Pse u asgjësua vepra e Ali Hadrit nga komunistët maqedonas?

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Prishtinë, organet e rendit të ish Jugosllavisë në përgjithësi, e organet e rendit në Republikën Socialiste të Maqedonisë në veçanti, ndërmorën një sërë masash brutale ndaj shqiptarëve, edhe atë pothuaj në të gjitha sferat e jetës së tyre.

Në vitet që pasuan shqiptarët (në Republikën e atëhershme Socialiste të Maqedonisë) ishin në shënjestër të kontrollit total, sa që u krijua përshtypje se policia sekrete hetonte edhe ajrin që ata thithnin.

Me urdhër të organeve komuniste, sidomos kultura dhe arsimi (të cunguara) shqip, iu nënshtruar rishqyrtimit të plotë, duke hartuar platforma, informata e konkluzione, ashtu siç u konvenonte atyre, duke i shpallur jo vetëm shqiptarët, por edhe gjithçka që mbante atributin shqiptar, si element armiqësor, nacionalist e irredentist.

Duhet thënë se, atëbotë, policia maqedonase ishte më brutale se ajo federative e serbe. Në një dokument që gjendet në Arkivin shtetëror (të Maqedonisë së Veriut) e që ka të bëjë me konkluzionet e Dhomës shoqërore-politike të Kuvendit të RS të Maqedonisë, i miratuar në mbledhjen e mbajtur më 27 maj të vitit 1981, lidhur me shqyrtimin e Raportit të punës së Sekretariatit Republikan për Shkencë dhe Arsim, ndër të tjera thuhet se “Dhoma vë në dukje nevojën e rishikimit të plotë të të gjitha planeve, programeve dhe librave, përfshi edhe ato historike, nga këndvështrimi ideor dhe edukativ”, ndërkaq shkak i drejtpërdrejtë për miratimin e konkluzioneve ishte diskutimi që u zhvillua në trupat e Kuvendit të RS të Maqedonisë, në lidhje me “ngjarjet nacionaliste, irredentiste e kundërrevolucionare në KSA të Kosovës dhe në viset tjera të RSFJ”.

Në këtë mbledhje antishqiptare, siç bëhet e ditur në dokument, ndër të tjera do të bëhet fjalë edhe Dr. Ali Hadrin, përkatësisht librin e tij, “Kritikë historiografike”. Bëhej e ditur se libri ishte botuar në vitin 1973, në kuadër të botimeve të “Flakës së Vëllazërimit”.

Komunistët maqedonas kishin konstatuar se “në këtë libër autori Ali Hadri, duke i mbrojtur në tërësi qëndrimet e PKSh-së dhe të historiografisë shqiptare, bën kritikë të ashpër e joparimore ndaj historiografisë jugosllave, duke e vlerësuar atë si joshkencore dhe aspak objektive”, duke shtuar se “që para ngjarjeve nacionaliste dhe irredentiste, ky libër ka qenë lëndë e një kritike të ashpër që është publikuar edhe në shtypin ditor”.

Me këtë rast, bëhet e ditur në dokument, redaksia “Flaka e Vëllazërimit” në janar të vitit 1981 do ta tërheqë librin nga shitja dhe më vonë do të asgjësuan 390 ekzemplarët që kishin mbetur pa u shitur. Jo vetëm kaq, por përmes policisë sekrete, do të ndërmerren masa për asgjësimin e 1600 ekzemplarëve tjerë që gjendeshin nëpër biblioteka.

Pra, pothuaj 2000 ekzemplarë të librit të Hadrit, “Kritikë historiografike”, do të asgjësohen.Duke folur për Dr. Ali Hadrin, në këtë dokument vërejmë se komunistët maqedonas të asaj kohe, që kishin marrë edhe rolin e historianëve, kishin theksuar se “nëpër tubimet shkencore të historianëve jugosllavë, Dr. Ali Hadri kishte sulmuar historiografinë maqedonase si nacionaliste. Sipas tyre, “sulme të drejtpërdrejta i janë drejtuar librit “Historia e popullit maqedonas” për prezantimin aspak objektiv të së kaluarës së popullit shqiptar”, në të cilin libër shqiptarët prezantohesh edhe si “cubat shqiptarë, hajdutët shqiptarë” e ngjashëm. Kështu do të prezantohen edhe më vonë nga të njëjtit, por të maskuar me kostum demokratike, në “Enciklopedinë e Maqedonisë”, e botuar në vitin 2009. / KultPlus.com

90 vjet nga lindja e akademik Ali Hadrit

Nga Donika Hoti

“Aspak nuk do të shqetësohem nëse do të bëhem viktimë e sadizmit politik, sepse edhe në këtë mënyrë do të kem fatin tragjik të popullit tim” – tha akademik Ali Hadri. Vizioni i tij ishte për krijimin e një institucioni të lartë me rëndësi arsimore e shkencore për të promovuar historinë e një populli. Akademik Ali Hadri njihet si themelues dhe drejtor i parë i Institutit të Historisë së Kosovës dhe dekan i parë në departamentin e historisë në Fakultetin Filozofik. Dinte t’i parashikonte diferencimet dhe anamentimet e politikës komuniste të ish-Jugosllavisë. Ky argument tregon arsyen kryesore se si kjo figurë emblematike kishte guximin për të çuar përpara çështjen kombëtare dhe ishte ndikuesi më i lartë në botën akademike shqiptare në Kosovë.

Veprimtaria e tij në fushën shkencore, e sidomos në atë të historisë, e bën të veçohet për kohën mesjetare për arsye se, sipas mendimit të tij, në këtë periudhë kohore u formua shteti shqiptar si struktura më e lartë e vetëdijes shoqërore. Lëvizja Çlirimtare Kombëtare në epokën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut cilësohet si periudha më e lavdishme e historisë mesjetare shqiptare. Një argumentim tjetër i tij rreth kontributit të Lëvizjes Çlirimtare Kombëtare zgjati prej kohës së pushtuesit turk pas betejës së parë shqiptaro-turke në vitin 1371, e njohur si “Beteja e Maricës”. Pas kësaj bejete filloi depërtimi në territorin shqiptar deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 28 nëntor 1912. Ndërsa, mendimi i tij rreth përdorimit të flamurit kombëtar ishte: “E drejta për flamurin kombëtar dhe për përdorimin e lirë dhe të barabartë të tij në një bashkësi shumëkombëshe siç është Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë ka të bëjë me të drejtat elementare kombëtare”.

Figura e tij u përmend në librin “Një histori e shkurtër e Kosovës” i historianit të shquar anglez z.Noel Malcolm duke thënë se:“Intelektuali më prominent i Kosovës dhe viktima e parë e nacionalizmit serb” në spastrimet pas demonstratave të vitit 1981 ishte Ali Hadri.
Personaliteti i Ali Hadrit u vlerësua lart edhe nga Prof.Dr. Akademik Kristaq Prifti në konferencën e organizuar nga Instituti i Historisë kushtuar 80 vjetorit të lindjes së tij, duke potencuar se: “Ali Hadri në gjithë veprimtarinë e tij u angazhua në luftën për mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të shqiptarëve të Kosovës dhe të kombit shqiptar në tërësi”.

Kontributi i tij rreth historigrafisë shqiptare vazhdoi me pasardhësin e tij z.Flamur Hadrin i cili pas viteve 90-ta me mbylljen e institucioneve të larta shtetërore të Kosovës nga regjimi i organeve shtetërore serbe, atëherë një pjesë të shtëpisë së tij u lëshua për të funksionuar “Instituti i Historisë së Kosovës”.
Cila ishte jeta e Ali Hadrit? Ali Hadri u lind me 3 mars 1928 në Lushnjë të Shqipërisë. Shkollimin parauniversitar e përfundoi në qytetin e Gjakovës. Në vitin 1956 u diplomua në degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit dhe pastaj magjistroi në vitin 1960. Fillesat e tij të karrierës janë si mësues, pastaj si profesor në Shkollën Normale të Prishtinës dhe vonë si Ligjërues në degën e Historisë në Universitetin e Prishtinës.
Më 26 dhjetor të vitit 1970 ai mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës desertacionin e doktoratës me titull “Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945”. Kjo ditë vlerësohet si ndër datat më të veçanta të arsimit dhe shkencës shqiptare në Kosovë për arsye se në këtë datë u mbrojt doktoratura e parë në Universitetin e Prishtinës. Ky argumentim vë në pah rëndësinë e punës profesionale, edukative dhe shkencore të figurës së Ali Hadrit.
Karrierën e tij në fushën profesionale dhe shkencore e filloi si profesor, vazhdoi si profesor ordinar dhe pastaj si dekan i departamentit të Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, vazhdoi si drejtor i parë i Institutit të Historisë së Kosovës, ku vlerësohet si themeluesi i këtij instituti së bashku me nxënësin e tij të Shkollës Normale të Prishtinës, Mr.Halil Alidemën.
Ndihmesën në historiografinë shqiptare në Kosovë e vazhdoi duke drejtuar revistën“Përparimi” dhe njëkohësisht duke qenë kryeredaktor i dy revistave shkencore si: ”Gjurmimet Albanologjike” dhe “Kosova”.

Si drejtor i parë dhe themelues i Institutit të Historisë Ali Hadri punoi nga themelimi deri në vitin 1981, kështu menjëherë pas ngjarjeve të zhvilluara politike, sidomos me ngritjen e demonstratave studentore të vitit 1981, bëhet ndër të parët që do të ndeshet me pasojat e diferencimeve ideologjike dhe u përjashtua nga gjitha funksionet e tij, me largim nga Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, redaksitë e revistave të ndryshme shkencore dhe të botimeve shkencore, komisioneve të ndryshme, ndalimin e botimeve të vepra dhe moslejimin e pjesëmarrjeve në tubimet shkencore. Kjo nismë u mor nga organet e larta shtetërore për arsye të mbështetjes së kërkesave të studentëve në demonstratave e filluar me 11 mars të vitit 1981 dhe procesit gjyqësor të “Grupit të Intelektualëve”, të cilët i mbrojti me përkushtim të lartë, në bazë të forcës dhe argumentimit shkencor dhe guximit të tij atdhetar. Ndërroi jetë më 3 dhjetor 1987 në qytetin e Pejës.

Cili ishte roli i tij në fushën shkencore? Ali Hadri si themelues dhe kryetar i Shoqatës së Historianëve në Kosovë në kohën e ish-Jugosllavisë dhe njëkohësisht bashkëpunëtor i numri revistash historike, filloi të kontribuonte në fushën shkencore nga viti 1957, duke i publikuar shumë punime shkencore. Botoi dhjetëra vepra monografike dhe shumë tekste të historisë së popullit shqiptar për nivelin parauniversitar. Ka qenë pjesëmarrës i shumë konferencave dhe simpoziumeve shkencore. Në pjesën më të madhe të punimeve të tij shkencore trajtohet tema e historisë së popullit shqiptar, sidomos gjatë Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe të historisë së Kosovës në mes luftërave botërore.

Në theks të veçantë krijimtaria e shkencore e Ali Hadrit veçohet edhe me shkrimet e periudhës mesjetare shqiptare, ai dallohet me organizimin e Konferencës Shkencore, siç është rasti me Konferencën Shkencore, e cila është mbajtur me 9 deri 12 maj 1968, kushtuar 500 vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut. Ndërsa, një kontribut tjetër i veçantë si drejtor i Institutit të Historisë është botimi i revistës shkencore “Kosova – Kosovo” e cila botohet në gjuhën shqipe dhe serbe. Gjatë udhëheqjes së tij në Institutin e Historisë u organizua edhe edicioni “Në flakën e Revolucionit” në kuadër kësaj u hartuan disa projekte si: studimet monografike dhe botime të përbashkëta të historisë shqiptare në periudha në ndryshme kohore, kryesisht që kanë të bëjnë me shekullin XIX dhe XX.

Cilat janë veprat e tij? Pasqyrë e historisë nacionale shqiptare në vitin 1960 me bashkautor Milan Perkaj, Provinca Autonome e Kosovës së bashku me Dushan Pejanoviq në vitin 1967, Gjergj Kastrioti – Skendërbeu dhe epoka e tij 1968, Lëvizja nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945 në vitin 1971, Kritikë historiografike në viti 1973, Gjakova në Lëvizjen nacionalçlirimtarë në vitim 1974, Këshillat e nacionalçlirimtare në Kosovë 1941-1945 në vitin 1974, Ali Kelmendi (1900-1939) në vitin 1984, Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave e botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve 2003.

Me çfarë çmime u dekorua figura e Ali Hadrit? Rreth veprimtarisë së tij patriotike dhe asaj shkencore u dekorua me këto çmime dy herë u dekoruar me “Çminin Krahinor të Dhjetorit” me “Urdhrin e Meritave për Popull” me “Rreze të Argjendta” dhe “Urdhin e Punës me Flamur të Kuq”.

Me 3 mars të vitit 2008 për nder të 80 vjetorit të tij të lindjes u organizua një Simpozium Shkencor kushtuar “Jetës dhe veprës së Ali Hadrit”, ky organizim u mbajt me bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, të departamentit të Historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me atë rast u shpalosën materialet e pasura me aparaturë shkencore dhe u botua libri me titullin “Jeta dhe Vepra e Ali Hadrit”. Vëllimi i këtij libri ka gjithsej 262 faqe dhe është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë përmban materialet e Akademisë përkujtimore, e cila u organizua nën pantronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës Prof.Dr.Fatmir Sejdiu e mbajtur më 3 dhjetor 2007, me rastin e 20 vjetorit të vdekjes së Akademikut Ali Hadri. Në të janë fjalët përshëndetëse të z.Sejdiu dhe Drejtorit të atëhershëm z.Jusuf Bajraktari dhe dy fëmijëve të tij Lumi dhe Arbër Hadri.

Pjesa e dytë përmban materialet e Simpoziumit Shkencor me 3 fjalime përshëndetëse dhe 19 punime shkencore, një biografi e punimeve të veprimtarisë së zotit Hadrit si dhe fjalët mbyllëse. Pjesa e dytë e supoziumit shkencor u hap nga Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës z.Rexhep Ismaili, si dhe fjalë përshëndetëse nga Drejtori i Institutit të Historisë së Republikës së Shqipërisë Prof.Dr.Marengelen Verli. Pastaj vijuan punimet e 19 studiuesve nga Kosova dhe Shqipëria, të cilat shkrimet e tyre u trajtuan në mënyrë të gjithanshme në aspekte të ndryshme që kishin të bënin me veprimtarinë atdhetare dhe shkencore të akademikut Ali Hadri.
Për nder të 88 vjetorit të lindjes me 3 mars të vitit 2016 u përurua shtatorja e tij në kopshtin e ndërtesës së Institutit të Historisë. Në fjalimin e drejtorit aktual të këtij instituti figura e Ali Hadri u vlerësua shumë lart, duke theksuar se: “Ne e kemi obligim që jo vetëm Akademikun Hadri, po edhe njerëzve të tjerë t’iu ngrejmë shtatore, siç është akademik Fehmi Agani, akademik Gazmend Zajmin, akademik Esat Stavilecin etj., të cilët do të kujtohen përmes shtatoreve dhe do të mbahet gjallë fryma e veprës dhe kontributit të tyre shkencor”./ KultPlus.com