QKK përkujton regjisoren Arzana Kraja: Filmat e saj janë skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare

Në përvjetorin katërt të vdekjes, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), ka përkujtuar regjisoren Arzana Kraja, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, QKK, ka thënë se filmat e regjisores Kraja, do të mbeten përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare.

“Ikja e hershme e Arzanës, përveçse një humbje e madhe për familjen dhe miqtë të cilët e kujtojnë çdo ditë si vajzë vetëm të buzëqeshur, zemergjerë dhe tejet puntore, në asnjë mënyrë tjetër, është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit kosovarë dhe gjithë komuntitetin artistik.

Në bagazhin e saj artistik ajo numëron shumë suksese vendore dhe ndërkombëtare me filmat të cilët do të mbesin përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare, kontributi i të cilës i ka dhënë një dimension tjetër artit në Kosovë” ka shkruar QKK.

Regjisorja kosovare njihet më së miri për filmin “Shkurta”, ndërsa debutoi me filmin “Fusha e mëllenjave”, i cili bëri hapjen zyrtare të edicionit të 11 të PriFestit 2019.

Arzana Kraja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019, në moshën 38-vjeçare./KultPlus.com