“Atdheu atëherë ishte jetë, tash po e urrej atdheun e lirë”

Shkruan Idro Seferi

Atdhe dashuria

Atëherë e urreja atdheun
Përherë tu gërmua varre
E urreja veçse nuk isha i lirë
Dhe nuk mund të jetoja në të
E doja atdheun përshkak të njeriut me njeriun
Lidhur në solidaritet si zinxhir
Nga gremina tuj tërheq njerëzit me shpëtu jetë
E doja atdheun për shkak të ikonave që mbi turma njerëzish dilnin
Me parulla brohoritej dhe mbrohej çdo miligram lirie
E çuditshme, e doja atdheun për liderët e saj
Atëherë tinëz shkoja në shkollë
E doja çdo fletore të ndrydhur të fshehur pas shpine
Me shpëtua dijen prej gremine
Atëherë e doja atdheun me shpresën se një ditë do të jetë atdheu im
E doja dhe kur përgjakur në vend të modës dilnin njerëzit nëpër gazeta
E doja atdheun edhe kur lypsej me thermi buke me mbijetua
Skamja ishte gjë fisnike
Për atdheun betohesha dhe kur në varre përditë bihej për fytyre
Edhe bombat për atdheun i doja, edhe pushkët, vullnetarët
Atdheu atëherë ishte jetë
Tash po e urrej atdheun për krejt ato për çka e kam dashtë
Tash po e urrej atdheun i lirë
Dhe në fund kështu nuk po na duhet gja./KultPlus.com

E marr me vete qelinë

Nga Idro Seferi

Kur e pash për herë të parë lirinë
U frikësova
Mu duk shumë dritë
Më mungonte qelia
U trishtova në verbërim
Kur pash qiellin dhe retë
Kur pash luginat me dhentë
Kur pash lumin e bukur
Dhe hekurudhat që ishin zhdukur
Më mungoi errësira
Isha mësuar në jetë
Të rrija pas grilave
Më mungoi dritarja e burgut
Banka për tu ulur
Më mungoi lavamani im
Kur pash për herë të parë lirinë
Në trishtim
Vendosa që në ecjen e gjatë
Të merrja për kujtim
Të ngrohesha me grila
Dritaren time
Të merrja bankën e qelisë
Dhe lavamanin e ujit
Gjithçka të bukur do merrja
Që kurrë të mos më mposhtë frika
Do merrja gjithçka të bukur
Si sytë e asaj vajze
Si malet që rrjedhin me ujë
Si shpirtin dhe buzëqeshjen
Dhe kur të shoh lirinë
Prapë për herë të parë
Në humbjen e saj
Do nxjerr grilat të fshihem
Do nxjerr lavamanin të vi në vete
Do ulem në bankën e qelisë
Do nxjerr dritaren e shpresës
Do numëroj ditët mbrapshtë
Dhe prapë do ta di se ç’është liria
Nga burgu i trishtimit