Autorët shqiptarë në letërsinë austriake

                       

Bisedë me Anton Markun, poet dhe veprimtar për promovimin e letërsisë shqipe në Austri 

Bisedoi: Mimoza Hasani Pllana

Mimoza Hasani Pllana:  Marrëdhëniet letrare shqiptaro-austriake prej themelimit janë zhvilluar pa shkëputje. Meritë për këtë vazhdimësi janë padyshim shtetasit austriakë, por edhe ata shqiptarë, që kontribuan për promovimin dhe pasurimin e vlerave letrare të letërsisë shqipe, në këtë vend. Kjo trashëgimi e gjerë po vazhdon edhe me punën tuaj, duke qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, si dhe i klubeve letrare shqiptare dhe austriake, pëmes të cilave keni arritur të përktheni për lexuesin austriak një numër të konsiderueshëm të veprave letrare shqipe. A mund të na flisni për trendet dhe binarët e përkthimit të letrave shqipe, prej kohës kur jeni pjesë e kësaj fushe? 

Anton Marku: Të shkruash do të thotë të mendosh, të dialogosh me vetveten, të hysh në thellësi të botës tënde, të komunikosh me të tjerët, të shprehesh për realitetin objektiv dhe atë fiktiv në mënyrë artistike. Personalisht, përpos disa sprovave, ende nuk kam filluar që aktivisht të merrem me përkthime letrare nga gjuha shqipe në atë gjermane dhe anasjelltas. Deri para dy viteve, krijimet e mia, qoftë në prozë apo në poezi, kam tentuar t’i përkthej dhe për shtatë vetë, ndërsa korrigjimet ia kam besuar një autori gjermanofolës, sidomos Peter Paul Wiplinger-it, njërit ndër shkrimtarët më të njohur austriakë, mik i shqiptarëve dhe anëtar nderi i Lidhjes se Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ (LShKShA). Në dy vitet e fundit kam filluar që të shkruaj direkt në gjuhën gjermane dhe ato shkrime të ndryshme t’i lexoj po në këtë gjuhë para publikut austriak. Në anën tjetër, një pjesë e konsiderueshme e autorëve shqiptarë në Austri në dhjetë vitet e kaluara kanë përkthyer librat e tyre në gjuhën gjermane dhe atë proces e ka bërë të mundur, kryesisht nga Dr. Kurt Gostentschnigg, përkthyes, albanolog, poet dhe njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe. Një përkthyese tjetër, shumë e mirë në Austri, është edhe Adrea Grill.

M.: Në takimet e ndryshme letrare ku ju jeni pjesë, anëtarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, të PEN Klubit të Austrisë dhe pjesëmarrës të tjerë prej komunitetit letrar nga vendet e ndryshme (pra në takimet e zakonshme me përfaqësim shumëkombësh dhe shumëkulturor), si vlerësohet letërsia shqipe krahas letërsive të vendeve tjera europiane, çfarë e përafron dhe e dallon?

A.M.: Në njëfarë mënyre autorët shqiptarë kanë sjellë risi në letërsinë austriake, si për nga temat që trajtojnë, stili i shkrimit apo qasja ndaj fjalës së shkruar, si shenjëzim estetik. Kjo dhe është një ndër arsyet kryesore që letërsia shqipe, jo dhe aq e njohur në këtë shtet, po vlerësohet çdo ditë e më shumë, si vlerë e shtuar.Me letërsinë e vendeve tjera europiane atë po e përafrojnë harmonia mes mendimeve, larmia e narracionit, meditimi reflektiv apo mesazhi artistik, por edhe pasuria e figurave stilistike, si metafora, simboli, krahasimi, etj.  Dallimet, kryesisht kanë të bëjnë me faktin se letërsia shqipe që krijohet në diasporë është në një masë të madhe patriotike, politike e me tone melankolike, e cila shumë rrallë ia ka dalë të lirohet nga historia, temat e luftës dhe nostalgjia për ‘‘kohërat e vjetra’’. Ajo ende po ka vështirësi që të transformohet, reformohet dhe përshtatet me trendet dhe kahjet ligjërimore, që sot po ndodhin në letërsinë bashkëkohore, e cila sot shkruhet shkurt, qartë; është më dinamike, më reale, precize, shumëdimensionale, universale, më e hapur, më përparimtare dhe më avangardiste.

M.: Bazuar në përvojën tuaj disavjeçare në funksion të njohjes dhe promovimit të letërsisë shqipe në shtetin austriak, cilët janë autorët shqiptarë më të lexuar?

A.M.: Për fat jo të mirë, jo shumë shkrimtarë shqiptarë janë të përkthyer në gjuhën gjermane dhe të njohur në Austri. Përjashtim bëjnë emrat e mëdhenj të letërsisë shqipe, si Ismail Kadare, Martin Camaj, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Besnik Mustafaj, Kasëm Trebeshina, Kim Mehmeti, etj. Nga brezi më i ri njihen veprat e Lindita Arapit, Beqë Cufajt, Shaip Beqiri, Jeton Neziraj, Ilir Ferrës, Anila Ëilms, Jeton Kelmendit, etj.  M.: Si qëndrojnë marrëdhëniet tuaja me qendrat e mëdha shqiptare, sa bashkëpunoni me organizatat simotra: institucionet nga Kosova dhe Shqipëria? A.M.: LShKShA është bashkëthemeluese e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKShM), e cila u krijua në vitin 2013 dhe në kuvendin konstituiv, të së cilës  morën pjesë autorë shqiptarë nga 13 shtete të botës. Që nga ajo kohë ne takohemi së paku dy herë në vit: një herë në Gjermani, ku gjendet dhe selia e LKShM dhe gjatë muajit gusht në Kosovë dhe Shqipëri, përgjatë ‘‘Muajit të Mërgatës’’. Deri më tani kemi mbajtur disa orë letrare, përurime librash, konkurse letrare, si dhe kemi botuar disa antologji, ndër të cilat vlen të veçohen ato për Shën Terezën dhe Gjergj KastriotinSkënderbeun. Po ashtu, edhe pse rastësisht, e jo shumë i strukturuar, nuk mungon  bashkëpunimi me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe PEN Klubin e Shqipërisë.

M.: Duke qenë se jeni poet dhe deri tani keni publikuar disa libra me poezi, si dhe jeni përfaqësuar në disa antologji në gjuhën gjermane, si e vlerësoni procesin e përkthimit të poezisë shqipe në gjermanisht; sa është e vështirë dhe e mundur që të ruhet origjinaliteti i poezisë shqipe gjatë përkthimit në gjuhën gjermane?

 A.M.: Procesi i përkthimit në cilëndo gjuhë është sa specifik aq dhe kompleks. Përkthyesi duhet të jetë njohës shumë i mirë i të dy gjuhëve, mundësisht të jetë edhe vet krijues, t’i mbetet besnik sa më shumë që është e mundur orgjinalit, por dhe t’i japë vetes lirinë që të përdorë nuanca dhe variante alternative gjuhësore, që do ta pasuronin veprën, gjithnjë pa rrezikuar që të humbet kuptimi i saj. Konsideroj se një ndër të tillët ishte dhe tashmë i ndjeri Hans-Joachim Lanksch, që ka realizuar përkthime në gjermanisht të shumë autorëve të poezisë shqipe. Ajo çfarë në asnjë rast nuk do të duhej të ndodhte është përkthimi i drejtëpërdrejtë, fjalë për fjalë, i një teksti nga një gjuhë në tjetrën. Edhe mua më ndodh, që të kem përshtypjen se ndonjë nga poezitë e mia të shkruara në gjuhën amtare nuk e kanë fuqinë e njëjtë të shprehjes, estetikën, ngjyrën, tingullin dhe elegancën e njëjtë në gjuhën gjermane. Ajo, që në këto raste bëj është të lëviz apo zhvendos ndonjë fjalë, të shkurtoj apo zgjas ndonjë varg, apo dhe të përdor ndonjë sinonim, në mënyrë që në gjuhën tjetër krijimi të jetë sa më i kuptueshëm për lexuesin.

M.: Meqë janë disa vite që jetoni dhe veproni në Austri, si i vlerësoni marrëdhëniet shiptaro-austriake nga fusha e Albanologjisë dhe Filologjisë? Cilat janë ngjarjet dhe emrat më të spikatur austriakë, që gjatë historisë kontribuan në këto dy fusha për ndërtimin e urave në mes dy kulturave?

A.M.: Albanologët gjermanofolës, sidomos ata nga Austria ishin prijetarë të shkencës së albanologjisë, filluar nga Johannes Georg von Han, Gustav Mayer, Norbert Jokli, Franz Nopsca, Maximilian Lambertz, etj. Që në vitet e hershme të shk XVIII, ata treguan interes të jashtëzakonshëm, për gjuhën dhe kulturën shqipe, duke botuar studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes; kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes. Po ashtu, një numër i madh i albanologëve të shquar shqiptarë, po ashtu studiuan në Austri. Ndër ta, si më të shquarit, dallohen: Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Pekmezi, etj. Në lidhje me këtë temë, përmes hulumtimeve dhe shkrimeve të paraqitura në disa të përditshme tona, kontribut të madh është duke dhënë publicisti Hazir Mehmeti, i cili ka vite që jeton në Vjenë.

 M.: A mund të na thoni çfarë jeni duke punuar aktualisht  në funksion të njohjes së letërsisë shqipe nga lexuesi austriak? 

A.M.: Me themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, në vitin 2011, krijuesit shqiptarë në Austri, më në fund arritën të kenë: një adresë të tyre, një emër, një shenjë dalluese, një ‘‘kulm mbi kokë’’, qoftë ai dhe virtual. Lidhja u vu në jetë nga entuziazmi i themeluesve të saj dhe për një periudhë të shkurtër kohore arriti që të identifikojë, anëtarësojë mbi 30 krijues/e nga të gjitha rajonet e Austrisë. Në dy vitet e para të veprimtarisë së saj u organizuan më se 20 orë letrare në gjuhën shqipe, jo vetëm në Vjenë, por dhe në qytetet të tjera, si Linz, Graz, Salzburg, Wiener Neustadt, Baden, Kapfenberg, Knittelfeld, etj. Nga viti 2013 orët letrare, tashmë mbahen në të dy gjuhët, atë shqipe dhe gjermane. Që nga ajo kohë, anëtarët e Lidhjes kanë botuar mbi 40 libra individualë, ndërsa u publikuan edhe dy antologji të përbashkëta, po ashtu në të dy gjuhët ‘‘Illyrcum 1’’ dhe ‘‘Illyricum 2’’. Në anën tjetër u vendosën, u thelluan kontaktet dhe bashkëpunimi me shtëpi botuese, institucione shtetërore, organizata joqveritare, etj. LShKShA qëllim parësor ka promovimiin e kulturës, e sidomos artit dhe letërsisë shqiptare në Austri, si dhe krijimin e urave të miqësisë me autorë vendas dhe të huaj që jetojnë në këtë vend.   Që nga viti 2013 marrim pjesë në manifestimet ‘‘Javët e Integrimit në Vjenë’’ dhe në ‘‘Muajt e Kulturës Shqiptare në Austri’’, madje duke organizuar orë letrare në gjuhën gjermane, e në të cilat ftojmë autorë gjermanofolës dhe me prejardhje të huaj, të cilët jetojnë në këtë shtet mik.

Anton MARKU, u lind më 1971 në Gjakovë. Shkollën fillore, të mesme dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe, e mbaroi në Gjakovë. Studimet Universitare i përfundoi në Prishtinë, ndërsa në Vjenë përfundoi studimet master në shkencat politike.  Jeton dhe punon në Austri, ku është anëtar i PEN Klubit të Austrisë, i shoqatës ‘‘IG-Autorinnen und Autoren’’, këshillit redaktues të revistës ‘‘Ëords and Ëorlds‘‘,  i klubit letrar në Vjenë ‘‘Der Kreis’’, i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ në Vjenë, i Lidhjes Ndërkombëtare të Shkrimtarëve IËA Bogdani etj. Ka botuar libra me poezi në gjuhën shqipe, disa prej të cilëve janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, ruse, arabe, kroate dhe rumune./KultPlus.com