U mbajt festivali multietnik “BallkanFest 2022”

Festivali kulturor multietnik i këngëve tradicionale, i folklorit dhe i valleve “BallkanFest – Republika e Kosovës” u mbajt këto ditë në Prizren.

“BallkanFest”, i shtati me radhë, u mbajt me 8 tetor, në Kino Lumbardhi në Prizren dhe u konsideruar si një edicion shumë i suksesshëm

Festivali tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, dhe mbi 200 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje – Republika e Shqipërisë (Ansambli “Mirëdita”), nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia etj.

Festivali u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren”, në mbështetjen e Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Zyrës për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit dhe Drejtorisë së Kulturës së Prizrenit. Vetëm zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe zëvendësministri i Kulturës Sylejman Elshani morën pjesë në këtë ngjarje kulturore.

“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, tha drejtori i festivalit, “BallkanFest –2022”, Hermin Memishi i cili tutje shtoi: “Ballkan Fest bashkon të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës në një vend së bashku me shumicën e shteteve Ballkanike, ku krijon harmoni multienike dhe tolerancë ndëretnike ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe dërgon një porosi paqeje si në Kosovë ashtu edhe në mbarë Ballkanin.” / KultPlus.com

“Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema promovohet në Prizren

 

Figura historike e kinematografisë shqiptare, aktorja Tinka Kurti do të jetë javën tjetër në Prizren, për promovimin e librit “Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti” të autores Anila Mema, përcjell KultPlus.

Libri i cili përmban rreth 40 vite ditar mbi jetën artistike të “Artistes së popullit” dhe “Mjeshtres së madhe”, Tinka Kurti, do të promovohet javën e ardhshme.

Ditarin e shkroi bashkëshorti i saj, muzikanti Palokë Kurti pas çdo premiere teatrore apo filmi, teksa Tinka rrëfente momentet e saj në prova e shfaqje, në skena e shesh xhirime.

Libri është botim i veçantë, mes ditarit dhe albumit fotografik, i shoqëruar me kujtime e rrëfime të panjohura që datojnë që 70 vjet më parë si dhe fotografi origjinale dhe të papublikuara më parë. Në një gërshetim prej shpirti e fryme, ditari paraqet një përzierje mes ndjesive, madhështisë, sinqeritetit, dëshirave, përjetësisë, pikëllimit, intimitetit, suksesit dhe dështimit.

Të pranishmit do të kenë mundësi bashkëbisedimi me aktoren dhe autoren, ndërkohë që disa kopje të librit do të jenë në shitje.

Promovimi i librit bëhet diton e mërkurë, më 12 tetor, nga ora 17:00, te Kino Lumbardhi. / KultPlus.com

Më 17 shtator Robert Bisha sjell premierën “Monade” në Prizren

Fondacioni Lumbardhi ka kënaqësinë të ju ftojë në premierën e veprës “Monade” të kompozuar nga kompozitori, pianisti dhe poli-instrumentalisti Robert Bisha, e ko-komisionuar nga Fondacioni Lumbardhi dhe Filharmonia e Kosovës.

Koncerti mbahet më 17 shtator në Kino Lumbardhi, duke filluar ngra ora 20:00.

Pas performancës në solo piano “Home Neverland” në vitin 2020, Bisha u rikthye në Prizren këtë pranverë për një rezidencë artistike, ku filloi procesin e hulumtimit dhe kompozimit, duke u njoftuar me historinë e Kino Lumbardhit dhe rrethanat e ndryshueshme përgjatë 70 viteve të saj, përmes studimeve dhe takimeve me pjesëtarë të komunitetit artistik.

Duke u nisur nga ky kërkim, ai komponoi “Monade”, një suitë sinfonike për pianoforte, orkestër, kor, solistë instrumente të folkut të rimodernuar dhe kinema, ku kinemaja konsiderohet si nje instrument i përfshirë në orkestër. Kino Lumbardhi merret si epiqendër për shqyrimin e tematikave kyqe që i përkasin historisë së qytetit të Prizrenit.

Kështu, nga perspektiva e kompozitorit, qyteti merret si vend shembullor për angazhimin e tij shoqëror përmes ndryshimeve që kanë nisë te Kino Lumbardhi. Regjisurën e filmimeve të qytetit Bisha i ka realizuar gjatë qëndrimit në Prizren, ndërkohë që ato ndërthurren në një çasje poetike nga regjisorët Blerta Zeqiri dhe Gazmend Bajri për të krijuar ndërveprim instrumental pamor si pjesë të koncertit.

Për premierën e “Monade” me 17 shtator Robert Bisha do të jetë i shoqëruar nga pjesëtarë të orkestrit dhe korit të Filarmonisë së Kosovës që e përkrahën Lumbardhin në këtë iniciativë dhe e mirëpritën suitën, me rast të hapjes së sezonit koncertal.

Bileta/Hyrja: 10 euro

Ky koncert u mundësua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Komunës së Prizrenit. / KultPlus.com

Michelle Gurevich me koncert debutues te Lumbardhi në Prizren

E njohur edhe me emrin e saj të dikurshëm të skenës Chinawoman, Michelle Gurevich është këngëtare dhe kantautore kanadeze muzika e së cilës është e ndikuar nga trashëgimia e saj ruse dhe është përshkruar si rock i ngadalësuar dhe “lo-fi pop”.

Duke manovruar mes retro motiveve madhështore dhe një sinqeriteti befasues, këngët e Michelle Gurevich janë tragjikomike, të drejtuara nga melodia, sentimentale dhe të pezulluara në hijeshi. Ajo ndërthurë humorin me realizmin e errët në baladat e mjegullta dhe intime të lëvruara me tekste prerëse dhe fataliste.

Me performanca që rregullisht mbushin sallat në qytete si Stambolli, Berlini, Varshava dhe Athina, Michelle zë vend të veçantë në diasporën e Evropës Lindore, skenën queer të Berlinit dhe ato me shije për baladrinë melodramatike të Charles Aznavour, Zeki Müren dhe Nikolai Sliçenko.

Michelle Gurevich ka prodhuar gjashtë albume në studio dhe së fundmi ka publikuar këngën e saj më të re “Goodbye My Dictator”, duke krijuar referenca të forta me trashëgiminë e saj dhe situatën aktuale politike në Ukrainë.

Biletat për koncert mund të blihen te Kino Lumbardhi në Prizren, në Bubble Pub në Prishtinë dhe në Radio Bar në Tiranë.

Koncerti i Michelle Gurevich te Lumbardhi mbështetet nga Banka Raiffeisen në Kosovë. / KultPlus.com

Mësuesi në pension, Fazli Kikaj mbetet në paraburgim edhe për një muaj

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për vazhdimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji mësuesit në pension, Fazli Kikajt.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj, i cili ka bërë të ditur se Kikaj mbetet në paraburgim deri më 27 qershor.

“Ndaj të pandehurit F.K., Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm,– Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 26.05.2022,. ka marrë Aktvendim dhe ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 27.06.2022, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ofrim i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç nga neni 231 par. 1 të KP-së”, thuhet në përgjigjen e Lekajt për Sinjalin.

Po ashtu bëhet e ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se me lirimin e Kikajt, ekziston rreziku se i njëjti do të përsëris veprën penale për të cilën dyshohet, të kryejë vepër tjetër penale, apo edhe të dëmtojë provat materiale të cilat duhet ekzaminuar në të ardhmen.

Kujtojmë se Fazli Kikaj u bë kryefjalë e mediave javë më parë pas detajeve tronditëse të publikuara në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital.

Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./ KultPlus.com

Nesër mbahet takimi i parë në kuadër të projektit “Plani i Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren”

Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.

Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com


Rreth 1,8 milionë Euro investime në trashëgimi kulturore në Prizren

Mbi 1,2 milionë Euro është vlera e buxhetit që është duke u investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kurse rreth 490 mijë Euro të tjera përfshihen në buxhetin e projekteve që do të nisin të zbatohen gjatë këtij viti në qytetin e Prizrenit, përcjell KultPlus.

Ministri Hajrulla Çeku i shoqëruar nga këshilltarja, Nora Arapi Krasniqi ishin në vizitë për të parë nga afër punët që po bëhen atje.

Aktualisht po zhvillohen ndërhyrje emergjente në gjashtë asete, ndërsa në kuadër të projektit të Revitalizimit të rrugës Marin Barleti po realizohen punime restauruese në dy shtëpi. Po restaurohen gjashtë shtëpi tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshi kompleksin e banimit të familjes Dorambari, shtëpinë e familjes Bardhi, shtëpinë e familjes Sokoli, shtëpinë e familjes Kabashi, si dhe është në përfundim restaurimi i kinemasë së vjetër të qytetit. Ndërsa kanë nisur ndërhyrjet restauruese edhe në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës.

Ndërsa në kuadër të programit të muzeve, në fushën e trashëgimisë kulturore po vazhdon puna në funksionalizimin e muzeve. Rregullimi i enterierit dhe ekspozitës në Muzeun Arkeologjik ka përfunduar, ndërsa në proces të hartimit është koncepti i ekspozitës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Projektet muzeore në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Kulturës përfshijnë edhe Muzeun e Nënë Terezës dhe Muzeun e Filigranit.

Projekti i radhës nga MKRS-ja është ai i Qendrës Kulturore Hebraike. Punimet për këtë projekt pritet të fillojnë gjatë muajve në vijim, ndërsa po punohet edhe në zbatimin e planeve të menaxhimit të Kalasë së Prizrenit dhe të Qendrës Historike të Prizrenit.

Lokaliteti arkeologjik, si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, i cili gjendet në sheshin e Lidhjes së Prizrenit, është projekti tjetër në cilin po punohet. / KultPlus.com

Rreth 1,8 milionë euro investime në trashëgimi kulturore, Prizreni po bëhet gati për UNESCO

Prizreni është në fokus të programit për mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore si mjet për promovim të vlerave të përbashkëta dhe prosperitetit ekonomik.

Mbi 1,2 milionë euro është vlera e buxhetit që është duke u investuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kurse rreth 490 mijë euro të tjera përfshihen në buxhetin e projekteve që do të nisin të zbatohen gjatë këtij viti.

Aktalisht janë duke u zhvilluar ndërhyrje emergjente në gjashtë asete, ndërsa në kuadër të projektit të Revitalizimit të rrugës Marin Barleti po realizohen punime restauruese në dy shtëpi. Gjithashtu po restaurohen gjashtë shtëpi tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit, përfshi kompleksin e banimit të familjes Dorambari, shtëpinë e familjes Bardhi, shtëpinë e familjes Sokoli, shtëpinë e familjes Kabashi, si dhe është në përfundim restaurimi i kinemasë së vjetër të qytetit.

Sot kanë nisur ndërhyrjet restauruese edhe në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, projekt ky i cili ka qenë në pritje për shumë vite.

Muzetë po i funksionalizojmë. Në kuadër të programit të muzeve, rregullimi i enterierit dhe ekspozitës në Muzeun Arkeologjik ka përfunduar, ndërsa në proces të hartimit është koncepti i ekspozitës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Projektet muzeale në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Kulturës përfshijnë edhe Muzeun e Nënë Terezës dhe Muzeun e Filigranit.

Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm është ai i Qendrës Kulturore Hebraike. Punimet pritet të fillojnë muajve në vijim, ndërsa po punojmë edhe në zbatimin e planeve të meaxhimit të Kalasë së Prizrenit dhe të Qendrës Historike të Prizrenit.

Së fundmi ka filluar hartimi i projektit të interpretimit dhe prezantimit të lokalitetit arkeologjik në sheshin e Lidhjes së Prizrenit dhe këtë vit ky plan do të zbatohet duke e shëndrruar këtë lokalitet në një prej pikave referuese për vizitorët e qytetit. / KultPlus.com

Fillon hartimi i projektit për prezantimin, interpretimin dhe promovimin e Lokalitetit Arkeologjik në qendër të Prizrenit

Ky projekt i Ministrisë së Kulturës realizohet në bashkëpunim me UN-Habitat Kosovë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë vitit 2021 dhe synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor, për zhvillim gjithëpërfshirës të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

Në procesin e hartimit të projektit do të përfshihen banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesionist, në mënyrë që prezantimi final i Lokalitetit Arkeologjik të jetë reflektim i një zgjidhjeje të përbashkët.

Përmes prezantimit, interpretimit dhe promovimit të Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi historike, shkencore, kulturore dhe edukative, synojmë që të ngritet vetëdija për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojmë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor.

Procesi i hartimit të projektit është duke u zhvilluar nga një grup punues i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Departamenti për Trashëgimi Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit.

Në kuadër të inicimit të këtij projekti, grupi punues ka arritur të analizojë dhe diskutojë punën dhe propozimet paraprake, hulumtojë kornizën ligjore dhe dokumentet përkatëse të nivelit qendror dhe lokal, hulumtoj kornizën dhe parimet ndërkombëtare, analizojë gjendjen ekzistuese të hapësirës, përparësitë, mangësitë, rreziqet dhe mundësitë, si dhe të përcaktojë zonën që do të konservohet dhe ekspozohet si pjesë e dizajnit të këtij lokaliteti.

Projekti financohet nga Ministria e Kulturës dhe mbështetet nga UN Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës, të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com

Çeku në takim me komunitetin artistik në Prizren në serinë e diskutimeve të hapura për kulturë

Po vazhdojnë diskutimet mbi reformën ligjore dhe institucionale në kulturë, mes Ministrit Çeku dhe komunitetit artistik.

Takimi i radhës u mbajt në Kino Lumbardhi në Prizren.

Përgjatë dy orësh u diskutua për mënyrën e funksionimit sa më të mirë të artit dhe kulturës në vend. U fol për ndryshimin e ligjit dhe udhëzimeve, ndërtimin e një partneriteti strategjik mes ministrisë dhe skenës së pavarur kulturore, statusin e teatrove amatore dhe mbështetjen e tyre të qëndrueshme financiare. Gjithashtu për promovimin e artit tek gjeneratat e reja, integrimin e dramave të gjuhëve tjera, turke, rome, boshnjake etj, në kuadër të teatrit të qytetit, promovimin më të madh të aktiviteteve kulturore dhe lidhjen e tyre me programet edukative në shkolla.

Po ashtu u fol për çështjen e politikave kulturore për botimin e librave, krijimin e orkestrës simfonike të qytetit, pagat e artistëve dhe instrumentistëve, funksionalizimi i baletit, teatrit të kukullave në Prizren, forcimi i komisioneve vlerësuese për projektet që aplikohet për subvencionim, rritja e monitorimit për mbarëvajtjen e projekteve që subvencionohen duke ashpërsuar monitorimin.

Tema tjera ishin krijimi i artit për publikun, duke rritur dhe zhvilluar audiencën, rritja e fondit për diversitet kulturor, kalendari vjetor i artit për Prizrenin, hapësirat alternative kulturore, ri funksionalizimi i hapësirave publike për ta kthyer artin tek publiku etj.

Diskutimi i radhës do të mbahet në Ferizaj. / KultPlus.com

Hapet “Autostrada Hangar”, i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren

Pas suksesit në edicionin e tretë të Autostrada Biennale, është angazhuar në institucionalizimin e “Autostrada Hangar” si i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren i cili do të filloj me program të saj vjetor.

Kjo hapësirë multi-funksionale cilësohet se do të jetë vend i cili do t’i plotësoj nevojat e komuniteteve të ndryshme duke e konsideruar prodhimin e artit si formë të qëndrueshme e të mësuarit dhe shkëmbimit.

“Autostrada Hangar” synon të gjenerojë bashkëjetesë midis komuniteteve duke punuar dhe prodhuar së bashku si ekip dhe do të angazhohet për të plotësuar nevojën urgjente për edukim joformal dhe programe të zhvillimit të shkathtësive, për të fuqizuar të rinjtë e Kosovës dhe të rajonit.

Hapja solemne filloi me fjalimin mirëseardhës të bashkë-themeluesve të Autostrada Biennale: Vatra Abrashi, Baris Karamuco dhe Leutrim Fishekqiu, të cilët shpalosën procesin e krijimit të Autostrada Hangar, programin e edukimit dhe “Pavijonin e Gjelbërt” si projekt i ri i cili ka filluar në bashkëpunim të ngushtë me ITP dhe do të zgjerohet edhe me partnerët e tjerë.

Fjalimi vazhdoj me pjesëmarjen e Ministres së Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ambasadorit Gjerman në Kosovë, Joeren Rohde, të cilët potencuan rëndësinë e projekteve të tilla të cilat fuqizojnë të rrinjët në Kosovë dhe kontribojnë në zhvillim e qëndrueshëm social dhe ekonomik.

Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren, Autostrada Biennale funksionon me dy shpejtësi: njëra është ekspozita fizike që zhvillohet çdo dy vjet nga viti 2017, tjetra është hapësira e re e edukimit, prodhimit dhe ekspozimit në ish bazën ushtarake të KFOR-it Gjerman tani ITP (Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren).

Përmes edukimit, trajnimit dhe prodhimit të hapur drejt ekspozimit, qëllimi i tyre është të zhvillohen modele të reja të krijimit kulturor që do të inkurajojnë brezin e ri të mendoj në mënyrë kritike për artin dhe të bëhet pjesë e procesit të krijimit dhe instalimit të veprave artistike.

Infrastruktura e re e krijuar me mjete dhe paisje të ndryshme, laboratorin teknologjik, hapësirën e ekspozitës, pavijonin e gjelbërt, bibliotekën, barin dhe kuzhinën, hapësirën e përbashkët pune dhe ambientet tjera, do t’i plotësojnë nevojat e komuniteteve që operojnë në fushën e Industrisë Kreative dhe Kulturore por edhe më gjerë.

Për më tepër, hapësira me dy studiot e saj: Atelenë dhe Laboratorin e Teknologjisë, përmes programit të saj të edukimit do të angazhoj ekspertë në fushat e tyre dhe do të ketë një ndikim afatgjatë tek të rinjtë për profesionet e së ardhmes në lidhje me artin, teknologjinë dhe inovacionin. Më konkretisht do të ketë punëtori të vazhdueshme për zhvillim të shkathtësive në: formësim, dizajnim dhe prodhim të drurit, metalit dhe textilit; komunikim dhe multimedia; punëtori për robotikë, kodim dhe elektronikë; dhe punëtori për 3D modelim dhe 3D printim.

Edhe pse hapësira u përdor si një nga hapësirat kryesore gjatë edicionit të tretë në 2021, ku ishte një vit mjaft i suksesshëm me ekspozitën e tyre ndërkombëtare, programin e zhvillimit të aftësive dhe edukimit, nga tani kjo hapësirë do të jetë në funksion me program vjetor.

“Autostrada Hangar” u mundësua me mbështetjen dhe partneritetin bujar të ITP Prizren dhe Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, FfAI Fondacionit për Iniciativa Artistike, Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, UNKT dhe UNDP, Kreativ Qeramika, Gjirafa50 dhe Birra Peja. / KultPlus.com

‘Zgjoi’ filmi më i shikuar në Cineplexx gjatë vitit 2021

Kinemaja “Cineplexx” ka bërë publike së fundmi filmat më të shikuar gjatë vitit 2021, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Cineplexx, njoftoi se “Zgjoi” ishte filmi më i shikuar këtë vit me plotë 31,920 bileta të shitura në Prishtinë dhe Prizren.

Në anën tjetër, filmi “Fast and Furious 9” arriti që të shiste 15,794 bileta, derisa në vendin e tretë dhe të katërt ishin Tom & Jerry dhe Spider-Man.

Filmi “No Time To Die” i agjentit James Bond zuri vendin e pestë për shikime në Cineplexx.

‘Zgjoi’ paraqet historia e vërtetë e Fahrijes (Yllka Gashit), e cila, si shumë gra të tjera në fshatin e saj patriarkal, ka jetuar me shpresë të zbehur dhe pikëllim në rritje që kur i shoqi u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Për të siguruar familjen e saj në vështirësi, ajo mbledh gra të tjera në komunitetin e saj për të nisur një biznes që shet ajvarin me salcë me piper të kuq. Së bashku ata gjejnë shërim dhe ngushëllim duke menduar për një të ardhme pa burrat e tyre. /KultPlus.com

May be an image of 8 people and text

Mungesa e rrymës për 24 orë i detyron banorët e fashtit Brezene të dalin në protestë (VIDEO)

Si rezultat i mungesës së energjisë elektrike, banorët e fshatit Brezene në rrugën Dragash-Prizren janë “detyruar” që të dalin në protestë, transmeton KultPlus.

Përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, disa banorë shihen të kenë dalur në protestë si revolutë e mungesës së energjisë elektrike.

Problemet me rrymë janë duke u bërë një problem i madh në Kosovës, pasi po lajmërohen ankesa të shumta nga qyetetarët në disa vende.

KEDS në anën tjetër, ka bërë thirrje çdo herë e më shumë që të kursehet rryma, kjo pasi ata po paguajnë shuma të mëdha për të siguruar furnizim të mjaftueshëm.

Në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se do të ofrojë një zgjidhje për energjinë elektrike sa më shpejt që është e mundur. /KultPlus.com

‘Balkan Fest – Kosovë 2021’ – Festivali unik multietnik në Ballkan

Festivali multietnik i këngëve tradicionale “BALKANFEST – Kosovë 2021” i gjashti me radhë, i mbajtur në fund të nëntorit 2021, që këtë vit është mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Prizren ka qene shumë i suksesshem.

Festivali i cili tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, u organizua nga Shoqata për Kulturë “PLEJADA – Prizren”, me mbështetjen e Zyrës së Presidentës të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, , dhe Drejtorisë së Kulturës së Prizrenit.

“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, drejtori i festivalit, “BalkanFest – Kosovë 2021”, Hermin Memisi dhe më tutje shtoi: “BalkanFest bashkon të gjitha komunitetet dhe krijon harmoni dhe tolerancë midis të gjitha komuniteteve. Ky festival promovon paqe dhe u jep një mundësi të gjitha komuniteteve dhe vendeve të Ballkanit, për të prezantuar trashëgiminë e tyre kulturore dhe për t’u afruar me njëri-tjetrin. Vlen të theksohet se në edicionin e këtij viti morën pjesë Shqiptarë, Boshnjakë, Goranë, Turq, Serbë, Romë, Ashkali, Egjiptianë, mysafirë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi dhe nga vende tjera të Ballkanit.

Pra, ky Festival, dërgon mesazhin e paqes, tolerancës, respektit të ndërsjellë dhe harmonisë ndëretnike si dhe paraqet rëndësinë e kulturës dhe traditës për të rinjtë.”

Duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore, ne pasurojmë brezat e ardhshëm! /KultPlus.com

Festivali “Frankofon” po vazhdon me filma në Prishtinë, Pejë dhe Prizren

Festivali i Filmit “Frankofon” po vazhdon shfaqjen e filmave në Prizren, Pejë dhe Prishtinë, shkruan Kult Plus.

Filmi që do të shfaqet sot, i quajtur “L’invitation” nga Glaude Goretta, vë në fokus pjesën e befasisë dhe dashurisë së vjetër.

Përpos Kino Armatë, ky film do të shfaqet edhe në Pejë në Kino “Jusuf Gervalla” dhe në Prizren në “DokuKino” në orar të njëjtë.

Ambasada e Francës është duke realizuar edicionin e 20-të të Festivalit të Filmit “Frankofon” në Kosovë.

Më 15 nëntor është bërë hapja e këtij festivali, derisa më 21 nëntor do të shfaqet filmi përmbyllës “Luanteshat e Kodrës”.

Frankofon ka njoftuar se ky film do të jetë në frëngjisht, por do të shfaqet edhe me titra në gjuhën angleze.

Në komunikatën zyrtare të Ambasadës së Francës thuhet se festivali do të mbahet në disa qytete të Kosovës.

“Nga data 15 deri më 21 nëntor, në Prishtinë, Pejë dhe Prizren, çdo ditë, shpresojmë të shihemi në: Kolegjin AAB, Kino Armata, Institutin profesional ATC, Fondacionin 17, Anibar, Dokufest, për një javë të veçantë në 20 vjetorin e Festivalit të Filmit Frankofon!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Në Prizren mbahet edicioni i 18-të i Festivalit të Stripit dhe Karikaturës

Përgjatë 4 ditëve Prizreni do të jetë nikoqir i Festivalit të 18 Ndërkombëtar të stripit dhe karikaturës që organizohet nga ana e Shoqatës të strip artistëve Kosovar “ Xhennetcomics”, një festival më i njohur për Prizrenin e më gjerë.

Në këtë edicion do të ketë ekspozitë , debat dhe punëtori nga artistët Damir Novak-Kroaci , Kresimir Kvestek-Kroaci, Necmi Yalcin –Turqi , Cengiz Ustun –Turqi dhe artistët vendor. Atë që këtë festival e bën më të veqantë është aritja e suksesit në përkrahjen e artistëve botëror dhe vendorë. Përkundër vështërsive dhe blokadave në luftë me Covid-19 festivali këtë vitë theu rekordin e aplikuesve që dërguan punimet e tyre nga 1021 artisë nga 47 vend botëror me më shumë se 9.000 punime të stripit dhe karikaturës.

Tema e këtij edicioni ështe “ Jeta pas Covid -19,Karantine dhe Divorci” një temë e qëlluar për kohën në të cilën gjindemi. Duke falënderuar artistët botëror punimet e dërguar janë të përshtatshëm për temen dhe fituesët e këtij edicioni janë , Vendin e parë morri artisti Damir Novak nga Kroacia, Vendin e dytë artisti Marijan Avramesku nga Romania,vendin e tretë artisti Saeed Sadeghi nga Irani dhe cmimin special artisti Oguz Gurel nga Turqia.

Në këtë edicion do të jetë edhe prezantimi i stripit të numrit të dytë të stripit Italian “Zagori” dhe kremtimin e 60 vjetorit të botimit të këtij heroi të stripit.Përposë prezantimit të stripit “Zagor” do të jenë të prezantuara edhe botimet e katallogjeve dhe broshurave të artistëve pjesëmarrës.

Si në hapjen dhe ditëve në vijim organizatorët janë duke marrë të gjitha masat mbrojtëse kundër virusit Covid-19 dhe të realizojmë këtë festival duke mos humbur vitin tradicional.

Ky festival mundësohet nga ana e Ministrisë së Kulturës,Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, Departamenti i Kulturës, PDH,Poloni dhe Kosovë,Strip Arti, Comics Land in Kosovo, dhe sponzor medial Ndërkombëtar Indiatoons nga India.

Me shprese që vitin e ardhshëm, përsëri të jemi së bashku dhe të jemi në një vitë pa pa pandemi. / KultPlus.com

Më 7 gusht 1990, Serbia ndaloj botimin e gazetës ‘Rilindja’

Gazeta “Rilindja”, e cila për herë të parë ka dalë më 12 shkurt të vitit 1945 në Prizren, konsiderohet ndër pjesët më të rëndësishme të historisë sonë, si gazeta e parë në gjuhën shqipe në Ish Jugosllavi, shkruan KultPlus.

Më 7 gusht të vitit 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që atë kohë kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës.

Gazeta shtypej në Shtypshkronjën Shtetërore në Prizren nga numri 1 deri në 60-të. Numri 61 i gazetës faqoset dhe shtypet në Prishtinë në Shtypshkronjën Krahinore të Frontit Popullor. Nga 29 Nëntori 1958 “Rilindja” vazhdon rrugëtimin e saj si gazetë e përditshme.

Më 5 shtator 1990, nga pushtetit serb u ndalua botimi i saj, ndërsa pas hyrjes së forcave të NATO-s, më 12 qershor 1999 ajo del përsëri, por këtë here me faqe të shtuara dhe një pjesë e tyre me ngjyra, kurse nga viti 2009 nuk botohet më.

Ani pse gazetë e sistemit, ajo në momente të caktuara ka ditur dhe ka gjetur forcë që të gjejë hapësirë për të dhënë edhe porosi kombëtare. Ajo veçohet për disa aksione me rëndësi për Kosovën, siç ishte rasti për hapjen e Universitetit të Prishtinës e disa aksione të tjera. Veçmas rubrika e kulturës ka prirë për nga autonomia dhe të shkruarit ndryshe për rrjedhat e letërsisë, artit, shkencës, filmit, teatrit e fusha të tjera.

Mund të thuhet lirisht se “Rilindja” ka qenë edhe çerdhe e ngritjes intelektuale pasi ajo ka tubuar në gjirin e saj intelektual në zë që më pastaj kanë bërë emër në letërsinë,artin, shkencën e Kosovës dhe më gjerë.

Si e tillë kujtojmë se ajo meriton një vëmendje më të madhe dhe një iniciativë nga institucionet përkatëse të vendit që ajo sërish të dalë dhe të jetë pjesë e medieve të tjera të shkruara që botohen në Kosovë. Sepse, ajo ishte dhe mbetet pjesë e historisë së Kosovës, me gjithë të metat dhe kritikat që mund t’i bëhen asaj nga kjo distancë kohore. / KultPlus.com

Sot nis edicioni i 20-të i DokuFest, para publikut do të shfaqen 106 filma

Këtë vit DokuFest rikthehet fizikisht për edicionin jubilar, të 20-të i cili do të mbahet nga data 6-14 gusht në Prizren, Kosovë.

Sot festivali nis me prezantimin publik ‘DESTSHTIMI’ nga Ron Haviv duke filluar nga ora 14:00 në KinoKlubi.

Gjatë 32 viteve të fundit Ron Haviv ka qenë dëshmitar i disa prej ngjarjeve historike që kanë përcaktuar kohët tona. Prezantimi i Haviv do të shikojë punën e tij dhe ndikimin e tij nga Amerika Qendrore në Ballkan, Pranvera Arabe dhe Kryengritja në Uashington DC.

Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3.000 aplikimeve, festivali do të prezantoj 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës të cilët do të konkurrojnë në 8 kategori garuese, duke shfaqur disa nga dokumentarët më të mirë si dhe një koleksion të shkëlqyeshëm të filmave të shkurtë dhe atyre eksperimentale, të prodhuar kohëve të fundit. Pothuajse të gjithë filmat që do të shfaqen në festival do të kenë premierat e tyre Kosovare, duke e bërë atë platformën më të madhe të shfaqjes së filmave në vend.

Tema e DokuFest përmban tre fjalë, Re:set Re:mix Re:act, me një nocion qendror që në të vërtetë janë shkronjat RE në rrënjën e këtyre fjalëve. Kështu, festivali do të përpiqet të eksplorojë aspekte të shumëta tē këtyre fjalëve në kontekstin e botë që rishfaqet nga pandemia dhe riimagjinon veten në një situatë të re.

Në sajë të përmirësimit të situatës me Covid-19 në Kosovë, të gjithë filmat në garë pritet të kenë shfaqjet e tyre në kinematë me audiencën. Një numër i zgjedhur filmash do të paraqiten gjithashtu edhe në platformën online të festivalit. / KultPlus.com

Portrete të grave rome në Prizren

Në kuadër të edicionit të tretë të Autostrada Biennale u hap ekspozita “Herstories”. Autorja Małgorzata Mirga -Tas është një artiste rome e arteve vizuale që vjen nga Polonia, shkruan KultPlus.

Ajo bashkë me anëtarët e komunitetit rom nga Prizreni, e kanë veshur një shtëpi pranë lumit Lumbardh, duke e mbuluar atë me një seri të portreteve të grave të jashtëzakonshme rome, vendase dhe ndërkombëtare.

Shpresa Agushi, Nicoleta Bitu, Zinet Galushi, Delaine Le Bas, Esma Redjepova janë gratë të cilat u portretizuan në mënyrë artistike. Kolazhet nga Mirga -Tas janë krijuar me fragmente të pëlhurave të ndryshme.

Shumica e tyre janë marrë direkt nga gardëroba e grave të portretizuara dhe përbëhen nga pjesë të fundeve, shamive apo bluzave të qëndisura mbi perde, rroba të shtratit dhe lecka.

Pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ishte edhe zëvendësministri i MKRS, z. Sejnur Veshall i cili në fjalimin e tij tha që puna në këtë ekspozitë tregon që për gratë rome të cilat ishin dhe janë aktive, që ato punojnë për ndryshim, luftojnë për edukimin e fëmijëve të tyre dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet në mjedisin rom që zakonisht është shumë tradicional. Ekspozita është e hapur për dy muajt e ardhshëm, në Komunën e Prizrenit, në rrugën “Remzi Ademaj”./ KultPlus.com

Viola von Cramon viziton monumentet kulturore të Prizrenit

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka vizituar sot qytetin e Prizrenit.

Cramon këtë vizitë e bëri nën shoqërimin e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku me të cilët vizitoi edhe shumë monumente të trashëgimisë kulturore në këtë vend.

Von Cramon tha se është e nderuar që vizitoi këtë vend, ndërsa shpresoi të mos jetë vizita e fundit atje.

“Faleminderit për ditën interesante në Prizren. Ishte një nder i madh për mua të isha mysafire juaja dhe të vizitoja trashëgiminë kulturore të Kosovës së bashku me kryetarin e qytetit Haskuka dhe Ministrin e Kosovës për Kulturë, Çeku. Shpresoj të kthehem së shpejti. Vend i shkëlqyeshëm për jetën multietnike”, shkroi von Cramon në rrjetin social Twitter./ KultPlus.com

Rregullohen gabimet drejtshkrimore në ‘Muzeun e Dëshmorëve’ në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka treguar se janë rregulluar gabimet drejtshkrimore në pllakën e Muzeut të Dëshmorëve në Prizren, përcjell KultPlus.

Inaugurimi i “Muzeut të Dëshmorëve” në Prizren u bë të shtunën. Ndërsa gabimet drejtshkrimore kishin rënë në sy dhe ishin përcjellë me kritika.

Në pllakë shkruhej Muzeu i Dëshmoreve” dhe “Martys Museum”, në vend të “Muzeu i Dëshmorëve” dhe “Martyrs Museum”.

Por Haskuka në Facebook ka treguar se gabimet janë rregulluar të shtunën.

“Dy pikat e Ë-së rregullohen, por mendjet e disave vështirë. U munduan ta vonojnë e ta sabotojnë hapjen e Muzeut të Dëshmorëve, biznese të lidhura me ish pushtetin. Por ja që nuk e arritën, ngase ne jemi për të punuar e zhvilluar, e jo për të sabotuar e shkatërruar. P.S.: Dje gjatë ditës mbishkrimi është rregulluar”, ka njoftuar kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Haskuka ndërkohë ka rregulluar me “photoshop” edhe te foto që e ka postuar dje në Facebook gjatë inaugurimit të Muzeut të Dëshmorëve ku shiheshin gabimet drejtshkrimore në pllakë. / KultPlus.com

Kur “La Tradition” publikonte këngën shqiptare të shitësit të misrave nga Prizreni

Nga Aurenc Bebja

“La Tradition” ka botuar, me 1 janar 1906, në faqet 15-17, një këngë të veçantë popullore shqiptare, kënduar asokohe rrugicave të Kostandinopojës nga një djalosh 17 vjeçar nga Prizreni me emrin Osman Mustafa, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Këngë popullore nga Konstandinopoja dhe Arkipelagu

I. – Kënga e shitësit të misrave

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Gjatë mbrëmjeve të gjata të dimrit, të rinjtë shqiptarë, nëpër rrugicat e errëta të Kostandinopojës, shesin pije freskuese dhe misra të pjekura. Për të tërhequr vëmendjen, ata këndojnë me zë të lartë ;

I

Ndërsa pjekja misrin,

Dhe po shfryja avujt prej tij.

Zëri im u ngjir i ulëritur nëpër rrugë:

Misër i sapo pjekur !

Pronari përgatit misrin;

Djali kujdeset për shitjen,

Nëse ai nuk e shet atë,

Ai (shefi) do t’i administrojë shkopin!

II

Kjo është kokrra e bizeles së pjekur e shqiptarit;

Ky është hobi i Hanumëve.

Misri i sapo përgatitur.

Shefi përgatit misrin;

Djali kujdeset për shitjen,

Nëse ai nuk e shet atë,

Ai do t’i administrojë shkopin!

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

III

Unë nuk e shita misrin tim;

Unë nuk mund të shpëtoj nga shporta ime;

Sonte në shtratin tim, nuk do të jem në gjendje të pushoj në qetësinë time.

Misër i sapo pjekur…

IV

Unë gjithashtu e shita misrin tim;

Këtë mbrëmje e hoqa qafe shportën time;

Këtë natë në shtratin tim, pushova i qetë.

Misër i sapo pjekur…

V

E kam lexuar Elifin (1) ; Unë e njoh atë përmendësh;

Natën dhe ditën blini shumë misrin tim.

Nesër në mbrëmje, kush e di nëse do të kthehem!

Misër i sapo pjekur…

VI

Nuk shes më boza (2); misri im është shumë i mirë tani.

Nëse nuk e besoni, shijojeni, do ta shihni!

Çdo kokërr peshon njëqind drame (3).

Misër i sapo pjekur…

VII

Kam sjellë misrin nga Selaniku;

Kërcëllon nën dhëmb: ai është shumë i freskët;

Këto janë bilbilat e sarajeve, trëndafilat e Kostandinopojës!

Misër i sapo pjekur…

VIII

Sinan trimi merr hua, duke menduar se nuk do të paguajë;

Pronari im është me të vërtetë i pari në Kostandinopojë;

Ai pjek kokrra bizeleje të një cilësie të lartë dhe i shet me çmim të ulët,

Sepse ai synon të mos shlyejë paratë që merr hua …

Bejlerët janë klientët e tij!

Misër i sapo pjekur…

IX

Misër i sapo dalë nga furra !

Mund të numërojmë kokrrat;

Pas meje fëmijët ndihen keq.

U vjen keq që nuk blenë ca tek unë!

Ata nuk kanë para; nënat e tyre i qortojnë.

Misër i sapo pjekur…

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

X

Shporta ime po digjet; avulli del prej saj :

Misrat janë shumë të freskët!

Fëmijët i shikojnë nëpër dritare: janë misra për tu admiruar!

Misër i sapo pjekur…

XI

Shitësi i misrit ka ardhur; ai po largohet.

Të gjithë blerësit e vlerësojnë atë

Nëse blini ndonjë; paguajini çmimin.

Ja po largohet tregtari i misrit.

Misër i sapo pjekur…

(Kënduar në tetor 1886, në Konstandinopojë, nga Osman Mustafa, atëherë 17 vjeç, tregtar misri, i lindur në Prizren të Shqipërisë).

(1) Alfabeti.

(2) Një lloj pije alkoolike e marrë nga meli me anë të fermentimit, e shitur në dimër nga shqiptarët në rrugët e Kostandinopojës.

(3) Më shumë se 300 gram.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/la-tradition-kenga-e-shitesit-te-misrave-nga-prizreni-ne-rrugicat-e-erreta-te-kostandinopojes-ne-tetor-te-1886/

Nënshkruhet memorandum për organizimin e Autostradës Biennale në Prizren




Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, ka pritur në takim përfaqësuesit e festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, me të cilët ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për organizimin dhe mirëvajtjen e kësaj ngjarje kulturore në Prizren, përcjellë KultPlus.

Nënshkrimi i memorandumit ka për qëllim mbështetjen e festivalit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për të realizuar zhvillimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes artit bashkëkohor.

Drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, u shpreh i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se “aktivitetet e përbashkëta të Autostradës Biennale dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”.

Po ashtu, drejtori Hoxha sqaroi se pikat e bashkëpunimit si pjesë përbërëse e këtij Memorandumi do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore. Ai ka theksuar se promovimi i trashëgimisë kulturore, duke ri-funksionalizuar ndërtesat si hapësira për art bashkëkohor, ngritja e vetëdijes për mbrojtjen dhe promovimin trashëgimisë kulturore si dhe ofrimi i aktivitete të shumta, ku shtjellohen edhe tema sociale si barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe mesazhet të përcjella në gjuhën e artit bashkëkohor, do të nxisin promovimin e zhvillimit e turizmit kulturor dhe do rrisin ndikimin ekonomik për qytetin e Prizrenit.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, falënderoi drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

Ai tha se edicioni i tretë i festivalit do të zhvillohet në përputhje me rrethanat aktuale, dhe do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.

Bienalja Ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, do të mbahet në Prizren, gjatë periudhës 17 Korrik – 11 Shtator 2021. Kjo ngjarje kulturore, filloi për herë të parë nënë vitin 2014, themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës. / KultPlus.com

Muzeu i parë i Artit Bashkëkohor në Prizren do të hapet në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve

Autostrada Biennale është organizata e parë që ka nënshkruar kontratë me ITP për shfrytëzim të hapësirave të këtij parku, ku kanë aplikuar më shumë se 60 organizata e institucione të ndryshme, ku së shpejti do të ketë nënshkrim edhe të 11 kontratave të tjera, përcjellë KultPlus.

Në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve, Autostrada Biennale do të krijojë hapësirën për edukim dhe prodhim. Në një dimension unik të kohës, kjo hapësirë do t’i vë hapat e para drejt krijimit të Muzeut të parë të Artit Bashkëkohor në Prizren, projekt i cili mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.

Në kuadër të këtij projekti, në një sipërfaqe rreth 550m2, do të krijohet hapësirë për edukim jo-formal dhe programe të krijimit të shkathtësive për fuqizimin e të rinjve të komunës së Prizrenit. Veprat e para të prodhuara në këtë hapësirë do të ekspozohen në hapjen e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, me datën 17 korrik 2021, gjatë edicionit të tretë të Autostrada Biennale.

Kjo hapësirë do të shndërrohet në pikë takimi për qytetarët, duke krijuar një impakt socio-ekonomik në zhvillimin e qytetit të Prizrenit dhe vendit në përgjithësi. / KultPlus.com