Edona Hajrullahu kandidate për tu bërë gruaja e parë në Kosovë në pozitën e Avokatit të Popullit

Në rrethin e ngushtë të kandidatëve për të fituar detyrën e Avokates së Popullit në Kosovë është edhe Edona Hajrullahu, shkruan KultPlus.

Edona aktualisht është zëvendëse Avokate e Popullit, mirëpo në qoftë se ajo arrin të zgjedhet në këtë pozitë, atëherë kjo do ta bënte atë gruan e parë në Kosovë si Avokate të Popullit.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit do të bëhet nëpërmjet votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se Avokatit të Popullit Hilmi Jasharit, i cili ishte zgjedhur në këtë pozitë për një mandat pesë vjeçar i ka përfunduar mandati më 2 korrik të këtij viti. / KultPlus.com

Shkrimtarja me origjinë shqiptare, kandidate për kryeministre të Libanit

Ghada Arnaut (Xhada Arnauti) është një nga kandidatet për kryeministre të Libanit. Ajo ka një biografi të pasur, duke qenë emër i njohur në Liban dhe më gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa dekadat e fundit ishte larguar në ekzil në Kanada. Xhada Arnauti është shkrimtare, drejtuese e mediave liberale dhe shkencëtare në Universitetin e Albertas në Kanada.

Ajo konsiderohet si një zë i rëndësishëm kritik në mbrojtje të të drejtave të njeriut, për demokracinë dhe kundër qeverive të trashëguara diktatoriale. Xhada Arnauti në një prononcim për gazetën ”INA”, ka konfirmuar se është propozuar për postin e kryeministrit pas tërheqjes së Sadi Haririt, i cili ka qenë në shënjestër të kritikave dhe sulmeve nga protestat që nuk po ndalen rrugëve të Libanit.

“Po është e vërtetë. Ditët e ardhshme do t’ju konfirmoj të ardhmen time se a do të jem kryeministre e Libanit”, theksoi Xhada Arnauti. Ajo pranoi se ka origjinë të pastër shqiptare dhe se nuk heziton të flasë për këtë, sepse nuk i ka harruar rrënjët që ka. Kandidatura e saj është nominuar nga koalicioni i ri qeverisës dhe se ajo do të kthehet në Liban për të qeverisur të rinjtë që kanë pushtuar rrugët e Bejrutit.

Siç mësohet nuk është vetëm Xhada Arnauti që identifikohet me Libanin, pasi ishte edhe Pashko Vasa guvernator i Libanit në periudhën e perandorisë osmane (1883-1892). /KultPlus.com