Vepra e Peter Handkes përkthehet në shqip

Ishte polemik disa muaj më parë fituesi i çmimit Nobel për vitin 2019. Ishte përkthyer në shqip dhe kush kishte pasur mundësi ta njihte veprën e tij, ishte me fat.

Ribotimi i tij në shqip do të ngjallte shumë debate në Panairin e Librit, por kërshëria për ta njohur Peter Handken ishte e madhe. Tani, lexuesit kanë mundësi ta njohin edhe më shumë Handken me një histori personale.

Botuesi Petrit Ymeri thotë: “Është një autor që ka ngjallur shumë diskutime, por ne do t’ia japim lexuesit librat e tij. Përveç diskutimeve, është një shkrimtar i madh”.

Është historia e një nëne që vendos të vetëvritet në moshën 50-vjeçare, një ngjarje që lë shenjë në jetën e autorit austriak e që e bën këtë një rrëfim të jashtëzakonshëm të nobelistit.

Por, ky nuk është titulli i vetëm që zbulojmë mes veprave të reja në zyrën e botuesit Ymeri: “Kemi edhe “Gruaja midis nesh”, një roman dashurie dhe intrige”. /Gazeta Sinjali / KultPlus.com

Serbia nuk i ndalë provokimet, e nderon me çmim shkrimtarin Peter Handke

Autoritete serbe e kanë dekoruar shkrimtarin austriak dhe laureatin e Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke për, siç thuhet, “kontributin e jashtëzakonshëm për përfaqësimin e Serbisë në sferën e kulturës”.

Ky veprim pritet të ngjallë reagime në vendet fqinje të Serbisë për shkak të përkrahjes që ky shkrimtar ia kishte ofruar “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

“Për Serbinë, ai është një mik i vërtetë, i dëshmuar edhe gjatë momenteve më të vështira”, tha kryetari i Komisionit të Dekoratave, Sima Avramoviq.

“Ai përzemërsisht e mbrojti të vërtetën serbe edhe atëherë kur atij kjo gjë i shkaktoi shumë mosmarrëveshje dhe shqetësime, edhe pasi e fitoi Çmimin Nobel”, shtoi Avramoviqi.

Vendimi i akademisë suedeze për t’ia dhënë çmimin prestigjioz këtij shkrimtari ishte kritikuar ashpër nga disa shtete dhe nga shumë figura të njohura, shkruan “Free Europe”.

Në shenjë proteste, ceremonia e dhurimit të çmimit ishte bojkotuar nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.

Handke është akuzuar për justifikimin e krimeve të Millosheviqit gjatë luftërave në Ballkan në vitet e tridhjeta. /syri/ KultPlus.com

Lunaçek: S’mund ta kuptoj ndarjen e Nobelit për Handken

Sekretarja e re e shtetit për Kulturë dhe Arte në Qeverinë austriake, Ulrike Lunaçek, në një intervistë për mediat austriake ka thënë se nuk mund ta kuptojë ndarjen e Çmimit Nobel në Letërsi për shkrimtarin austriak Peter Handke, transmeton KultPlus.

“Më parë, kam lexuar shumë gjëra të tij dhe më pëlqente vërtet. Megjithatë, mënyrën se si ai flet për çështje politike ku mijëra njerëz janë në dhimbje të mëdha, unë nuk e kuptova”, potencoi ajo për mediat austriake Kurier, Standard dhe Tiroler Tageszeitung.

“Nuk e kuptova vendimin e jurisë për t`ia dhënë çmimin Nobel”, vazhdoi tutje ajo

Ajo poashtu tha se nuk i kuptoi kurrë deklaratat e Handkes për luftërat në Ballkan.

Fituesi i çmimit Nobel për Letërsi, u ballafaqua me shumë akuza nga vende të ndryshme e persona me ndikim të madh në fusha të ndryshme të artit dhe jo vetëm. / KultPlus.com

Kosova e shpall persona non grata Handken

Pasi Sarajeva e shpalli persona non grata fituesin e Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, një gjë të tillë sot e bëri edhe Kosova.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, këtë e bëri të ditur në një postim në facebook.

“Sot kam vendosur të shpalli Peter Handke si jo të mirëpritur në Kosovë”, shkruan ai.

“Ai është një person non-grata nga sot. Mohimi i krimeve dhe mbështetja e kriminelëve është krim i tmerrshëm”, përfundon Pacolli. / KultPlus.com

Peter Handke shpallet persona non grata në Sarajevë

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, është shpallur sot persona non grata në Kantonin e Sarajevës.

Ky vendim, i iniciuar nga deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), u miratua njëzëri në seancën e sotme nga Asambleja e Kantonit të Sarajevës.

Deklarata dënon dhënien e Çmimit Nobel për mohuesin e gjenocidit të Srebrenicës, ku serbët vranë e masakruan tetë mijë burra myslimanë.

Në deklaratë thuhet se faza përfundimtare e gjenocidit është pikërisht mohimi i gjenocidit, dhe se fituesi i çmimit Nobel në letërsi gjatë agresionit të tij në Bosnjë mbështeti publikisht regjimin serbomadh, me në krye kriminelin e luftës Slobodan Millosheviq, përcjell kp.

“Handke nuk ndryshon pikëpamjet e tij sot, por shkon një hap më tej, duke njoftuar ardhjen e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe vizitën e tij te nënat nga Kravica në afërsi të Srebrenicës”, vazhdon deklarata.

Anëtarët e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës e përshkruan dhënien e Çmimit Nobel për Handke si një ofendim të ri për viktimat, me vlerësimin se vizita e tij në BeH dhe Sarajevë do të shkaktonte poshtërim shtesë për viktimat e agresionit serbomadh. / KultPlus.com

Dy shkrimtarë suedezë të afiliuar me çmimin Nobel për letërsi, braktisin detyrën në shenjë proteste kundër Akademisë Suedeze

Nga Shqiptar Oseku

Gun-Britt Sundström është shkrimtarja e dytë e cila njofton se braktis grupin e punës që përgatit nominimet për çmimin Nobel në letërsi.

Ajo përmend skandalin rreth nobelistit serbofil Peter Handke si shembull se si Akademia Suedeze aludon se letërsia qenka e shkëputur disi nga jeta e politika. “Kjo nuk është ideologji të cilën unë mund ta mbështes”, citohet të ketë thënë Gun-Britt Sundström.

Para saj detyrën e braktisi Kristoffer Leandoer, një tjetër autor e poet suedez, me motivim se nuk janë marrë parasysh vërejtjet e tij. Në grup të punës sot kanë mbetur vetëm tre anëtarë.

Përzgjedhja e autorit Peter Handke si nobelist ka shkaktuar një valë protestash nga figura të kulturës dhe shoqërisë suedeze. Një shkollë suedeze që tradicionalisht është nikoqire e nobelisteve është shkëputur nga festimet e sivjetshme për shkaqe sigurie, pasi shumë nxënës e prindër aty janë nga Ballkani.

Reagimi i Akademisë Suedeze vazhdon të jetë i ftohtë, zëdhënësi i saj shpreh keqardhje për dorëheqjet dhe reagimet por thotë se tashti do shikuar drejt të ardhmes.

Nesër është planifikuar një manifestim i madh qytetar kundër përzgjedhjes së autorit serbofil Peter Handke si nobelist, është konfirmuar se aty do të marrin pjesë një numër i madh i figurave të kulturës, politikës dhe shoqërisë civile suedeze, në një protestë të pashembullt kundër akademisë.

Këshillë: Ndoshta është mirë që autoret e dorëhequr suedezë të ftohen nga dy akademitë shqiptare? / KultPlus.com