Avokati i Popullit thotë se duhet të gjendet zgjidhja urgjente mes SBASHK dhe Qeverisë

SBASHK-u dhe Qeveria akoma nuk po arrjinë të gjejnë një zgjidhje, dhe si rezultat, greva po vazhdon, shkruan KultPlus.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, përmes një komunikate ka thënë se “në kuadër të angazhimit si ndërmjetësues mes palëve për zgjidhjen e situatës së krijuar për shkak të grevës nga sindikatat, e me qëllim të njoftimit të opinionit publik dhe interesimit të mediave, sot  ka pranuar letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) dhe tanimë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për daljen nga kjo situatë”.

“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”, thotë Avokati i Popullit.

“Avokati i Popullit njofton se edhe më tej do të angazhohet për të përafruar palët në marrëveshje, duke ripërsëritur se është urgjente gjetja e një zgjidhjeje, që do të jetë në interes për të gjithë, e në veçanti për fëmijët”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com

Avokati i Popullit përkrah martesat e gjinisë së njejtë

Institucioni i Avokatit të Popullit përmes një opinioni ligjor thotë sa i përket Kodit Civil konstaton se marrëdhëniet familjare në mes të personave të gjinisë së njëjtë duhet të njihen dhe definohen pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikur personat e gjinisë së kundërt.Në këtë opinion të Avokatit të Popullit thuhet se Kushtetua e Republikës së Kosovës duke mos e përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e “burrit dhe gruas”, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi nga martesa i personave me gjini të njëjtë paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual.

Opinioni i Avokatit të Popullit:Avokati i Popullit, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjet përkatëse, publikon opinionin dhe qëndrimet e tij lidhur me njohjen e marrëdhënieve familjare të personave me sekse të njëjta.

Nëpërmjet këtij opinioni, Avokati i Popullit vë në pah garancitë kushtetuese që i ofron Kushtetuta e Republikës së Kosovës për respektimin e jetës private dhe familjare, e po ashtu mbrojtjen nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës.Avokati i Popullit shprehë qëndrimin e tij se marrëdhëniet familjare të personave me sekse të njëjta, të njihen dhe të definohen me Kodin Civil, ashtu sikur që e garanton Kushtetuta dhe në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pa asnjë dallim dhe në të njëjtën mënyrë sikur për personat me sekse të kundërta.

Avokati i Popullit vlerëson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës duke mos përcaktuar shprehimisht se e drejta e martesës është e drejtë e “burrit dhe gruas”, nuk paraqet asnjë pengesë për të konstatuar se privimi i personave me sekse të njëjta nga e drejta e martesës, paraqet shkelje të së drejtës për të mos u diskriminuar në bazë të orientimit seksual.Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se formulimi aktual i Projektkodit Civil për lejimin e bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, pa e definuar qartë se çfarë paraqet një bashkësi e regjistruar civile dhe duke përcaktuar se kushtet dhe procedura për njohjen e këtyre bashkësive të rregullohen me ligj të veçantë, nuk paraqet zgjidhje dhe nuk i reflekton të drejtat e garantuara me Kushtetutë.

Avokati i Popullit, në mes tjerash, vlerëson se Projektkodi Civil në kuadër të rregullimit të marrëdhënieve familjare, të përcaktojë shprehimisht njohjen e marrëdhënieve të personave me sekse të njëjta./ KultPlus.com

LGBTI rights groups march during the country’s first Gay Pride parade in Pristina on October 10, 2017. / AFP PHOTO / Armend NIMANI (Photo credit should read ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images)

Edona Hajrullahu kandidate për tu bërë gruaja e parë në Kosovë në pozitën e Avokatit të Popullit

Në rrethin e ngushtë të kandidatëve për të fituar detyrën e Avokates së Popullit në Kosovë është edhe Edona Hajrullahu, shkruan KultPlus.

Edona aktualisht është zëvendëse Avokate e Popullit, mirëpo në qoftë se ajo arrin të zgjedhet në këtë pozitë, atëherë kjo do ta bënte atë gruan e parë në Kosovë si Avokate të Popullit.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit do të bëhet nëpërmjet votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se Avokatit të Popullit Hilmi Jasharit, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë për një mandat pesë vjeçar i ka përfunduar mandati më 2 korrik të këtij viti. / KultPlus.com

Avokati i Popullit: Shqetësuese janë rastet në rritje të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

Avokati i Popullit ka dalë me një deklaratë me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, në të cilën thuhet se gjatë vitit 2020 në Kosovë ka raste në rritje të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit.

“Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave”.

“Në këtë frymë, Avokati i Popullit bën thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë e Avokatit të Popullit për Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit:

Sot, kur shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, vendoset në fokus mirënjohja për gazetarët dhe punën e tyre, ashtu siç vlerësohet zëshëm roli i jashtëzakonshëm i mediave në shoqëritë demokratike.
Veçmas, në rrethanat që po na përcjellin këtë vit, me sfida të shumëfishuara, në pothuajse të gjitha segmentet e jetës, gazetaria e besueshme, që ndërtohet mbi standarde profesionale dhe etike është jetike për proceset në vend.

Në përballjet e vazhdueshme që gazetaria ka përgjatë procesit të zhvillimit të vet, respektimi i lirisë së medias dhe pluralizmit medial, janë dimension i pazëvendësueshëm edhe për të drejtat dhe liritë tjera të garantuara. Pavarësia dhe profesionalizmi në gazetari, e sigurojnë transparencën dhe përgjegjësinë mbi çështje të interesit të përgjithshëm dhe në të njëjtën kohë sensibilizojnë qytetarin për aktivizëm dhe bashkëpjesëmarrje në proceset shoqërore, ekonomike, kulturore e politike.

Natyra e punës di t’i bëj gazetarët/et shënjestër të kërcënimeve apo sulmeve, gjë që e vështirëson funksionimin efektiv të medias në shpërndarjen e informacionit. Sulmet verbale a fizike ndaj gazetarëve, kërcënimet përmes rrjeteve sociale a në çfarëdo forme tjetër, cenojnë të drejtat kushtetuese për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes dhe alarmojnë për brishtësinë e funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend. Autoritetet kanë obligimin kushtetues të garantojnë mbrojtjen dhe sigurinë e nevojshme për gazetarët, në përmbushjen e rolit të tyre, ashtu siç detyrohen për mosndërhyrje në punën e mediave, për transparencë dhe për lejim të qasjes në informacion dhe dokumente zyrtare, si komponenta thelbësore të realizmit të lirisë së medias, respektivisht lirisë së shprehjes dhe informimit.

Në këtë kontekst, Avokati i Popullit i konsideron shqetësuese rastet në rritje gjatë vitit 2020 të kërcënimeve, sulmeve fizike, cenimit të sigurisë dhe pengimit të ushtrimit të lirë të profesionit. Përkundër rasteve kur policia dhe prokuroria kanë kryer punën e tyre në identifikimin e kryesve të veprave kundrejt gazetarëve dhe i kanë proceduar tutje në organet e sistemit të drejtësisë, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek pandëshkueshmëria e rasteve kur gazetarët sulmohen, kërcënohen apo u pamundësohet kryerja e punës, gjë që ndikon në ambient të pasigurt për punën e mediave dhe tërthorazi e hap rrugën edhe për vetcensurën e gazetarëve dhe mediave. Gjithashtu, vështirësitë e vazhdueshme të gazetarëve për qasje në informacion dhe dokumente zyrtare, paraqesin shqetësim konsistent, përgjatë viteve.

Duke e pasur parasysh ridefinimin e medias në epokën e internetit dhe rrjeteve sociale dhe me mundësinë e secilit për t’u shndërruar në burim informate, Avokati i Popullit shfaq brengosjen për kërcënimet e linçimet publike për deklarime e për shprehje mendimi dhe i konsideron se këto paraqesin kërcënim për gëzimin e lirisë së shprehjes, brenda kufijve të garantuar të saj. Diskursi publik i zhvilluar veçmas muajve të fundit, e ka vështirësuar kultivimin e një kulture demokratike të ndërtimit të mendimit dhe ideve, nëpërmjet të cilave forcohet bazamenti i mbrojtjes dhe respektimit të drejtave dhe lirive tjera të garantuara.

Në këtë frymë, Avokati i Popullit bën thirrje për rrjedhë të lirë të mendimit, fjalës dhe informacionit dhe për reflektim e mendjehapësi përballë mendimeve të shprehura ndryshe, duke i konsideruar ato vlerë thelbësore të demokracisë, si sistem të cilin Kosova e ka përqafuar si shtet.