Apollonia, parku arkeologjik çdo ditë tërheq shumë vizitorë

Parku arkeologjik i Apollonisë është shndërruar një destinacion i preferuar jo vetëm për vendasit por edhe për turistët e huaj.

Edhe pse jemi në stinën e verës dhe shumica i drejtohen plazheve në parkun e aplogjisë gjen gjithmonë vizitorë

“Unë jam nga Spanja , vij për herë të parë këtu. Më pëlqen Shqipëria, më pëlqen Apollonia”.

“Unë quhem Natali. Unë vij nga Moldavia. Jetoj në Vlorë prej 3 vitesh. Punoj  për një agjenci turistike. Më pëlqen Shqipëria .Bukuritë e saj ia kam treguar edhe miqve të mi. Pasi shumë prej tyre nuk e njohin Shqipërinë, madje ka pasur opinione dhe përshtypje për një vend jo të sigurt, por është e kundërta”- shprehen turistët.

Drejtoresha e Parkut arkeologjik të Apollonisë thotë se numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm.

“Këtë vit ka pasur rritje të dukshme me mbi 30%. Vizitorët janë vendas dhe të huaj për akticitete të shtuma”- shprehet Ornela Durmishaj.

Gjatë gjithë vitit në park zhvillohen aktivitete të shumta të cilët kanë tërhequr edhe më shumë vizitorët./TopChannel/KultPlus.com

Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez: Ja si i zbulova rrënojat e Apollonisë

Nga Aurenc Bebja

“Comœdia” ka botuar, të martën e 1 nëntorit 1932, në ballinë, intervistën ekskluzive të gazetarit dhe shkrimtarit Pierre Lagarde me Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez në Shqipëri, në lidhje me zbulimet asokohe në Apolloni, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Si zbuloi një dhelpër shqiptare rrënojat e Apollonisë së lashtë

Zbulimet e bukura të një arkeologu energjik francez z. Léon Rey

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Dielli përvëlon rrugën. Një re pluhuri, pas nesh, varet mbi ullinjtë, pastaj ngadalë shtrihet, si një vello dembele dhe ngjyrë gri, mbi tokën e thatë.

Këtu, dy zogj ndjekin njëri-tjetrin me një fluturim të pjerrët. Aty, shpërthen nga bardhësia një shtëpi e humbur, me peristilin e saj me kolona katrore.

Dhe befas, në cep të një hapësire të mbuluar nga hija e një lisi të mrekullueshëm, një tabelë e vogël në prag të një shtegu : Apollonia.

***

Apollonia! Qyteti i themeluar nga kolonët e Korkyrës (Korfuzit), gjashtë shekuj para erës sonë. Gurët janë aty. Gurë, kolona, shkallë, fragmente arkitekture që kazmat dhe lopatat zbulojnë çdo ditë e më shumë.

Dhe ja, zoti i vendit : z. Léon Rey.

Është një gjë mjaft prekëse, kur udhëton, kur sapo ke kaluar Italinë, Siçilinë, Maltën, Jugosllavinë, të takosh papritur atje, në Shqipëri, në anën tjetër të Adriatikut, këtë francez që ka vendosur çadrën dhe flamurin e tij në Pojan, afër Fierit.

Dy francezë — Heuzey dhe Daumet — ishin të parët, në 1861, që identifikuan me njëfarë saktësi vendodhjen e mundshme të Apolonisë. Ata kishin zbuluar në një manastir aty pranë, antikitete që ishin dëshmi. Por, nëse do të kishin ndonjë arsye për të pohuar: Apollonia është atje, toka, të paktën, e kishte mbajtur sekretin e saj, deri në ardhjen e një francezi tjetër që vazhdon punën e tyre : z. Léon Rey.

I gjatë, me një sy të gjallë, me mustaqe të shkurtra trekëndore, një gjest të shpejtë dhe të përzemërt, një helmetë koloniale që i bënte hije tipareve energjike të fytyrës së tij.

Para se të vinte këtu, Léon Rey kishte bërë gërmime në Maqedoni; Tani ai drejton gërmimet e Misionit Arkeologjik Francez në Apolloni. Dhe pikërisht me krenarinë e drejtuesit më bën të vizitoj rrënojat.

Një portik i gjatë i ndarë në dy galeri paralele, me kollonat që stolisin kapitelet jonike, me një formë harmonike që nuk gjendet askund tjetër; një Odeon kurioz i pajisur, siç dëshmohet nga struktura e tij, për evolucionin e koreve; një Auditorium për lexime, me stolat e tij, mbi të cilët Augusti ka ardhur me siguri të ulet dhe të mësojë…

— Ne zbuluam gjithashtu, më tha z. Léon Rey, statuja shumë të bukura : një burrë me një togë, një grua si muzë dhe një tjetër si Ceros, të dyja pa kokë, por të mbështjella me veshje të bukura stofi, një kokë burri me flokë kaçurrela, një kokë e një gruaje të re e cila duket se është e krehur sipas modës së “Directoire”, vazo të çmuara…

Ju nuk do të shihni asnjë nga këto. Statujat, kokat dhe vazot ndodhen në Fier, në arka dhe presin përfundimin e ndërtimit të muzeut që do t’i strehojë.

Ah, sikur të dinit gjithçka që gjendet ende këtu poshtë.

Dhe Léon Rey godet thembrën e tij në tokë, tokë kjo e cila gradualisht ia zbulon misterin e saj.

— Por çfarë vështirësish. Shikoni këtë Auditorium të nxjerrë në dritë këtu. Ky mur është gjashtë metra i trashë. Dhe aty, këto zgavra (vendstrehime) të pambuluara, kanë një formë të rrumbullakët, ndërsa në Athinë, për shembull, kanë formë katrore. E gjithë kjo është për t’i rezistuar shtytjes së tokës! Kodra po rrëshqet! Çdo vit, gërmimet e mia mbulohen! Dhe, sikur nuk mjafton, guri është i sëmurë dhe po shkërmoqet në ajër!

Ne kalojmë mbi boshte kolonash, fragmente muresh.

— Çdo gjë që mund të qëndrojë atje poshtë, çdo gjë do të mbesë. Dhe mjetet në dispozicion të misionit tonë nuk do të më lejojnë të zbuloj gjithçka që ka.

Një lloj keqardhje ndihet nëpërmjet intonacionit. Një lloj hidhërimi kalon, si shigjetë, nëpërmjet shikimit.

Por Léon Rey nuk është nga ata që ankohen (dorëzohen). Njeri aksioni mbi të gjitha, ai vepron. Dhe tashmë, ai mendon për copën e tokës që do të gërmojnë nesër, atje, pranë atyre dy gurëve të qoshes që bashkojnë, pa çimento, disa lidhëse prej hekuri…

— Kërkimet e para, thotë përsëri, i kam bërë në vitin 1924. Në fillim nuk gjeta asgjë. Dhe a e dini se si arrita në zbulimin e rrënojave të para nëntokësore të Apollonisë? Duke ndjekur një dhelpër.

Po e ndiqja kur papritmas u zhduk. Strofulla e saj, pa dyshim. Por krejt papritur, e shoh përsëri dhelprën time njëzet metra më tutje, ndërsa unë ende po e vrojtoja në dalje të strofullës së saj!

Kështu, përkulem, shqyrtoj këtë strofull të çuditshme, i jap disa goditje me kazëm dhe zbuloj një fragment të kanalizimeve të lashta të Apollonisë, që dhelpra ime e njihte shumë përpara meje!…

Dhe Léon Rey përqafon me sytë e tij, jo pa një butësi plot krenari, këto rrënoja që zbuloi dhe nga të cilat vazhdimisht nxjerr në dritë gjurmë të reja: Odeonin, portikun, Auditoriumin e Apolonisë.

Si nuk mendoi qeveria — nuk mund të mos e mendoja kur u largova nga Léon Rey dhe nuk mund ta shmang ta them sot — të nderonte këtë njeri që nga ana tjetër e Adriatikut kontribuon, duke ringjallur Apoloninë, në prestigjin dhe shkëlqimin e Francës ?

Zogu I, mbreti i Shqipërisë, e bëri Komandant të Urdhrit të Skënderbeut.

Por z. Léon Rey nuk është ende Kalorës i Legjionit të Nderit…

***

Dhe pikërisht në momentin kur i shkruaj këto rreshta, ndoshta atje, afër Fierit, nën diellin që praron ullinjtë dhe që shpërfytyron selvitë, Léon Rey, drejtor i misionit arkeologjik francez, zbulon atje, në tokën shqiptare, një monument të ri apo një statujë të re…

Pierre LAGARDE

https://www.darsiani.com/la-gazette/comoedia-1932-leon-rey-drejtor-i-misionit-arkeologjik-francez-gazetarit-dhe-shkrimtarit-pierre-lagarde-ja-si-i-zbulova-rrenojat-e-apollonise-intervista-e-plote-zhvilluar-ne-shqiperi/ / KultPlus.com

Një pamje e rrënojave të Odeonit në Apolloni — Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France


Akademiku Baçe: Apollonia u themelua nga 200 korintas

Në një libër që ia dedikon gjyshit, akademiku Apollon Baçe kujton se, ishte ai që ia mësoi se fjala “komb”, shkruhet me K të madhe.

Në emision “Arnautistan” të Mustafa Nanos, Baçe deklaroi se pushtimi osman na ka sjellë mjaft të këqija dhe se deri sa filloi pushtimi osman, Kushtetutën dhe statutin i ka pasur më të bukurit e Adriatikut.

Sipas tij, nuk ka qenë Shqipëria e sotme, por se është shumë e zvogëluar krahasuar me atë që ka qenë. Baçe shton se Shqipëria ka pasur njerëz që i kanë dhënë botës dhe i ka dhënë figura shumë të mëdha botës.

“Kur amerikanët ndihen krenarë për kombin e tyre, ne pse të mos kemi lavdinë. Por, duhet të jetë një lavdi që edhe sot duhet t’i përgjigjet asaj të dikurshmes.

Ai që njeh të kaluarën, nuk ka frikë nga e ardhmja, – thuhej në një revistë. Kjo do të thotë se është një komb shumë vital, i cili arrin ndoshta të bëjë diçka dhe të mbijetojë.

Që të gjesh në Ballkan, gjak njëqind për qind të pastër, nuk e gjen dot. Rreth 41 për qind e kanë kroatët, ne e kemi më të ulët se ata. Kjo do të thotë, se jemi më të përzier. Një komb që ka fuqi të madhe kulturore të asimilon.

Unë në librin tim, nuk e quaj Epirin – Epir, por Iliria e Jugut. Termi Epir, nuk ka lidhje me grekët. Hyjnë thesprotët dhe kaonët. Homeri me fjalën Epir, do të thotë që janë banorë të ishujve, që bregun përballë e quajnë Epir.

Është emërtim barbarët e detit, e bregut. Nuk është as emër që na kanë vënë të tjerët dhe as vetes, është emër neutral. Skënderbeu dhe Barleti e përdorin si mburrje.

Por, unë them Iliria e Jugut, në aktet e papatit thuhet Arbëria e jugut. Orikumi, nuk ka asnjë dokument që është koloni greke. Oriku nuk është koloni, Butrinti nuk është koloni. Apollonia u themelua nga 200 korintas dhe fusha e Myzeqesë, quhet fusha e Gylakut – për të parin e kolonistëve: 200 vetë, nuk mund të thuash se nuk patën përzierje me popullsinë vendase. Janë të tëra në greqisht.

Apollonia pavarësisht se kolonistët e parë janë martuar, janë përzier, është një qytet grek. Ti po vajte në Amerikë dhe je pesë gjenerata, je amerikan. Te Durrësi, kam vërejtje. Nga autorët e lashtë, gjithmonë quhet qytet.

Kur hyn në gjirin e Jonit, se Jon quhej Adriatiku në atë kohë, thuhet se në anën e djathtë banojnë barbarët ilirë. Në histori ke të bësh me përkthime të këqija, që çojnë në anën e kundërt.

Kalon nga qytet ilir, në qytet greko-ilir, por që mbetet kolonia e Durrësit.

Enver Hoxha ka thënë fjalën më të bukur lidhur me historinë: ajo që është greke jepjani grekëve, ajo që është ilire, dëshmojeni se është e tillë dhe mbrojeni”, shprehet ai.

Fotografia kryesore: Jean-Gabriel Eynard – Jean-Gabriel dhe Anna Eynard me Henri Bouthillier de Beaumont, gjeneralin grek Colettis, Marie de Regny dhe Charles de Traz, në Paris 1842!!! / KultPlus.com