Prezantohen para publikut punët e tre finalistëve të çmimit ‘Artistët e së nesërmes 2017’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka bërë mbrëmë hapjen e ekspozitës së finalistëve të çmimit “Artistët e së nesërmes 2017”, e cila erdhi e kuruar nga Vala Osmani dhe Albert Heta, shkruan KultPlus.

Veprat e finalistëve Meriton Maloku, Enesa Xheladini dhe Jetullah Sylejmani, mbrëmë zunë vend në Klubin e Boksit në kryeqytet. Brenda mureve të vjetra të kësaj hapësire, veprat e tyre shprehnin një frymë bashkëkohore të artit.

Përgjatë korridorit jo dhe aq të gjatë në hyrje të kësaj ndërtese, vërehej një derë që hapej e mbyllej duke zbuluar kështu disa nga veprat e finalistit të parë, Meriton Malokut. Një mini-dhomë brenda mbante shumë dhoma të tjera, që vinin përmes pikturave të tij dhe pasqyronin vizionin e ndërthurjes së tematikave më aktuale të përditshmërisë. Këto piktura nuk ngjajnë në një madhësi strikte me njëra-tjetrën dhe pse në esencë përmbajnë të njëjtin koncept. Ai këtë punë e ka ndarë në dy pjesë, në dhoma dhe portrete.

“Koncepti është pak më i gjatë por teknikisht puna ndahet në dy pjesë, janë punë brenda dhe ajo jashtë. Jashtë kësaj dhome, e kam dizajnuar dhe punuar këtë dhomë këtu në hapësirë për t’iu përshtatur pjesës së jashtme. Është njëfarë zvogëlimi i dhomës dhe ndahet në dy pjesë: janë dhomat dhe janë portretet. Dhomat janë përsëritje të dhomave, dhomë në një dhomë. Në secilën janë një portret, një personazh që shfaqet por realisht nuk ka dritare në to. Ka lojë, përzgjedhje vizuale me balancu atë ndjenjën, ka absurditet. Mandej është përballja me portretin jashtë që shihet prej këtu e që rrin subtil dhe kush don e sheh, kush nuk don s’e sheh”, tha Maloku për KultPlus.

Në hapësirën më të madhe të Klubit të Boksit, sytë e të pranishmëve parakalonin para dy pikturave me një madhësi më të madhe, e që ishin ekspozim i punës së Jetullah Sylejmanit. Veprën e tij artisti e ka titulluar “Socekpresionizm” dhe ishte kolazh me pjesë të pikturave soc-realiste, përmes të cilave ai hulumton pyetjet civilizuese mbi burimet, luftën dhe demokracinë në një mënyrë të theksuar ambicioze vizuale.

“Në mesin e problemeve që mundohem t’i trajtoj unë është edhe problemi i socrealizmit, që ka qenë një art zyrtar i shteteve komuniste dhe i cili nuk u ka dhënë hapësirë artistëve që të punojnë jashtë këtij drejtimi, do të thotë nuk kanë pasur mundësi të punojnë në të gjitha drejtimet e artit të shekullit njëzet, siç është shembull ekspresionizmi, kubizmi etj. Kështu unë marr disa segmente, pjesë e copëza të veprave dhe mundohem të krijoj një vepër të frymës bashkëkohore, siç është ekspresionizmi”, tha Jetullah Sylejmani për KultPlus.

Në një mënyrë tejet të veçantë shfaqet edhe puna e arkitektes Enesa Xheladini. Vepra e saj e titulluar ‘…vijë, pikë, çarje!’, vjen e shtrirë përmes vizatimeve në fletore, ndërsa ajo që e ka intriguar në këto vepra është përkthimi i një imazhi minimal dy dimensional në një ndjenjë të caktuar.

“Konceptet e mia janë multidimensionale prandaj edhe po i quaj koncepte dhe jo vizatime sepse mund të përkthehen në forma të ndryshme: për shembull mund të përkthehet në skulptura me përmasa monumentale, apo në dizajn të bizhuterive apo dizajn të produksionit, shembull ndriçimet etj. Mund të përdoren sepse këto janë vetëm koncepte. Si të vizatohet muzika, frymëmarrja, ndjenja të cilat përjetohen nuk shihen, kjo ka qenë si sfidë si të përkthehen në vizatime diçka që është e brendshme, veç ndjenjë”, tregoi Enesa Xheladini për KultPlus.

Ekspozita do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 4 dhjetor, atëherë edhe kur shpallet fituesi i këtij çmimi, në Klubin e Boksit në kryeqytet./ KultPlus.com