22 libra që nuk duhen lënë pa lexuar, nga ata që të ndryshojnë jetën

Top 22 librat

  1. “Për kë bien këmbanat” – Ernest Hemingueji

Një nga veprat më të mira Heminguejit, “Për kë bien këmbanat” është një roman i botuar në vitin 1940. Libri tregon historinë e Robert Jordan, një specialist shpërthimesh amerikan në Brigadat Ndërkombëtare, i vendosur në një njësi guerilasish republikanë gjatë Luftës Civile në Spanjë (1939 – 1939 ). Ai eksploron një numër temash të tilla si vdekja, dashuria, dhe fanatizmi.

  1. “Zoti i mizave” – Uilliam Golding

Kryevepra e Golding, Zoti i mizave flet për një grup djemsh të mirë britanikë, që kanë ngecur në një ishull të pabanuar, të cilët përpiqen të vetëqeverisen, por me rezultate shkatërrimtare. Në libër, Golding trajton temat shumë të debatueshme të natyrës njerëzore dhe mirëqenies individuale, përkundrejt të mirës së përbashkët.

  1. “Ana Karenina” – Leon Tolstoi

Ana Karenina është një roman i botuar në seri nga viti 1875 deri në 1877. Duke rrëfyer historinë e aristokrates nga Shën Petërsburgu, Ana Karenina, libri eksploron në mënyrë mjeshtërore një sërë temash, nëpër pothuaj një mijë faqet e tij. Një sondazh i vitit 2007 me 125 shkrimtarë bashkëkohorë, e shpalli Ana Kareninën “librin më të bukur që është shkruajtur ndonjëherë”.

  1. “Princi i vogël” – Antoine de Saint-Exupery

I shkruajtur nga aristokrati, shkrimtari, poeti dhe aviatori francez Antoine de Saint-Exupery, Princi i vogël është një novelë shumë popullore e vitit 1943 dhe libri i katërt më i përkthyer në botë. Libri përshkruan me shumë dhembshuri vetminë, miqësinë, dashurinë, dhe humbjen, të përjetuara nga naj princ i vogël që ka rënë në Tokë.

  1. “Manifesti komunist” – Karl Marks dhe Frederik Engels

Një pamflet politik i vitit 1848 nga filozofët gjermanë Marks dhe Engels, Manifesti Komunist pranohet sot si një prej dorëshkrimeve politikë më me ndikim. Ai paraqet një qasje analitike unike ndaj luftës së klasave, problemeve të kapitalizmit, dhe natyrës së shoqërisë e politikës.

  1. “Mbi origjinën e specieve” – Çarls Darvin

I shkruajtur nga shkencëtari anglez Çarls Darvin dhe i botuar në 1859, “Mbi origjinën e specieve” është një vepër letërsie shkencore që konsiderohet edhe themeli i biologjisë evolucionare. I shkruajtur për lexues jo specialistë, ai paraqet një trupë provash se diversiteti i jetës ka ardhur nga linja e zakonshme e trashëgimisë përmes një modeli të degëzuar të evolucionit.

  1. “Zgjedhja e Sofisë” – Uilliam Stajron

“Zgjedhja e Sofisë” është një roman i vitit 1979 nga shkrimtari amerikan Uilliam Stajron. Ai përqëndrohet në vendimin tragjik që Sofia, një katolike polake e mbijetuar e kampeve të përqëndrimit në Gjermani, u detyrua të bëjë pas futjes bashkë me dy fëmijët në kamp. Sofisë iu desh të zgjedhë se cili prej fëmijëve do të jetonte dhe cili do të vdiste.

  1. “Në rrugë” – Nga Xhek Keruak

Libri përcaktuas i brezave të kundërkulturës, së pasluftës. “Në rrugë” është një roman i vitit 1957 nga shkrimtari amerikan Xhek Keruak. Bazuar në udhëtimet e Keruak dhe miqve të tij nëpër Amerikë, libri flet për jetën e lirë, xhazin, poezinë dhe drogat. Ai është zgjedhur nga revista TIME si një prej 100 romaneve më të mirë në gjuhën angleze, nga viti 1923 deri në 2005.

  1. “Të vrasësh zogun përqeshës” – Harpër Li

Romani fitues i Cmimit Pulitzer me autore Harper Li është shndërruar në një klasik të letërsisë moderne amerikane. Me linjën e tregimit dhe personazhet që janë bazuar kryesisht në vëzhgimet që vetë autorja i ka bërë familjes së saj dhe fqinjëve, romani është i njohur për ngrohtësinë dhe humorin, pavarësisht se trajton problemet serioze të përdhunimit dhe pabarazisë racore.

  1. “1984” – Xhorxh Oruell

“1984” është një roman distopik i shkruajtur nga shkrimtari anglez Xhorxh Oruell. Romani i ka të vendosura ngjarjet në një botë të zymtë me luftë të përjetshme, me mbikëqyrje të kudondodhur nga ana e qeverisë dhe manipulim publik, ku individualizmi dhe mendimi i pavarur persekutohen dhe mendohen si “krime”.

  1. “Konti i Monte Kristos” – Aleksandër Dyma

I përfunduar në vitin 1844, Konti i Monte Kristos është një roman aventurë që merret me tema të shpresës, drejtësisë, hakmarrjes, mëshirës dhe faljes. Ai përqëndrohet tek një burrë i cili burgoset pa të drejtë, arratiset nga burgu, fiton një pasuri dhe më pas i hyn rrugës së hakmarrjes për ata që ishin përgjegjës për burgosjen e tij.

  1. “Getsbi i madh” – Skot Fitzxherald

I konsideruar vepra më e madhe e Fitzxheraldit, Getsbi i Madh eksploron temën e dekadencës, idealizmit, rezistencës ndaj ndryshimit, rebelimit social, dhe teprimeve, duke krijuar një portret të Epoës së Xhazit apo viteve Njëzetë, që është përshkruar si një rrëfim paralajmërues për Endrrën Amerikane.

  1. “Alkimisti” – Paolo Koelho

Alkimisti është një roman i autorit brazilian Paolo KOelho, i botuar fillimisht në vitin 1988. Një roman alegorik, ai ndjek një bari andaluzian në udhëtimin e tij në Egjipt, pasi ka parë një ëndërr sikur ka gjetur një thesar atje. Një bestseller ndërkombëtar, Alkimisti është një prej librave më popullorë në histori.

  1. “Të drejtat e njeriut” – Tomas Pein

Botuar në dy pjesë në mars 1791 dhe shkurt 1792, Të drejtat e Njeriut është një prej librave më të rëndësishëm të shkruajtur nga Tomas Pein, një aktivist politik anglo amerikan, filozof, teoricien i politikës dhe revolucionar. Libri merret me Revolucionin Francez dhe të drejtat që i duhen dhënë të gjithë qenieve nejrëzore.

  1. “Një histori e shkurtër e kohës” – Stiven Hoking

Një histori e shkurtër e kohës është një libër i shkencës popullore i vitit 1988 nga fizikani britanik Stiven Hoking. Në libër, Hoking përpiqet të shpjegojë një sërë temash si kozmologjia, duke përfshirë Big Bangun, vrimat e zeza, si dhe konet e dritës për lexuesit jo specialistë. Libri u bë menjëherë shumë i shitur dhe u përkthye në 35 gjuhë, deri në vitin 2001.

  1. “Në egërsinë e natyrës” – Xhon Krakauer

I shkruajtur nga XHon Krakauer në vitin 1996, ky libër është një bestseller ndërkombëtar dhe është botuar në 14 gjuhë. I përdorur gjerësisht në kurikulën e shkollave dhe kolegjeve, libri merret me temat se si të pranohesh në shoqëri dhe se si, ndonjëherë, të gjesh vetveten bie ndesh me të qënit një pjesëtar aktiv i shoqërisë.

  1. “Thertorja Pesë” – Kërt Vonegat

Thertorja-Pesë është një roman satirik nga Kërt Vonegat për Luftën e DYtë Botërore. I konsideruar gjysmë autobiografik, romani bazohet pjesërisht në përvojën e vetë autorit në luftë. Përgjithësisht i pranuar si libri më me ndikim i Vonegat, libri përqëndrohet tek ushtari amerikan Billi Pilgrim.

  1. “Liza në botën e vudirave”

Eshtë një roman aventurash i shkruajtur nga matematicieni anglez Charles Dodgson nën pseudonimin Luiz Karol. Libri luan mjeshtërisht me logjikën, duke i dhënë një popullaritet të madh si tek të rriturit, edhe tek fëmijët.

  1. “Portreti i Dorian Greit” – Oskar Uajlld

I vetmi roman i Oskar Uajlld, Portreti i Dorian Greit është një roman gotik që merret me temat e esteticizmit, dyfishtësisë morale, dhe vetëllastimit. Në vitin 1890 kur u botua fillimisht, ai fyeu ndjeshmëritë morale të lexuesve dhe kritikëve, por sot konsiderohet një prej veprave më të spikatura të shekullit 19.

  1. “Kumbari” – Mario Puco

Kumbari është një roman i famshëm krimi, i shkruajtur nga shkrimtari italo-amerikan Mario Puco. Trajton historinë e një familje mafioze në Nju JOrk, e udhëhequr nga Don Vito Korleone, që u bë sinonim me mafian italiane. Romani mbulon vitet 1945-1955 dhe ofron gjithashtu historinë e të kaluarës së Korleones.

  1. “Ferma e Kafshëve” – Xhorxh Oruell

Një tjetër vepër e madhe e Xhorxh Oruellit. Një roman alegorik dhe distopik i botuar fillimisht në Angli në vitin 1945. Duke kritikuar në mënyrë alegorike komunizmin, libri u refuzua fillimisht nga një numër botuesish amerikanë, por sot konsiderohet një prej librave më me ndikim që është shkruajtur ndonjëherë.

  1. “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” – Ernest Hemingueji

I shkruajtur nga Erih Maria Remark, një veteran gjerman i Liftës së Parë, “Asgjë e re nga fronti i perëndimit” është një roman lufte i botuar në vitin 1928. Libri përshkruan stresin ekstrem fizik dhe mendor të ushtarëve gjermanë gjatë luftës, si dhe shkëputjen nga lufta civile e shumë prej këtyre ushtarëve, pas kthimit në shtëpi.

  1. “Njëqind vjet vetmi” – Gabriel Garsia Markez

E konsideruar vepra më e madhe e Markezit, Njëqind vjet vetmi është një roman i realizmit magjik botuar në vitin 1967, që rrëfen historinë e familjes Buendia. I përkthyer në 37 gjuhë dhe me më shumë se 30 milionë kopje, romani njihet si një prej veprave më të rëndësishme në letërsinë e gjuhës spanjolle. / KultPlus.com

Shtatë gjërat që na i mëson “Anna Karenina”

“Ana Karenina” është një roman romantik tipik i letërsisë ruse, i shkruar plot me detaje që të mbeten në mendje, por që transmeton edhe një ngarkesë të fuqishme emocionale. Ana, personazhi kryesor i veprës, nuk e gjen veten gjëkundi në martesën e saj dhe, pasi një aventurë jashtëmartesore, e gjen veten në shinat e trenit, e gatshme për t’u vetëvrarë për mëkatin që ka bërë.

Nëse gjatë gjithë veprës personazhi i saj transmetonte neveri për atë që i bënte bashkëshortit, në fund gjithsecili nga ne ndjeu dhimbje për vdekjen e saj. Këtë fuqi për të t’i ndryshuar komplet emocionet e kanë shumë pak autorë. Kujtojmë këtu se të njëjtin efekt na ofron edhe Flaubert me “Zonja Bovari”.

Tolstoy duket sikur e ka tejkaluar veten me romanin “Ana Karenina”, pasi i ka falur botës një kryevepër që ka kryesuar kushedi sa e sa klasifikimeve për librat më të mirë. I nisur me fjalinë “Të gjitha familjet e lumtura janë njësoj, ndërsa familjet jo të lumtura janë të gjitha jo të lumtura në mënyra të ndryshme”, Leo Tolstoy na jep këto mësime përmes kryeveprës së tij:

Jo çdo gjë që shkëlqen, është prej ari
Kur 18 vjeçarja Kiti u përball me dy djem që e pëlqenin, ajo zgjodhi Vronskin, në vend të Levinit. Ajo mendonte se Vronski ishte më i paraqitshëm dhe më sharmant, por pavarësisht se ai flirtoi më Kitin, më pas zgjodhi Anën dhe në fund i la të dyja me zemrën të thyer. Ndërkohë Levini, vërtet duket në fillim personazh antipatik për lexuesin, por në fund rezulton një partner shumë besnik.

Divorci duhet të jetë një zgjedhje e pranuar nga shoqëria
Romani është shkruar në një periudhë, kur divorci konsiderohej një tabu. Divorci ishte e kundërta e lumturisë, prandaj dhe përballë një fakti të tillë, Ana nuk divorcohej dot nga bashkëshorti i saj që nuk e bënte të lumtur.

Por nëse e mendojmë mirë, një paragjykim i tillë për divorcin nga shoqëria e asaj kohe, na bën të mbajmë në duart tona një kryevepër të letërsisë botërore. Imagjinoni pak nëse Ana do të ishte ndarë prej bashkëshortit të saj. Sot nuk do të kishim një vepër të kësaj natyre.

Të martohesh në moshë të re, është një zgjedhje jo tepër e zgjuar
Vitet e fundit është vënë re një rritje e moshës mesatare të martesës. Mosha mesatare e martesës për femrat është 27, kurse për meshkujt 29 (në ndryshim nga 23 për femrat dhe 26 për meshkujt në vitet ’90). Ky është një ndryshim shumë i mirë, pasi të dy partnerët janë më të përgatitur për jetën në çift.

Tolstoy ndoshta nuk e parashikoi këtë tendencë të shoqërisë moderne, por ai ka shkruar në vepër për vështirësitë e martesës në moshë të re. Për të nxjerrë në pah pikëpamjet e tij, autori e vendos martesën e Levinit në moshën 32 vjeçare dhe që në fund të romanit, ai rezulton të jetojë më i lumtur se personazhet e tjerë që martohen më të rinj.

Ne nuk e kemi fuqinë të ndryshojmë “ligjet” e shoqërisë ku jetojmë
Ajo që është pjesë e shoqërisë sonë, kërkon kohë të ndryshojë. Normalisht, “ligjet” arbitrare të shoqërisë ishin të padrejta për Ana Kareninën. Të shqetësohesh për të dalluar “të drejtën” nga “e padrejta” është tunduese dhe mund të jetë më pak produktive, se sa të mendosh për një mënyrë pozitive për të bashëpunuar me situatat e padrejta ekzistuese.

Romanca dhe dashuria e vërtetë ekzistojnë
“Ana Karenina” është natyrisht një tragjedi. Një femër rrezikon gjithçka që ka në emër të dashurisë së vërtetë, dhe arritja e një dashurie të tillë është fatale për të. Pavarësisht fundit tragjik, përgjatë gjithë veprës jepen mesazhe të shumta për dashurinë dhe lumturinë.

Levini dashurohet me Kitin që në momentin e parë që e sheh dhe nuk i ndalon përpjekjet e tij për ta bërë për vete, edhe pse ajo e refuzon. Çifti has vështirësi në momentet e para pas martesës, por në fund, krijon një jetë të lumtur bashkë.

Rutina nuk është e mërzitshme
Levini, që është personazhi më pozitiv në vepër, ndiqte një rutinë të njëjtë dhe ishte i lumtur me këtë pjesë, deri në momentin që miqtë e tij borgjezë e nxisnin të ndryshonte stilin e tij të jetesës. Nëse më parë ai zgjohej shpejt dhe bënte punë fizike, ata e shtynin të shkonte në opera, apo të merrte pjesë në gossip. Këto aktivitete ai nuk i pëlqente aspak, pasi ndihej më mirë me rutinën e zakonshme që ndiqte më parë.

Askush nuk jeton një jetë të lehtë
Levini punonte me fshatarët që kishte punësuar dhe thuhet se Tolstoy ka bërë të njëjtën gjë në kohën e tij. Autori hapi shkolla për fëmijët e bujkrobërve të tij dhe i thurrte punëtorëve lavde për meritat e tyre./bota.al /KultPlus.com

‘Ana Karenina’ vjen në Kinemanë Millennium (VIDEO)

Nëse e keni harruar historinë e Ana Kareninës, tashmë do të keni rastin ta rikujtoni atë në kinemanë ‘Millennium’, por këtë herë në një këndvështrim tjetër, në një produksion nga origjina e vetë personazhit. Historia tragjike e dashurisë këtë herë treguar prej kujtimeve të Vronskit do të fillojë të shfaqet prej datës 12 tetor në ekranin e madh të Kinema Millennium.

“Anna Karenina: Vronsky’s Story” është një produksion rus i drejtuar nga regjisori i njohur Karen Shakhnazarov. Drama është një përshtatje e lirë e romanit të Leon Tolstoit që sjell jetën e Ana Kareninës këtë herë të kombinuar me rrëfimin publicistik “During the Japanese War” dhe “Stories about the Japanese War,” shkruar nga Vikenty Veresaev.

Në rolet kryesore interpretojnë: Elizaveta Boyarskaya si Anna Karenina, Maksim Matveyev si Vronsky dhe Kirill Grebenshchikov si Sergey Karenin. Filmi që ka filluar të shfaqet në Rusi në muajin qershor të këtij viti mendohet se do të jetë edhe përfaqësuesi i kinemasë ruse për në garën e Oskarit 2018.

Ana Karenina është një nga personazhet e letërsisë që ka arritur më shumë përshtatje dhe ekranizime në historinë e saj. Filmi i parë është shënuar në vitin 1915, një film pa zë që do të ndiqej nga një version tjetër po i kësaj gjinie në vitin 1918 por tashmë si një produksion hungarez. Jeta e Kareninës do të vinte më pas në film ”Love” (1927) dhe në Anna Karenina (1935). Përsëri Anna Karenina vjen në ekranin e madh më 1948 në një produksion italo-anglez që do të pasohet në vitet në vijim nga veriosne indiane dhe arabe. Vetëm në vitin 1967 do të vijë produksioni rus “ Anna Karenina” që do të pasohet edhe nga tre versione të tjera kinematografike me të njëjtin titull në vitet 1985, 1997 dhe 2012 për t’u kthyer sërish në Rusi me produksionin më të fundit “ Anna Karenina” (2017). Personazhi i Tolstoit dhe historia e saj janë bërë frymëzim edhe për seritë televizive si: “Anna Karenina” (1977) dhe “Anna Karenina” (2000). Frymëzimi nuk është vetëm në botën e kinemasë dhe televizionit por edhe opera, e muzikale si: “ “Anna Karenina” (1978 opera), “Anna Karenina” (1992 muzikal) dhe Anna Karenina(2005 balet) dhe “Anna Karenina” (2007 opera). / KultPlus.com