Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhuron libra për Lipjanin dhe Shtimen

Në kuadër të nismës për mbështetjen e bibliotekave të vendit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka dhuruar këtë javë kontingjente me libra në bibliotekën e qytetit të Lipjanit dhe në komunën e Shtimes.

Në mesin e botimeve të dhuruara gjenden edhe dy tituj me vlerë të veçantë historike:

Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës

Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe

Librat, të botuar nga shtëpia botuese “Rilindja” dhe të përzgjedhur kryesisht për nxënësit e nivelit parauniversitar, do të shpërndahen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave, duke kontribuar në pasurimin e fondeve ekzistuese dhe nxitjen e leximit./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kosovës në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit në Kazakistan

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” do të përfaqësojë vendin në Kongresin Botëror të Bibliotekave dhe Informacionit, që do të mbahet nga 18 deri më 22 gusht 2025 në Astana, Kazakistan.

Si anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve të Bibliotekave (IFLA), Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të jetë pjesë e një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën e bibliotekarisë dhe shkencës së informacionit.

Kongresi mbledh profesionistë, studiues dhe drejtues institucionesh nga mbarë bota për të shkëmbyer njohuri, përvoja dhe ide inovative, duke ndikuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave moderne të shërbimeve bibliotekare. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum ndërkombëtar synon forcimin e bashkëpunimeve dhe avancimin e standardeve të bibliotekave në vend./KultPlus.com

Përmirësimi i Sallës së Periodikut: Biblioteka Kombëtare ofron kushtet e reja për përdoruesit

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur një projekt për përmirësimin e kushteve të shërbimit në Sallën e Periodikut, duke e rikthyer këtë hapësirë në një ambient më të këndshëm dhe funksional për lexuesit dhe hulumtuesit.

Pas një periudhe pune intensive, janë larguar materialet e vjetra dhe është kryer një pastrim i plotë i sallës. Gjithashtu, gjatë javës së kaluar dhe kësaj jave, janë ndërmarrë hapa për përmirësimin e hapësirës, duke përfshirë lyerjen e mureve dhe përmirësimin e ndriçimit, transmeton KultPlus.

Salla e periodikut është një nga hapësirat më të frekuentuara të Bibliotekës Kombëtare, ku çdo ditë shërbehen dhjetëra numra të gazetave dhe revistave për lexuesit, të cilët kanë mundësinë të studiojnë materiale të ndryshme për kërkime shkencore, profesionale dhe informacione ditore.

Tani, falë përmirësimeve, ky ambient do të ofrojë kushte më të mira për lexim dhe hulumtim. Lexuesve do t’u ofrohet një hapësirë e qetë, komode dhe tërheqëse për të kaluar orë të tëra në kërkim të informacionit dhe leximin e materialeve periodike.

Përveç pastrimit dhe lyerjes, është parashikuar një rritje e kapaciteteve të ndriçimit për të krijuar një atmosferë të përshtatshme për studim, duke u kujdesur për shëndetin dhe komoditetin e përdoruesve. Puna do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme për të mundësuar që biblioteka të jetë një vend ku vizitorët mund të kenë mundësinë të zhvillojnë kërkime dhe të kenë qasje në informacionin më të fundit.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” vazhdon të investojë në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve të saj për të krijuar kushte optimale për të gjithë ata që kërkojnë informacion dhe burime për punë kërkimore e studimore./KultPlus.com

BBK mban audicion për shfaqjen ‘Peter Pan’, drejtori Kajtazi: Vezullimi në sytë e fëmijëve na obligon të punojmë për një të ardhme më të mirë për ta

Sot, Baleti Kombëtar i Kosovës ka mbajtur në audicion me fëmijë për shfaqjen e baletit “Peter Pan”.

Drejtori i BKK, Sinan Kajtazi me këtë rast ka thënë se vezullimi në sytë e fëmijëve të cilin e ka parë sot përgjatë këtij audicioni të obligon për të punuar për një të ardhme më të mirë për ta.

Shfaqja “Peter Pan” do të jepet premierë në datën 1 qershor, në Ditën Botërore të Fëmijëve./KultPlus.com

Ag Apolloni promovon nesër në BKK librin e tij “Kësulëkuqja”

Nesër duke filluar nga ora 16:30, në ambientin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, organizohet promovimi i romanit me të ri “Kësulëkuqja” të autorit Ag Apolloni, shkruan KultPlus.

Apolloni ka njoftuar se romanin “Kësulëkuqja” tashmë mund ta gjeni nëpër libraritë e Tiranës dhe Prishtinës.

“Gjithashtu, të enjten, nga ora 4:30 pasdite, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, do të jem për nënshkrime”, thuhet në postimin e tij mes tjerash.

I titulluar “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, Apolloni po i sjell në dorë lexuesit një vepër që sipas tij nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.

Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.

“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com