Takimi i shkrimtarit e publicistit Agim Gjakova me rotarianët gjakovarë

Shkruan : Blerim Valla

Rotarianët gjakovarë patën një takim të ngrohët dhe miqësor me shkrimtarin e publicistin e njohur Agim Gjakova, në qendrën e re tē pensionistëve të Gjakovës, donacion ky i Klubit Rotary të Gjakovës.

Fillimisht, z. Agim Gjakova para se të rrëfente rrugëtimin e tij jetësorë tejet interesant dhe të bashkëbisedonte me të pranishmit, i dhuroj qendrës tërë kommpletin e veprave të tij (24 libra) të botuara deri tani, libra këta të gjinive të ndryshme. Përveç kësaj rotarianët gjakovarë patën rastin të përjetojnë edhe disa recitime emocionuese nga vet z. Gjakova të disa poezive të njohura të tij.

Më pas u zhvillua një bisedë interaktive mjaft interesante rreth situates aktuale në Kosovë, Shqipëri dhe rajon në shumë fusha që preknin fushëveprimtarinë e A. Gjakovës, sidomos për gjendjen kulturore, letrare, mediale dhe politike të mediave në hapësirën mbarëshqiptare dhe me më gjërë

Në fund kryetari i rotarianëve të Gjakovës z. Agron Abrashi i ndau një mirënjohje z. Agim Gjakova për kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë dhe publicistikës.

Z. Gjakova gjatë këtij takimi duke folur për potencialin intelektual në të gjitha fushat e jetës në Kosovën e pasluftës, por edhe në Shqipëri tha se lë shumë për të dëshiruar. “Të gjitha pozitat me rëndësi këtu por edhe andej kufirit, i delegojnë partitë politike për meritokraci të paqenë e jo pse janë të thirrur për ato poste”!

Duke u përgjigjur një pyetjeje nga një i pranishëm për punën që nuk po e bëjnë arsimi, kultura, mediat,etj por edhe për akulturimin në Kosovë, A. Gjakova theksoi se “ Fajtor për gjithë këtë është politika dhe politikanët tanë! Për këtë e kemi si e kemi gjendjen e artit e kulturës, por edhe të letërsisë dhe mediave.Gjithkush është bërë shkrimtarë e gazetarë. Vetëm Kossva është pa gazeta e revista në mbrë Evropën ! Kemi media, sidomos televizive, të hapura nga dhe për interesa të partive politike, Shiqoni si është katandisur arsimi etj etj. Kosova dhe populli i saj nuk e ka merituar këtë”!   

Ndërsa pyetjes se a ndihet më mirë në Kosovë (në Gjakovë) apo në Shqipëri, Agim Gjakova tha “Ndihem njësoj, si në Shqipëri edhe në Kosovë! Jetën si shkrimtar mes dy kufijve shqipfolës e kam përballuar jo vetëm në vitet e tranzicionit, por edhe gjatë regjimit komunist ku duhej që të përgjigjesha për subjektet e veprave të tij në një nga plenumet e Lidhjes së Shkrimtarëve. Megjithatë, z. Gjakova tha se në të dy vendet është ndier njësojë.  “Më pyesin, si e ndiej vetën në Kosovë, si në Shqipëri? Unë e ndiej veten njësoj, pasi dhe këtu edhe atje kam shoqërinë time. Nuk e ndiej veten ngushtë në asnjë vend. Si shkrimtar gati njëlloj, siç kam qenë këtu gjysmë i injoruar këtu dhe atje, pasi kur punova në shtyp se kam kursyer klasën pseudo-intelektuale të Kosovës. Prej kësaj ka pas përpjekje që të veprën time ta bojkotojnë, por s’kanë mundur”, theksoj ai.

Kurse interesante ishte përgjigjja e tij lidhur me komunikimin e letërsisë shqipe me lexuesin, A. Z. Gjakova u shpreh se interesi që kanë institucionet tona kulturore për ta zhvilluar më tej atë është i vakët. “Më duket sikur është njëlloj, sa i përket mënyrës institucionale, sa i përket letërsisë, si në Shqipëri dhe në Kosovë. Këshilli i Librit nuk është për të vendos sesa lekë duhet dhënë njërit e sa tjetrit, por që ta meritojnë atë vlerësim. Në Shqipëri ende ka mbet e vjetra, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Pra e kam fjalën që është një farë lloj shabllonizmi i institucioneve tona, duke u nis nga universitetet e më tej, që nuk interesohen shumë për gjetjen e talenteve të reja.  Pavarësisht sistemit, në kohën e monizmit inkurajoheshin talentet e reja. Ishin brenda kornizave ideologjike, por interesoheshin për të rinjtë”, përfundoi shkrimtari e publicisti Agim Gjakova.

Agim Gjakova, bir i dy mësuesve dhe patriotëve gjakovarë, u lind në Kavajë. Shkollën fillore edhe të mesme i kreu në Gjakovë. Studimet e larta i kreu në Beograd e më pas në Tiranë kreu letërsinë franceze

 Ai është shkrimtar i dy anëve të kufirit, i cili pas mbarimit të shkollës Normale në Gjakovë, shkoi student në Beograd në fakultetin filozofik. Ndjenjat e tij atdhetare nuk e lanë të qetë edhe atje ku bashkë me shokët e kolegët e tij të tjerë shqiptar formoi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”.

Meqë në vitet ’50-ta, konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë me deklaratat e tija të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës, u dërgua në internim në kampin e Gerovos në Kroaci, kurse në maj të vitit 1960 zyrtarët e UDB-së e dëbuan në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për ish Jugosllavinë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në vitin 1966, kreu studimet në Fakultetin Histori-filologji dega letërsi frenge në Tiranë, mirëpo gjatë gjtihë kohës ishte i ndjekur nga sigurimi i shtetit, ngase nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Përkundër gjithë këtyre peripetive Gjakova arrinë të mbijetoj dhe pas përfundimit të në luftës në Kosovë, u shpërngul në Prishtinë ku edhe jeton dhe vepron.

Agim Gjakova është autor i 22 romaneve, i 12 vëllimeve poetike, i 4 dramave, etj. Kurse i gjithë opusi i tij letrar është përmbledhur në 23 libra voluminozë./KultPlus.com

Poeti Agim Gjakova pranon çmimin “Beqir Musliu” nga Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në shënim të ditëve të lirisë, sot ka bërë ndarjen e cmimit “Beqir Musliu”, për laureatin e sivjetmë Agim Gjakova.

Lutfi Haziri, kryetari Gjilanit, ka thënë se ky çmim sot po jepet nën masa të kufizuara për shkak të gjendjes që jemi duke u përballur ende me pandeminë globale.

“Ditën e çlirimit ne e fillojmë me shkrimtarët dhe e përfundojmë me heronjtë dhe dëshmorët që na kanë dhënë lirinë. Emri i Beqir Musliut është shënuar me shkronja të arta dhe është plasuar në nivelet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare. Urime ditët e lirisë, që i shënojmë me aktivitete të ndryshme dhe me një shënim ndryshe për shkak të Covid-19. Urime për vlerësimin që keni marrë z. Gjakova nga një komision i respektuar në Komunën e Gjilanit”, ka thënë kryetari Haziri.

Poeti Agim Gjakova, e ka falënderuar ekipin nismëtar për ta bërë cmimin “Beqir Musliu” dhe vlerësoi se ai ishte i pari poet i modernes në letërsi dhe publicistikë.

“Ai ka tejkaluar kufijtë e Gjilanit dhe Kosovës me dorëshkrimet e tij dhe sot është një ikonë e fuqishme e vendosmërisë dhe përmbledhjes që ka prezantuar me nivelin e tij të lartë intelektual”, tha Gjakova.

Në prezantimin e tij, Sabit Rrustemi, kryetar i ars klubit “Beqir Musliu”, ka thënë se komisioni i themeluar për ndarjen e këtij cmimi më 11 qershor, në ditëlindjen e Beqir Musliut, ka publikuar vendimin dhe kështu ka thënë se kemi nderuar jetën dhe veprën e Beqir Musliut dhe laureatit Agim Gjakova.

“Gjilani ka një format të fuqishëm në fushën e letërsisë që ka krijuar dhe po e zhvillon edhe më tutje emrin e letrarit të shquar nga kjo anë”, ka thënë ai.

Në emër të familjes, djali i Beqir Musliut, Iliriku, ka falënderuar kryetarin Haziri dhe Komunën e Gjilanit, duke bërë thirrje për botimin e dorshkrimeve të mbetura të babait dhe më vonë në mesin e propozimeve për emërtimin e bibliotekës të trajtohet edhe emri i Beqir Musliut. /KultPlus.com

Agim Gjakova shpallet fituesi i katërmbëdhjetë i çmimit letrar “Beqir Musliu”

Agim Gjakova është shpallur fitues i katërmbëdhjetë i çmimit letrar “Beqir Musliu”, shkruan KultPlus

Ky çmim jepet për nder të jetës dhe veprës së shkrimtarit nga Gjilani, Beqir Musliut.

“Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu”, thuhet në njoftim.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“AGIM GJAKOVA FITUES I KATËRMBËDHJETË I ÇMIMIT LETRAR “BEQIR MUSLIU”

Gjilan, 11 qershor 2020

Shkrimtari Agim Gjakova është shpallur sot fitues i Çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e jep Komuna e Gjilanit, përmes Zyrës së Kryetarit të Komunës, në bashkëpunim me asociacionin alterantiv të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubin “Beqir Musliu”, për përmbushjen e një kariere të begatshme letrare dhe prurje të reja në letërsi.
Fituesi është përzgjedhur nga një juria profesionale letrare, e emëruar nga kryatri i komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, në përbërje: Sabit Rrustemi, Albina Idrizi dhe Nexhat Rexha.

Në një konferencë me gazetarë , fill pas komunikimit të Vendimit të Jurisë, në Zyrën e kryetarit, nënkryetari Arbër Ismajli dke falënderuar Jurinë letrare, Familjen e shkrimtarit gjilanas Beqir Musliut si dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini e Sport si dhe Ars Clubin “Beqir Musliu, që ndikuan në ruajtjen e kësaj vazhdimësie letrare edhe enë këto rrethana pandemike, përgëzoi fituesin e ri, Agim Gjakovën si dhe lartësoi figurën e shkrimtarit të shquar gjilanas, përmes emrit të të cilit që nga viti 2004 e këndej po nderohen pena të shquara të letërsisë shqipe nga mbarë hapësira shqiptare dhe krijuesit tanë nëpër botë.

Gjithashtu, edhe drejtuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, njëherësh dhe kryetar i Jurisë, z. Sabit Rrustemi, e ka vlerësuar lartë veprën e shkrimtarit Agim Gjakova, duke thënë se ky çmim që po i komunikohet sot , pikërisht në datëlindjen e shtatëdheetepesë të Beqir Musliut, është mëse i merituar. dhe, me këtë përzgjedhje nderohet jo vetëm ky fitues i radhës, po edhe vepra e emri i vetë Beqës dhe njëkohësisht, nderohet dhe vendlindja e tij, Gjilani po, natyrshëm dhe letërsia jonë.

“Agim Gjakova është një prej krijuesve tanë më prodhimtar, është autori i 10 -të vëllimeve me poezi, i 8-romaneve për të rritur, disa vëllimeve me tregime për fëmijë e të rritur dhe i disa skenarëve të filmave të realizuar”,po dhe i disa veprave publicistike, të cilat për gati mbi 6 dekada, janë shkruar në tri shtete ballkanike, Kosovë, Serbi e Shqipëri, ku, në secilën veç e veç, Kosova mbetet lajtmotivi i pashmangshëm i tij dhe intenca për një art të mirëfilltë dhe gjurmimi i temave të paprekshme dhe në interes të lexuesit, tha mes tjerash shkrimtari Rrustemi.

Në këtë ngjarje ka folur edhe djali i shkrimtarit Beqir Musliu, Iliriku, i cili ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe Ars Cubin “Beqir Musliu” për punën dhe për nderin që ia kanë bërë babait të tij po edhe këtij qytetit të cilin më i dashuri ynë e deshi aq shumë.

Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi e Edi Shukriu”.

Agim Gjakova që konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë, u burgos tri herë në regjimin e Enver Hoxhës

Për një kohë shumë të gjatë, Agim Gjakova ka qenë mbrojtës i lirisë së fjalës. Në vitet ‘50, ai konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë dhe deklaratat e tij të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës çuan në internimin e tij në kampin e Gerovos në Kroaci.

Në maj të vitit 1960, z. Gjakova u lirua nga internimi dhe u arratis në Shqipëri.

2 vite më vonë, ai dhe 20 kosovarë të tjerë u lejuan të studionin në Universitetin e Tiranës.

Duke qenë poliglot dhe folës i rrjedhshëm i anglishtes, shqipes dhe frëngjishtes, atij iu ofrua pozicioni i drejtorit të Agjencisë Sinuam, pjesë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

Ai kishte 3 nëpunës, roli i të cilëve ishte që të mblidhnin raportet e përditshme nga Kina, gjatë Revolucionit Kulturor.

Pas 3 vitesh e gjysmë, Agimi thotë se ndërveprimet u bënë pothuajse joekzistente, ndërkohë që sensi i tij i humorit dhe pushimet e shpeshta për kafe filluan të bëheshin problem. Për më tepër, ai nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Ishte pikërisht në këtë kohë që mbikëqyrja ndaj Agimit filloi të intensifikohej dhe arriti kulmin e saj gjatë viteve 1969-1971, kur shkrimtari publikoi vetë një koleksion poezish, të cilat ishin frymëzuar nga politika e kohës.

Libri shkaktoi turbullira brenda Partisë. Agim u akuzua nga Lidhja e Shkrimtarëve në Shqipëri për 5 shprehje serioze kundër ideologjisë së PPSH-së. Kur i shkroi një letër drejtuesit të Sigurimit të Shtetit për t’i shprehur shqetësimet e tij, u qortua akoma më shumë për 7 raste të tjera, po ashtu, u rrit niveli i kërcënimeve për burgim dhe internim të familjes së tij.

Sot Agimi reflekton për të shkuarën e tij, duke thënë se ai dhe familja e tij paguan një çmim të madh psikologjik, duke qenë në vëzhgim të vazhdueshëm të syve të shumtë të shtetit.

Sipas tij:

“Një ditë po lexoja gazetën “Drita” dhe gruaja ime po priste bukën, por nuk vazhdonte dot, sepse po qante.

Më tha se kishin arrestuar disa kosovarë. Më tha që “nëse do të duhet të na arrestojnë, shpresoj të më arrestojne mua si kosovare dhe jo ty, sepse ti je më i fuqishëm dhe mund të kujdesesh më mirë për fëmijët tanë.”

Ishin momente shumë të vështira. U përpoqa ta lehtësoj situatën me humor. Kishte gjithmonë provokime nga Sigurimi i Shtetit dhe spiunë të ndryshëm, – mes tyre edhe shokë të mitë të cilët i kam ndihmuar; edhe ata po më spiunonin.

Takohesha me vellezërit e mi kosovarë pa marrë leje nga Sigurimi – gjë e cila ishte e ndaluar, pasi duhet të merrje gjithmonë leje.

Kemi pasur shumë provokime nga spiunë të ndryshëm – edhe nga miqtë të mi që i kam ndihmuar, – por kështu janë ca njerëz, nuk ke çfarë t’i bësh.

I ashtuquajturi komunizëm i regjimit të Enver Hoxhës nuk ishte tamam komunist, se sa diktatorial.

Në fillim, ishte një iluzion që në Kosovë gjërat ishin më mirë për sa i përket persekutimeve dhe ekzekutimeve që ndodhnin këtu (në Kosovë) nga UDB (Policia e Shtetit) e Jugosllavisë. Por pasi u burgosa 3 herë dhe u gjenda në Shqipëri si person i padëshiruar, pashë disa gjëra që nuk shkonin, edhe këtu në Shqiperi.

Më akuzuan se isha kundër politikave partiake, kundër ideologjisë së Partisë, kundër realizmit socialist dhe që isha nxitës lufte. Po me kë doja të filloja lufte une? Më thanë se doja të shkaktoja konflikt me Jugosllavinë. U thashë: “ A jam kaq i fuqishëm unë sa të shkaktoj luftë midis dy vendeve?”. U thashë ta rimendonin këtë absurditet dhe nuk pranova asnjë nga akuzat.

Pastaj filloi izolimi dhe bojkotimi.

Mbikëqyrja u përkeqësua.

U bë më vulgare, por unë vazhdova rrugën time.

Pastaj kishte burgje të ndryshme.

Morën njëherë një grua me 2 vajzat e vogla për shkak të burrit të saj që ishte burgosur, pasi e dënuan se ishte agjent – ai nuk i pranonte akuzat, pasi nuk ishte me të vërtetë agjent. I thoshin se do t’i shohësh gruan dhe vajzat gjallë – e më pas i vrisnin, psh., gjenin mënyra për t’i mbytur dhe për ta bërë të dukej si aksident. Ai thoshte: “Deri këtu keni arritur?” dhe ata i përgjigjeshin “Po”. I pyeste: “Çfarë doni që të firmos? Agjenti i kujt doni të jem, kujt duhet t’i shërbej? Do t’i firmos të gjitha.”

Përdornin këtë lloj presioni psikologjik që të arrinin objektivat e tyre dhe të krijonin armiq.

Sigurimi ishte aty që të krijonte armiq, jo që t’i gjente ata.

Më kanë mbikëqyrur për 30 vjet dhe kjo ishte e gjitha në mënyrë që të më shndërronin në armik, sepse nuk kishin asgjë tjetër kundër meje.

Diktatori donte të krijonte armiq vazhdimisht, që t’i bënte shembull për popullatën dhe t’i mbante në frikë dhe presion.

Mesazhi im është që duhet ta studiojmë historinë, që të mësojmë prej saj dhe që këto gjëra nuk duhen lejuar të përsëriten. Brezat e rinj duhet të mësojnë që mos të lejojnë përsëritjen e mizorive që u kryen në dëm te njerëzve që ishin të vetëdijshëm për sa ndodhte, të cilët janë të nderuar.”

Agim Gjakova lindi më 11 korrik 1935 në Gjakovë të Kosovës. Ai është autor i 32 librave, libri tij i fundit ‘Shtegtimi i Ëndrrës’ është botuar në 2019. Agimi është 84 vjeç dhe jeton në Prishtinë./ Edhe muret kane veshe