Arjeta Godanci shpallet fituese e edicionit të parë të ‘Pranverës së poetëve’

Gili Hoxhaj
Në kuadër të Javëve të Frankofonisë, konkursi për përkthim “Pranvera e poetëve” erdhi këtë vit edhe në Kosovë.

Studentët që kishin ardhur në këtë konkurs, krahas poezisë franceze kishin marrë me vete edhe fjalorin frëngjisht-shqip, me anë të së cilit ndërthurnin vargjet franceze në gjuhën shqipe. “Pranvera e poetëve” është një aktivitet tradicional që organizohet në Francë dhe kudo në botë, ndërsa këtë vit për 20 vjetor për herë të parë u organizua në Kosovë.

Përmes këtij konkursi ku pjesëmarrësit u sfiduan në përkthimin e poezisë franceze në gjuhën shqipe, Arjeta Godanci arriti të shpallet fituese e vendit të parë të konkursit për përkthim “Pranvera e poetëve”, kurse fituesi i vendit të dytë u zgjodh Ylber Myrtezaj, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrësit e këtij konkursi janë vlerësuar nga juria e përbërë nga tre anëtarë: Izet Sylaj, Avdi Visoka dhe Nerimane Kamberi.
Çmimi i parë, Arjeta Godancit i ka dhënë një ndjesi të mrekullueshme përkundër faktit se konkurrenca nuk ka qenë e madhe. Ajo thotë se kjo është hera e parë që merr pjesë në një garë të tillë.
“Është hera e parë që e kam sfiduar veten ne një garë të tillë dhe çmimi i parë patjetër qe ka një rëndësi të veçantë. Shpresoj që kompeticione të tilla të organizohen më shpesh”, u shpreh Godanci për KultPlus.
Ajo thotë se poema e Jacques Prevert i ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme, si në gjuhën franceze po ashtu dhe gjatë procesit të përkthimit në gjuhën shqipe.

“Në përgjithësi poemat e Jacques Prevert janë të thurura në një mënyrë narrative dhe kjo i bënë ato të bukura dhe mbi të gjitha reale. Patjetër edhe kjo që më është caktuar ta përkthej më ka ngjallur emocione të forta, po ashtu edhe mënyra se si është përshtatur në gjuhen shqipe”, tregoi Arjeta Godanci.

Profesoresha e përkthimit, njëherit dhe njëra nga anëtarët e jurisë së konkursit, Nerimane Kamberi tregoi për KultPlus se është e rëndësishme që me anë të këtij aktiviteti të vihet theksi në gjuhën dhe në përkthimin, që nënkupton t’i dish të dyja gjuhët mirë nga formimi dhe përmbajtja, e më pas shkrirja e tyre.
“Kjo nënkupton se punohet në frëngjisht por edhe me gjuhën shqipe. Jacques Prévert është një nga poetët më popullorë të letërsisë franceze të shekullit XX-të, i cili është përkthyer edhe në Kosovë në vitet e 80-ta dhe 90-ta dhe është shumë mirë që po kthehet në këtë formë”, u shpreh profesoresha Kamberi.

Ajo tutje tregoi se arsyeja përse është zgjedhur pikërisht poeti i njohur Prévert është sepse ky aktivitet është si pikënisje e një aktiviteti tjetër që do të mbahet në qershor, me një spektakël për Jacques Prévert.
Agathe Bouchet, përgjegjëse për bashkëpunim universitar në Ambasadën e Francës, tha se është e gëzuar që në Kosovë po organizohet për herë të parë ky konkurs i përkthimit ndërsa shtoi se pret një interesim edhe më të shtuar viteve që do të vijnë.
“Është e rëndësishme për neve që të organizojmë një konkurs të tillë të përkthimit sepse këtu në Prishtinë, ne nuk kemi ndonjë program për përkthim në gjuhën frënge dhe studentët edhe pse mundohen ta bëjnë më të mirën, nuk kanë trajnimin e duhur dhe ky konkurs ua mundëson që të vlerësohen dhe të marrin edhe sugjerimet nga një juri profesionale”, u shpreh Bouchet për KultPlus.
Ajo tha se është e impresionuar nga mënyra se si njerëzit në Kosovë vërtet e duan poezinë dhe është e rëndësishme që t’u jepet qasje edhe në poezinë franceze, atë çfarë e synon ky konkurs, përkthimin e sa më shumë poezive.

‘Javët e Frankofonisë’ do të vazhdojnë deri në fund të këtij muaji, me aktivitete të shumta artistike./ KultPlus.com