete nga puna direkte me nxënësit, si dhe arritje të shkollave e organizatave me të cilat ndajmë të njëjtin mision. Me fjalë të tjera, ai ka hapur rrugën për forcimin e rrjetit profesional të mësuesve, një bashkërendim të përpjekjeve të mësuesve, specialistëve, veprimtarëve të komunitetit, prindërve, etj. duke pasur si synim përsosjen e mëtejshme dhe rritjen e efektivitetit të mësimdhënies e mësimnxënies së gjuhës shqipe në Diasporë.

Përveç prurjeve me vlerë, i kemi kushtuar kujdes edhe vendit ku ai zhvillohet. Seminari i I-rë u mbajt në ambientet e Federatës Vatra, për vetë faktin se për Diasporën e Amerikës ajo është simboli i propagandës për çështjen kombëtare dhe gjuhën shqipe. Seminari i II-të solli më shumë bashkëpunim dhe dua të përmend këtu bashkë-organizimin e tij në lidhje të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në NY dhe u mbajt pikërisht në ambientet e kësaj Konsullate.

Duke iu përshtatur kushteve të diktuara, në shtator 2020, kur veprimtaritë ishin pothuajse plotësisht të paralizuara nga Covid-19, ne organizuam online seminarin e radhës me pjesëmarrje nga vende të tri kontinenteve.

Në janar 2021, ky aktivitet profesional u shndërrua në konferencë virtuale tre-ditore e fokusuar në përdorimin e platformave të mësimdhënies online për mësuesit e diasporës. Ishte një realizim koherent, kualitativ, dhe gjithëpërfshirës. Pjesëmarrësit e shumtë nga një mori shtetesh brenda dhe jashtë Amerikës e vlerësuan konferencën dhe shprehën nevojën për veprimtari të tjera të kësaj natyre si nevojë për përgatitjen e tyre për mësimin në distancë.

Si fëmijë, unë lexoja shumë dhe kjo më ka ndihmuar t’u kushtoj vëmendje detajeve. Në shkollë shpeshherë ndihmoja shokët e shoqet me ndonjë detyrë dhe dëgjoja të thoshin se unë “i zbërthej” të panjohurat në mënyrë të kuptueshme duke u bërë në mënyrë instiktive “mësuese”. Megjithëse preference ime ishte një degë tjetër, m’u dha e drejta e studimit për mësuesi, fushë ku e gjeta veten plotësisht të angazhuar. Duke parë progresin te nxënësit, duke përjetuar ngazëllimin e tyre kur aplikojnë çka kanë mësuar, vetëbesueshmërinë që rritet dita-ditës në sajë të kujdesit të mësuesit, ndjehesh mirë dhe rikonfirmon rëndësinë e rolit që ke. Mesa duket, kjo ka ndikuar edhe te të dy fëmijët e mi që janë mësues të shkollës së mesme në arsimin publik të New Yorkut. Që të dy janë të angazhuar edhe me shkollën shqipe “Children of the Eagle” dhe organizatën AADLC qysh në fillimet e saj.

Si e shikoni përdorimin e gjuhës shqipe në 20 vitet e ardhshme duke qenë se kontaktoni fëmijë por edhe prindër të rinj?

Në krahasim me dy-tre dekada më parë, prindërit shqiptarë, të paktën këtu në SHBA, janë më të interesuar për t’i angazhuar fëmijët me mësimin e shqipes. Ka ikur ajo frika se mos fëmija mbetet pas me anglishten po mësoi edhe shqip. Ajo që vihet re më shumë këto kohë është mendimi se prindërit mund t’ua mësojnë vetë shqipen fëmijëve. Përvoja ka treguar se roli i familjes është kyç, por në mbështetje të programeve shkollore dhe se shkolla është institucioni ku gjuha mësohet në nivele të tjera. Përndryshe përpjekjet mbeten sporadike dhe gjuha mbetet në nivelet e së folmes së përditshme, larg asaj akademike që nevojitet për t’iu përgjigjur zhvillimit aktual shoqëror, teknologjik dhe ekonomik.

Me rëndësinë që po merr dy-gjuhësia në përgjithësi dhe përfitimet në nivelin personal por edhe atë të identitetit kombëtar, unë e shoh me optimizëm të ardhmen e përdorimit të shqipes. Më shumë se asnjëherë tjetër shohim organizata dhe shkolla shqipe si dhe bashkëpunim në shërbim të ruajtjes së gjuhës e traditës. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Protestohet tek Konsullata e Kosovës në Gjenevë, kërkohet lehtësimi i procedurës së votimit për diasporën

Hyrja e konsullatës së Kosovës në Gjenevë u mbushë me qese mbeturinash.

Këtë e bënë studentët shqiptarë të këtij qyteti zviceran.

Kjo, në shenjë proteste pasi që kërkojnë të lehtësohet procedura e votimit për diasporën.

Në këtë formë si është tash, konsiderojnë se vota e tyre është e pa vlefshme./gazetaexpress/ KultPlus.com

“Tok”, një iniciativë që bashkon kulturën shqiptare nëpër botë


Roli i diasporës në mbështetjen dhe promovimin e trevave shqiptare ka qenë përherë prezente nëpër vite. Tanimë aktivistë të shumë shoqatave dhe organizatave nga mërgata i ka bashkuar kultura, nën ombrellën e simbolikes “Tok”, shkruan KultPlus.

Shoqata “K” nga Vjena, “Ajo” nga Londra, “Marrja Zezë” nga Berlini, “URACult” nga Kölni, “Brezi Ynë” nga Zürichu, “ODA” nga Hamburgu dhe Germin nga Prishtina/Tirana u unifikian për të përçuar në vende të ndryshme të globit vlerat dhe kulturën e popullit shqiptar.

Të gjitha këto organizata e shoqata vendosën që të fillojnë rrugëtimin e tyre nën moton ”TOK me kulturën tonë”, i cili do të nis më 26 dhjetor virtualisht me muzikë e letërsi për të vazhduar më tutje.

“TOK është një iniciativë që synon ta prezentoj artin dhe kulurën shqiptare anembanë botës. Kjo iniciativë një ditë do të jetë një platformë kulturore ndërkombëtare”, shkruhet në njoftimin e këtij organizimi.

Aktiviteti i cili do të nis nga ora 19:00, do të jetë ombrellë e artistëve, profesionistëve e vullnetarëve të cilët e duan artin dhe kulturën.

Më poshtë po ju sjellim programin e plotë:

  • Hyrja – Inva Mula (Soprano)
  • Lexim – Jehona Jahaj (Poete) – Berlin
    • Veprat: KeinManifest dhe AlbanischeAbsolution
  • Pikë muzikorë – Vendim Thaçi (Kitarist) – Zürich
    • Veprat: Allemande, Milonga del Angel, Prélude no.4 dhe Hot Club Français
  • Lexim – Kasem Hoxha (Aktor) – Köln
    • Veprat: Cigarja 
  • Pikë muzikorë – Anda Gjini (Flautiste), Aysem Bolukbasi (Piano) – Hamburg  
    • Veprat: Variacione Mbi Një Temë Popullore
  • Pikë muzikorë dhe balet – Flaka Goranci (Mezzo Soprano), Enxhi Rroji (Pianiste), Laura Llozi (Violiniste), Margona Komani (Çelliste) dhe Eno Peçi (Koreograf dhe Balerin) – Vjenë
    • Veprat: Kur Më Vjen Burri Nga Stani, Asaman Trëndafili Çelës, Lule Borë, Muzg dhe The Basic Of All Life  
  • Pikë muzikorë – Mjellma Istrefi (Kantautore), Shkumbin Istrefi (Kitarë) – Prishtinë 
    • Veprat: Deal with it, Choose you, Navajo, Una Nottea Napoli dhe CryMeaRiver
  • Pikë muzikorë – Adhurim Demiri (Kantautor) – Tiranë
    • Veprat: Zemër e Një Gruaje dhe MallBulevardi
  • Pikë muzikorë – AJO, Vjollca Robelli-Mripa (Kantautore), Aurel Qirjo (Violinë), Christian Prior – piano, Harry Greene – Electric Guitar – Londër
    • Veprat: Burrnesha, Besa, Ajo dhe Nëna
  • Lexim – Mario Caliva (Regjisor) – Hora Arbëreshëvet
    • Veprat: Qish

“Rrugëtimi i ynë i parë muzikor e letrar do të jetë virtual dhe do të na sjell në Tiranë, Zürich, Vjenë, Köln, Hamburg, Londër, Berlin e Prishtinë. Në të ardhmen ky udhëtim do të vazhdoj me ju dhe pranë jush, në Tetovë, Stockholm, New York, Ankara, Ulqin, Toronto, Shkodër, Romë, Zagreb, Athinë e Prizren e kudo që jeni”, thuhet tutje në njoftim. 

Kujtojmë që për dizajnin e pllakatës është përkujdesur Anyla Berisha, kurse krijimin e videos është duke e punuar Berat Hasani.

https://www.facebook.com/events/829486504287525 / KultPlus.com

Diaspora shqiptare në shifra 2020, Instat: Ja sa shqiptarë jetojnë jashtë vendit

Instat ka publikuar sot raportin e përvitshëm “Dispora shqiptare në shifra”, në kuadër të Strategjisë së Diasporës.

Sipas këtij raporti për vitin 2020 bazuar në vlerësimet e tërthorta, numri i shqiptarëve të larguar pas vitit 1990 llogaritet të jetë rreth 1,68 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 37% të shtetasve shqiptarë gjithsej.

INSTAT vëren se periudhat kohore të formimit të Diasporës shqiptare ndryshojnë. E ashtuquajtura “Diaspora e vjetër” përbëhet nga emigrantë që kanë emigruar para vitit 1944, të cilët konsiderohen diasporë shumë e hershme, si dhe nga ata që u larguan gjatë viteve 1945-1990 dhe që përkon kryesisht me shqiptarët në ish-Jugosllavi.

Ndërsa “Diaspora e re” përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990 dhe përkon me valën e madhe tëmigrimit pas rënies së komunizmit. Diaspora e vjetër ka qenë e vendosur kryesisht në SHBA dhe disa vende të Evropës Perëndimore, ndërsa diaspora e re është vendosur në Greqi, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Zvicër, Francë etj. dhe më pak në vendet të diasporës së vjetër.

Ende nuk përllogaritet një shifër e saktë e Diasporës shqiptare për shkak të kompleksitetit që e karakterizon këtë fenomen. Qëllimi i këtij publikimi ështëvlerësimi i numrit të diasporës shqiptare dhe profilit të saj mbi karakteristikat bazë demografike dhe sociale. Për të arritur në statistika edhe më gjithëpërfshirëse.

Në një analizë të periudhës 1995-2019 vihet re që numri i emigrantëve në Itali, Greqi dhe ShBA është rritur në mënyrë intensive gjatë pesëvjeçarëve 1990–1994 dhe 1995–1999, të cilat përbëjnë periudhën e emigracionit masiv të shqiptarëve. Gjatë viteve 1990 –1994, numri i emigrantëve shqiptar në Greqi, Itali dhe ShBA rritej çdo vit me rreth 30 % të numrit të vitit paraardhës. Këto norma bien në rreth 11 % gjatë periudhës 1995 –1999. Pas vitit2000, norma e rritjes së numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi bie me shpejtësi dhe arrin në nivele negative gjatë periudhës 2010 –2019. Kjo do të thotë se, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, numri gjithsej i emigrantëve shqiptarë në Greqi po zvogëlohet.

Edhe në rastin e Italisë dhe ShBA, norma vjetore e rritjes së numrit të emigrantëve është zvogëluar në mënyrë konstante duke arritur në rreth 3 % përgjatë periudhës 2015 –2019. Nga ana tjetër numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani ka ndryshuar me ritme të tjera nga ato të Italisë, Greqisë dhe ShBA-ve. Gjatë viteve 1990 –1994 ky numër rritej me rreth 10 % në vit. Më pas norma vjetore e rritjes u zvogëlua në mënyrë konstante duke arritur në rreth 1 % përgjatë periudhës 2010 –2014. Vetëm pas vitit 2015, numri i emigrantëve shqiptarë në Gjermani filloi të rritej me një normë vjetore prej rreth 35 %, duke e kthyer këtë vend si destinacionin kryesor të tyre. Kjo ka bërë që pesha që zënë emigrantët shqiptarë në Gjermani në numrin gjithsej të emigrantëve të katërfishohet nga 1,3 % në 4,2 %

Të dhënat e censeve të fundit të popullsisë dhe banesave, raundi 2010 tregojnë se 905 mijë individë të lindur në Shqipëri kanë qenë rezidentëtë zakonshëm në 28 vende të Evropës;nga ana tjetër,statistikat që lidhen me shtetësinë tregojnë se 962 mijë shtetas shqiptarë jetojnë në 15 vende të Evropës.Vendet që numërojnë një numër të lartë shtetasish shqiptar,si dhe rezidentë të lindur në Shqipëri janë: Greqi, Itali, Gjermani dhe Britani e Madhe.

Raportin e plotë mund ta lexoni këtu:

/dp / KultPlus.com

Shqiptarja triumfon me çmim në garën teknologjike të Evropës

Shqiptarja Doruntina Berisha, ka fituar në garën “European Women of Legal Tech 2020 Award”.

Në këtë garë ku kanë marrë pjesë 179 femra, nga 27 vende të ndryshme të Evropës shqiptarja ia doli të shpallej fituese në kategorinë “Akademi & Edukim”. Votimi për garën ishte mbyllur më 18 nëntor ndërsa çmimet u ndanë mbrëmjen e djeshme në një organizim online që u mbajt në Vjenë.

“Gjatë pandemisë kam krijuar platformën për të gjithë profesorët e Vjenës që brenda 24 orëve të kenë qasje në mësim online. Kjo platformë “Survival Guide” nuk u shpërnda vetëm në Universitetin e Juridikut në Vjenë, por edhe në Universitet e tjera në Austri. Pas një jave më shumë se 250 profesora të Universitetit të Vjenës përdorën platformën gjatë pandemisë. Për krijimin e kësaj platforme “Survival Guide”, profesori im Dr. Nikolaus Forgó vendosi të më nominoj për këtë çmim”, është shprehur Doruntina Berisha në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”.

Doruntina Berisha ka lindur në Vjenë, por ruan lidhjet e saj me Shqipërinë dhe Kosovën. Pavarësisht se lindur dhe rritur në një shtet tjetër Doruntina flet shumë mirë gjuhën amtare. Doruntina Berisha është studente dhe asistente në Fakultetin Juridik në Universitetin e Vjenës. Gjithashtu ajo studion edhe në degën Fizik. Gjatë kohës së pandemisë shqiptarja Berisha spikati, sepse arriti të krijoi brenda 24 orëve platformën “Survival Guide“, e cila shërbeu për të zhvilluar mësimin online në Vjenë. /dp/ KultPlus.com

Ndihma e madhe e diasporës pas tërmetit në Shqipëri

Një vit më parë një tërmet prej 6.4 ballësh goditi Shqipërinë qendrore duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë. 51 humbje jete, rreth 3 mijë të plagosur dhe mjaft ndërtesa të shembura apo dëmtuara ishte bilanci tragjik i atyre pak sekondave lëkundje.

Shqiptarët në Diasporë u solidarizuan menjëherë me bashkëkombasit e tyre duke kontribuar në ndihma materiale, ekspertiza mbledhje fondesh etj.

Të shumta ishin organizatat dhe shoqatat që u angazhuan për të ndihmuar vendlindjen, si Shoqata kulturore RBK në Gjermani, Komuniteti shqiptar i Selanikut, Shoqata “Nënë Tereza” në Modena të Italisë e shumë organizata e shoqata të tjera. 

Ndrësa u organizuan koncerte humanitare në vende të ndryshme si “Music for Albania” në Asutrali, “Arbëria për Shqipërinë” në Kalabri, koncerti i organizuar nga “The Albanian American Women of Washington DC” në SHBA dhe shumë të tjera.

Ndër të parët që i erdhën në ndihmë vendlindjes ishte Anëtari i i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe këshilltar në Bashkinë e New York-ut, Mark Gjonaj i cili bëri të mundur ardhjen e një grupi inxhinierësh shqiptaro – amerikanë të rinj e të talentuar, pjesëtarë të shoqatës së arkitektëve, që iu bashkuan punës së gjithanshme për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit he kthimin e qyteteve më të dëmtuara në jetën normale.

Edhe filantropi dhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës ishte ndër të parët shqiptarë të Diasporës që ofroi ndihmën e tij për të prekurit nga tërmeti dëmtues. Ai solli kamionë me ndihma në atë kohë, duke i dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe vizitoi disa nga zonat e prekura.

Organizata “Albania Roots-Rrënjët shqiptare” në SHBA arriti të mbledhë një fond prej 1.6 milionë dollarësh duke financuar ndërtimin e një lagjeje në Lalz në ndihmë të banorëve të Durrësit. Marko Kepi ka bërë të ditur se vetëm 1 milionë dollarë u mblodhën për 24 orë matanë oqeanit. “Bashkë me shtetin shqiptar, qeveria shqiptare po na jep një tokë në Durrës ku mund të ndërtojmë 44 shtëpi për të prekurit nga tërmeti”, ishte shprehur Kepi.

Por ndihma dhe iniciativa të vetë shqiptarëve jashtë vendit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti vazhdoi edhe përgjatë vitit të të vështire të pandemisë. Dy shqiptarë të SHBA-së dhuruan 58 lap top për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Durrës. Filger dhe Eda Prifti janë dy shqiptarët që jetojnë në Boston që bashkë me kompaninë Vestmark kanë mundur të sigurojnë sasinë e lap topëve që do të jenë ndihmë për studentët e universitetit që janë ekselentë por vijnë nga familje në nevojë e që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. /dp/ KultPlus.com

“Diaspora Flet 2020” sonte me panel diskutimi për kulturën

Vazhdës së konferencave virtuale “Diaspora Flet 2020” sonte do t’i bashkohet edhe tema e gjendjes kulturore në diasporë, shkruan KultPlus.

Paneli i diskutimit i natës së sotme me temë ‘Rimendimi i Aktviteteve Kulturore në Diasporë’ do të nis nga ora 19:30 nën moderimin e Ali Salihut dhe me folës të cilët punojnë aktivisht për gjallërim të jetës kulturore.

Ermal Fehmi Vejsa, Jehonë Jahaj, Linda Arifi dhe Vjollca Robelli Mripa do të jenë ata që do të pasqyrojnë gjendjen e kulturës në vendet e ndryshme të diasporës.

Ata do të flasin për shoqatat, festivalet, natyrën e organizimeve, ndryshimet dhe bashkëpunimet që duhet të ndërrmerren si dhe mjaftueshmërinë e tyre për të mbuluar nevojat kulturore të atdhetarëve që gjendjen jashtë kufinjve shqiptarë.

Konferencat virtuale “Diaspora Flet 2020” janë të organizuara nga GERMIN dhe organizata e saj si-motër me qendër në SHBA ‘The Global Albanians Foundation’/ KultPlus.com

16 vjeçarja shqiptare boton libër në gjuhën angleze, përkthimi në gjuhën shqipe ëndërr për të

Medina Pasoma

Ajo i ka vetëm 16 vjet, por frymëzimet letrare i shkojnë përtej moshës. Shqiptarja nga diaspora, Gerta Miftari ka publikuar romanin e saj të parë në gjuhën angleze ‘Coldhearted Mafia Boss’, të cilën synon ta përkthej edhe në shqip, shkruan KultPlus.

Shqiptarët të cilët janë detyruar ta lënë vendin e tyre për shkak të një jetese më të mirë dhe arsyeve tjera, përveç që janë themeli i Kosovës për shumë gjëra, kanë qenë edhe krenaria jonë ndër vite. Një rast konkret është edhe Gerta Miftari, e cila jeton në Gjermani, ndërkaq prejardhjen e ka nga Vushtrria. Ajo është ende në klasën e 11-të të shkollës së mesme, mirëpo diapazoni i gjerë që ka e ka bërë ta sfidoj veten me publikimin e një libri. Mes gjuhës shqipe që i flet familja dhe asaj gjermane me të cilën shkollohet, ajo zgjodhi gjuhën angleze për të rrëfyer këndvështrimet e saja në një roman.

Letërsia të cilën e deshi shumë, nuk vazhdoj ta shikonte nga larg me admirim por, vendosi të futej në thellësitë e saj. Kështu nisi rrugëtimi i librit ‘Coldhearted Mafia Boss’, i cili përfundoj nga një shkrim në një fletë, në një roman të përmbledhur.

KultPlus ka marrë rrëfimin e gjithë këtij udhëtimi 13 mujor drejt finalizimit të romanit. Tanimë që ëndrra e Gertës është arritur, ajo thotë:

“Gjithmonë kam dashur të lexoj libra dhe prandaj romani erdhi në një mënyrë natyrale për mua”.

Ajo i hyri shtigjeve të vështira të letërsisë kriminalistike, duke i vënë personazhet përballë sprovave të mëdha jetësore, për të parë se sa të fuqishëm në të vërtetë janë.

‘’Tema lidhet me martesën e dhunshme por, ky nuk është problemi i vetëm. Qëllimi tematik ka qenë thellimi në sekrete dhe te njerëzit që mendojnë vetëm për pasurinë’’, shprehet Gerta Miftari.

Përpjekjet materiale të disave shkojnë përtej të duhurës, duke i bërë që të ndërrojnë këndvështrim dhe ta shohin paranë si gjënë më të shtrenjtë në jetë. Pikërisht këtë mesazh ka tentuar ta përçoj autorja e re vushtrriase.

‘Mesazhi im është të dihet se pasuria nuk është gjithçka. Gjithashtu është e rëndësishme të jesh i shëndetshëm dhe i lumtur. Pasuria nuk është, por janë edukimi dhe mësimi’’, thekson Miftari.

Gerta i bëri dy sfida të njëpasnjëshme në këtë roman. Njëren e bëri me të shkruarit e saj dhe tjetrën me gjuhën që përdori. Mirëpo, leximi i rregullt në një gjuhë të huaj ia ka lehtësuar asaj realizimin e këtij qëllimi.

‘’Lexoj shpesh libra në gjuhën angleze dhe prandaj shkrimi në këtë gjuhë mu duk normale për ta bërë’’, tha Gerta Miftari.

Në anën tjetër, përballja e rregullt me kriminalistikën e shkruar e bëri që të dal nga skutat e lexueses së thjeshtë.

‘’Jam e interesuar për këtë zhanër sepse e pëlqej. Poashtu është shumë interesante sepse nëpërmjet saj dimë më tepër dhe mësojmë se si t’i përgjigjemi pyetjeve tona’’, vlerësoj autorja e romanit ‘Coldhearted Mafia Boss’.

Librin e saj të parë, Gerta ka dëshirë ta përkthej në shumë gjuhë, në mënyrë që mesazhi i saj të shkoj në shumë audienca. Gjermanishtja dhe frëngjishtja janë disa nga to mirëpo, ajo që ka më së shumti rëndësi për të mbetet gjuha identitare e saj.

‘’Unë jam shqiptare me zemër, kështu që përkthimi i librit tim në gjuhën shqipe është një ëndërr që do të realizohet një ditë’’, shprehet autorja optimiste.

Tutje, ajo synon të shkruar një libër në zhanrin e fantazisë sepse e pëlqen këtë frymë letrare. ‘’Coldhearted Mafia Boss’’ do të mbetet libri i saj i parë në rrugëtimin letrar. /KultPlus.com

Me moton “Bukë, krip e zemër”, më 26 tetor nisin ‘Javët e Kulturës Shqiptare në Austri’

Medina Pasoma

Hapësirat publike dhe kulturore të Austrisë ndër vite kanë qenë vendtakim i mërgimtarëve tanë dhe të huajve. Edhe këtë vit, ata do të bashkohen për të promovuar dhe për të ndjerë emocionet që iu fal arti, kultura dhe tradita shqiptare përgjatë organizimit ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘, shkruan KultPlus.

Kultura dhe arti do ta dëshmojnë fuqinë e tyre duke u sfiduar me pandeminë nëpër botë, ndërkaq ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘ do të fillojë rrugëtimin për këtë vit me datë 26 tetor në Ditën Nacionale të Austrisë, duke vazhduar me aktivitete edhe përgjatë festës kombëtare 28 Nëntorit dhe duke përmbyllur edicionin e sivjetmë me Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt.

Njëri nga organizatorët e “Javëve Kulturore Shqiptare”, Ermal Vejsa për KultPlus shprehet se arsyeja e përzgjedhjes së Ditës Nacionale të Austrisë si datë e nisjes, përkon me shtetin ku ata veprojnë dhe zhvillohen, ndërkaq nuk do të mund ta linin anash edhe kremtimin e dy pavarësive të shteteve shqiptare.

Programi 2020-2021

‘‘Ndërsa vet datat e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës, si festat më të rëndësishme kombëtare, padyshim që duhej të bëheshin pjesë e festimeve dhe promovimit të kulturës shqiptare në Austri’’, vazhdoj tutje Ermal Vejsa.

Organizatorët këtë vit kanë vendosur që ta kenë si moto thënien e njohur shqiptare „Bukë, krip e zemër‘‘, që për Vejsën nënkupton një përfaqësim të mirë të kulturës shqiptare.

‘‘Kjo shfaq më së miri shpirtin e vërtetë të popullit tonë, të cilin ndër shumë vlera të tjera e karakterizon bujaria, mikpritja e dashamirësia, dhe këto cilësi tonat duhet të promovohen gjithnjë e më shumë tek komuniteti austriak dhe komunitetet e tjera në Austri‘‘, shprehet Ermal Vejsa për këtë moto.

Ekspozite – Alketa Xhafa Mripa – 2019 (1)

Të mallëngjyer me vendin e tyre, mërgimtarët shqiptarë dhe të huajt e interesuar do të bashkohen në ‘‘Javët e Kulturës Shqiptare‘‘ në koncerte muzikore, orë letrare, shfaqje teatrore, turnir futbolli dhe shahu, panair me punime dore, festë me veshje tradicionale, ecje dhe aktivitete sportive në natyrë, të gjitha këto falë punës së shoqatave të cilat janë anëtare të Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri

Organizimi i gjithë këtyre aktiviteteve në kushte pandemie, padyshim që ka qenë një sfidë për organizatorët, duke marrë parasysh edhe limitimin e numrit të vizitorëve, distancën sociale dhe higjienën e vazhdueshme që duhet ta mbajnë. Mirëpo, shteti austriak këtë vit ishte edhe më mbështetës për këtë kategori.

Koncert – Hapja e Javeve – 2019

‘‘Në këtë periudhë të vështirë pandemie, Komuna e Vjenës doli me moton ‚Mbani distancë, por jo ndaj kulturës‘ (gjr: ‚Halten Sie Abstand, aber nicht zur Kultur‘) dhe pasiqë komuniteti artistik është prekur më së shumti nga kjo situatë e vështirë, institucionet shtetërore austriake vendosën të mbështesin edhe më shumë financiarisht aktivitetet kulturore‘‘, shprehet organizatori Vejsa.

Aktiviteti i parë që do t’i hap dyert për audiencën do të jetë Koncerti ‘Classic meets Ethno’ më 26 tetor, i cili do të gërshetoj muzikën klasike dhe atë etno. Kjo natë muzikore do të bëj bashkë në skenë artistë shqiptarë të Austrisë, të cilët kanë fituar nam në botën e artit dhe të cilët e kanë konceptuar vetë koncertin. ‘Classic meets Ethno’ do të jetë i këndshëm për publikun nën praninë e Flaka Gorancit si mezzosoprano, Eno Peçit në cilësinë e koreografit dhe balerinit, Rina Kaçinari e cila do të këndoj dhe do të prezantohet si çelliste, Zamir Kabo në piano dhe artisti i cili vie nga Londra me violinën e tij, Aurel Qirjo.

‘‘Tek artistët mbizotëron një frymë mjaft pozitive e bashkëpunimit dhe të paktën që nga fillimi i verës janë në komunikim intensiv mes veti dhe tanimë programi artistik i krijuar nga ta është i finalizuar dhe mezi presim edhe ne si organizator edhe ata vet si krijues të artit, që ta paraqesim para publikut’’, shprehet Ermal Vejsa për atmosferën e bashkëpunimit.

Nata Përmbyllëse – Offchestra – 2018

 Ajo që do ta bëj të veçantë këtë edicion, do të jetë organizimi i një panairi të punëdores me fokus gratë dhe fëmijët. Sipas Vejsës, kjo kategori ka qenë prioritet për ta, andaj prezantimi i punimeve të tyre do të bëhet më 17 shkurt 2021, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në zonën e 10 të Vjenës, përkatësisht në sheshin ‘’Columbus Platz’’.

‘’Në panair do të ftohen gratë së bashku me fëmijët që të prezantojnë punimet e tyre të dorës të çfarëdo natyre, si punime artizanale, ushqime tradicionale, veshje e punime artistike. Do të krijohet një infrastrukturë për prezantimin dhe shitjen sa më të mirë të këtyre produkteve si dhe për aktivitete muzikore përcjellëse’’, sqaron Ermal Vejsa për aktivitetin i cili do të përmbyll ‘’Javët e Kulturës Shqiptare’’.

Përveç kremtimit të Pavarësisë së Kosovës, organizatorët janë kujdesur që fëmijëve prezent t’ia bëjmë edhe më të bukur këtë ditë, duke ju bërë dhuratë libri ‘’Uta e Maleve’’ të alpinistes Uta Ibrahimi.

Koncert – Shkelzen Doli dhe Flaka Goranci – 2019

Ndërkaq, ajo që i ka bërë organizatorët të pandalshëm në sjelljen e edicioneve të vazhdueshme padyshim që ka qenë përkrahja institucionale, duke përfshirë ato të Austrisë si dhe ambasadat e shteteve shqiptare. Mirëpo, ajo që ka përbërë kulmin e motivimit të tyre kanë qenë reagimet e pjesëmarrësve, të cilët edhe dëshmojnë se ky organizim po ka ndikim kulturor.

‘’Për momentin forma e vetme përmes së cilës mund të masim sadopak ndikimin e këtyre aktiviteteve, është përmes përgjigjeve gjithnjë e më të mëdha e më pozitive që marrim nga vizitorët, nga rritja e vazhdueshme e vizitorëve shqiptarë dhe të huaj nëpër këto aktivitete’’, thekson Ermal Vejsa.

‘’Javët e Kulturës Shqiptare’’ si organizim promovues i traditës dhe kulturës shqiptare do të nis më 26 tetor, duke qenë e mbushur me aktivitete për mërgimtarët dhe të huajt deri më 17 shkurt të vitit 2021./KultPlus.com

Koncert – Grupi Saz’iso – 2018
Nata e Filmit, DokuFest 2017
Ekspozita, Jakup Ferri 2017
Nata-Permbyllese-Grupi-Deti-2016
Ekspozita-Majlinda-Kelmendi-2016

Gratë shqiptare në diasporë bashkohen në një ekspozitë, përçojnë traditat shqiptare

Trashëgimia kulturore është kujtesë dhe identitet historik, duke qenë dëshmitare e jetës socio-kulturore të popujve. Madje ajo që i dhuron më shumë madhështi kësaj sfere është rifreskimi i të vjetrës. Shoqata “Swiss Albania Event” për të sjellur këtë freski, ka organizuar ekspozitën online me punime artizanale “Tradita dhe roli i gruas në diasporë”, shkruan KultPlus.

E veçanta e punimeve të cilat përbëjnë trashëgimi kulturore qëndron në përcjelljen e tyre brez pas brezi. Grepin, rruazat, manovrimet me ngjyra, qilimat, qepjen në familjet shqiptare do të mund ta shihnim te vajza, nëna dhe gjyshja ndër histori. Mirëpo, përveç promovimit të punës së gruas, kjo ekspozitë koncentrohet edhe te një kategori tjetër, e të cilat janë gratë e diasporës.

Në kohën kur organizatorët pranonin punimet e grave të diasporës, gjatë muajve qershor-gusht, janë grumbulluar 200 punime, mirëpo 80 prej tyre do të jenë të parat që do të ekspozohen online në faqen e shoqatës “Swiss Albania Event”, për t’ua lënë vendin të tjerave tutje. Për përfshirjen dhe promovimin e kësaj pjese të shoqërisë padyshim që kishte ndikim edhe historia personale e organizatores, Aina Hoti, e cila qysh prej moshës 10 vjeçare jeton dhe vepron në diasporë.

“Në fakt e gjithë ideja e kësaj ekspozite online më ka ardhur pikërisht kur bisedonim me kolege e mikesha, se si duhej t’i ekspozoja këto punime sepse po të shikoni me detaje aty ka traditë dhe fantazi brenda familjes shqiptare”, thekson organizatorja Hoti për KultPlus.

Drejtoresha e shoqatës “Swiss Albania Event” për ekspozitën e përkrahur nga Ambasada e Shqipërisë në Bern, shpjegon procedurën e grumbullimit të punimeve, duke e vlerësuar si të lehtë këtë periudhë për shkak të komunikimit me miq dhe familjarë të cilët kishin ruajtur këso lloj punimesh nga e kaluara. Për përfshirjen e vajzave dhe grave të diasporës në këtë ekspozitë, Aina shprehet se ato janë trashëgimtare të kulturës dhe traditës përmes këtyre punimeve.

“Femrat shqiptare janë gra të rralla nga duart dhe shpirti për atë çfarë krijojnë. Që të dyja i prodhojnë art: artin e punës së dorës dhe artin e mikpritjes e buzëqeshjes”, vlerëson Hoti. Aina rrëfen se si kjo kategori është përherë e përfshirë në çdo ide të organizimeve të saja. Këtë ia lehtëson asaj entuziazmi i grave dhe vajzave të diasporës, të cilat bëjnë përpjekje që trashëgimia mos të mbetet në qarqet familjare, por të depërtoj në hallkat kulturore. Poashtu, qëllimi kryesor mbetet ruajtja dhe përcjellja e traditës kulturore të diasporës.

“Gratë në diasporë kanë një prurje të re në trashëgimi përmes realizimeve të tyre artizanale-kulturore. Në to përfshihet vlerësimi historik, bashkimi me të sotmen, ndjesia e besimit dhe krenarisë për të përshfaqur origjinën e kulturës që i dallon me pasurinë identitare të saj. Kjo ndjehet edhe në motivet e ngjyrat”, thekson Hoti.

Ekspozita e cila përfshin mosha të ndryshme, është e përbërë nga punimet prej rruazave, grepi, përdorimi i ngjyrave.

“Ndjehet në këto punime eleganca e prekjes të rruazave dhe e kombinimit të tyre, ritmi i grepit me ndjesinë e inspirimit dhe ngjyrat e theksuara, që i bëjnë këto krijime të rrezatojnë”, vlerëson Aina teksa shpjegon për punimet e grave dhe vajzave. Ajo e ndjen veten përgjegjëse për organizime dhe promovime të tilla kulturore sepse e sheh trashëgiminë si burim identitar dhe diferencial. Madje ajo mendon se rrugëtimi individual nuk është i plotë pa trashëgiminë përbrenda komunitetit.

“Misionin që një popull e ka kryer në një epokë të caktuar është kthyer në trashëgimi, dhe ajo çfarë të gjithë ne sot e kryejmë si angazhim objektiv e kulturor-identitar, do të kthehet në trashëgimi”, thekson organizatorja e ekspozitës online “Tradita dhe roli i gruas në diasporë”.

Dashurinë për kulturën Aina e ka të trashëguar nga babai i tij, Rajmond Hoti, i cili kishte qenë piktor. Krijuesit artistik ende i ekspozohen veprat e tij nëpër institucione kulturore, ndër të cilat vajza e tij përmend se ai ishte krijues i shpatës dhe mburojës së Skënderbeut në Muzeun Kombëtar dhe atë të Krujës.

“Nuk transmetuam pasionin e tij, por për mua është shembull i krijimit të një gjëje të bukur, mbase është dhe një nga arsyet që gjithmonë me pëlqen të krijoj gjëra të bukura e sigurisht me vlerë”, shprehet me mallëngjim Aina. Me KultPlus ajo ndan edhe përvojën e themelit të shoqatës “Swiss Albania Event” në vitin 2017, teksa thekson se synimi kryesor i tyre mbetet promovimi i vlerave të mirëfillta kulturore.

“Fokusi i “Swiss Albania Event” është arti, në veçanti muzika dhe veglat tradicionale muzikore, kulinaria dhe turizmi në përgjithësi”, thekson drejtoresha e “Swiss Albania Event”/Medina Pasoma/ KultPlus.com

MEPJ dërgon mbi 17 mijë tekste shkollore në 21 vende të ndryshme në Diasporë

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën, çdo vit të ri shkollor siguron mbështetje me tekste mësimore për fëmijët e diasporës shqiptare.

Për vitin shkollor 2020-2021, do të dërgohen 17 079 tekste drejt 21 shteteve të ndryshme të botës.

Konkretisht, dje u nisën tekstet drejt Gjermanisë, Zvicrës dhe Çekisë, ndërsa sot janë nisur tekstet drejt Belgjikës, Spanjës, Rumanisë, Francës dhe Turqisë, për të vijuar më tej me shtetet e tjera.

“Ndër kënaqësitë më të mëdha të punës sonë është ky moment i vitit! Duke u uruar të gjithë fëmijëve shqiptarë në diasporë, një vit të mbarë shkollor, dëshirojmë t’ju jemi pranë në mësimin e gjuhës amë, me shpresën që të kontribuojë në rritjen e dashurisë për atdheun”, thuhet në njoftimin për shtyp të MEPJ-së. / atsh/ KultPlus.com

Diaspora organizon në mënyrë virtuale “Festivalin e Traditës së Këngëve dhe Valleve Popullore”

Është bërë e ditur se Festivali i Traditës së Këngëve dhe Valleve Popullore, me pjesëmarrjen e grupeve valltare nga SHBA-ja dhe Kanada-ja, këtë vit organizohet në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë COVID-19, transmeton albinfo.ch.

Festivali i përvitshëm organizohet nga Albanian Heritage Foundation, në bashkëpunim me shoqatat dhe anëtarët e palodhur të diasporës, dhe ka për qëllim ruajtjen e traditave kombëtare.

Realizimi i këtij festivali është nën kujdesin e: Fondacioni i Trashëgimisë Shqiptare i Gjirit Tampa. Organizata Shqiptare e Biznesit dhe Rrjetit, Lidhja e Shkrimtareve dhe Artisteve Tampa Bay, Qendra Kulturore Islame Shqiptare. Organizata Shqiptare Amerikane e Grave – Kapitulli i FL dhe Organizata Shqiptare Amerikane Jugperëndimore FL. /Albinfo.ch. / KultPlus.com

Diaspora vazhdon të propozojë destinacione turistike dhe kulturore shqiptare

Diaspora vazhdon të propozojë destinacione turistike dhe kulturore shqiptare.

Diaspora, edhe në ditë të vështira, propozon vendet turistike dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. “Destination Albania” është projekti i promovimit të turizmit multikulturor shqiptarë në Zvicer. Ka në qendër pikasjen e vendeve turistike me shumë vlera.

Gjithashtu, destinacioni përfundimtar është të vizitohen “100 Fshatrat Turistike”, sipas programit turistik në Shqipëri, duke mundësar promovimin në mënyrën më të mire të mundshme.

Qëllimi përfundimtar i këtij projekti është promovimi i ekonomisë shqiptare, investimi në turizëm dhe veçoritë kulturore të vendit tonë si: tradita, kultura dhe mikpritja.

Vlen të theksohet se “Destination Albania” është faqja e promovimit turistik kulturor i shoqatës “Swiss Albania Event”.

Aktivitetet e “Swiss Albania Event” do të jetë gjithëpërfshirëse në ngjarje dhe organizime, aty ku mund të promovohen këto vlera kuptimplote.

Duke qenë se Shqipëria është një destinacion, i cili ofron një varietet unik dhe kombinime të rralla peizazhesh, klime dhe kulture. Folklori i pasur, gastronomia e veçantë, historia mijëravjeçare dhe mikpritja e kthejnë çdo eskperiencë turistike në diçka unike dhe të veçantë, që rrallë mund të gjenden kështu në ndonjë vend tjetër.

Andaj ky është edhe qëllimi kryesor i “Swiss Albania Event”: të promovohen dhe të mos humbin rrënjët tona as nga bashkatdhetarët që jetojnë në diasporë. /Albinfo.ch / KultPlus.com

Mobilizohet diaspora: Deri tani ka mbledhur rreth 350 mijë dollarë për tërmetin në Shqipëri

Pas tragjedisë që ka ndodhur sot në Shqipëri, ka filluar një frymë e solidarizimit gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Gjatë ditës janë paraqitur qindra persona që kanë kontribuar në forma të ndryshme për ta tejkaluar këtë tragjedi. Në vazhdën e këtij solidarizimi disa persona nga diaspora kanë hapur llogari të ndryshme bankare në faqen “Grofund”, shkruan KultPlus.com

Njoftohet se vetëm në njërin nga fondet e hapura është mbledhur një fond me rreth 303,494$ dhe se edhe fondet tjera të hapura në mënyrë të veçantë për këtë tragjedi kanë shënuar një sukses në këtë drejtim. / KultPlus.com

Organizohet Festivali i XVII-të i Poezisë dhe Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë

Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi organizon Festivalin XVII të Poezisë dhe Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, shkruan KultPlus.com

Festivali do të zhvillohet më 23 nëntor 2019 në Malmo të Suedisë dhe në të do të prezantohen mjaft krijues letrarë dhe në lëmin e muzikës që jetojnë e veprojnë jashtë atdheut, por edhe nga vendlindja, Shqipëria, Kosova, Maqedonia si dhe mysafirë të ftuar, krijues e poetë, suedezë, danezë, norvegjezë, dhe përfaqësues nga organizata të ndryshme etnike në Suedi

Haradinaj, diasporës: S’ju duam vetëm për paratë që na sillni, por pse jeni gjaku ynë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj teksa ka organizuar pritje për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në diasporë, tha se Kosova është me fat që dashuria e diasporës për atdheun e vet nuk ka ndryshuar asnjëherë.

“Jetën që e boni ju e njoh edhe prej perspektivës sime. Kjo jetë nuk është lehtë që në vend të huaj me dhënë kontributin e juaj. Kur vini këtu po ashtu iu presim në kufi me dënimin, kartonin e sigurimit që nuk është hequr, por edhe me vështirësi tjera, por një gjë që nuk ndryshon asnjëherë – është dashuria për vendin dhe ne jemi me fat që diaspora jonë nuk ka heq dorë prej atdheut. Është e vërtet që në Kosovë nuk i kemi kryer të gjitha punët e vendit. Kosova duhet ta përmbyll shtetësinë e vet, të jetë anëtare e OKB-së, t’i përgjigjet interesave të qytetarëve të vet së pari, e punë tjera. Janë punë jo të lehta”, u shpreh Haradinaj, ndërsa tha se është i gëzuar që me raste takohet me diasporën.

“Nuk ju kemi harruar. Jo vetëm për paratë që ia jepni atdheut, por se jeni gjaku ynë, familja jonë”, theksoi Haradinaj.

Në emër të përfaqësuesve të diasporës, shkrimtari Riza Sheqiri tha se gjithë sukseset e tyre i adresojnë dhe reflektojnë në Kosovë. / KultPlus.com

Diaspora fillon aktivitetet për 106 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë

Kanë filluar aktivitetet në diasporë me rastin e shënim të 106 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Më saktësisht në Dyseldorf të Gjermanisë, ku nikoqirë i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve popullore i Shqipërisë, ishte filantropi shqiptar Lazim Destani, ndërsa morën pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të ambasadave në këtë vend.

Këto aktivitete janë nën përkujdesjen e ambasadës shqiptare në Gjermani.

Sipas organizatorëve këto janë aktivitetet të cilat i paraprinë festës së Ditës së Pavarësisë, 28 nëntorit dhe kanë për qëllim avancimin e vlerave të kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Ky është vetëm fillimi i një numri të madh të paraqitjeve të ansamblit shtetëror në Republikën e Gjermanisë.

Me këtë rast nikoqiri i ngjarjes e cila u organizua në Wirtschaftsclub (Klubi Ekonomik) në Dyseldorf, Destani theksoi: “Shënimi i festës sonë kombëtare pikërisht në këtë ambient është në harmoni të plotë me dëshirën dhe synimet e përgjithshme të Diasporës Shqiptare, pra, që ajo të jetë pjesë e pandashme e proceseve dhe zhvillimeve të larmishme në të gjitha sferat, në ekonomi, politikë, art e kulturë, kudo ku jetojmë e veprojmë ne shqiptarët.

Le të frymojmë shqip ngado që jemi dhe me të gjitha iniciativat e aktivitetet që i ndërmarrim!”, ka thënë Destani.

Prizreni mirëpret koncertin për diasporën

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka nënshkroi sot, me zëvendësministrin e Diasporës, Afrim Bekteshi, një marrëveshje për realizimin e ditëve të diasporës në këtë komunë.

Kjo parasheh organizim të aktiviteteve kulturore, që kanë për qëllim promovimin, ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kulturor dhe gjuhësor nga mërgimtarët, përmes koncertit festiv për diasporën që do të mbahet më 28 korrik./ KultPlus.com

A ma mirë këtu a atje?

Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm për të mbështetur mirëqenien e atyre në atdhe. Nga mbledhja e fondeve dhe lobimi ndërkombëtar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës që jetonin nën regjimin shtypës gjatë viteve ’90, në subvencionimin e anëtarëve të familjes dhe investimin në shtetin e pasluftës dhe pas pavarësisë.

Sot, me remitencat e diasporës që përbëjnë 16 përqind të PBB-së së Kosovës, roli i diasporës në mendjet e shumë njerëzve duket se ka evoluar duke u konsideruar pothuajse ekskluzivisht si një burim financiar. Ndërkohë, me qëllim të organizimit të diasporës së saj dhe për të pasur kontakt të vazhdueshëm me të, Kosova ka themeluar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Por profili i diasporës ka ndryshuar me kalimin e kohës. Pas ‘Gastarbeiters’ të viteve ’60 dhe ’70 dhe atyre që kërkonin azil në vitet e ’90, një fytyrë e re e diasporës është duke u zhvilluar, pasi një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës po ndjekin zhvillimin e tyre akademik dhe profesional jashtë vendit. Ashtu si qytetarët kosovarë në shtëpi, shumë nga ata që janë larguar, po bëhen gjithnjë e më të frustruar me mungesën e përparimit në zhvillimin e një shteti plotësisht funksional.

Është koha për të parë përtej pyetjes “A është më mirë këtu apo atje?” dhe të njohim realitetet komplekse dhe shumë-shtresore të kosovarëve që jetojnë jashtë shtetit, shpesh referuar si një kolektiv i thjeshtë dhe i përkufizuar posaçërisht me termin pezhorativ ‘Schatzi’, si dhe të kuptojmë marrëdhëniet e tyre me Kosovën.

A do të njihen ndonjëherë anëtarët e diasporës më shumë se si thjesht një burim financiar? Çfarë mund të kontribuojnë studentët që studiojnë jashtë shtetit në kapitalin intelektual të Kosovës për zhvillim? Cili është saktësisht roli i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike? Cilat janë përvojat e anëtarëve të diasporës me institucionet kosovare? A janë adresuar siç duhet të drejtat dhe shqetësimet politike të pjesëtarëve të diasporës? Çfarë kanë bërë institucionet e Kosovës për të shfrytëzuar potencialin e diasporës?

Të enjten, më 19 korrik, në orën 18:00 do të diskutohet për të gjitha këto çështje dhe më shumë në Innovation Centre Kosovo, (rr. Rexhep Mala 28A. Prishtinë, Kosovë).

Për të diskutimin është ftuar Afrim Bekteshi – Zëvendës Ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Liza Gashi – Drejtore Ekzekutive e Germin (OJQ e cila përdorë teknologji dhe kanale virtuale për të lidhur dhe angazhuar anëtarët e Ballkanit Perëndimor të diasporës në avancimin e zhvillimit dhe demokratizimit të vendeve të tyre të origjinës).
Pastaj edhe Osman Osmani – Kryetari i shoqatës profesionale “Prointegra.ch” të Zvicrës (shoqatë e cila është ndërtuar nga profesionistë me prejardhje nga Kosova për çështje migracioni) dhe Adem Ferizaj – MA në Marrëdhëniet ndërkombëtare, Instituti i Studimeve Politike të Parisit (Sciences Po Paris), i rritur në Gjermani. Diskutimi do të moderohet nga Eraldin Fazliu./KultPlus.com

Miratohen dy vendime të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit

Në mbështetje të Ligjit për Diasporën dhe me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën dy vendime me interes për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit; atë për “Përcaktimin e rregullave të hollësishme për kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesëve të Këshillit Koordinues të Diasporës” dhe për ‘Kriteret dhe mënyrën e ndarjes së çmimit ‘Ambasador i Kombit” .

Vendimi i parë lidhet me ngritjen e Këshillit Koordinues, për përfaqësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve me diasporën. Këshilli Koordinues i Diasporës, i cili do të përbëhet nga 15 anëtarë, identifikon problemet e diasporës, i propozon Ministrit përgjegjës për diasporën veprime për zgjidhjen e tyre, përcakton linja orientuese për hartimin e strategjisë për diasporën; etj. Në aktivitetet e Këshillit marrin pjesë Kryeministri dhe ministrat kryesorë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me vlerësimin e pjesëtarëve më të suksesshëm të diasporës me çmimin “Ambasador i kombit”, si edhe përcaktimin e kritereve dhe mënyrën e ndarjes së këtij çmimi. Personave që do t’u akordohet çmimi duhet të kenë dhënë kontribut në fusha të tilla si; veprimtari humanitare; arsim, shkencë e teknologji, kulturë etj. Propozimet lidhur me përfaqësuesit e suksesshëm të cilëve do t’u jepet çmimi, do të bëhen nga Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë të akredituar jashtë vendit./ KultPlus.com

Kësaj radhe ‘DiasporaFlet n’Prishtinë’

‘DiasporaFlet nëpër Kosovë’ vjen me takimin përmbyllës për këtë edicion i cili do të mbahet në Prishtinë e ku do të diskutohet rreth mundësive të bashkëpunimit në mes të profesionistëve të diasporës dhe të rinjëve në vendin tonë, përcjellë KultPlus.

Më datë 18 gusht, në orën 18:00 në lokalin MIQT Pub do të mbahet takimi “DiasporaFlet n’Prishtinë”, me folësit e ftuar: Aneta Mihali Xhiku dhe Mikra Krasniqi, të cilët do të ndajnë me ju përvojën e tyre dhe do të diskutojnë rreth përfshirjes së diasporës në ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Që nga emigrimi me familje në SHBA, para dy dekadave, Aneta Mihali Xhiku ka punuar në arsim si mësuese shkencash, në fushën ligjore si menaxhere e të drejtës intelektuale, si dhe u angazhua me Departamentin e Shtetit Amerikan si dhe kontribuoi në agjenci të ndryshme si përkthyese e gjuhës shqipe. Në viti 2005, ajo bashkëthemeloi dhe drejtoi shkollën e parë shqipe “Mësonjëtorja” në zonën e Washington DC dhe qysh atëherë ka organizuar aktivitete të shumta me komunitetin shqiptar në Amerikë. E sapokthyer në atdhe, Aneta ka nisur të punoj në Shqipëri e Kosovë me projekte zhvillimi. Gjithashtu, ajo u angazhua edhe në fushën e shkrimeve.

Ndërsa, Mikra Krasniqi është ekonomist në departamentin ekonomik të qeverisë së shtetit të Maryland-it në SHBA. Në këtë pozitë, Mikra është i ngarkuar me menaxhimin dhe drejtimin e një sërë projektesh rreth ekonomisë së rajonit dhe me gjerë. Para se të angazhohej në qeveri, Krasniqi kishte shpenzuar mbi 8 vite në sektorin privat dhe në fushën e zhvillimit ndërkombëtar në organizata si: Banka Botërore, Korporata Ndërkombëtare Financiare, Oda Ekonomike Amerikane në Washington DC, etj. Studimet universitare e postuniversitare i përfundoi në universitetin George Mason dhe Universitetin e Harvard-it në Boston. Përmes këtyre takimeve, Germin synon që ta ndryshojë bindjen e njëanshme për diasporën, si dhe të afroj të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve të moshave të ndryshme dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë.

Këto takime kanë për qëllim të njoftojnë nga afër të rinjët nga Kosova me diasporën përmes diskutimeve joformale në mes të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë, për të shkëmbyer eksperiencat dhe njohuritë. / KultPlus.com