Arratisja e Sabri Popajt

Shkruan: Milazim Krasniqi

ARRATISJA E SABRI POPAJT*

(Adoptuar për monodramë)

(Në ekranin e madh, të instaluar në pjesën fundore të skenës, transmetohen pamje nga malet e Sharrit, të xhiruara nga lartësia dhe që zhvillohen ashtu që të sajojnë idenë e rënies dhe rrjedhimisht edhe të marramendjes.  Pastaj këto pamje kombinohen me pamjen e qiellit  mbi malet e Sharrit, të xhiruara nga poshtë-lart, thikëpërpjetë, që poashtu mund ta sajojnë idenë e marramendjes nga lartësia. Pastaj fiksohet fluturimi i një shqiponje  të vetme, duke ndjekur fluturimin e saj deri sa pothuajse zhduket e mandej rishfaqet dhe afrohet në ekran me idenë që janë drejtuar të dalë “këndej” ekranit,  në publik. Pikërisht në këtë çast, kur “pritet” shpërthimi i skenës prej saj, në ekran shfaqet figura e Sabri Popajt, një fotografi e bërë nga hetuesit e Tribunalit të Hagës në qershor 1999. Pas errësimit total të skenës për dy-tre sekonda, shfaqet në mes të skenës aktori që luan rolin e Sabri Popajt, i veshur me rrobe sa më të ngjashme me ato të fotografisë, ku është fiksuar Sabri Popaj nga fotografi i Tribunalit të Hagës. Fillon qetë, si bashkëbisedim, gati monoton. Por, ironik.)          

Në mal kam dalë fillikat, me dhen,

I shoh si kullosin në hesap të vet,

Me mirë kuvendoj këtu me një qen

Se sa me njerëz të tromaksur në fshat e qytet.

(Shikon qiellin. Vë dorën mbi ballë si kasketë.)

Me orë të tëra vëzhgoj shqiponjat

Që fluturojnë si të bënin një lojë.

Harkimet e tyre më duken si shkronjat

Që të zbulojnë një sekret e të lënë pa gojë.

(Heq dorën nga balli. Qëllon ballin, si i shastisur. Ngritje toni, shprishje emocionale.)

Ne themi që jemi bij shqipesh antike

Të stuhioreve** që ngrihen me vërtik,

Por ngaherë nuk jemi specie heroike

Përngjasojmë më shumë me zvarranikë.

(Bën me gishtin tregues të dorës së djathtë drejt lartësive.) 

Shqiponjat kanë shikim të mprehtë

Dhe flatra të forta si gur mulliri.

Ndërsa lëvizja jonë është e mefshtë

E dymendur, si një lutje monotone fakiri.

(Dorën e djathtë e bën grusht. Me ton edhe më të lartë, më luftarak)

Shqiponjat guxojnë edhe të arratisen

E kthehen prapë, aty ku e kanë folenë.

Ndërsa ne kur ta bëjmë njëherë braktisjen

Fillojmë ta urrejmë me shpirt atdhenë.

(Pauzë. Fërkon ballin. Pështyen duart, si njeriu që i përvishet një pune. Me ton më qortues. Lëvizë nëpër skenë i shqetësuar.)  

Nuk e di ç’do të bëja pa fluturimin e tyre

Dhe pa arratisjen time këtu.

Do të bëhesha si zhguall prej mynxyre

Dhe me mua do të talleshit edhe më shumë ju.

(Errësim skene. Në ekran fillon e shfaqet pamje e dy djemve duke luajtur, më së miri është nëse mirret nga spoti i këngës “Përjetësisht” të grupit “Ritmi  i Rrugës”. Ndriçohet skena. Aktori që është gërmuqur, me kokë mes duarsh, ngrihet ngadalë. Me ton më meditativ, gati vajtues.Duke mbajtur sërish kokën me të dyja duart. Me shikim përdhe. )

Kur shoh këtu shqiponjat duke u ngritur

Më duket se shoh bijtë e mi duke më ardhur,

Të rilindur dhe tejkohe të përtëritur,

Nga udhëtimi i gjatë nëpër qiej të zbardhur.

Më duket se më afrohen e më thonë:

Baba, ne erdhëm të të shohim dhe një herë,

Pasi atë ditë të lamë në komë,

Të rënë përmbys mbi atë përrua të mjerë.

Nuk arritëm të ta jepnim lamtumirën, baba,

Se plumbat na goditën si një vetëtimë.

Dita u ngrys e shpejt ra nata hata,

Një natë që bebëzat na i mbushi harrim.

Nuk po vdisnim ne, por ty po të linim

Të rënë përmbys në atë shkurre të tharë,

Që do të vinte liria tashmë ne e dinim

Por, pa ne do të ishte si një shqiponjë e vrarë.

(Ekrani fiket. Nxin. Aktori shqetësohet, ngrihet e lëvizë nëpër skenë, si njeriu që kërkon diçka që ka humbur. I drejtohet ekranit dhe e qëllon me grushte. Shqelmon dyshemenë. Vrapon nëpër skenë. Pas disa çastesh, skena ndriçohet. Edhe në ekran shfaqen shqipona në fluturim. Aktori ka veshur një gunë barinjsh dhe ka në dorë në shkop të gjatë.)

Në një këso çasti bijtë e mi më humbasin

Në varganin e reve të bardha si borë,

Megjithëse më duket vazhdojnë të më thërrasin

Mua që ngrij me këtë shkop në dorë.

(Ndalet dhe shikon përpjetë, me duart lart.)

Ata kthehen sërish sipër reve, në qiej,

Atje ku nuk arrin shikimi e as mendja ime,

Por, nuk e di si ua ndjek fluturimin, si i ndjej

Pranë, si të ishin të futur në gunën time.

(Hap gunën, si për të futur në të ndokend. Vrapon nëpër skenë me atë gunë të hapur, ssi duke ndjekur dikend që përpiqet ta fus nën atë gunë. Pastaj i zemëruar, e heq gunën, e vrpjon me dyshim, pas pak e hedh disa hapa larg. Por, afrohet me nxitim, e merr dhe e vesh me ngut e si me frike, se ia merr ndokush gunen. E përthekon dhe e mban me duar.)

Prandaj ma do shpirti në këtë bjeshkë të rri

Në furtunë, në cikmë, në shi e në dëborë,

Të pres djemtë që vijnë e kthehen përsëri

Duke ma mbushur zbrazëtirën në kraharor.

(Ndalet, rri si i gurëzar. Në ekran jipen për disa çaste pamje nga Malet e Sharrit në dimër. Pasatj ndodhe një ndryshim emocional, me disponim gati fëmijëror.Hidhërueshëm, gati kërcëneshëm)

Nuk kam pse kthehem në rrafsh e në qytet

Atje ku po e shkrryeni mizorisht lirinë.

Po e pres shpëtimin këtu krejt i qetë,

Ta zdesh si një gunë të ndotur tejmërzinë.

(E zdesh gunën dhe e hedh serish disa hapa larg vetes. Ia kthen shpinën. Kthehet dhe kapërcen me hop mbi gunën, del ën anë  tjeëtr të skenës, sikur kërkon dikend të clit  drejtohet. Merr pamje si të personit që mban një fjalim. Qortues e paska duke u krekosur.) 

Ju të çliruarit atje poshtë, vazhdoni

Gjaknxehtë t’ia nxirrni sytë njëri-tjetrit,

Por, lirinë që e shkërryeni a e meritoni

Ajo u erdhi nga gjaku i Agonit dhe Shëndetit***

Liria që fitohet nga gjaku i djemve rioshë

Dhe nga vuajtjet e grave fatmjera,

Liri nuk është, o burra sarhoshë,

Ajo është një sprovë për kohët e tjera.

(Bën me gisht në drejtim të publikut. Afrohet në cepin e përparmë të skenës, afër publikut.Gërmuqet.)  

Ju vazhdojeni luftën që nuk e bëtë,

Unë po u shikoj me neveri nga kjo majë.

Lirinë e gjakut të djemve të mi, si e zhbëtë,

Po ku do ta fshihni kokën pas zhbërjes së saj?.

( Drejtohet. Me ton me meditativ.)

Pa atdhe e pa liri ne e kemi provuar jetën,

Që nuk na vlente as sa një samar gomari,

Por, ne mësuam që moti ta fshehim të vërteten

E të gënjenim se ka trimëri shqiptari.

E provuam edhe kësaj here veten

Dhe ramë përposh, ramë në humnerë.

Guximi e burrëria si kripa në ujë na u tretën

Dhe e pamë veten të mjerë e të stërmjerë.

(Errësohet skena. Në ekran pas dy-tre sekondash transmetohen pamje arkivore nga gjenocidi serb: djegie shtëpish, kolona refugjatësh, varreza masive. Transmetohen materiale televizive të medieve botërore që kanë mbuluar ato ngjarje. Pastaj skena ndriçohet. Ekrani nxin.)

I pamë si na i vranë para syve fëmijët tanë

I pamë dhe si na i dhunuan gratë e motrat.

I pamë si na grinë e si na vranë,

Si na i dogjën edhe varret edhe votrat.

I patë të gjithë ju, siç i pashë edhe unë

Me zemër të ngrirë, me sy të errësuar.

As unë nuk bëra ndonjë trimëri, ndonjë punë

Megjithëse bëra një varrim të padëgjuar.

(Skena errësohet. Ekrani aktivizohet. Pas disa çastesh, fillon transmetimi i pamjeve nga qytetet antike, më së miri është të mirren pamje nga amfiteatri i Butrinti dhe nga ai i Durrësit. Pastaj jipet një sekuencë teatrore, ose filmike qe ka të bëjë me tragjedinë antike, “Antigonën” e Sofokliut, ose  ndonjët ragjedi tjetër. Ndriçohet skena. )   

Ato ditë/ net që më ngërdhesheshin si shtriga

E zbraznin tërbimin e huaj mbi jetët tona,

Unë nuk dija gjë për Sofokliun nga antika,

Nuk e kisha idenë kush kishte qenë Antigona.

Atij lloj varrimi nga e para duhej t’ia filloja

Pasi që kujtesën na e kishte fshirë barbaria,

Nga e para do të duhej vetë ta përjetoja

Atë gjëmë që e kishte provuar veç njëherë historia.

Më vonë, shumë më vonë, e mora vesh

Që Antigona e theu një dekret,

Ajo kishte varrosur veç një vëlla të lënë në shesh

E jo si unë, që varrosa gjashtëdhjetë.

(Në ekran jipen pamje nga varreza në Fortesë, ku në gurvarre janë të shënuar emrat e personave që përmenden, Nazmiut, Agonit, Shëndetit dhe të tjerëve të vrarë në masakrën e Bellacërkës (Fortesës.)  

Ajo e kishte një kufomë, vëllanë, e kishte lehtë,

Ndërsa unë nga t’ia filloja më parë,

Nga im vëlla Nazmiu a nga bijtë e mi të shtrenjtë,

A nga kufoma fëmijësh të tjerë, që dergjeshin në bar.

( Dridhet, lebetitet. Bie në gjunj. Godet kokën lehtë me grusht, si për ta yshtur kthimin e kujtesës. Në ekran fiksohet  fotografia e Sabri Popajt, por mbahet dridhshëm, si kur ka pengesa në transmetim.)

Ishte e zorshme të krijoja një radhë me mend

Sepse kisha harruar edhe të numëroja.

Prekja gishtërinjtë, po nuk i ndieja në vend,

Fërkoja sytë me thonj, por asgjë nuk shikoja.

Nuk e dija as kush isha dhe pse isha aty kot

Sabri Popaj po thua, nuk e di a jam, a je i sigurt?

More, mos jam ëndërr unë e nuk po zgjohem dot?!

E po si mund të zgjohet një njeri i gurtë?

Po pastaj e rrokja qartë me mend

Se isha unë, Sabri Popaj, dhe se isha i zgjuar,

Dhe se duhej të formoja patjetër një rend

Nga kufoma e djalit të vogël, që e mbaja në duar.

(Ngrihet, vrapon nëpër skenë i tmerruar. Kërkon dikend, kërkon diçka.  Skena errësohet pjesërisht. Aktori fokusohet me nje dritë të zbehtë, tek ka në dorë një lopatë dhe duket sikur rërmih dheun, hap varre. Pas disa çastesh, ndalon dhe flet, në atë gjysmerrësirë.) 

Kush po më ndihte ta dija se kush isha tevona

Dhe se çfarë duhej të bëja vërtet?

Nuk e besoj se ishte ajo motra fatzezë, Antigona,

E dalë nga miti dhe e rikthyer në jetë.

Nuk ishte ajo dhe nuk kishte si të ishte

Sepse atë e paskëshin pasur vrarë sipas ligjit.

Zëri që më fliste, në të vërtetë, zëri im ishte,

I dalë nga thellësia e panjohur e shpirtit.

(Aktori ndalon. Mbahet për lopate. Ndizet ekrani. Transmetohen pamje të qiellit. Aktori lëvizë drejt mesit të skenës, përballë publikut. I fokusuar veëtm me atë dritë ët zbehtë. Më meditativ.) 

Duke ndjekur atë zë që më dilte i mnerët

E nisa varrimin prej Shëndetit e Agonit,

Pastaj vëllain e nipat dhe me radhë të tjerët

Secilin me një lutje sipas zakonit.

(Aktori ndalon. Errësim i plotë i skenës. Në ekran paraqiten shtëpi të djegura në luftën e fundit në Kosovë. Pastaj Aktori fokusohet me një dritë të zbehtë.)

Ditën strukesha nëpër shtëpitë-rrënoja,

Mblidhja batanije për t’i përdorë si qefin,

Emrat e të vdekurve nëpër shishe i shënoja

E nën krahë secilit të varrosur ia lija si një kujtim.

Ta dinte toka e zezë cili ishte banori i saj i ri

Dhe ne ta dinim kush kishte qenë ai për të gjallë,

Me shpresën e mjegullt që kur të vinte e shtrenjta liri,

T’i rivarrosnim me nderim e t’i ritakonim me mall.

Natë pas nate e varr pas varri, të gjithë i varrosa

Të gjithë, në atë varrezë pa asnjë epitaf.

Krejt në fund edhe pallton time e groposa,

Të kishte edhe shpirti im një kenotaf.****

(Heq pallton, bën sikur po e varros edhe atë në skenë. Bën një lutje me duart e ngritura lart. )

Sepse aty e kam varrosur edhe veten për së gjalli

Dhe, jam arratisur e nuk kthehem më.

Edhe në më pjektë mërzia, edhe në më djegtë malli

As kthehem prapa, as lëshoj një zë.

(Ngrihet.  Qëndron triumfues. Në ekran rishfaqen pamjet e shqiponjës së vetmuar, Malet e Sharrit dhe qielli, ato që janë transmetuar në fillim të shfaqjes. Dhe fiksohet fotografia e Sabri Popajt, ajo fotografia e bërë nga fotografi i Tribunalit të Hagës, në qershor 1999. Pastaj lëvizë nëpër skenë. I afrohet cepet të skenës përballë publikut.)

Jam bërë gur nga dhembja dhe jam shkrumbuar

Nga dhembja që nuk e përshkroi as Sofokliu,

Jam blegtor me gunë, me shkop në duar

I rilindur, i përtëritur, unë jam vetë Sabriu.

Dhembjen dhe frikën unë i mposhta vetë

Me durimin që se nga vinte e më bënte trim.

Ndërsa lirinë time tashmë e ruaj përjetë

I arratisur nga liria juaj, të cilën e ndotët me krim.

(Errësim i plotë i skenës. Ekrani i ndezur, por vetëm bardh. Dëgjohet kënga “Përjetësisht” e grupit ‘Ritmi i Rrugës”. )

   FUND

29 nëntor 2015

*Sabri Popajt nga fshati Bellacërkë (Fortesë) e Rahovecit, më 25 mars 1999, forcat serbe ia kanë ekzekutuar para syve të tij të dy djemtë, që kanë qenë të moshës së mitur. Në atë masakër atij ia kanë vrarë edhe vëllain, Nazmiun, dy djemtë e vëllait dhe shumë kushërinj e fqinj, burra, pleq, gra e fëmijë. Ai tregon se tërë atë tragjedi e ka vrojtuar nga një kanal, diku dyqind metra larg, ku ishte fshehur, që të mos e pësonte edhe vetë. Ai tregon se si në netët në vijim, fillimisht krejtësisht i vetmuar, më vonë i ndihmuar nga dy bashkëfshatarë, i ka varrosur natën djemtë e vet, të vëllain dhe nipat e tij, si edhe të gjitha kufomat e tjera të asaj masakre. Ai tregon se si tërë natën hapte varre e i varroste kufomat, duke hyrë nëpër shtëpitë e mbetura pa banorë e duke marrë atje batanije, që t’i mbështillte të vdekurit me to, meqë nuk kishte qefin. Po ashtu mblidhte shishe dhe në to fuste emrat e të varrosurve, që të ruhej identiteti i tyre. Sabri Popaj ka dëshmuar për këtë masakër në Tribunalin e Hagës, kundër Sllobodan Millosheviqit. Sabri Popaj ka një kope dhensh, me të cilat e kalon një kohë si blegtor në malet e Sharrit.

**Fjalë e re, me këtë kuptim figurativ: shqiponjat janë stuhia vetë.

***Emrat e dy djemve të Sabri Popjat, të cilët ia vranë forcat serbe.

**** Varr i zbrazët, në të cilin futej një rrobë e një personi të vdekur, të cilit nuk i ishte gjendur trupi. Në Greqinë antike besohej se edhe shpirtit të të vdekurit të pavarrosur i duhej një varr, ku do të kthehej të gjente prehje. / KultPlus.com