Akademia e Shkencave nderon albanologun e shquar gjerman, Johann Georg von Hahn

Në 210-vjetorin e lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nderoi albanologun e shquar Johann Georg von Hahn me një konferencë shkencore.

Seanca e parë e konferencës u çel nga Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi dhe u moderua nga Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Pëllumb Xhufi dhe Seit Mansaku.

Gjinushi tha në fjalën e tij s e”merita më e rëndësishme e Hahnit është se, megjithëse edhe vetë ishte diplomat e konsull, e ndau albanologjinë prej shkencës së dëshirës dhe e ktheu në shkencë të arsyes e të argumentit”.

Veçantia tjetër e Hahnit është se, ndryshe prej paraardhësve, të cilët kishin qenë të detyruar që herët a vonë të merreshin edhe me shqipen, për shkak të domosdoshmërisë së krahasimeve në kuadër të helenistikës, romanistikës apo sllavistikës, ai iu kushtua përjashtimisht kësaj gjuhe, historisë së popullit që e kishte trashëguar, etnogjenezës së tij, pastaj edhe protogjenezës së tij.”, tha akad. Gjinushi.

Sipas tij, “Hahni nuk u mjaftua me pohimin e argumenteve në favor të tezës së vazhdimësisë historike-gjenetike iliro-shqiptare. Ai sistemoi për herë të parë tezën se ilirishtja ishte formuar në mjedisin e një gjuhe tjetër pre-ilire, madje edhe pre-greke, që nuk mund të ishte tjetër veçse gjuha e pellazgëve.”

Prof. dr. Seit Mansaku foli për problemin e  origjinës së gjuhës shqipe dhe të autoktonisë së shqiptarëve në veprën e J. G. von Hahn “Studime shqiptare”, botuar në Vjenë në vitin 1954.

Ai tha se ky libër ka shërbyer si burim për studimet shqiptare në disa fusha nga studiuesit shqiptarë e të huaj. Vepra e tij ishte hyrje në një etapë të re në fushën e gjuhësisë shqipe  dhe etnografisë së shqiptarëve.

Ndërsa Prof. dr. Emil Lafe në kumtesën “Brenga e J. G. von Hahn-it për Shqipërinë dhe shqiptarët e kohës së tij” theksoi se: Hahn-i është vlerësuar lart nga bashkëkohësit e vet për ndihmesën e madhe shkencore në fushën e albanologjisë, ku solli një lëndë të re e mjaft të pasur dhe ndoqi metoda shkencore studimi, të cilat e lejuan të arrijë në një varg përfundimesh, sidomos për autoktoninë e shqiptarëve, që qëndrojnë edhe sot”.

“Historiani Jakob Philip Fallmerayer (1790–1860) ka shkruar: “Zoti Hahn është i pari, e ndoshta i vetmi europian i formuar shkencërisht, që ka shëtitur tërë Shqipërinë, që ka kërkuar edhe në cepat më të fshehtë të këtij vendi, ku hetoi shpirtin, zakonet, mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit me tërë qenien politike të shqiptarëve, që ka mësuar të lexojë, të flasë e të shkruajë gjuhën e shqiptarëve në të dyja dialektet e saj kryesore, dhe që me të drejtë mund të konsiderohet “konkuistador” në fushën e etnografisë dhe të gjeografisë”.

Bardhyl Demiraj në kumtesën “Alfabeti origjinal i Dhaskal Todhrit në fokusin e analizave kulturore-epigrafike të Johan Georg von Hahn-it” pati si objekt të saj alfabetin origjinal të shqipes në disa dorëshkrime që i takojnë gjysmës së parë të shekullit të XIX; të cilat Hahn-i i ka kërkuar, gjetur e siguruar gjatë qëndrimit të tij në Elbasan në vitin 1849.

Demiraj tha se Hahn-i alfabetin e njohur si i Dhaskal Todrit e rroku në fokusin e një studimi të mirëfilltë epigrafik dhe etnokulturor, duke ua përcjell atë rretheve shkencore intelektuale të kohës.

Akademiku Gjovalin Shkurtaj në kumtesën “Ndihmesat pionieristike të Johann George von Hahn-it për dialektet e shqipes e të diasporës shqiptare” theksoi kontributin e Hahn-it me veprën “Studime shqiptare”, si një nga punimet shkencore më me vlerë e shkruar nga të huajt për historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai argumentoi forcën e ndikimit të tezave të Hahn-it për kufirin e dialekteve të shqipes dhe për shtrirjen e shqiptarëve në diasporat e hershme, si studime origjinale dhe të pavaruara, të cilat  ngjallin debate shkencore dhe të shoqëruara me një pasuri të madhe materiali ndihmojnë kërkimet e gjuhëtarëve dhe albanologëve.

Anila Omari në kumtesën  “Lashtësia e dialekteve të shqipes sipas J. G. von Hahnit dhe në studimet e mëvonshme albanologjike” theksoi se teza e Hahn-it mbi lashtësinë e dialekteve të shqipes u rimor në kohën tonë nga profesor Bahri Beci në një varg punimesh të tij ku dallohet artikulli i vitit 1982 “Lashtësia e dialekteve të shqipes”, dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve, si dhe dy punime monografike; “Dialekte të shqipes dhe historia e formimit të tyre” (2002), “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes”, 2019.

Prof. dr. Xhevat Lloshi paraqiti një analizë të imtësishme për leksikun e shqipes në dy fjalorët: J. G. von Hahn (1854) – K. Kristoforidhi (1904), ndërsa Mimoza Kore solli argumente për mbështetjen e e albanologëve të tjerë tek “Fjalori i J. G. von Hahn-it” dhe ndihmën që ka dhënë në fushën e kërkimeve më të zgjeruara.

Seanca e dytë e konferencës u moderua nga Neritan Ceka i cili trajtoi një temë interesante “Arkeologjia në periodizimin sipas Georg von Hahn-it”, dhe nga akademiku Gjovalin Shkurtaj.

Akademiku Pëllumb Xhufi në kumtesën “Malet e Bardha dhe variabli “parthin-alban” i Hahn-it”, trajtoi aftësinë e albanologut gjerman për identifikimin etnik përmes gjuhës të malësorëve shqiptarë të rrezikuar nga asimilimi. / KultPlus.com

‘Fajin ma ka gjuha’ bën bashkë Akademitë e Shkencave të Shqipërisë e Kosovës

 “Fajin ma ka gjuha”, motoja e zgjedhur për këtë “Tetor të librit” ka bërë bashkë në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, dy Akademitë e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, ku u promovua ekspozita me 200 ekzemplarë librash shkencorë.

Të pranishëm në këtë aktivitet të rëndësishëm në kuadër të “Tetorit të librit”, ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, akademikë, profesorë dhe njerëz të letrave.

“Kjo është një ngjarje e rëndësishme kulturore, të vijmë në Tiranë për të prezantuar punën tonë ndër vite. Në Kosovë kemi një emancipim gjuhësor dhe duhet të jemi më aktiv në ngritjen e kulturës së gjuhës”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

“Kosova ka jetuar në një periudhë shumë të gjatë në ambient dygjuhësor, sot është ndryshe. Shqipja është e para, por ende është e diskriminuar, kjo do të tejkalohet, sepse ka shenja pozitive”, vijoi ai, duke e quajtur “Tetorin e Librit” një mundësi të rëndësishme dialogu dhe diskutimesh mbi gjuhën.

Për kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, njohja me kolanën e librave të sesioneve të ndryshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është shumë e rëndësishme për të vendosur arritjet më të mira në hapësirat shqiptare bashkë.

“Gjuha është pjesa më identitare që na bën të ndihemi komb, ajo që i ka bashkuar gjithnjë shqiptarët, ajo që na ka orientuar gjithnjë shpirtërisht dhe historikisht. Shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të këtij gadishulli, e më të zhvilluara, e cila falë aftësive të saj, ka përballuar trysninë e historisë, me vështrimin e hershëm drejt Europës. Ju jeni mbrojtësit më të mirë të kësaj gjuhe, të cilën e keni pasuruar me punën tuaj studimore, erudicionin e mendimit, duke e pasuruar me dhjetëra botime”, tha drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli.

Sipas saj, ardhja e akademikëve të Kosovës në Tiranë është në vijim të përsosjes së raporteve të komunikimit mes dy vendeve, në kuadër të marrëveshjes që dy qeveritë kanë në fushën e kulturës.

Gjatë takimit referuan akademikët Eqrem Basha, Justina Shiroka Pula, Luan Mulliqi, Myzafere Limani.

Të 200 ekzemplarët e librave të autorëve dhe akademikëve të Kosovës tashmë mund të vizitohen në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 1 nëntor./atsh/KultPlus.com