Mbi gjysmë shekulli i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shën Petersburg

Bisedë me albanologun e njohur rus, fituesin e çmimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Studiuesi i ri më i suksesshëm”, profesorin Alexandër A. Novik.

Bisedën e realizoi Mimoza Hasani Pllana

Studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe në njërin nga universitetet më të mëdha në Rusi, atë të Shën Petersburgut filluan në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe e themeloi gjermanologia dhe albanologia e njohur ruse, Agnija Vasilevna Desnickaja (1912-1992), në vitin 1957. Prej themelimit deri në fund të aktivitetit të saj krijues Vasilevna Desnickaja udhëhoqi katedrën dhe ishte aktive në studimet gjuhësore indoeuropiane, në veçanti në studimet ballkanike, të gjuhës shqipe, letërsisë shqipe, arbëreshe dhe folklorit shqiptar.

Këto studime Vasilevna Desnickaja përveç se i publikoi në konferenca dhe revista shkencore, i la të botuara edhe në librat: Rindërtimi i elementeve të gjuhës së lashtë shqipe dhe problemet gjuhësore panballkanike (1966), Gjuha shqipe dhe dialektet e saj (1968) dhe Letërsia shqiptare dhe gjuha shqipe (1987). Në librin e fundit përfshihen dialektet e gjuhës shqipe të shumë vendeve ku flitet shqipja, si: Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, Çamëria, etj.

Pasi kujtuam shkurt punën e madhe të gjermanologes, albanologes dhe themelueses së degës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shën Petersburg, Agnija Vasilevna Desnickaja, do të prezantojmë bisedën me albanologun e shquar të kohës sonë Alexander A. Novik, që me përkushtim vazhdon traditën e studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Shën Petersburgut.

Mimoza Hasani Pllana: I nderuar profesor Novik, katedra e gjuhës shqipe në Universitetin e Shën Petersburgut e themeluar nga albanologia e njohur ruse Agnija Vasilevna Desnickaja , tanimë ka mbushur gjysmë shekulli që nga themelimi i saj në vitin 1957. Prej atëherë me qindra studentë kanë vijuar studimet e gjuhës dhe letërsisë shqipe, si është gjendja sot, sa janë të interesuar të rinjtë për studimin e shqipes?

Alexander N.: Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe është themeluar më 1957 pranë katedrës së gjuhësisë së përgjithshme në fakultetin filologjik të Universitetit të Leningradit (nga viti 1991 qyteti quhet prapë Sant Peterburg si në kohën e carit rus Pjetrit të Madh). Dega jonë vazhdon të jetë një nga degët më ekskluzive dhe me përvojë jashtëzakonisht të pasur në mësimdhënie të gjuhës shqipe, të letërsisë shqipe, të etnografisë dhe kulturës shqiptare. Pranojmë studentë në degën tonë një herë në dy vjet, për shembull në këtë vit mësimor ne kemi vitin e parë, vitin e tretë të baçelorit. Pas mbarimit të studimeve gjatë katër viteve ata të rinj që i janë përkushtuar studimeve albanologjike mund të vazhdojnë në master. Në çdo vit mësojnë 5 studentë. Numri i studentëve varet nga planet e Ministrisë së shkencës dhe të arsimit të lartë të Federatës Ruse. Gjuhën shqipe në fakultetin filologjik e studiojnë jo vetëm studentët e degës së shqipes por edhe ata të degës së greqishtes së re, të teorisë së gjuhësisë etj.

Mimoza H.P.: Nga koha kur albanologia e njohur Vasilevna Desnickaja hartoi programet dhe metodologjinë e punës për mësimin e shqipes duke u kujdesur më pastaj edhe për mirëfunksionimin e saj dhe qëndrueshmërinë, sa janë plotësuar dhe zhvilluar ato, apo edhe sot sa përdoren programet e njëjta?

Alexander N.: Programet mësimore sipas planit universitar plotësohen dhe janë në redaktim pothuajse çdo vit. Del nga shtypi letërsia e re, botohen të dhënat të reja në fushën e linguistikës, etnologjisë e kështu me radhë. Ne duhet të jemi në epiqendër të njohurive të reja si në albanologji edhe në ballkanistikë.

Mimoza H.P.: Duke pas parasysh trajektoren e raporteve politike shqiptaro-ruse, sigurisht që edhe qëndrueshmëria e katedrës ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, si është arritur që katedra të funksionojë edhe sot?

Alexander N.: Tek ne në kuadrin universitar vlerësohet kontributi shkencor i çdo pedagogu në fushën e linguistikës, të studimeve të etnokulturës etj. dhe jo konjunktura politike. Prandaj dega e shqipes funksionon pa ndërprerje edhe sot, pas 62 vjetësh.

Mimoza H.P.: Përveç mësimdhënies, jeni nga albanologët e njohur që tanimë është shpërblyer me çmimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Studiuesi i ri më i suksesshëm”, për kontributin e çmuar shkencor në fushën e studimeve albanologjike, konkretisht për monografinë tuaj “Ekspedita në brigjet e Azovit: gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës”, që do të thotë se interesimet tuaja për gjuhën dhe kulturën shqiptare janë të fokusuara tek komuniteti shqiptar që për më shumë se 300 vjet jeton në Ukrainë. Përveç kësaj për lexuesin në gjuhën shqipe keni sjellur studime krahasimtare lidhur me traditën dhe mitologjinë e shqiptarëve të Ukrainës dhe atyre që jetojnë në Shqipëri, a mund të përmendni karakteristikat dhe elementet e trashëgimisë kulturore që ata ruajtën ndër shekuj përfshirë edhe ndikimet e ambientit kulturor ku jetojnë sot?

Alexander N.: Me studimin e diasporës shqiptare në ish Perandorinë Ruse / Bashkimin Sovjetik / Rusinë e sotme dhe Ukrainën e sotme merrem një çerek shekulli. Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës janë shpërngulur nga trojet shqiptare në lindje të Ballkanit (në Bullgari) dhe pastaj në Perandorinë Ruse sipas supozimit tonë në shekullin XVI. Deri në ditët tona shqiptarët e Ukrainës vazhdojnë të flasin shqip – pas 5 shekujsh! Në fshatrat shqiptare të Ukrainës flitet shqip, njerëzit kanë ruajtur vetëdijen etnike (dhe kjo është kryesore!), shumë tradita etj. Ritet e lindjes, ritet e dasmës, ritet e vdekjes kanë shumë paralele me ato të shqiptarëve të Ballkanit. Mitologjia ndër shqiptarë të Ukrainës dhe ata të Shqipërisë dhe Kosovës ka shumë gjëra të përbashkëta, për shembull personazhet mitologjike: gjarpri, vampirë (lugati) etj.

Mimoza H.P.: Nga studimet e shkollës ruse kanë dalë rezultate të vlefshme për gjuhën shqipe, sa janë të mbështetura hulumtimet në fushën e albanologjisë nga Shqipëria dhe Kosova?

Alexander N.: Çdo vit ne organizojmë konferenca shkencore të përbashkëta me homologët tanë nga Shqipëria dhe Kosova. Çdo vit organizojmë studime shkencore në terren: në vitet e fundit në Himarë, Devoll (Shqipëri), në rrethinën e Lipjanit, në Letnicë (Kosovë), në jug të Malit të Zi me popullsinë shqiptare.

Mimoza H.P.: Sa ju frymëzojnë kontaktet fizike me Shqipërinë dhe shqiptarët, a ju ndihmojnë në avancimin e punës që bëni, në veçanti kur kërkohet krijimi i imazheve gjeografike ose kulturore brenda studimeve tuaja?

Alexander N.: Kontaktet fizike me Shqipërinë dhe shqiptarët janë një pjesë e rëndësishme e punës sonë shkencore dhe pedagogjike. Ato kontakte na ndihmojnë të jemi të saktë dhe të sinqertë në studimet tona. Për studimet dialektologjike dhe etnografike kontaktet fizike janë të domosdoshme, pa kontakte të tilla nuk mund të parafytyrosh studime shkencore në terren.

Mimoza H.P.: Po në Kosovë, a keni realizuar vizita dhe bashkëpunime në nivele akademike?

Alexander N.: Në Kosovë kemi kontakte akademike shumë të mira, për shembull me Rexhep Ismajlin, Lindita Rugovën, Bardh Rugovën, Lulëzim Lajçin etj.

Mimoza H.P.: Cili është mendimi juaj për letërsinë dhe kritikën e zhvilluar në Kosovë dhe Shqipëri?

Alexander N.: Letërsia dhe kritika letrare janë shumë të zhvilluara në Shqipëri dhe Kosovë. Mendoj se njerëzit kanë interes për letërsinë artistike, literaturën shkencore, kritikën letrare. Ky fakt është shumë pozitiv.

Mimoza H.P.: Cilët janë autorët e këtyre dy shteteve më të përkthyer dhe vlerësuar në Rusi?

Alexander N.: Në rusisht janë përkthyer veprat e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Diana Çulit etj. Më i famshmi nga autorët shqiptarë në Rusi është Ismail Kadare. Ne duhet të përkthejmë në rusisht veprat e Ag Apollonit dhe Ben Blushit.

Mimoza H.P.: Në përzgjedhjen e teksteve që do t`i nënshtrohet procesit të përkthimit, a bazoheni edhe në mendimet e kritikës letrare, apo përzgjedhja juaj është e bazuar në shijen subjektive?

Alexander N.: Më shumë në shijen subjektive. Nganjëherë kundër mendimeve të kritikës letrare.

Mimoza H.P.: Meqë merreni me përkthimin e teksteve, a mund të veçoni ndonjë element sfidues që vështirëson, apo pamundëson transferimin e teksteve nga shqipja në rusisht?

Alexander N.: Shumë të vështira janë përkthimet e frazeologjizmave, metaforave, fjalive të urta, proverbave; teksteve dhe fjalëve dialektore.

Mimoza H.P.: Duke ju falënderuar për bisedën, a mund të flasim se çfarë jeni duke lexuar apo studiuar aktualisht për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në përgjithësi?

Alexander N.: Kohën e fundit, nga viti 2015 merrem me studimin e vendbanimeve me popullsinë arnaute në rajonin e Rostovit mbi Don, në Rusi. Verën e kaluar kam qenë bashkë me studentët e mi në terren në fshatin Margaritovo. Tani deshifroj mbishkrime të gjetura në tulla të vjetra (supozoj që janë bërë me shenjat e Alfabetit të Veqilharxhit). Gjithashtu merrem me arkivin e ekspeditave tona: të gjitha materialet do të mbeten në Muzeun e Antropologjisë dhe Etnografisë (Kunstkamera) të Akademisë së Shkencave të Rusisë.

Alexander A. Novik, lindi më 1967 në Magadan, në Rusi, më 1992 ka diplomuar për gjuhësi shqipe, ballkanike dhe etnologji, në fakultetin Filologjik në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut. Më 1995, mbaroi studimet pasuniversitare në St.-Petersburg Peter the Great Musem of Antropology and Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë. Më 1997, përfundoi studimet doktorale në Etnologjinë Ballkanike në

St.-Petersburg Peter the Great Musem of Antropology and Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë.

Aktualisht është udhëheqës i departamentit për studime europiane dhe etnografi të përgjithshme në St.-Petersburg Peter the Great Musem of Antropology and Ethnography (Kunstkamera) pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë. Edhe më tutje është ligjërues i filologjisë shqipe dhe etnologji ballkanike në Universitetin shtetëror të St.Petersburgut. Është konsull nderi i Republikës së Shqipërisë për rajonin e St.Petersburgut dhe Leningradit. Është udhëheqës i këshillit të ekspertëve në revistat Protokol dhe Etiketa.

Kërkimet shkencore të profesor Novik i përkasin degëve të ndryshme nga historia e Ballkanit, kultura tradicionale shqiptare, teoria e etnolinguistikës, historia e zejtarisë, historia etnike e Ballkanit, pastaj kultura tradicionale e popujve të Ballkanit si dhe folklori ballkanik.

Deri tani ka publikuar mbi 500 artikuj, duke përfshirë monografi dhe publikime shkencore në revista dhe konferenca ndërkombëtare.

Në vitin 2018, Alexander A. Novik, shpërblehet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me çmimin e parë në kategorinë “Studiuesi i ri më i suksesshëm” për monografinë e tij “Ekspedita në brigjet e Azovit: gjuha dhe kultura e shqiptarëve të Ukrainës”. / KultPlus.com