Nesër promovohet revista e parë kulturore e Prishtinës

Nesër, ditë e shtunë, do të bëhet promovimi i revistës së parë kulturore institucionale në Prishtinë e titulluar “Prishtinart”, përcjell KultPlus.

Kjo magazinë kulturore është një botim i shtypur prej 200 faqesh e cila sjellë në dritë pasurinë dhe diversitetin e botës kulturore të qytetit tonë.

Në faqet e kësaj reviste, do të gjeni artikuj, intervista me ikonat e Prishtinës dhe recensione të ngjeshura me pasion dhe njohuri, të shkruara nga disa prej mendjeve më të ndritura në fushën tonë kulturore.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur se përmes kësaj reviste, ju do të mësoni shumëçka për Prishtinën.

“Në revistën kulturore të Kryeqytetit, do të mësoni shumëçka për Prishtinën tonë.

Kjo magazinë do të shpërndahet në institucionet publike, aeroport dhe po ashtu agjenci fluturimesh.

Falënderoj përzemërisht, drejtoreshën e kulturës, Arta Balaj, për gjithë angazhimin e saj në krijimin e revistës të cilën e ka bërë me përkushtim dhe shumë dashuri”, ka shkruar kryetari Përparim Rama. / KultPlus.com

Nesër hyn në fuqi rregullorja e re e ‘Prishtina Parking’

Më 22 janar të 2024-ës hynë në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.

Kështu ka bërë të ditur faqja zyrtare “Prishtina Parking”, përcjell Klankosova.tv.

Përndryshe në njoftim janë listuar gjashtë veprime që qytetarët rezident duhet të ndërmarrin me fuqizimin e rregullores së re.

Njoftimi i plotë:

“Ditën e hënë me datë 22 janar 2024 hyn në fuqi rregullorja e re për menaxhimin e parkingjeve në kryeqytet.

Cilat janë veprimet që duhet të ndërmerren nga banorët rezident?

– të presin që brenda 30 ditëve të ardhshme të kontaktohen nga N.P.L. Prishtina Parking.

– në kontaktin që do e realizojmë do të informojmë banorët nëse dokumentet e tyre të dorëzuara më herët janë të plota.

– nëse dokumentacioni është i plotë, banorët do të ftohen të vizitojnë zyrat e N.P.L. Prishtina Parking për të realizuar kontratat e reja dhe pagesën e njëhershme administrative prej 10 euro.

– nëse dokumentacioni nuk është i plotë, banori do të informohet se cilin dokument shtesë duhet ta plotësojë.

– të gjithë banorët e regjistruar më herët do të kontaktohen brenda kësaj periudhe. Gjithashtu, përgjatë kontaktit do të informohen banorët që kanë parapagim për t’u rimbursuar.

– deri në përfundim të kësaj procedure zyrat mund t’i vizitojnë banorët që nuk kanë qenë më herët të inkuadruar në sistem si banorë rezident apo ata të cilët kanë ndryshuar adresat ose automjetet (targat)”./KlanKosova/KultPlus.com

Jetoi gati pesë dekada me burrin më të adhuruar, Branka Petric për Bekim Fehmiun: Kur ai ndërroi jetë u shua edhe një pjesë e imja

Ardianë Pajaziti
Fotografia në ballinë: Fahredin Spahija

86 vjet jetë  po shpaloseshin fletë fletë në një nga hotelet e Prishtinës, rrëfim që po e shoqëronim me çaj gjingjer dhe shumë cigare. Takimin me të e kisha rezervuar shumë më herët dhe orët e vona të darkës tashmë i kishte ndarë për mua dhe po shprushnim të dyja në jetën e saj, unë me pyetje e ajo me përgjigje. Mbamendjen e ka shumë të freskët, sikurse edhe dukjen edhe përkundër moshës së madhe. Me kërkim falje se nuk e mësoi asnjëherë gjuhën shqipe, aktorja serbe Branka Petric, gruaja që kishte ndarë pjesën më të madhe të jetës me Bekim Fehmiun,  burrin më të famshëm të Ballkanit dhe më gjerë, prekte herë pas here aksesorët e saj, gati gati si të ishin susta të kujtesës për të sjell jetën e saj nëpër etapa të ndryshme.

Gruaja flokëverdhë po mblidhte copëzat e jetës së saj prej vendit të saj të lindjes në Kroaci e deri në momentet kur po flisnim, jetë që ngërthente kushte jo të mira, sakrificë, kurajë, dashuri, sukses, humbje, dhimbje, shumë dhimbje e deri te kujtimet, kujtime që vazhdojnë ta shoqërojnë në çdo moment të jetës së saj.

Fëmijërinë e saj e kujton me karnavalin që mbahej atë kohë në Novi Vinodolski të Kroacisë, karneval që mbahej çdo vit në muajin shkurt. Maskat e atij karnevali, veshjet, lulet e shumta sikurse e kishin magjepsur imagjinatën e Brankës, të cilës i kishte pëlqyer aq shumë ajo paraqitje e karnavaleve, ndryshe prej motrës së saj, që sipas Brankës, asaj nuk i linin fare përshtypje.

“Mua më pëlqente të maskohesha, të vishja gjëra të ndryshme, të vendosja aksesorë” nis rrëfimin Branka për ngjizjen e botës së artit në shpirtin e një katër vjeçe të asaj kohe, po nga karnevalet e vendit të lindjes së saj që ishte buzë një lumi.  

Se arti e tërhiqte pa masë, ajo kujton se si fëmijë, ajo shumë shpesh i kishte vesh rrobet e nënës së saj, taket e larta dhe shumë improvizime të tjera që pavetëdijshëm e dërgonin drejt skenës, pasion që do ta përcillte gjithë jetën e saj, deri në ditët e sotme, ku edhe sot, herë pas herë paraqitet në shfaqje të ndryshme teatrale në Beograd.

Dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore ajo e kujton edhe me kontaktin e parë me teatrin, natyrisht jo në skenë, po në audiencë. Një trupë e Teatrit të Zagrebit kishte shkuar në Rjekë për të vënë në skenë shfaqjen e baletit “Sheharazade” sikurse edhe shfaqjen operistike “Madama Batterfly”, shfaqje këto që e kishin bërë të qaj pa reshtur.

Kur ishte në klasë të katërt e mësoi poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), me të njëjtën u pranua në Akademinë e Arteve në Beograd

Branka Petric e cila përgjatë karrierës së saj ka luajtur më dhjetëra role ne film, teatër e televizion, për herë të parë nisi rrugëtimin në këtë fushë kur ishte vetëm në klasë të katërt të shkollës fillore. Në shkollat e atëhershme në Serbi, sipas Brankës funksiononin seksionet e dramës, dhe në shkollën ku ishte ajo, ishte caktuar drejtuese e seksionit të dramës, aktorja e njohur serbe Marija Crnobori.

“Ajo ishte e re në moshë atëherë, dhe mbaj në mend që na pat dhënë që ta mësonim përmendësh poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasa), e cila ishte poezi e një poeti të njohur nga Istria. Unë e mësova përmendësh dhe më pati pëlqyer së tepërmi kjo poezi”, tregon Branka për njohjen e saj me botën e artit, edhe përkundër faktit se ishte vetëm në klasën e katërt, dhe pa e ditë saktë se cili do të ishte profesioni i së ardhmes.

Dhe kur ishte vetëm 11 vjet, familja e Branka Petric zhvendoset në afërsi të Beogradit, në një fshat pa ujë e pa banjo, dhe që për të vajtur në shkollë i duhej të ecte këmbë nga pesë kilometra veç në një drejtim. Vonesat e shpeshta në shkollë, për shkak të kilometrave të shumtë, Brankës ia kishin vën në pah edhe sajesat e ndryshme për mësuesit, duke sajuar lloj-lloj histori për të arsyetuar vonesat e saj. “Mbaj në mend që mësuesi i rusishtes më pat thënë se do të bëhem aktore”, tregon Branka duke qeshur, duke kujtuar copëzat e vogla që në tërësi ndërtuan dëshirën për të qenë pjesë e botës artistike.

Por askush nuk e kishte menduar se Branka Petric po me poezinë “Dvije Daske” (Dy dërrasat) që e kishte mësuar qysh e vogël, do të synonte edhe Akademinë e Arteve, poezi me të cilën hyri në provim pranues për të sfiduar 420 aplikantë që pritnin dritën jeshile për tu futur në akademi.

“Përpos që hyra në provim pranues, në të njëjtën kohë për herë të parë hyra në Teatrin e Beogradit, sepse deri më atëherë nuk më kishte rastisë të hyja në atë objekt. “Dvije daske” që e kisha mësuar nga Marija Crnobori  me dialekt të Istrias, erdhi ndoshta bukur për faktin se profesori që na dëgjonte, vinte poashtu nga Kroacia. Sikur mos të ishte ai profesor atë ditë, ndoshta edhe nuk e kisha kaluar provimin. Por ai e kuptoi thellë interpretimin tim” tregon Branka, e cila doli triumfuese në këtë sfidë bashkë me shtatëmbëdhjetë studentë tjerë.

“Shumë më vonë, në një intervistë, një gazetar më pat thënë se dy dërrasat poetike (Dvije daske)  paskan qenë dërrasat jetike për ty, sepse, koincidon edhe me dërrasat skenike” kujton Branka e cila në vitin 1955 edhe e fillon vitin e parë të studimeve në Akademi.

“Bekim Fehmiu ishte i rëndë, unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”

Dhe vitin e parë të studimeve e filloi bashkë edhe me tetë vajza të tjera, e që sipas Brankës, në kohën e atëhershme kishte shumë më shumë liri sesa në ditët e sotme, dhe asnjë paragjykim i vetëm që si vajzë po studionte aktrimin.

“Sot ndoshta gratë janë më shumë zonja të vetes, por thellësisht brezi im ishim shumë më të lirë.  Prandaj të gjithë patën reaguar shumë mirë në lidhje me studimet e mia në Akademinë e Arteve, edhe fqinjet mia, që më thoshin sa mirë që do të bëhesha aktore, edhe pse nuk e dinin saktë se çfarë ishte një aktore”, kujton atë periudhë, që sipas saj ishte një mbështetje  e madhe sa i përket ndërtimit të ëndrrave.

Karnevalet që e ngacmuan qysh katër vjeçe në Kroaci për Branka Petric ishin një paralajmërim se ajo ka një shpirt artisti, po nuk e kishte besuar se po ato ëndrra do ti sjellin edhe një fat tjetër. Takimin me burrin më të adhuruar të ish Jugosllavisë, aktorin që preki edhe shkëlqimin e Hollywood e të shumë festivaleve prestigjioze.

Branka tashmë kishte përfunduar vitin e parë të studimeve dhe po vinin të rinjtë që ishin pranuar tashmë në Akademi. Branka kujton edhe pëshpërimën e studentëve të cilët po tregonin se kishte ardhë një djalë i pashëm nga Prishtina.

“Si tip ishte i rëndë, ai nuk u vardisej vajzave, dhe as më hidhte asnjë shikim”, tregon Branka e cila tregon që Bekim Fehmiu me moshë ishte një vit më i madh se Branka, por në studime kishte ardhë me pak vonesë.

“Unë e ngacmoja atë, e gjuaja shpesh me letra, deri sa u bëmë miq”, tregon Branka, e cila mënyrën se si ishte ofruar edhe më shumë me Bekim Fehmiun ishte gjuha serbe, pasi që, sipas saj, që të studioje atëherë në aktrim, duhej të dije gjuhën serbe mirë, dhe në këtë drejtim ajo e kishte ndihmuar shumë.

86 vjeçja edhe sot kur flet për shkëndinë e parë me Bekim Fehmiun, duket sikurse është një moment që e rinon. “Ishte një vështrim, vështrim shumë tërheqës”, kujton Branka atë shikim, që sipas saj ishte tërheqja që i dha tjetër dimension jetës së Brankës dhe Bekimit.

“Isha pranë diplomimit, kur Bojan Stupica na angazhoi mua dhe Bekimin në një shfaqje. Unë luaja rolin e bashkëshortes së tij. Shkëndija e dashurisë me Bekimin ishte një vështrim tërheqës, ishte viti 1959. Kishim një skenë ku ai ishte duke u rruar, kurse unë krihesha, dhe përderisa rruhej, më drejtohet duke më thirrë në emër të personazhit “Rozë, moj Rozë”, kujton Branka, e cila kujton se mundësi për tu ofruar me njëri tjetrin më shumë i dhanë provat në orët e vona, dhe kthimin për në shtëpi e bënin gjithmonë me regjisorin Stupica në një makinë.

“Këtu ndoshta patëm filluar të lidheshim, gjersa diku para Vitit të Ri më pati pyetur se nëse pranoja që të bëhesha e dashura e tij”, kujton Branka, e cila lidhjen e saj me Bekimin e kishte shtyrë edhe për dy vite më tutje, për të vazhduar me turne të madh me teatër, duke përfshirë shumë vende të ish Jugosllavisë, e mes tyre edhe Prishtinën.  Distanca pastaj e krijuar mes tyre, me kryerjen e shërbimit ushtarak të Bekim Fehmiut në Shibenik, për Brankën ishte distancë që e zëvendësuan me letra, edhe pse, sipas saj ende vazhdonin të kishin vetëm miqësi mes tyre.

Bekimi më tradhtoi me aktoren ruse, për mua ishte tepër e dhimbshme

“Më tej mora një ftesë për të luajtur në një film, ndërkohë që regjisori më thotë që do të luaja rolin e një vajze të re që shkon me pushime diku, teksa do të më vardiseshin katër djem. Kisha nevojë  t’i gjeja katër aktorët për këto personazhe, sepse regjisori do t’i pranonte. Filmi do të xhirohej në Opatija dhe ishte film i metrazhit të shkurtë. U mendova kë do të gjeja, dhe e dija ndërkohë se Bekimi së shpejti e mbaronte shërbimin ushtarak, dhe e pyeta nëse dëshironte të luante në një film me mua. Të gjithë do të takoheshim në shtëpinë time në Novi Vinodolski, vendlindjen time. Bekimi nuk e besonte dot se diçka e tillë do t’i ndodhte menjëherë pas ushtrisë. Bekimi erdhi i pari në shtëpinë time, përpara tre aktorëve të tjerë, dhe u njoh me prindërit e mi. Ai erdhi sikur t’i dinte paraprakisht të tëra, sikur ta dinte të ardhmen tashmë. Dhe dashuria jonë pati filluar në shtëpinë time familjare në vitin 1963, kur ai erdhi nga ushtria, kur dolëm bashkë në verandë”, tregon Branka.

Lidhja mes tyre, diplomimi i Bekim Fehmiut, përfshirja e tij në Teatrin Jugosllav të Dramës, pjesë e të cilës më veç ishte edhe Branka, shfaqje e turne të ndryshme tashmë ishin pjesë e përditshmërisë së tyre. Por diçka që nuk ishte përditshmëri, por një goditje bukur e rëndë, ishte dashuria e Bekim Fehmiut me Ljudmillën, lidhje që ndodhi gjatë qëndrimit të trupës së Beogradit në Rusi.  

“Ljudmilla ishte një grua tepër e bukur, kurse ai pati treguar haptas tërheqjen që ndiente për këtë grua, ata patën rënë në dashuri” tregon Branka për atë periudhë të largët, e cila kujton edhe për mbështetjen e aktoreve dhe aktorëve të Beogradit që kishin treguar ndaj Brankës, pasi që, sipas saj, ata të gjithë e kishin lënë vetëm Bekim Fehmiun, për gjithë udhëtimin me tren përderisa ktheheshin nga Moska për në Beograd.

“Gjithsesi nuk mendoja të ndahesha nga ai vetëm për faktin se kishte shkuar me një grua tjetër. Edhe pse, për mua ishte tepër e dhimbshme, por në vitet e ardhshme lidhja jonë u bë shumë më e fortë”, kujton Branka atë moment, duke treguar më pas se viti 1968, ishte vit që edhe kurorëzoi dashurinë e tyre në Romë të Italisë.

Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun, e thirra në telefon dhe e pyeta nëse do të martoheshim

Se  po ndodhte një martesë mes një vajze serbe dhe një djali shqiptar, për prindërit e Brankës nuk paraqiste asnjë problem. Ajo me një siguri të madhe më tregon se askush, ama askush nuk i bëri asnjë pyetje të tillë, as prej teatrit, as familjes dhe as farefisit të gjerë.

Dhe nuk ishte vetëm martesa bekim për Brankën dhe Bekimin. Kjo periudhë e jetës po shënohej me shumë të mira në të gjitha anët. Branka ishte shtatzënë në muajin e katërt me djalin e saj të parë Uliksin, përderisa Bekim Fehmiu po xhironte Odiseun. “I telefonova Bekimit nga posta, meqë nuk kishim telefon në shtëpi. E pyeta se nëse do të martoheshim, dhe ai pranoi” shpjegon Branka, e cila kujton se për këtë kurorëzim dy herë iu desh të shkonte në Romë, sepse, herën e parë iu dështoi për shkak se nuk i kishin certifikatat e lindjes.

“Shkuam në Ambasadën e Jugosllavisë në Itali që të realizojmë martesën tonë, por aty e kuptova se për tu kurorëzuar na duheshin edhe certifikatat e lindjes, dhe në fakt ne nuk i kishim. Zyrtari i ambasadës na tha se pa dokumente nuk mund të na martonte. Dhe në fakt nuk u bë, por qëndrova shtatë ditë me Bekimin në Romë. Kur u ktheva sërish në Beograd që të marr dokumentet, shokët e mi më tallnin se tashmë mund të ndërrojë mendje Bekimi dhe nuk do të bëhej ceremonia”, kujton Branka.

Ajo për të dytën herë u nis për Romë, kësaj here me qëndrim vetëm për dy ditë, vetëm që të realizonin kurorëzimin, dhe ajo kujton se dëshmitare të martesës së saj kishte Zorica Budisavljeviqin, motrën e Jovanka Broz Titos, kurse Bekim Fehmiu ambasadorin e Jugosllavisë në Itali. Ajo kujton se si dëshmitarët e martesës talleshin me ceremoninë e martesës së tyre, duke e quajtur një ceremoni të shëmtuar.  “Prandaj i thashë Bekimit që shpresoja që martesa jonë mos të ishte e shëmtuar si ceremonia e martesës”, kujton Branka ku pjesë të dasmës kishin edhe ekipin e filmit Odiseu.

Dhe duke u njohur me njëri tjetrin qysh nga fillimi i studimeve, Branka dhe Bekimi u rritën bashkë edhe profesionalisht. Sukseset me filmin “Odiseu”, suksesin e madh me “Mbledhësit e puplave”, shkëlqimin në Kanë dhe festivale të tjera, Branka thotë se i kishte përjetuar sikurse ato suksese të ishin të saj.

“Kur bëjmë art, ka gjithmonë njëfarë mëdyshje lidhur me aftësitë tonë, e ai gjithmonë më pati mbështetur mua” kujton Branka Petric për punën e tyre në botën e artit, ku Bekim Fehmiu jetoi shumë më furishëm e me më shumë suksese, por që edhe bëri një tërheqje më të shpejtë prej teatrit e filmit, kurse Branka edhe sot vazhdon të luaj herë pas here projekte të ndryshme.

Ndërkohë, “Madam Kolontajn” ishte shfaqja që luante Bekim Fehmiu, shfaqje në të cilën luante dy role, atë të Leninit dhe Stalinit. Në shenjë proteste, Bekim Fehmiu la shfaqjen në gjysmë, por jo vetëm atë shfaqje po gjithë paraqitjen e tij skenike. Këtë protestë e bëri në mes të Beogradit, në vitin 1987 si mospajtim me politikat serbe të cilat i ushtronin ndaj shqiptarëve të Kosovës. Branka e kujton guximin e Bekim Fehmiut, veprim që nëpërmjet të cilit edhe bëri shkëputjen skenike. “Por gjithnjë më ka përcjellë mua në shfaqjet e mia. Sa herë kam pas shfaqje, ai më ka pritë në njërën nga lokalet në afërsi të teatrit”, ka treguar Branka.

Branka Petric për familjen e Bekim Fehmiut: E pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer

“Për të mos thënë… unë mendoj se nuk ka asnjë martesë që nuk ka ulje-ngritjet e saj, po ashtu edhe tërmetet e veta, kur toka të dridhet nën këmbë, e të duket se gjithçka do të shkërmoqet, të gjitha janë gjëra që patjetër patën ndodhur edhe në martesën tonë, por gjithsesi përherë ne jemi sjellë në mënyrë të njerëzishme njëri me tjetrin, për shkak të dashurisë sonë që pati vijuar e njëjtë deri në çastet e fundit të bashkëjetesës sonë. Unë kam mësuar aq shumë prej tij, kurse po të ishte ndoshta gjallë ende, kushedi edhe ai do të thoshte se diçka ka mësuar edhe nga unë, sepse kemi qenë tejet të ndryshëm.  Unë jam shumë më e lehtë si tip njeriu, dhe gjithmonë isha me vonesë, megjithëse dalëngadalë fillova të bëhesha edhe unë më e saktë. Akoma më pyetin nëse vonohem si dikur, kurse unë u them se tash e pesëmbëdhjetë vjet nuk vonohem më” tregon Branka.

Branka mes tjerash kujton edhe dashurinë e madhe të familjes së Bekim Fehmiut për njëri tjetrin, dashuri që nuk e kishte parë në familjet që kishte njohur në Beograd.

“Është diçka shumë e rëndësishme kur dikush rritet në gjirin e një familje të madhe si e Bekimit, detyrat atëherë janë të qarta për këdo, e pabesueshme si një nënë mundet të rrisë tetë fëmijë, me disiplinë të hekurt, porsi një ndërmarrje e organizuar në mënyrë të përkryer. Për mua kjo ishte diçka magjepsëse, sepse në rrethin tim nuk kish pasur diçka të ngjashme, që një anëtar i familjes të kujdeset edhe për motrat e veta, edhe për vëllezërit e motrat njëherësh”, kujton Branka e cila një kujdes të veçantë të Bekimit e tregon edhe me rastin e udhëtimeve të tij në vende të ndryshme, dhe ceremoninë e blerjes së dhuratave për anëtarët e tij të familjes.

‘Më kujtohet në Tunizi,  kur Bekimi pati xhiruar filmin për Shën Jozefin, ai pati blerë katër palë veshje shumë të bukura për motrat e tij, pastaj edhe për një nuse të familjes së tij, domethënë pesë palë veshje. Domethënë hyri në Pazar dhe porositi pesë palë veshje femërore”, kujton Branka, e cila tregon edhe për kujdesin e tij për të shkolluar nioat dhe mbesat e tij. , ku sipas Brankës, të gjithë i kishte ndihmuar financiarisht për të përfunduar ata studimet.

Dhe Branka, nëna e Uliksit dhe Hedonit, e cila edhe më e mban revolen e Bekim Fehmiut, revole me të cilën aktori i madh i dha fund jetës së tij, në ndarjen e kujtimeve të saj për jetën e saj me Bekim Fehmiu thotë se aq gjatë kenë qenë bashkë, kaq shumë kanë përjetuar bashkërisht, saqë absolutisht, në një moment i është  duk befasisht sikur të kishte gjetur shpirtin e saj binjak.  “Ai ishte binjak edhe si shenjë horoskopi, prandaj kur ai ndërroi jetë, ishte sikur të ishte shuar edhe një pjesë e imja” kujton Branka” e cila mendon se pas vdekjes së tij, flitet mjaftueshëm për Bekimin.

Dhe krejt në fund, për krejt këtë jetë mes aktrimit dhe me aktrimin, Branka Petric, gruaja e aktorit të madh shqiptar Bekim Fehmiu vlerëson një përkushtim të madh të Bekim Fehmiut, që në një formë e la si dëshminë më të bukur. Librat që shkroi Bekim Fehmiu, Branka i vlerëson si punën më të mirë që la pas vete Bekim Fehmiu, kopje që vazhdojnë të kërkohen nga adhuruesit e tij.

“Unë pata menduar se do të mjaftonte një botim me disa tirazhë nga këta dy libra, por kërkesat akoma vazhdojnë. Njerëzit e duan dhe vazhdojnë ta lexojnë. Pastaj, çdo tre katër ditë unë marr ndonjë fjalë të mirë për bashkëshortin tim. E pamundur është që të më mos më thotë dikush se si Bekimi ishte një aktor i madh, se ai me të vërtetë ishte një legjendë.

Branka Petric që posedon edhe një numër të madh të dorëshkrimeve të Bekim Fehmiut dhe një numër të madh të librave të bibliotekës së Bekim Fehmiut, vazhdon të jetojë në apartamentin e njëjtë ku edhe ka jetuar më herët bashkë me Bekimin dhe fëmijët, ndërkohë, shpreh interesim se nëse mund të gjejë dikë që ta ndihmojë, që ato dorëshkrime të Bekimit ti sistemojë dhe ti botojë. / KultPlus.com

Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës

Drejtoresha e kulturës në Komunën e Prishtinës, Arta Balaj ka njoftuar sot se Prishtina po bëhet me Strategji të Kulturës, përcjell KultPlus.

Sipas Balaj, një ekip profesional ndërkombëtarë dhe vendor, personalitete dhe kontribuues të kulturës dhe turizmit, do të punojnë për të sjellë një strategji gjithëpërfshirëse të artit dhe kulturës, ndryshimeve pozitive dhe inovative në Prishtinë.

Eksperti kryesor i hartimit të Strategjisë për Kulturë është Philip Kern, i cili ka njohuri të thella në fushën e kulturës dhe zhvillimit strategjik. Ai është një ekspert ndërkombëtar i tregut të muzikës dhe industrive të tjera kreative, është Drejtor Ekzekutiv dhe themelues i organizatës KEA European Affairs, e cila ofron kërkime, këshillim dhe konsulencë në fushën e politikave kulturore dhe kreative në nivel evropian. Ka hartuar dokumente strategjike për kulturë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës.

“Si Drejtori e Kulturës jemi të përkushtuar që të hartohet një dokument strategjik për kulturë dhe arritjen e objektivave që duhet të përfshihen në të si, promovimi i diversitetit kulturor dhe gjithëpërfshirës, nxitjen e kreativitetit dhe inovacionit, rritjen e infrastrukturës kulturore, nxitjen e ekonomisë kulturore, promovimin e turizmit kulturor dhe angazhimin e komunitetit”, thotë Balaj. / KultPlus.com

ETEA: Prishtina – qyteti ku nxënsësit e ciklit të ulët janë më të furnizuarit me libra

Organizata “ETEA” ka realizuar një matje statistikore gjatë muajit shtator të vitit 2023, për furnizimin me tekstet shkollore tek klasat 1-5 dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor në fillimin e vitit shkollor 2022/23.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjatë një muaji pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, 70.6% e nxënësve/eve të Kosovës shkojnë në shkollë pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.

Këjo matje është bërë nga 506 respodentë – të gjithë mësimdhënës/e të ciklit 1-5 – prej komunave nga e gjithë Kosova, përjashtuar komunat me shumicë serbe.

Komunat me numrin më të madh të anketave janë Prishtina me 23.1% dhe Peja me 14.6%. Në nivel klasash, numri më i lartë i respodentëve janë mësimdhënës/e të klasës së 5-të (23.7%), pasuar nga mësimdhënësit/et e klasës së 3-të me (21.3%). Matjet nga të cilat dalin statistikat në fjalë janë kryer mes datave 14 dhe 22 shtator. Anketimi është kryer në formë elektronike.

Më poshtë i kenit të gjitha matjet:

Organizata ETEA mëson nga matjet e kryera se një muaj pas fillimit të vitit shkollor 2022/23, 70.6% e nxënësve/eve të Kosovës shkojnë në shkollë pa pasur në dispozicion të gjitha tekstet shkollore.

Mësimdhënësit/et në shumicë prej 52.6% konsiderojnë se vendimi i MAShTI ka pasur ndikim negativ në mbarëvajtjen e procesit mësimor, krahas 14.8% që konsiderojnë se vendimi ka pasur ndikim pozitiv. Mungesa e teksteve shkollore te fëmijët lidhet me disa arsye, prej të cilave prijnë mungesa e teksteve shkollore nëpër libraritë e qytetit dhe problemet me transferimin e mjeteve financiare përmes platformës eKosova

Lidhur me vendimin e MAShTI për të ndryshuar procesin e furnizimit me tekstet shkollore, 30.4% e mësimdhënësve/eve konsiderojnë se ministria duhet të vazhdojë subvencionimin e prindërve/kujdestarëve/eve për blerjen e teksteve, derisa 69.6% vlerësojnë se MAShTI duhet ta përmbyll këtë proces përmes procedurave të prokurimit.

Nga matjet e ETEA, rajoni i Mitrovicës qëndron më së miri në aspektin e furnizimit të fëmijëve me tekstet shkollore. Komuna e Vushtrrisë prinë me 46.7% të mësimdhënësve/eve nga Vushtrria që thonë se 100% e nxënësve/eve janë të pajisur me libra. Mitrovica numëron 41.2% kurse Skënderaj 40%. Në mesin e komunave me numrin më të mirë qëndron edhe Prishtina – si komunë e dytë – me 44% të mësimdhënësve/eve nga kjo komunë që thonë se 100% e nxënësve/eve në klasat e tyre kanë të gjitha tekstet shkollore.

Sa i përket mbarëvajtjes së procesit mësimor, problemi vërehet dushëm te klasët e para, ku 38.3% e mësimdhënësve/eve deklarojnë se ndjekin plan-programin, por fëmijët kanë hasur në vështirësi, ose 12.7% deklarojnë se nuk e kanë ndjekur fare plan-programin, për arsye të ndryshme.

Në total, 54.5% e mësimdhënësve/eve në Kosovë deklarojnë se kanë probleme të ndjekin planprogramin hap pas hapi, me vetëm 45.5 për qind që thonë se kanë punuar rregullisht gjatë kësaj periudhe./Klankosova.tv/KultPlus.com

Buxheti i Prishtinës për vitin 2024, 20 herë më i lartë, Rama: Buxheti i transformimeve të kryeqytetit

Buxheti i Kryeqytetit i cili sapo u votua në Kuvend, për vitin 2024 do të jetë 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Pra, rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar, përcjell KultPlus.

Sipas të parit të kryeqytetit, Përparim Rama, buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës së tij në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i transformimit të Kryeqytetit.

“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen:

Ndërtimi i shkollave dhe çerdheve, Spitali i Prishtinës, Ndërtimi i Tunelit “Agim Ramadani”,

Ndërtimi i Unazës Qendër, Salla e Koncerteve, Salla e madhe multifunksionale, Revitalizimi i Tullëtores”, thotë Rama.

Gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm janë ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e therrtores për kafshë. / KultPlus.com

Së shpejti fillon Procesit i hartimit të Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka njoftuar të gjithë qytetarët se gjatë muajve shtator dhe tetor do të mbledhin të dhëna në terren dhe do të analizojnë strukturën urbane të Qendrës Historike të Prishtinës, shkruan KultPlus.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Prishtinës, se gjatë muajve shtator dhe tetor do të bëhet mbledhja e të dhënave në terren dhe analiza e strukturës urbane të Qendrës Historike të Prishtinës. Të dhënat e mbledhura mbi objektet, rrugët dhe hapësirat publike do t’i shërbejnë procesit të hartimit të Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës.

Lusim qytetarët e Kryeqytetit të jenë mirëpritës dhe bashkëpunues me asistentët e angazhuar për mbledhje të të dhënave në terren!”, thuhet në njoftim.

Ky projekt implementohet nga programi i UN-Habitat-it në Kosovë përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Qeverisë së Suedisë. /KultPlus.com

May be an image of map and text

Sot, 90 vite nga vrasja e patriotit shqiptar, Hasan Prishtina

Sot janë bërë 90 vite nga vrasja e politikanit dhe patriotit të madh shqiptar, Hasan Prishtinës, shkruan KultPlus.

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com

Reuters për Prishtinën: Me grafite po mundohet të bëhet më tërheqëse

I njohur si kryeqyteti i betonit, Prishtina po përpiqet të ringjallë imazhin e saj të shurdhër dhe gri me mbishkrime të gjalla në mure dhe ndërtesa, duke ndihmuar në transformimin e hapësirave publike në zona më tërheqëse dhe më të gjalla.

Kështu e nis tekstin mediumi i njohur Reuters, duke e përshkruar dukjen më ndryshe të kryeqytetit të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

Reuters shkruan se më shumë se 100 artistë nga 28 vende kanë mbuluar 2000 metër katror mure në Rrugën B (Rruga B) në qytet me art në një festival gjatë tre ditëve të fundit.

Kjo rrugë ndan ndërtesat e vjetra komuniste në perëndim me ato të reja në lindje, të cilat kanë të gjitha një gjë të përbashkët – hapësirën e pakët për përdorim publik dhe një bollëk betoni.

“Kur sheh betonin të jep përshtypjen se është ende në ndërtim e sipër”, tha Agon Xhelili, organizator i festivalit, Meeting of Styles Kosova.

“Kur artistët shohin këto vende ata thonë: ‘dreqin, ky është vendi më i mirë për të pikturuar’.

Organizata jofitimprurëse me të njëjtin emër, Meeting of Styles, u krijua në mesin e viteve ’90 në Gjermani, duke mbështetur artistë që mund të pikturonin ligjërisht mijëra metra katrorë zona të braktisura.

Që nga krijimi i saj, ajo ka organizuar më shumë se 400 evente si ai në Prishtinë, duke ndihmuar mijëra artistë në mbarë botën.

Daniel Sharon, një artist nga Londra që merrte pjesë në ngjarje me vëllain e tij, po pikturonte motive nga filmi horror bardh e zi i viteve 1950, Krijesa nga Laguna e Zezë.

“Unë mendoj se do të jetë vërtet pozitive (vizualisht dhe për turizmin) nëse lejojnë më shumë murale të artit publik”, tha Sharon.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, ky vendi i vogël ballkanik pa një bum të ndërtimeve./KlanKosova/KultPlus.com

Prishtina Gastronomy Festival do të jetë ‘cashless’

Blerja e biletave është e mundur përmes platformës online “rave-travel.com”. Ju mund të vizitoni faqen e internetit dhe të blini biletat në mënyrë të thjeshtë duke klikuar opsionin “Buy Tickets”. Pas kësaj, ju duhet të zgjidhni natën e dëshiruar dhe sasinë e biletave që doni t’i siguroni.

Gjithashtu, përveç blerjes online në rave-travel.com, biletat keni mundësinë t’i siguroni nëpërmjet pikave të shitjes si vijojnë: Che Bar te Kafet e Vogla, Che Bar Marigonë, Che Bar Prizren dhe Che Bar Libero Pejton.

Festivali do të jetë “cashless” ose pa para në dorë. Blerjet brenda Festivalit do të mund të realizohen duke mbushur kartën tuaj të Festivalit në stacionin e rimbushjes. Përmes së njëjtës kartelë, ju do të mund të blini pijet dhe ushqimet që dëshironi. Çdo shumë e papërdorur pas festivalit mund të rimbursohet plotësisht.

Nëse keni ndonjë pyetje shtesë ose nevojë për informacion të detajuar, ju lusim të na kontaktoni në numrin 045666461. Në sheshin “Adem Jashari”, edicioni i tretë i Prishtina Gastronomy Festival do të sjellë një program special muzikor për të gjithë dashamirësit e muzikës, një shumëllojshmëri të ushqimeve  dhe aktivitete të ndryshme për të gjitha grupmoshat, nga data 20 korrik deri më 27 korrik. Ky festival do të jetë një festë e vërtetë e shijes, artit dhe argëtimit për të gjithë vizitorët./KultPlus.com

LINKU I BILETAVE—> https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2614

Prej sot, kjo rrugë e Prishtinës mbyllet për qarkullimin e automjeteve

Komuna e Prishtinës njofton se, rruga “Xhorxh Bush” që gjendet në qendër të kryeqytetit do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve e mjeteve tjera të transportit nga data 03.07.2023 deri më 14 korrik 2023.

Kjo do të bëhet për t’i mundësuar Universitetit Ndërkombëtar Veror të zhvillojë aktivitetet në këtë bulevard.

Ndërsa rrjedha e qarkullimit të autobusëve të Ndërmarrjes Publike Komunale “Trafiku Urban” në linjat 1, 1A, 3, 4, dhe 7C do të ndryshojë. Tani autobusët do të qarkullojnë nga sheshi “Xhorxh Bush” në drejtim të Bulevardit “Bill Kllinton” dhe do të përshkojnë rrugën “Robert Doll”./ KultPlus.com

Prishtina pritet të bëhet me stadium të ri

Klubi i futbollit Prishtina, pritet të bëhet me stadium të ri.

Kryetari i kryeqytetit Përparim Rama, dhe kryetari i Federatës së Futbollit Agim Ademi, diskutuan rreth projektit të ndërtimit.

Ky impiant sportiv do të ndërtohet në Bërnicë dhe do të jetë i kategorisë së katërt.

Stadiumi do t’i plotësojë të gjitha standardet dhe kushtet e nevojshme për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të ndeshjeve të ekipit kombëtar dhe klubeve në garat evropiane.

“Ademi dhe Rama kanë rënë dakord që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e stadiumit të ri, në të njëjtën mënyrë siç ndodh me stadiumin “Fadil Vokrri”. Ata diskutuan po ashtu edhe për mirëmbajtjen e stadiumit ekzistues, gjendjen e fushës dhe organizimin e ndeshjeve kombëtare dhe të ekipeve që garojnë në Evropë. Kryetari Rama ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, në kryeqytet, duke e parë atë si sportin më të popullarizuar në Kosovë. Të dy krerët e institucioneve janë zotuar që të krijojnë kushte sa më të mira për sportin në kryeqytet dhe të përkushtohen bashkërisht në organizimin sa më të mirë të klubeve të kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e FFK-së përcjell Klankosova.tv/KultPlus.com

‘Daily Mail’ shkruan: Prishtina vend i mirë për blerje pronash e investime kapitale

Prestigjiozja e Mbretërisë së Madhe, “Daily Mail” ia ka kushtuar një artikull kryeqyteti të Kosovës, Prishtinës duke e cilësuar si një vend të mirë për blerje pronash dhe investime kapitale.

Daily Mail shkruan se çmimet e larta të banesave dhe rritja e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar po i shtyjnë blerësit jashtë vendit, pasi ata kërkojnë t’i shumëfishojnë paratë e tyre.

Sipas të dhënave të qeverisë, çmimi mesatar i shtëpive në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 294,910 £, ndërsa shtëpitë në Londër kushtojnë gati dyfish.

Shtëpitë në kryeqytetin e Anglisë tani janë të tretat më të kushtueshme në Evropë pas Stokholmit dhe Dublinit, thotë këshilltari i pronave, “Your Overseas Home”.

Vlera më e mirë e parasë është në Prishtinë, zbulon hulumtimi i kësaj agjensie. Për 250,000 £ mund të blini një shtëpi me pesë dhoma gjumi me tre banja, një garazh dhe kopsht të madh.Pronat në qytet kushtojnë mbi 600 euro për metër katror, ​​një pjesë e mesatares së Londrës prej 9300 euro për metër katror

Kryeqytetet në Evropën Lindore priren të jenë vendet më të përballueshme për të blerë prona, por studimi e konsideroi gjithashtu Evropën si një kontinent gjeografik dhe Jerevani i Armenisë renditet në vendin e dytë.

Në peizazhin e saj të rrethuar nga mali, me 300,000 euro do të blini një shtëpi të mobiluar plotësisht, me tre dhoma gjumi, me tre banja, një kopsht të madh dhe garazh me tre makina.

Christopher Nye në Your Overseas Home, tha se kostoja e jetesës, rritja e inflacionit dhe normave të interesit e kanë bërë të vështirë për shumë njerëz që të marin vendimin për të blerë shtëpinë e tyre të ëndrrave në MB.

“Të shohësh këto vende që janë shumë më të përballueshme, mund t’i inkurajojë ata që të nisin drejt një stili jetese shumë më të përballueshëm”, tha ai./rtk/ KultPlus.com

Hasan Prishtina: Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj e nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri, Dorian Koci ka publikuar sot një citat të rrallë të Hasan Prishtinës, shkruan KultPlus.

Këto fjalë, Hasan Prishtina i kishte thënë për “Ora e Shqipnisë”, nr.7 që ishte botuar në Vjenë më 22 maj 1928.

Po sjellim të plotë fjalimin:

“Akuza, shpifje, kërcenime, rreziqe nuk më kanë frikësue kurrë deri më sot, e kundërshtarët e mij le të janë të sigurtë se nuk do të më friksojnë as mbas sodit (…). Nderin tem si njeri e si shqiptar e çmoj, e tham me krenari, nuk e le të përlyhet me llumin e shpifjeve. Mua n’idenë t’eme patriotike nuk ka muejtë as nuk do të muej me më shtrue as ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve. Ka me më shtrue vetëm vdekja”
Hasan Pishtina (*1873 në Vushtrri – 13.08.1933 në Selanik)
“Ora e Shqipnisë”, nr. 7, Vjenë, 22.V.1928
Per fat te keq vetem vdekja e pabese e ndali…/KultPlus.com

Teatri Kombëtar i Kosovës zhvendoset në Tiranë

Katër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Kosovës do të shfaqen në Tiranë, shkruan KultPlus.

Nga data 8 deri më 11 mars të këtij viti, shfaqjet nga repertori i këtij institucioni do të prezantohen për publikun e Tiranës, prezantim ky në kuadër të bashkëpunimit të teatrove kombëtare nga Prishtina dhe Tirana, e që me këtë rast është me rastin e 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Shfaqjet do që do të prezantohen në këto terminë janë: Gratë – 8 Mars, ora 19:00 Molly – 9 Mars, ora 19:00 Fausti – 10 Mars, ora 19:00 Club Albania – 11 Mars, ora 19:00./ KultPlus.com

Deri më 8 janar 2023 mbyllet rruga “George Bush” në Prishtinë – ndryshon qarkullimi i autobusëve në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se duke filluar nga sot e deri më 8 janar 2023 për shkak të festave të fund vitit rruga “Xhorxh Bush”, duke filluar nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”, do të jetë e mbyllur.

Komuna e Prishtinës njofton se rrjedha e qarkullimit të autobusëve do të ndryshojë.

Me ndryshimin e qarkullimit të autobusëve mund të njoftoheni në bazë të fotografive të mëposhtme:

Linja Nr. 1 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi F. Kosovë – Prishtinë dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në pikën e fundit tek Fakulteti Teknik.

Linja Nr. 1A – Ndryshimi i linjës 1A në shkuarje dhe ardhje do të vazhdon në rrugën “Bulevardi Bill Clinton” për në drejtim të “Bulevardit Dëshmoret e Kombit” dhe përfundon në Stacionin e Autobusëve.
Linja Nr. 3 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi Bardhosh – Mat dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr. 4 – Ndryshimi i linjës nga drejtimi Matiqan – Gërmi dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr.7C – Ndryshimi i linjës 7C nga rruga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, linja vazhdon në rrugën  Bulevardi Bill Clinton” në drejtim të pikës së fundit në lagjen Kalabria. /Gazeta10

Linja Nr.7C – Ndryshimi i linjës 7C nga rruga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, linja vazhdon në rrugën  Bulevardi Bill Clinton” në drejtim të pikës së fundit në lagjen Kalabria. /Gazeta10

CNN e radhit Prishtinën në mesin e 21 qyteteve që nuk vlerësohen sa duhet

Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, është renditur në mesin e vendeve më të nënvlerësuara në Europë nga mediumi i njohur ndërkombëtar, CNN.

Kjo u bë në një artikull ku janë renditur 21 vendet që nuk vlerësohen aq sa e meritojnë, përcjell Express.

Ballkani ka kaq shumë për të rekomanduar, nga ishujt e egër përgjatë bregdetit dalmat deri tek ecjet sfiduese nëpër vargmalet e tij. Dhe kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është jashtëzakonisht e nënvlerësuar, shkruan CNN.

Ajo ka një kulturë shumë të shprehur kafeneje, duke shërbyer kafe që do t’i bënte krenarë baristat më të mirë austriakë, shkruan mediumi amerikan.

Soma Book Station dallon nga tjerat. Ndërkaq, pishina e madhe në parkun e Gërmisë është një vendtakim gjatë verës, vijon shkrimi. / KultPlus.com

Kaos në rrugët e Prishtinës, testimi zgjatë deri të dielën

Sot ka filluar testimi për shndërrimin e gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Ky testim ka shkaktuar kaos pasi rrugët kryesore të Prishtinës janë bllokuar nga kolonat, njofton KultPlus.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar për këtë testim qysh para dy dite, duke njoftuar gjithashtu se testimi do të zgjatë deri ditën e diele.

“Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: – Rruga “Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë – Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia. – Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE, Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, Rruga “Ukshin Hoti” dhe Rruga “Robert Doll””, kishte njoftuar Komuna.

Komuna kishte thënë se i gjithë procesi do të bëhej në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, derisa u kishte bërë thirrje qytetarëve për durim.

“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Kryeqytetit të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i gjithë procesit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhej në postim./ KultPlus.com

Arrestohet një person në Prishtinë, ngacmon seksualisht dhe godet viktimën

Një tjetër rast i ngacmimit seksual është paraqitur sot në Prishtinë, njofton Policia e Kosovës, shkruan KultPlus.

Sipas raportit të policisë rasti ishte lajmëruar në polici më 19 gusht të këtij viti, ndërkaq tek dje është arrestuar personi i dyshuar.

“Më 05.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ngacmuar dhe më pastaj e ka goditur viktimën femër kosovare.

I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /KultPlus.com

Tronditëse, vajza 11-vjeçare dyshohet se u dhunua nga 5 meshkuj për shtatë orë në Prishtinë

Vajza që dyshohet se u dhunua nga pesë meshkuj, për shtatë orë në Prishtinë, është 11-vjeçe.

Dhunimi i 11-vjeçares, sipas policisë ka ndodhur të shtunën nga ora 17:30-00:30.

Lidhur me rastin janë arrestuar dy nga pesë të dyshuarit, njëri është i mitur. Të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje dhe ndaj tyre prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar (njëri madhor dhe tjetri i mitur), për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe, ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

Tutje, Ulaj deklaron se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Teksa shton se nuk mund të japin informacione shtesë në këtë fazë.

Ky rast është përfshirë edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës, ku thuhet se pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore.

“DHUNIM /Prishtinë 27.08.2022-17:30-00:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën  e lartcekur  ndaj viktimës femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar meshkuj kosovarë  janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të njëjtit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin e PK-së. / Express / KultPlus.com

Sunny Hill: Bileta ‘Believers’ e Prishtinës e vlefshme edhe në Tiranë

Në datat 26 deri më 28 gusht në Tiranë do të mbahet festivali “Sunny Hill” për herë të parë që nga themelimi, shkruan KultPus.

Sunny Hill, që ka nisur në Kosovë me një emër tjetër, tashmë do të zhvendoset edhe në Tiranë.

Më 4-7 gusht është mbajtur në Prishtinë, derisa biletat“Believers” do të vlejnë edhe për hyrje në Shqipëri.

“Jemi të lumtur t’ju njoftojmë se Bileta juaj “Believers” e Prishtinës është e vlefshme për Sunny Hill Festival Tirana gjatë datave 26, 27 dhe 28 gusht. Bëhuni gati për të shënuar muajin më të mirë ndonjëherë!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

Delegacioni nga Spanja viziton Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina, diskutohet për shkëmbim të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës

Ministri Çeku priti në takim delegacionin nga Spanja që kanë ardhur për ta vizituar Kosovën si pjesë e Manifesta 14 Prishtina.

Delegacioni i përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve. Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit.

Gjithashtu, u diskutua për përvojat e organizimit të Manifesta 14 Prishtina në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta./ KultPlus.com

“Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës

Festivali i parë Operistik në vend dhe rajon, “Rame Lahaj International Opera Festival” këtë vit, me përkrahje unanime do të mbahet nën patronazhin e Komunës së Prishtinës, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili është shprehur shumë i lumtur.

“Jam tejet i lumtur që sivjet, me përkrahjen unanime të komunës së Prishtinës, marrim nën patronazh Festivalin e parë Operistik në vend e rajon, Rame Lahaj International Opera Festival.

Për artistin tonë Rame Lahaj nuk kam pse të them shumë, pasi vlerësimin ia ka dhënë bota, e ia kam ndjekur shfaqjet edhe personalisht në Berlin e në Londër. Por ajo që për mua, Prishtinën dhe Kosovën ka rëndësi shumë, prandaj edhe do ta përkrahim gjithmonë, është investimi në platformën edukativo/arsimore, të ideuar për talentët lirikë të rinj e në karrierë, e po ashtu në mundësitë e depërtimit të tyre në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar Rama.

RLIOF sivjet do të ketë 5 mbrëmje koncertale, ku përveç yjeve operistike nga shtete të ndryshme, vend të rëndësishëm në repertorin e festivalit do të zërë edhe muzika e mirëfilltë shqipe.

“I dashur Ramë Lahaj, Prishtina dhe vendlindja të mirëpresin ty dhe kolegët e tu ndërkombëtarë”, shkruan tutje Rama. / KultPlus.com

Petrit Halilaj pjesëmarrës në Manifesta 14 Prishtina, ju fton të krijoni bashkë një qiell të ri

Petrit Halilaj do të jetë pjesëmarrës në Manifesta 14 Prishtina dhe ka një ftesë të hapur që të krijoni bashkë një qiell të ri, shkruan KultPlus.

Duke u nisë nga Grand Hotel, një vend që i reflekton shndërrimet që i ka përjetuar shoqëria në Kosovë, Halilaj do të ndriçojë yjet dhe qiellin duke kompozuar një mesazh poetik për kryeqytetin, i mundshëm vetëm përmes bashkëpunimit me ju.

“Jam fort i gëzuar me u kthy në Prishtinë me një projekt të ri! Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin do të jetë një gjithësi, të cilën ju ftoj ta pikturojmë dhe ndriçojmë bashkë më 22 korrik. Puna do të fillojë me shkronjat në maje të Grand Hotel Prishtina, me yjet e tij— të cilat tash për tash janë të shkapërderdhura në kulm të kësaj ndërtese dhe të cilat do të rimontohen, shumohen dhe të shpërndahen nëpër krejt qytetin”, thotë Halilaj.

Lexoni ftesën e tij në këtë link: https://manifesta14.org/…/kur-dielli-te-ike-do-ta…/

‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ është porositur nga Manifesta 14 dhe mbështetet nga Autostrada Biennale dhe Ammodo. / KultPlus.com