“Atdheu atëherë ishte jetë, tash po e urrej atdheun e lirë”

Shkruan Idro Seferi

Atdhe dashuria

Atëherë e urreja atdheun
Përherë tu gërmua varre
E urreja veçse nuk isha i lirë
Dhe nuk mund të jetoja në të
E doja atdheun përshkak të njeriut me njeriun
Lidhur në solidaritet si zinxhir
Nga gremina tuj tërheq njerëzit me shpëtu jetë
E doja atdheun për shkak të ikonave që mbi turma njerëzish dilnin
Me parulla brohoritej dhe mbrohej çdo miligram lirie
E çuditshme, e doja atdheun për liderët e saj
Atëherë tinëz shkoja në shkollë
E doja çdo fletore të ndrydhur të fshehur pas shpine
Me shpëtua dijen prej gremine
Atëherë e doja atdheun me shpresën se një ditë do të jetë atdheu im
E doja dhe kur përgjakur në vend të modës dilnin njerëzit nëpër gazeta
E doja atdheun edhe kur lypsej me thermi buke me mbijetua
Skamja ishte gjë fisnike
Për atdheun betohesha dhe kur në varre përditë bihej për fytyre
Edhe bombat për atdheun i doja, edhe pushkët, vullnetarët
Atdheu atëherë ishte jetë
Tash po e urrej atdheun për krejt ato për çka e kam dashtë
Tash po e urrej atdheun i lirë
Dhe në fund kështu nuk po na duhet gja./KultPlus.com