ALGIERS me koncert në Prizren

Lumbardhi nw bashkëpunim me NO RECESS prezantojnë koncertin e ALGIERS, të cilët do të performojnë në sallën e kinemasë në Lumbardhi-Prizren, të mërkurën, më 7 shkurt me fillim nga ora 20:00.

Koncertin e ALGIERS do ta hapë bendi I TPAME I TVRAME, një duo darkwave / coldwave / minimalwave / shoegaze / post-punk / industrial nga Tirana dhe Prishtina.

Muzika e ALGIERS përmban elemente të post-punk, no wave, blues, gospel dhe muzikës industriale. Muzika e tyre e vlerësuar nga kritikët është jashtëzakonisht politike; ata në këngët e tyre tingëllojnë të shqetësuar, të gëzuar dhe të zemëruar në të njëjtën kohë. ALGIERS shprehin aktivisht kritikë kulturore duke komentuar sferën politike, shoqërore dhe fetare.

ALGIERS është i bazuar në NEW YORK (ShBA) dhe Londër (Britani e Madhe). Grupi u formua në vitin 2009 në Atlanta, Gjeorgji, kur kitaristi Lee Tesche dhe basisti Ryan Mahan, të dy anëtarë të skenës së rock-ut dhe noise-it të qytetit, hasën në vokalistin dhe kitaristin Franklin James Fisher, i cili rrënjët muzikore i kishte në traditën e madhe të muzikës gospel të Deep South, soul-blues të Nina Simone dhe zhanrit funk. Të gjithë anëtarët e bendit luajnë në perkusione e tastierë dhe bëjnë programimin e daulleve.

Drejtori i Lumbardhit, Ares Shporta, shprehet i lumtur që në bashkëpunim me NO RECESS është bërë e mundshme që ALGIERS të performojnë në Prizren, respektivisht te Lumbardhi.

“Bashkëpunimi me NO RECESS është një mundësi e jashtëzakonshme për ta ndërtuar një platformë alternative në Prizren dhe kultivuar një audiencë të re në hapësirën e Lumbardhit. Jemi shumë të entuziazmuar për ardhjen e ALGIERS, por edhe të programeve tjera që do të pasojnë drejt pranverës”, pohon Shporta.

The Underside of Power, albumi i dytë i ALGIERS i publikuar në qershor 2017, është produksion i Adrian Utley dhe Ali Chant nga Portishead, derisa është miksuar nga Randall Dunn (Sunn O)))), me post-produksion nga Ben Greenberg (the Men, Hubble). The Observer e quan ‘fuzion fenomenal të muzikës klasike soul nga të 60-at me eksperimentim post-punk’, derisa ‘Rolling Stone’ e komplimenton si ‘mënyrë e re dhe origjinale për interpretim të blues-it’.

Drejtori i programit të NO RECESS, Alush Gashi, shprehet i lumtur që është bërë i mundshëm bashkëpunimi me ALGIERS dhe se ata do të performojnë në kuadër të serisë muzikore NO RECESS.

“ALGIERS janë një ndër bendet më të respektuara të skenës alternative botërore. Besoj se koncerti në Lumbardh do të jetë pikë referente për artistët tjerë të kësaj fryme muzikore që ta konsiderojnë Kosovën si pjesë e turneve të tyre ndërkombëtare”, shprehet Gashi.

NO RECESS është platformë kulturore e bazuar në Prishtinë, e cila mëton promovimin e shprehjeve alternative artistike në Kosovë, si dhe eksportimin e iniciativave të ngjashme jashtë vendit. Gjatë vitit të parë të themelimit të platformës (performanca e parë ishte më 21 dhjetor 2016 me REPETITOR nga Beogradi), para publikut vendor performuan Marc O’Reilly (IRL), Camera (GER), I Tpame I Tvrame (ALB), Kralj Čačka (Serbi, në bashkëpunim me festivalin POLIP), Desert Mountain Tribe (UK/GER), My Baby (NL), RiB (MK), Bledi Boraku dhe Dritëro Nikqi (ALB/KS), Stray Dogg (SRB), Transformer (UK), Tetris (KS), Chickn (GR), Inaktiv + Uj Pa Gaz (ALB), K-X-P (FIN), Birth Of Joy (NL), A Victim Of Society (GR), Ben Caplan & The Casual Smokers (CAN), Battleme (USA), Otherkin (IRL), AK/DK (UK), si dhe Damo Suzuki, këngëtari legjendar i bendit CAN, i cili performoi në Hamam Bar së bashku me Tetris nga Prishtina më 18 qershor 2017.

Bendi që do ta hapë natën është I TPAME I TVRAME, i përbërë nga Franc Kurti (Tirana) dhe Dina Hajrullahu (Prishtina). Në mars 2017, mini-albumi i tyre i parë “Future Attitude”, i incizuar dhe miksuar nga Bledi Boraku (Tiranë) dhe i masterizuar nga Philipp Läufer (Berlin), është publikuar në audio kasetë dhe digjitalisht nga Black Verb Records (Berlin). Altered EP u publikua në shtator 2017 në limited edition 50 kaseta (25 silver / 25 gold)./ KultPlus.com