Dy shkrimtarë suedezë të afiliuar me çmimin Nobel për letërsi, braktisin detyrën në shenjë proteste kundër Akademisë Suedeze

Nga Shqiptar Oseku

Gun-Britt Sundström është shkrimtarja e dytë e cila njofton se braktis grupin e punës që përgatit nominimet për çmimin Nobel në letërsi.

Ajo përmend skandalin rreth nobelistit serbofil Peter Handke si shembull se si Akademia Suedeze aludon se letërsia qenka e shkëputur disi nga jeta e politika. “Kjo nuk është ideologji të cilën unë mund ta mbështes”, citohet të ketë thënë Gun-Britt Sundström.

Para saj detyrën e braktisi Kristoffer Leandoer, një tjetër autor e poet suedez, me motivim se nuk janë marrë parasysh vërejtjet e tij. Në grup të punës sot kanë mbetur vetëm tre anëtarë.

Përzgjedhja e autorit Peter Handke si nobelist ka shkaktuar një valë protestash nga figura të kulturës dhe shoqërisë suedeze. Një shkollë suedeze që tradicionalisht është nikoqire e nobelisteve është shkëputur nga festimet e sivjetshme për shkaqe sigurie, pasi shumë nxënës e prindër aty janë nga Ballkani.

Reagimi i Akademisë Suedeze vazhdon të jetë i ftohtë, zëdhënësi i saj shpreh keqardhje për dorëheqjet dhe reagimet por thotë se tashti do shikuar drejt të ardhmes.

Nesër është planifikuar një manifestim i madh qytetar kundër përzgjedhjes së autorit serbofil Peter Handke si nobelist, është konfirmuar se aty do të marrin pjesë një numër i madh i figurave të kulturës, politikës dhe shoqërisë civile suedeze, në një protestë të pashembullt kundër akademisë.

Këshillë: Ndoshta është mirë që autoret e dorëhequr suedezë të ftohen nga dy akademitë shqiptare? / KultPlus.com

Dorëheqje nga Akademia Suedeze për shkak të Handkes

Dy anëtarë të jashtëm të komitetit për Çmimin Nobel për Letërsi janë larguan të hënën nga ky komitet pasi kritikuan Akademinë Suedeze të goditur nga skandali.

Akademia 233-vjeçare u detyrua të prezantojë disa masa të reja pas një skandal seksi ku përfshihej burri i një ish-anëtareje  u përshkallëzua gjë që bëri që të shtynte ndarjen e çmimit për vitin 2018, transmeton KultPlus.

Anëtarët e jashtëm u shtuan për të ndihmuar komitetin Nobel në zgjedhjen e kandidatëve për çmime  gjatë votimit.

Autori Kristoffer Leandoer tha që po largohej sepse ai nuk kishte “as durim dhe as kohë” për të pritur që komiteti të përfundojë reformat e tij.

“Akademia dhe unë kemi një këndvështrim tjetër me kohën, një vit është shumë i gjatë në jetën time dhe shumë i shkurtër në jetën e Akademisë,” shkroi ai në një artikull në Svenska Dagbladet.

Leandoer tha se vendimi i tij nuk ishte i lidhur me atë për dhënien e çmimit 2019 për shkrimtarin e diskutueshëm austriak Peter Handke, për të cilin Akademia ka marrë kritika si brenda dhe jashtë vendit.

Por Gun-Britt Sundstrom tha në një deklaratë të botuar në Dagens Nyheter se zgjedhja e Handkes ishte interpretuar sikur letërsia të qëndronte mbi politikë dhe ajo nuk e ndante këtë pikëpamje, raporton Reuters, transmeton Klan Kosova.

Handke është kritikuar shumë për portretizimin e Serbisë si viktimë gjatë luftërave në Ballkan dhe për pjesëmarrjen në varrimin e ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviq.

Akademia konfirmoi që Leandoer dhe Sundstrom ishin larguar nga komiteti Nobel, i cili deri sot ishte i përbërë nga katër anëtarë të Akademisë Suedeze dhe pesë anëtarë të jashtëm.

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjen e rëndësishme që ata bënë gjatë vitit dhe tani po rishikojmë se si do të organizohet puna e Komitetit Nobel për Çmimin Nobel 2020 në letërsi,” tha Mats Malm, Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze. / KultPlus.com

Akademia Suedeze mbron vendimin për shkrimtarin Peter Handke

Akademia Suedeze ka mbrojtur vendimin e saj, për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi, shkrimtarit austriak, Peter Handke, duke shtuar se ai bëri deklarata proaktive, por nuk e mbështeti gjakderdhjen.

Mirënjohja për Handken ka ngjallur shumë kritika, duke përfshirë të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave të masakrës së Srebrenicës në 1995. Ata po i bëjnë thirrje Akademisë Suedeze të tërheqë vendimin për çmimin.

Handke foli në funeralin ish-presidentit jugosllav Slobodan Milosheviq më 2006. Millosheviq vdiq në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, derisa po zhvillohej gjyqi kundër tij, me akuzat për krime lufte në Ballkan në vitet 1990.

Handke gjithashtu mbështeti liderët serbë të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq, të cilët janë të dënuar për gjenocid në Srebrenicë.

Në një tekst në gazetën suedeze “Dagens Nyheter”, Mats Malm, kreu i Akademisë Suedeze, pranoi që Handke ka bërë “komente provokuese, të papërshtatshme dhe të paqarta për çështje politike”.

Sidoqoftë, ai theksoi se ai nuk e glorofikoi gjakderdhjen dhe e dënoi qartë masakrën e Srebrenicës.

“Akademia nuk ka gjetur asgjë në shkrimet e tij që përbën një sulm ndaj shoqërisë civile ose ndaj respektit për barazinë e të gjithë njerëzve”, shkroi Malm.

Akademia Suedeze citoi një tekst të gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” në vitin 2006, në të cilën Handke theksoi se masakra e Srebrenicës ishte krimi më i keq kundër njerëzimit në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndarja e çmimit Nobel për shkrimtarin austriak, nga ana e Komitetit të Nobelit, kishte ngjallur reagime të shumë institucioneve dhe personaliteteve botërore. /rel/ KultPlus.com