Arvanitika, gjuhë mbizotëruese në Athinë deri në shekullin XX!

“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari nga çdo banor i Salaminës, si dëshmi për historianin grek, Tasos Karantis. Janë dy studime të botuara në revistën greke, “Rrezet e grekëve” për historinë e arvanitasve në Greqi.

Në këto studime evidentohet se në shumicën e krahinave të Greqisë, duke përfshirë edhe Athinën, gjuha mbizotëruese ishte ajo e arvanitasve, ose siç e quanin ata, arbërisht.

Në një faqe të kësaj reviste, artikulli në fjalë paraqet atë çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin. Të dhënat vijnë nga vepra e Dhimitriu Bizantiut, shkruar në vitin 1836. Ja se ç’shkruan ai konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi se banorët e fshatrave përreth Atikës, por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar, flisnin një gjuhë që Arvanitët e moshuar e quanin: ‘arbërisht’, ku ishte e njohur gjerësisht si arvanitëshe”.

Në vijim artikullshkruesi krahason fshatrat grekë dhe ato arvanitas/arbëreshe, ku sipas tij, nuk ekzistonte asnjë dallim. Madje deri në shekullin XX gjuha që mbizotëronte në këto fshatra dhe brenda në Athinë ishte arbërishtja.

Ndërkohë sillet dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis për arvanitët e Salaminës, kur me krenari banorët e saj thoshin se: “Eimai arbanitis kai milao arbanitika (Jam arvanit dhe flas arvanitika)”. Këta vendas thoshin se gjuha është e “tatërve (etërve) tanë”, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike – Gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve!/KultPlus.com