Turpi i madh me Kafen e Madhe

Shkruan: Arbër Sadiki, arkitekt, 09 06 2021, Prishtinë

Ishte viti 1996. Isha student në vitin e parë në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë, dega Arkitekturë. Profesori i Historisë së Artit na dha për detyrë kursi që të mblidhim materiale, ta analizojmë dhe pastaj të shkruajmë një punim seminarik për një artist apo arkitekt simbas përzgjedhjes sonë të lirë. Të gjithë filluan të mblidhnin libra, të cilat në atë kohë, ishin të pakta. Disa huazonin nga bibliotekat e familjarëve të tyre, kush-kush shkëmbente ndonjë me njëri-tjetrin. Unë s’kisha kujt t’i drejtohesha. Si i sapo shkuar në Tiranë, atë kohë njihja vetëm kujdestarin e konviktit, nga i cili mund të huazoje me vështirësi ndonjë sustë apo dyshek, por asesi libër. Kështu, vendosa të shkoj në Bibliotekën Kombëtare për të parë nëse mund të gjeja gjë. Në mesin e jo shumë vitrinave të drunjta ishte edhe një që shkruante “Artet”. Fillova ti shikoja me radhë të gjithë kartonat jo lehtë të lexueshëm nga dëmtimet që kishin pësuar nga kushedi sa duar që ishin prekur. Në mesin e tyre më ra në sy një libër biografik për Kolë Idromenon, piktor, arkitekt – siç shkruante në kartonin e librit, e që të jem shumë i sinqert, nuk kisha dëgjuar asgjë për të më parë. Nisur nga kurreshtja për të njohur një arkitekt shqiptar, e mora pa e shikuar se çfarë formati apo numër faqesh kishte dhe u drejtova drejt tek bibliotekistja e cila të siguronte librin në bazë të kartonit. Pas pak minutash, gjersa me padurim po prisja një libër voluminoz të një formati të madh, kolor me plotë imazhe dhe fotografi, siç isha mësuar t’i shihja rëndom librat e artistëve të mëdhenj, nga bibliotekistja mu ofrua një libërth i një formati xhepi numri i faqeve të të cilit nuk mbërrinte në treshifror. Pak i dëshpruar, edhe për faktin se nuk e dinja se si do ti mbushja faqet minimale që kërkonte profesori, e mora dhe u ktheva në konvikt. Edhe pse fillimisht duhej prezentur librin profesorit që të jepte fizën që të mund të vazhdoje me hulumtimin, megjithate libërin e lexova që atë natë. Fundja nuk ishte ndonjë sakrificë e madhe, punë dy-tre orësh lexim.

Të nesërmen filluan ti prezentonin secili prej studentëve se çka kishte përzgjedhur. Dikush kishte marrur Mikelanxhelon, dikush Albertin e Da Vinçin, shumica me materiale serioze në italishte, me libra pikërisht siç e paramendoja edhe atë të Kolë Idromenos para se ta merrja. Profesori po i përgëzonte për përzgjedhjet që kishin bërë. Dikur nga fundi i orës, mora guximin edhe unë të prezentoj përzgjedhjen time. U ofrova tek profesori gjer sa ai po shikonte mbi një libër gjigant të Mikelanxhoelos të cilin i a mbajti studentit paraprak për ta parë më gjatë dhe i thash se kam zgjedhur Kolë Idromenon.  Në çast ndërpreu shikimin mbi librin që po shihte dhe rrufeshëm kthehu kokën në drejtim timin. “Pse m’o s’gjete dot ndonjë artist a arkitekt italian ti, po merresh me kshu gjonash… (veç sa s’tha: koti)”! Edhe pse nuk e kuptova nëse m’a aprovoj apo jo autorin që po hulumtoja, unë vazhdova me Kolë Idromenon. Natyrisht që librat e Mikelanxhelos, Da Vinçit e Albertit, me të cilat megjepsej profesori, i kisha gjetur në raftet e bibliotekës familjare që kur kisha lindur, por ja që tani më tërhiqte Kola, ndoshta edhe për faktin se planprogramet jugosllave që zbatoheshin në Kosovë asokohe, nuk përfshinin artistët shqiptar.  

Ta lëmë për një çast ndodhinë time personale me profesorin, edhepse nuk është e parëndësishme për temën që po trajtoj. T’i kthehemi njohjes time me Kolën. Sado i vogël që ishte ky libër, tek unë bëri një kthesë të madhe. Për herë të parë po ballafaqohesha me një personalitet të nivelit intelektual fare të pazakont për kohën dhe vendin ku jetoi i cili përpos pikturës, skulpturës, fotografisë e regjisurës,  jo pak kishte kontribuar edhe në arkitekturë. Në fakt, nuk mu desht të lexonja më shumë se faqet e para për ta kuptuar se për rrethanat shqiptare të kohës, unë para vetes kishta pikërisht një Mikelanxhelo, Da Vinç, Albert shqiptar.

Mes veprash që përmendeshin, ishte edhe Kafja e Madhe në Shkodër e përcjellur edhe me një fotografi bardh e zi të një kualiteti shumë të dobët por që mjaftonte të dalloheshin element të spikatur të neoklasicizmit austro-hungarez, vlera këto që nuk i takonja shpesh në Tiranën që kisha gjetur. Imazhi im i zbehtë mbi qytetet e Shqipërisë ishte ai që më ishte krijuar mbi ato pak libra ideologjik që kishin depërtuar në Kosovë në fund të shtatëdhjetave dhe fillimin e tetëdhjetave. Ky imazh ishte ai i një Shqipërie të uzinave, tymtarëve, brezareve dhe ca blloqeve monotone me fasada të papërfunduara pa kurrfar intence arkitektonike. Këtë imazh, në masë të madhe ma vërtetoi edhe Tirana që kisha gjetur. Shtresëzime arkitektonike të tipologjisë që përfaqësonte Kafja e Madhe, për mua ishin një befasi e këndëshme. Kjo më bëri që kërrshëria për këtë ndërtesë të rritej. Shpejt kuptova se ajo përpos vlerave arkitekturore, me dekada të tëra kishte përfaqësuar vendin kryesor në kryeqytetit kulturor shqiptar, brenda dhe rreth mureve të cilës ishin zhvilluar debatet e intelektualëve më të mëdhenj të kohës nën tingujt e lehtë të muzikës klasike. Këtu kishin lindur barcoletat më të këndëshme mbarshqiptare, maloditë e pavdekshme të këngës shkodrane. Si e tillë, ajo nuk përfaqësonte vetëm një ngrehinë me vlera estetike fizike për edhe më shumë një institucion kulturor dhe shpirtëror me të cilin qytetarët ishin të ludhur emocionalisht. Ajo nuk ishte më vetëm ndërtesë por edhe vend. Qarqe të tëra intelektualësh, artistësh, lënin takim tek vendi, pa i nxënë emrin, e vendi ishte Kafja e Madhe. Fuqia e një ndërtese që të krijojë vend është arritja më e madhe në arkitekturë.

Sado e dërmuar, fillimisht përgjatë dekadave të komunizmit duke u lënë pasdore sepse nuk paraqiste “vlera të arrira të pushtetit të proletariatit por një trashëgimi borgjezie”, e më pastaj duke e shëndërruar në kazino ku gumzhinte muzika tallava përgjatë dalldisë kolektive të viteve të para të rënijes së komunizmit, si për çudi ajo erdhi deri në ditët tona. Në vitin 2007 ajo u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë duke dhënë shpresë se shkëlqimi i saj i dikurshëm do të kthehet. Fatkeqësisht, për më shumë se një dekadë përpos një pllakeje të shëmtuar që tregon se ndërtesa gëzon statusin e Ndërtesës së Mbrojtur, asnjë intervenim të paktën për të ndalur degradimin, nuk u bë. Një shkëndi shprese u shfaq në vitin 2017, eshe pse fare e dyshimt sepse vinte si pjesë e fushatës elektorale për njëfar “rilindje” të gjithëçkaje, por që megjithate sikur na pëlqente t’a besonim. Sot, katër vite më pas, kuptuam se projekti i “rilindjes” paska nënkuptuar shembjen tërësisht të ndërtesës. Zhdukjen e përhershme të shushurimave të intelektualëve dhe artistëve më të mëdhenj shqiptar të cilat ishin strukur diku në mes fugave të tullave të mureve të ndërtesës për të na bekuar më praninë e tyre të përhershme. Rindërtimi i saj rishtaz nuk është asgjë më shumë se një pornografi arkitektonike, një akt i kriminelit që hedh acid mbi ftyrën e përkryer të gruas me premtimin se do i bëjë një të mirë prej silikoni, një vrasje me paramendim se do t’i bëjë viktimës një gurë varri prej ari.  

Jo pa qëllim, këtë akt të trisht të shembjes së Kafes së Madhe e lidha me një eksperiencë timen në fillimet e studimeve të mia për arkitekturë. Edukimi i brezave duke mësuar ata të përbuzin vlerat burimore dhe autorët kombëtar dhe të vlerësojnë vetëm ata ndërkombëtar, na shpie detyrimisht në veprime që zhdukin çdo gjurmë që mund të kenë lënë këta të tanët. Është vështirë të presësh që një gjeneratë studentësh të cilëve profesori u ka mësuar se vetëm Mikelanxheloja, Da Vinçi dhe Alberti vlejnë dhe se Idromeno, Butka, e të tjerët janë… (gati se kot), t’i dalin në mbrojtje të vlerave që kanë krijuar këta të fundit.

Këtu një gjë ka lidhje edhe me profecinë. Kafja e Madhe ndërroi shumë emra. U quajt “Adriatik”, “Kafe-Hotel Park”, “Grand Hotel Savija”, për tu kthyer përsëri tek “Kafja e Madhe”, sikur të parandjente diçka të madhe me fundin e saj, një TURP TË MADH kolektiv./ KultPlus.com

Studimi i ri i Arbër Sadikit, “Arkitektura e ndërtesave publike në Prishtinë: 1945-1990”

Libri më i mirë i arkitektit Arbër Sadiki është “Arkitektura e ndërtesave në Prishtinë: 1945-1990”, në të cilën trajtohen faktorët shoqëror dhe formësues, shkruan KultPlus.

Qëllimi kryesor i librit është që të përcaktohet një ndërlidhje në mes të faktorëve shoqëror e formësues si dhe arkitekturës së ndërtesave publike të Prishtinës në periudhën kohore prej vitit 1945 deri në vitin 1990.

Për të qenë e mundur të kuptojmë shpirtin arkitekturor të një epoke, ne duhet paraprakisht ta kuptojmë shpirtin shoqëror të së njëjtës. Në qëllim të kësaj, kërkimi fillimisht është përqendruar në shqyrtimin e karakteristikave thelbësore shoqërore, kulturore dhe politike, në mënyrë që më pas të përcaktohet shkencërisht ndikimi i këtyre faktorëve në arkitekturën e ndërtesave publike në Prishtinë përgjatë periudhës së përcaktuar. Kjo nënkupton qasjen analitike ndaj të gjitha rrethanave shoqërore të kohës.

Ndërtesat më domethënëse të kësaj kategorie të ndërtuara brenda periudhës kohore të cilën mbulon hulumtimi, janë valorizuar, sistemuar dhe krahasuar me ndërtesa të së njëjtës periudhë të ndërtuara në qytetet tjera të ish-Jugosllavisë, por edhe më gjerë.

Duke përdorur metoda të ndryshme shkencore në përputhshmëri me fazën e caktuar hulumtuese, është përcaktuar ndikimi i sistemit shoqëror socialist të pas Luftës së Dytë Botërore në arkitekturën e ndërtesave publike të Prishtinës.

Është përcaktuar gjithashtu edhe ndikimi i trashëgimisë arkitekturore të bollshme të Kosovës, në formësimin e arkitekturor të qytetit socialist. Janë identifikuar faktorë specifik shoqëror, të cilët drejtpërdrejtë ose tërthorazi, ndikuan në formësimin e ndërtesave. Gjithashtu është formuluar edhe një qasje metodologjike, e cila në mënyrë të ngjashme mund të përdoret për hulumtimin e ndërtesave të kategorive të tjera funksionale brenda së njëjtës periudhë që përfshinë studimi.

Moderniteti, të cilin e promovonte rendi i ri shoqëror i pas LDB-së, si mënyrë e “përkryer” e të jetuarit, të cilin duhej ta përqafonte dhe manifestonte secili qytetar i “kombit të ri”, ishte në konflikt direkt me mënyrën tradicionale të të jetuarit nga shumica dërmuese e popullsisë së Prishtinës së atëhershme, pa dallim nga përkatësia e tyre etnike dhe religjioze.

Kjo ishte edhe një nga arsyet kryesore për skepticizëm dhe refuzim ndaj modernizmit nga ana e tyre sepse, nëse qytetin e pranojmë si një skenë në të cilën zhvillohen aktivitetet e jetës së përditshme, atëherë qytetarët në fazat e para të modernizimit të qytetit, përfshirë edhe ata që pranuan këtë mënyrë të jetesës si të “përkryer”, silleshin ngjashëm si pjesëtarët e familjes Apel, në filmin “Mon Oncle” (1958) të Zhak Tatisë (Jacques Tati).

Ky studim, në asnjë mënyrë nuk pretendon që kjo fushë është ekzaminuar në tërësi, por paraqet vetëm një pikënisje hulumtuese të një epoke arkitekturore, por je vetëm, të rëndësishme të Prishtinës, plotësisht të pa studiuar deri më tani.

Kjo, na obligon që kësaj teme t’i futemi seriozisht, shkencërisht dhe pa kurrfarë paragjykimi, duke i analizuar dukuritë në raport me kohën që u shfaqën, ideologjinë dhe kulturën, por mbi të gjitha përjetimin njerëzor të arkitekturës. Arkitektura e shfaqur gjatë kësaj periudhe kohore, sot, për dikë mund të jetë pjesë e pandashme e jetës, për dikë mund të jetë akoma e paqartë, por askënd nuk e lë indiferent. Ajo është këtu, në mes nesh, duke paraqitur edhe sot pjesën thelbësore të identitetit të qytetit.

Ky libër ka pasur recensentë Armand Vokshin dhe Kujtim Elezin, teksa është publikuar nën mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës. / KultPlus.com

Arkitektura, boshti thelbësor në videoklipin e këngës “Të kam thënë mos i bje’ bukës me këmbë”

Kur grupi londinez post-punk “Omi Palone” në vitin 2014 po kërkonte një stil të shkëputur artistikisht dhe krejtësisht të identifikueshëm qartaz nga të tjerët, ata vendosën që video-klipin e tyre ta përcillnin me ndërtesat më ikonike të arkitekturës brutaliste të qytetit. Natyrisht që këtë nuk e bënë aksidentalisht, por se besonin se nga të gjitha rrymat arkitektonike, ajo brutaliste është më e rrepta në ritëm dhe teksturë mu ashtu siç e konideronin edhe muzikën e tyre. Të realizuara në një videoklip bardh e zi, ndërtesat manifestuan aq fuqishëm lojën dritë-hije mbi teksturën e vrazhgët të brut-betonit, duke plorësuar maksimalisht idenë e grupit për të qenë lehtësisht të identifikueshëm, sa që në fund edhe vet këngën vendosën ta quajnë “Arkitektura” (“Architecture”).

Për fatin tonë të keq, ky potencial i muzikës së ngrirë siç e përkufizonte Gëte arkitekturën, kurr nuk u shfryrëzua nga muzikbërësit tanë si një mundësi e jashtëzakonshme për të plotësuar tungullin muzikor me imazhin muzikal. Në kulturën tonë muzikore kur përmendim nocionin video-klip, në çast na shfaqet në mendje një krijesë me buzë dhe gjoks silikoni në plan të parë, e përcjellur në prapavi me një grup femrash me prapanicë të të njëjtit material kimik të kthyera nga publiku. Ose, në një variant tjetër, një grumbull makinash superluksoze, që ngiten nga disa kokë e xhep bosh që pas përfundimit të inçizimeve vështirë se mund të kenë ca cent për të shkuar me taksi në shtëpi. Ajo që i bashkon të dyja rastet është varfëria estetike dhe zbrazëtia përmbajtësore.

Një shembull krejtësisht i kundërt i cili shfaqet si një rreze dielli në një qiell tmerrësisht të turbullt e të kontaminuar artistikisht, është videoklipi i këngës “Të kam thënë mos i bje’ bukës me këmbë/Këndoj, ekzistoj” i kult grupit “Gjurmët”, ribërë rishtas nga Tomor Kuçi dhe Edona Vatoci, me regji dhe kamera të Leart Ramës.

Se arkitektura është menduar të jetë boshti thelbësor i formësimit të imazhit që pëcjell muzikën, kuptohet që në sekondën e parë. Në fakt tingulli i parë muzikor që vjen i pastër, i zhveshur nga çfardo përcjellje orkestrale, përcillet me imazh të të njëjtës pastërti dhe fuqi që ndjek ritmin e tingullit në përpikmëri me linjat ekspresive të Monumentit të të rënëve në Velani. Mbushja e visë melodike me element tjerë orkestral në vazhdim të këngës, përcillet me imazhin dinamik të të njëjtës masë me malodinë që krijon silueti i magjishëm i Bibliotekës Kombëtare. Ritmin e saktë dhe të njëtrajtshëm që përcjell gjithë vinë melodike, fizuelisht e përcjell dhe mbanë në të njëjtën frekuencë me muzikën shfaqja e herpashershme e siluetit të “Boro e Ramizit” me brinaket masive të saja si elemente thelbësore të krijimit të ritmit arkitektonik përmes përsëritjes. Vija e thjesht melodike dhe ritmike në asnjëmënyrë nuk kalon në një përjetim monoton, as muzikal falë koloritit zanor të vokalistëve, e as arkitektonik falë plastikës që manifeston kompozicioni vëllimor i Ndërtesës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për t’i qëndruar besnik deri në fund arkitekturës si bartëse identitare e këtij video-klipi kontribon jashtëzakonshëm edhe qasja e kostumografit Arbnor Brahimi. Linjat e drejta me konture qartësisht të lexueshme të kostumeve janë plotësisht në sinkrozë me arkitekturën që i përcjell në prapavi solistët e shfaqur me kostumet e tij në plan të parë. Këtu Arbnori është plotësisht në ujërat e Oskar Shlemerit (Oskar Schlemmer) i cili qysh para 100 vitesh në Bauhaus zhvilloi teorinë e tij se baleti, kostumografia dhe arkitektura janë një dhe të pandara dhe se çdo lëvizje trupore determinon linjën e kostumit dhe hapsirës që e rrethon atë.

Për fund, nuk mund të lë pa përmend edhe një gjë, që mund të jetë krejtësisht personale. Titulli dhe teksti i këngës, që në fakt janë e njëjta gjë, më tingëlluan si një rikujem për ato ikona arkitektonike që pëcjellin video-klipin, e që po zhduken çdo ditë para syve tanë. Pavarsisht se teksti është shkruar para disa dekadash, për fatin tonë të keq ai është më aktual se kurrë në raport me ndërtesat në fjalë. Këmba primitive e dy dekadave të fundit ka shkelë dhe po shkelë pamëshirshëm mbi to. Atë që mundë dhe duhet të bëjmë është të vazhdojmë ti këndojmë që ato të ekzistojnë, ashtu siç bënë Tomori dhe Edona me këtë këngë.

Që t’i kthehemi atje ku e nisëm, marrëdhënijes muzikë – arkitekturë. Gëte, në fakt, përpos që kishte thënë se: “Arkitektura është muzikë e ngrirë”, në të njëjtën kohë kishte thënë se edhe “Muzika është arkitekturë likuide”. Videoklipi muzikor në fjalë na e vërteton këtë më së miri. /KultPlus.com