Premiera “Emigrantët” shpalosi përballjet e dy personazheve të kundërta në një tokë të huaj

Medina Pasoma

Pyetjes se cilat janë dallimet mes një intelektuali me përgatitje kulturore dhe synime jetësore, si dhe të një punëtori fizik që frymon për të mbijetuar mund t’iu përgjigjemi me një listë të gjatë. Por, premiera “Emigrantët” në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dje i dha publikut përgjigjen e të përbashkëtave të këtyre dy protagonistëve, shkruan KultPlus.

Nën regjinë e Arianit Gecit dhe me paraqitjet artistike të Bashkim Ramadanit dhe Labinot Raçit, shfaqja “Emigrantët” shpalosi vështirësitë me të cilat përballen individët të cilët lënë prapa vetes atdheun dhe marrin rrugën e mërgatës, veçse në dy dimensione krejtësisht të kundërta.

Skenari i shkruar nga Slawomir Mrozek dëshmoi që edhe njerëzit i ngjajnë natyrës dhe se pavarësisht pse ekziston largësia lindje-perëndim, sërish gjithsecili në ekzistencë gjen një pikë ku takohet me dikë.

Një intelektual i përndjekur për shkaqe politike detyrohet të vazhdoj jetën në bodrumin e një ndërtese në një shtet të huaj. I vetmi ngushëllim për të është makina e shkrimit, dorëshkrimet dhe mendimet e tij, të cilat bien ndesh me mikun e tij të dhomës. Ai ndan hapësirën ku jeton me një punëtor fizik, i cili shpërfaq naivitetin njerëzor por edhe përpjekjen për një jetë më të mirë.

Njërin e obliguan që të largohet nga atdheu, e tjetrin jeta e obligon që të qëndroj larg familjes së tij, duke pasur përherë në kokë qëllimin e rikthimit në vend dhe të përmirësimit të jetës së gruas dhe fëmijëve të tij.

Në anën tjetër, këta dy protagonistë njeri me dëshirën e tij e tjetri pa të, lanë gjithçka në kërkim të diçkaje më të mirë. Mirëpo, të jetuarit kontestohet përbrenda kushteve të këqija, jetesës në një bodrum ku dëgjohet çdo zhurmë e banorëve në katet e sipërme dhe vetmisë përbrenda shpirtërave të të dyve.

KultPlus ka zhvilluar intervistë me aktorin Bashkim Ramadani, i cili i dha jetë intelektualit të përndjekur në “Emigrantët”, e që tha se kjo shfaqje mbetet e veçantë për të.

“Roli im ka qenë i një të përndjekuri politik, i cili ka ik një kohë prej sistemit për shkak që nuk ka pasur mundësi të vazhdoj me punën e tij me shkrime. Këto janë gjëra me të cilat janë ballafaquar shumë persona kur kanë vendosur të ikin dhe të shkojnë në mërgim”, tha për KultPlus Ramadani.

Normalisht, pas përndjekjes dhe ndërrimit të kushteve jetësore, asgjë nuk do të mbetet e njëjtë për këtë personazh.

“Telashja më e madhe e këtij personazhi mendoj që është se duhet të merret me diçka që nuk është e vetja, nuk ka pasur mundësi ta vazhdoj veprimtarinë që e ka bërë në atdhe, shkrimin. Atje iu është dashur të jetë murator”, shpjegon aktori Ramadani.

Tutje, ai e çmon lartë rrëfimin e kësaj shfaqje, teksa e vlerëson si ndër skenaret më të mira në përballje me dy personazhe.

“E mrekullueshmja e kësaj shfaqje është përballja e dy personazheve me qëndrime diametralisht të kundërta kulturore por që bashkohen nga shqetësimet preokupimet, telashet që i kanë pasur dhe vazhdojnë t’i kenë përgjatë emigrimit”, shprehet ai.

Në anën tjetër, si pjesën më të mirë të rrëfimit, Ramadani e sheh ballafaqimin e dy personazheve me njëri-tjetrin.

“Kjo shfaqje i ballafaqon këto dy botëra e përgjatë të cilave lindin edhe konfliktet të cilat dalin shumë bukur në skenë”, vlerëson Bashkim Ramadani.

Dëshira e aktorit i cili solli rrëfimin e kësaj shfaqje është vazhdimësia e saj.

“Ky është njëri prej roleve që më pëlqen në gjithë karrierën time prej fillimit deri në fund”, përfundon aktori Bashkim Ramadani.

Shfaqja “Emigrantët” ishte realizuar në vitin 2014 nga Qendra Multimedia, si pjesë e studimeve akademike të regjisorit, Arianit Geci. / KultPlus.com