Aurela Kadriu: Shtet pa vizion për shërim, ruajtje të kujtesës, me shpërthime sporadike pseudo-patriotike

Aktivistja Aurela Kadriu në përvjetorin e masakrës së Reçakut ka shprehur mendimin e saj në rrjete sociale rreth gjendjes së kategorive të dala nga lufta, shkruan KultPlus.

Ajo ka shkruar se ndër vite ne kemi krijuar narrativa të mëdha, duke mos u kujdesur për rrëfimet e personave të cilët janë dëmtuar nga lufta e fundit e Kosovës.

Tutje ajo ka thënë se shteti s’ka bërë asgjë për shërimin dhe ruajtjen e kujtesës së kësaj pjese të historisë.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Aurela Kadriut:

Më dhemb n’shpirt që e kemi kriju përshtypjen që kujtesa e luftës ruhet përmes kampanjave milionëshe të tipit ‘Liria ka emër’

Njerëzit jetojnë të vetmum, të pashërum nga trauma, sepse kemi qenë shumë të nxanun tu kriju narrativa toksike të mëdha dhe nuk kemi qenë të aftë me i bo me u ndi që përjetimi dhe rrëfimi i tyne ka vlerë.

Shtet pa vizion për shërim, pa vizion për ruajtje të kujtesës, me shpërthime sporadike pseudo-patriotike.

Sa shumë na keni borxh. / KultPlus.com

Çka osht’ liria?

Poezi nga Aurela Kadriu.

Liromëni,
Shprangosmini duart.
Ti…
A përnime po mendon që ka diçka përtej këtij kapitullimi a?

Jo mik,
akti i dorëzimit t’pushtetit mbi veten
asht’ i njitrajtshëm me humbjen.

Ju veç lemni t’lirë,
n’lirinë tem
Subjektive,
T’rrejshme.

Po pash nerën kujt ia nin për iluzionet
e mia mbi lirinë inekzistente?
Kur na jemi qenie kaaaaaq minimaliste.

E çelim çdo ditë me pishmane,
përshkojmë itinerarin e njajtë,
nuk e tejkalojmë syprinën e sipërfaqes t’zakonshme.
Biles kanihere
E shikojmë perëndimin e diellit,
Ngojmë naj kangë,
kaniherë japim edhe mendime për zhvillimet n’botë…
K’shtu ledhatojmë egon e shkretë.

Ama,
n’mbramje nuk e huqim ritualin.
Shtrihemi,
me shpresë që t’nesërmen kemi me e kapë na n’dorë para se t’na robnojë ajo neve.

E i knojmë vetes k’si “p’rralla për t’rritun”
Fort t’varfna gjuhësisht e përmbajtësisht-
Sot kom qenë e lirë,
Nesër kom me qenë e lirë si sot,
Jom e lirë,
Jom e lirë,
Jom e lirë.

E mbyta edhe nji ditë, pa m’mbytë ajo mu.
Pshtova gjallë.

Pr/prill/2016