Po me viktimat e gjyqtarëve të Vetting, si do bëhet?!

Nga Ben Andoni

Fshesa e VETTING-ut duket e pamëshirshme. Në fakt, ajo po vendos deridiku një standard të munguar të Drejtësisë shqiptare. Vetting ka fshirë disa nga personazhet që mbushnin segmentet kryesore të kinse-funksionalizimit të Drejtësisë së shtetit shqiptar, por edhe një përqindje të madhe të juristëve të gjitha niveleve. Më shumë se kaq, ajo ka trandur dhe vazhdon të tundë një sistem krejtësisht të kalbur dhe që për dëmet të cilat i ka krijuar vendi meriton çdo paralelizëm me të keqen.

Edhe pse strukturat e monitorimit dhe realizimit të VETTING u përfolën kurse konsensusi politik ndodhi vetëm në fillim, kur u përdor presioni i faktorit të huaj, Vetting-u qoftë dhe me filtrat që ka në zotërim tregoi se funksionon deridiku. Megjithë kundërshtitë e një takëmi njerëzish të drejtësisë, mbase edhe me shikimin disi të dyshimtë të një pjese tjetër, janë rrëzuar shumë njerëz. Këto qenie, që jepnin verdikte e shumë njerëzve, kanë bërë batërdi për të cilat do të skuqej çdo lloj regjimi. Për fat të keq dhe strukturat ndihëse të shtetit, që nga SHISH, DSIK dhe ILDKPI jo vetëm nuk kanë funksionuar por ato kanë mundësuar direkt me mungesën e profesionalizmit dhe informacionit, që këta njerëz të mos preken. Vetëm se nëse do të funksionojë si duhet Vetting për Drejtësinë, ai duhet të shtrihet për politikën dhe policinë por edhe në fusha të tjera për të kuptuar realisht rrënjën e të keqes në vend.

***

Po çfarë do ndodhë realisht me njerëzit në kurrizin e të cilëve janë marrë vendime, nga ku këta gjyqtarë kanë përftuar për të ndërtuar parajsat e tyre? Pse vallë Vetting nuk ka zbritur deri te prokuroria për bëmat e tyre? Cili do t’ua kthej pas atë shqetësimin që kanë pasur viktimat e vendimeve të padrejta, kur shihnin këta gjyqtarë të krekosur me njerëz të krimit?

Korrupsioni i Drejtësisë, i cili në Shqipëri është relativizuar dhe kthyer gati në një fjalë boshe, e ka cënuar shumë moralisht vendin tonë. Bisturia e Vetting me gjithë operacionet e mira sigurisht nuk mund ta heqë krejt sëmundjen. Ndërkohë që në Shqipëri mund të themi se ka ende punonjës të Drejtësisë për të cilët duhet të ishim krenarë. Por vallë a është qetësim kjo para kushedi sesa viktimave që kanë vuajtur nga vendimet e gjyqtarëve të korrupsionit? Sa mund t’i konsiderojmë vendimet që kanë marrë këta gjykatës dhe që e drejta ka qenë dukshëm e marrë nëpër këmbë, të vlerësohet si duhet…

Kjo mungon, sepse deri më sot strukturat e Drejtësisë me pak raste kanë zbritur pak më poshtë, kurse ajo që mund të kthejë disi humbjet njerëzve dhe mbi të gjitha dinjitetin e tyre është shuar krejt. Me sa duket vendi ynë ka nevojë dhe për një rishikim tjetër të fajit të këtyre personazheve të errët sa i përket gjykimeve të padrejta. E kjo do të kërkojë një ndërmarrje tjetër po kaq të madhe.

Viktimat e Drejtësisë së munguar janë të shumta në vend dhe ata po vuajnë realisht pasoja që mbase nuk do mund t’i rikuperojnë dot. Ky është shqetësimi më i madh në ditët tona…Drejtësia e re e Vetting është marrë vetëm me vlerësimin e pasurive dhe aspak me procesin sesa kanë ndikuar vendimet e këtyre njerëzve. ILDKP, institucioni më së shumti ku po mbështetet Vetting, nuk ka mundur të shkojë më tej për vite me a-profesionalizmin e tij, përveç relatimit dhe kujtesës së një pune të fjetur përgjatë viteve. Ndërkohë procesin mund ta kenë kaluar dhe shumë personazhe të cilat vërtetë kanë dalë mirë me pasuritë e deklaruara por aman nuk mund të përballin standardet më të thjeshta profesionale. Kjo të vjen ndërmend sot kur besimi i njerëzve te shteti ynë është në pikën më të ulët dhe ku drejtësia e munguar ka luajtur një rol primar. Me pak fjalë, nëse nuk ka një dënim shembullor për këta njerëz me konflikte të deklarimit të pasurive pse nuk duhet të ketë një dëmshpërblim të paktën moral për njerëzit që kanë vuajtur vendimet e njerëzve që dalim me kokë ulur nga procesi i Vetting.

Për këtë s’kemi përgjigje sepse masën e vendimeve të padrejta vërtetë e kanë ekzekutuar këta viktima të Vetting, por bashkëpunëtorët kanë qenë të fortët, politikanët dhe shumë njerëz me pushtet që kanë fërkuar duart me vendimet e tyre.

Sot, njerëzit kërkojnë që këta kokulur të VETTING duhet të përballen dhe me ankimet për vendimet e tyre por edhe ato fatkeqësi që kanë mbjellë tek viktimat e vendimmarrjeve kriminale. Ndryshe Vetting do mbetet thjesht një institucion, që merret me rakordimin e pasurisë dhe do të justifikojë punën e jashtëzakonshme të Shqipërisë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar. (Homo Albanicus)/KultPlus.com

Sikur të bënim një veting për kulturën dhe artin?

Ben Andoni

Njerëzit e artit dhe kulturës janë zakonisht ata që ankohen më shumë. Për jetën e përditshme. Për pamundësitë. Mungesën e elementëve ndihmës për të inkurajuar artin e tyre. Aftësitë e tyre të pavërejtura. Talentin e rrallë. Ani pse një klasë të re mes tyre nuk i bëhet vonë për të gjitha këto. Artistë me kontribute modeste, kinse shkrimtarë dhe pafund njerëz të estradës janë realisht të pasur. Për të mos thënë milionerë. Jo thjesht sepse jetën e ndajnë me më të pasurit në vend, porse sasia e fondeve që u jepet jo rrallë në dispozicion u mundëson të bëjnë gjithçka.

Pak vite më parë, një grup gazetarësh në një kërkesë miqësore për të bërë një reportazh për asetet kombëtare të turizmit, u duhej një motoskaf për të parë pjesën matanë të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit. Kundrejt lejeve që ishin përgatitur t’i merrnin, ata ishin gati dhe të paguanin një shumë nga vetja për karburantin, thjesht të kryenin si mision. Në fund rezultoi e pamundur, sepse një nga moderatorët më të zëshëm shqiptarë e kishte marrë bashkë me vajzat e spektaklit për të bërë fotografitë, ku shpalosnin hiret e tyre dhe për qejfet, kuptohet. Të gjitha këto nuk i provon dot, sepse nuk shënohen.

Aristokracia e artistëve janë një pjesë e vogël, pasi një grup jo i vogël i janë futur politikës dhe i bëjnë hosana asaj për të pritur beneficet “e merituara”.

Çfarë ofrojnë vallë njerëzit e artit të përftojnë një mënyrë trajtimi të tillë? Vallë arti ka ndihur sot gjykimin kombëtar të përmirësohet? A ka mundur dot arti të sensibilizojë sesi shqiptarët të mos vjedhin votat? A ka mundur arti të shkojë te njerëzit e varfër? A ka prodhuar vlera për të cilat bota ka kthyer kokën?

Për të gjitha ka një përgjigje negative. Artistët shqiptarë, me përjashtime të rralla, jo vetëm nuk kanë mundur t’i bëjnë këto, por më shumë mendojnë për egon e tyre dhe mbi të gjitha përfitimet e tyre mediokre. Makinat luksoze të një takëmi, paratë e pafundme që prishin për t’i bërë karshillëk të tjerëve që nuk i kanë këto mundësi, kupton se arti që bëjnë ata është thjesht një urë ku kalohet prej këtyre njerëzve që përfitojnë në një të tillë mënyrë.

Të merr malli të kujtosh nëse një Shtëpi Botuese ka arritur të nxjerrë një shkrimtar të vërtetë apo të inkurajojë letërsinë e vendit. Të merr malli të dëgjosh veprime dhe akte dinjitoze në çmime, sepse të gjitha janë të paragjykuara.

Padrejtësia është në muzikë, në letërsi, në artet pamore e kudo. Drejtorët e institucioneve kulturore janë thjesht zgjatime politikash dhe nuk kanë individualitet, ku të tregojnë se çfarë mund të bëjnë për institucionet e tyre ashtu si shumë njerëz që bëjnë politikat janë të trysnuar deri në fund. Kjo e bën prodhimin e librit shqiptar të jetë tejet i shtrenjtë, ashtu si shpërndarja e tij të jetë tejet e pamundshme. Jo rrallë promovohen biblioteka, por paradoksi është se njerëzit lexojnë gjithnjë e më pak. Letërsia kombëtare është e mbytur nga kinset dhe nga reklama ku promovohet jo e mira. Të gjithë disiplinat e artit janë të mbushura me problematika, që duket se ministrat e Kulturës nuk i përballin dot për shkak të militantizmit të frikshëm të anëtarëve të tyre.

Shqiptarët kanë nevojë edhe për një Vetting të njerëzve të pasur të artit, për mënyrën sesi kanë zhvatur; për mënyrën sesi kanë ndarë projekte, impakti i të cilave ka qenë pothuaj nul; për shpërdorimet e shumta; pasuritë kurrsesi të pajustifikuara; mënyrën sesi kanë shpërdorur postet; por nga ana tjetër dhe nga përballja me projekt-planet e tyre. Shqipëria e artit ka një mal të madh problemesh, ku çdo disiplinë do kërkonte një mal të tërë argumentesh për t’u hedhur poshtë dhe për të treguar se njerëzit e artit nuk janë shumë më ndryshe nga njerëzit e drejtësisë, politikës e kështu me radhë

Nuk është vonë, duhet thjesht një angazhim për t’i dhënë pak dinjitet artit të një vendi të vogël, që i prodhon me shumë vështirësi sfidat e veta. /Milosao/

Pse nuk na duan më kosovarët?!

Ben Andoni

Ka kaq kundërshti në gjërat që thuhen, kaq mosnjohje dhe më shumë përfolje, saqë çdo gjë që lidhet me Kosovën merret e shndërruar në kuptime që janë tepër kontradiktore. Por së fundi një sondazh i kryer nga Instituti Kërkimor për Zhvillimin dhe Çështjet Evropiane, bërë me një mostër prej 1110 qytetarë të Kosovës ka nxjerrë një rezultat që ndjehet dhe dihet por është e vështirë të artikulohet. Sipas këtij sondazhi: tashmë vetëm 43% e popullsisë në Kosovë e mendojnë dhe e dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.

Në Kosovë rezultatet e këtij sondazhi kanë kaluar pa shumë bujë, kurse në Shqipëri akoma edhe më keq, shpërfillshëm. Ndërsa për Kosovën rezultati e ka një arsye pasi gjendet në një qerthull të frikshëm, për ndoshta vizatimin e ri të kufijve të saj dhe një konfuzioni të madh të liderëve të saj para marrëvshjes së detyrueshme, që në një farë mënyre reflektojnë dhe paqartësinë e konjukturës ndërballkanike.

Shqipëria, prej kohësh, ka impakt shumë të vogël në Kosovë. Mbledhjet e përbashkëta nuk e kanë arritur atë shkallë afrimi me Kosovën, që besohej se do të ndodhte, kurse “Rruga e Kombit”, e cila shpresohej se do të ishte një udhë plot trafik është shndërruar thjesht në një rrugë të gjatë me kalimin e makinave sporadike, që nuk e justifikon investimin e madh dhe barrën e madhe të taksës mbi shqiptarët.

Një justifikues nga qeveritë shqiptare mund të përplasë para fytyrës faktin se marrëdhëniet tregtare janë rritur, por fatkeqësisht sërish Shqipëria nuk e mbush dot hapësirën e madhe që la kufizimi i mallrave serbe prej vendosjes së taksës 100% të qeverisë Haradinaj, ashtu si Shqipëria mbetet shumë cinike për shumë aspekte të Kosovës dhe anasjelltas. Mes nesh ka paragjykime, kurse fatkeqësisht Kosova dhe Shqipëria nuk mund të funksionojnë si duhet institucionalisht, qoftë edhe pas disa mbledhjeve mbushur me slogane patriotike dhe plot detyra të përbashkëta.

Përplasjet politike të dy anëve të kufirit tonë janë të ngritura deri në nivelet e larta, që është reflektuar me qëndrimin e ftohtë së fundmi ndaj kryeministrit shqiptar në Kosovë dhe indiferencën ndaj drejtuesve kosovarë në Tiranë. Kohë më parë, shuplakë do të merrte ish-Ministrja e Mbrojtjes Kodheli prej thjesht një deklarate emocionale, ashtu si zyrtarët kosovarë shpesh në Tiranë do të shpërfillen.

Për fat, brezat e rinj janë më afër me njëri-tjetrin pasi e njohin dhe e respektojnë këtë realitet, por që edhe ata mbesin me një dashuri gati të largët sikur flitet për njerëz të një diaspore të shkuar, apo sikur të ishin Arbëreshët larguar prej shekujsh.

Kosova e sotme zë shumë pak vend në faqet e medias shqiptare dhe anasjelltas, kurse portalet më shumë merren me lajmet politike dhe skandalet sesa gjërat që mund të na afrojnë dhe të përbashkëtat. Bashkimi kombëtar është bërë një slogan që më shumë përdoret prej disa politikanëve për të treguar një staturë false para shqiptarisë sesa realisht një qëndrim.

Kosova dhe Shqipëria, për të ardhur keq, është sepse po largohen prej njëra-tjetrës dhe kjo edhe më shumë sesa ftohtësia e Tiranës dhe Prishtinës përbën dhe rezultatin e konjukturave të reja dhe mënyra sesi Administrata Trump e shikon këtë vatër në Evropë dhe ngutin për ta mbyllur problematikën e tyre.

Kosova po gjen rehatinë te simbolika e flamurit të vet, që paradoksalisht është i vizatuar me kufirin e sotëm, bash atë që do të lëvizë presidenti, por edhe me të gjithë atributet që i fal pavarësia dhe që ia ka vërtetuar edhe GJND (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë). Shqipëria duhet të bindet për këtë realitet, por edhe për një identitet që Kosova po e krijon nga dita në ditë. Nuk mund të harrohet ngazëllimi i Kosovës kur mundi Shqipërinë në futboll dhe sesi kosovarët i gëzohen sot përfaqësueses së tyre në çdo fitore.

Kosova i ka thënë lamtumirë Serbisë, por me sa duket, po ndahet paqësisht edhe me Shqipërinë, sepse këto dy dekada na mësuan që të kuptonim diferencat por edhe predispozitat e elitave të dy vendeve, që e diktojnë këtë ndarje.

Ne, nuk mund t’i dalim dot krah Kosovës në përditmërinë e tyre të vështirë sepse energjia na shkon me budallalliqet tona politike dhe mballosjes së një ekonomie anemike, përveçse se shpirtërisht themi dhe do të jemi gati kurdo që mund të kenë nevojë. Por, Kosova duket se e ka shënjuar veten. Ajo është e pavarur dhe po krijon një identitet të ri, që e kënaq me një flamur dhe himn krejt të ri, që nuk i shkon më frymës së simbolikës sonë, mbushur me trima dhe tradhtarë.

Kosova e sotme është perëndimore dhe nëse do të kishte pak më shumë politikanë të përgjegjshëm do të ishte krahas Shqipërisë dhe Maqedonisë në proceset e integrimit. Ani pse, ka të ngjarë që konjukturat ta ndiejnë sërish, sepse është investim mirëfilli amerikan. Kosova e ndjen dhe i është lezetuar ky sens. Ndaj, ata sot duan veten dhe të ardhmen e tyre para fjalëve të fryra të shqiptarisë dhe sloganeve tona patriotike/Homo Albanicus.

Historia e Çamërisë përmes letërsisë

Nga Ben Andoni

Kur vite më parë u botua në Tiranë “Bretkosa” e Mo Yan, shumica besonin se kjo ishte një tepri, thjesht për të prezantuar më shumë një autor nobelist në tregun e vendit. Por, e vërteta rezultoi të ishte krejt ndryshe. Përmes një komune të harruar, autori, përcillte një nga problemet më të mëdha të Kinës, që i qëndron mbi shpatulla prej dekadash të tëra. E më shumë akoma, njerëzit patën fatin të shijonin me vetëm një botim historinë e Kinës përmes letërsisë. Kjo është mrekullia e profesionalitetit…, por edhe e vetë historisë.

Në një areal krejt tjetër, një autor shqiptar, me asfare përvojën, renomenë, mbështetjen dhe njohjet e autorit kinez arrin të bëjë diçka të tillë për një komunitet, i cili sot ende nuk gjen dot fillin e çmpleksur keqazi të historisë së vet fatkeqe. Tom Kuka, autor i romanit të dytë personal, “Gurët e vetmisë” bën një “provokim” të mrekullueshëm duke na treguar se çamët, mu ata, që njerëzit i identifikojnë sot si një komunitet i shpërngulur dhe pa histori mirëfilli, myslimanë të devotshëm, në rrënjët e tyre ishin dhe mbeten një nga komunitetet më interesante të etnisë shqiptare.

Autori përdor në narracionin kryesor vetën e tretë dhe kjo është e kuptueshme sepse i duhet të menaxhojë një galeri të tërë personazhesh, të tre moshave, kryesisht çamë por edhe të huaj me të cilët tregon historinë e panjohur të Çamërisë dhe shtjellat e saj, në lëmë antropologjikë dhe socialë.

Banorët e kësaj treve, që janë aty mes shekujsh, ndoshta nga ai brumi i vërtetë i Epirit, për të cilin zihen historianët e dy vendeve, tregojnë se në shumë raste i kalojnë zakonet greke dhe shqiptare. Janë konservatorë të mirë por aspak të tepruar, ashtu si e gëzojnë jetën me të gjithë mushkëritë. Diku u vigjilon një alert pabesie, por këtë e hedhin poshtë sepse me grekët janë bashkë.

Autori ynë ka zgjedhur formën e një kompozicioni të ndërlikuar dhe kjo e tregon jo thjesht të kulturuar sa i përket njohjes së strukturës letrare, por edhe shumë kërkues ndaj vetes. Në fakt, kjo lloj strukture, që po ta kuptosh e bën pak të lehtë dhe me frymë shtjellën e romanit, na njeh me sfidën e autorit. Autorit i duhen shumë personazhe për ta parë realitetin çam në gjenezë, apo të themi në atë që njerëzit sot e harrojnë prej pogromit ndaj tyre dhe që e lidhin vetëm me kalvarin e tyre.

Stili është i ngjeshur dhe autorit i pëlqen shumë të befasojë, duke shkrirë të gjithë kategoritë estetike. Të bukurën e të shëmtuarën… Për ta ndihur rrëfimin e tij, ai përdor natyrshëm gjuhën e vjetër çame. Por, këtu sfida e tij mbetet pak sepse leksiku deridiku i kësaj treve nuk i shkon me sintaksën e vërtetë të toskëve çamë. Gjithsesi, kjo tejkalohet lehtë, sepse përdorimi i këtij leksiku thjesht është ndihmë për lexuesin dhe duket se nuk është aq detyrë e fiksuar e autorit.

E mrekullueshme është dinamika e personazheve të tij, që nga fillimi dhe deri në fund dhe mënyra sesi interferojnë te njëri-tjetri, duke e bërë të gjithë këtë ndodhi të shkuar të duket se është mu aty fare natyrshëm dhe mund ta prekë gjithkush. Sipas një zakoni, që tashmë po i kthehet në detyrë, në rolin e atyre piktorëve të dikurshëm, që diku fusnin dhe veten e tyre, autori e përfshin sërish Tom Kukën, si personazh real. Madje, prej këtij personazh, lexuesi fillon e bën lidhje instiktive me romanin e parë, ku sërish Toma shfaqet natyrshëm.

Aman, në këtë oaz qetësie, humori dhe mbijetese të bukur, si në librat e vjetër fantazma e një banori përcillet te njerëzit e tij. Diçka po vjen, por askush nuk e parashikon dot katastrofën e madhe dhe të frikshme, pasi askush nuk e beson që natyra njerëzore të ketë kapriço të tilla. Nga ajo që dëgjojnë, por që nuk e besojnë, këtij idili të bukur të natyrës njerëzore, po i vjen një fund… Veçse banorët aq të dhënë pas marrjes së lëngut të jetës nuk duan ta besojnë sepse jeta e përditshme është më e bukur se çdo fantazi.

“Fëmijët pasi mbushnin barkun me mishra dhe mëlçi, rendnin gjithandej në lëndinën e larë nga drita e hënës. Servet Kamati, Agathia, Abedini, Hëna, nanë Zisja, Dajkoja, Resoja, Nekia, çiliminjtë, por edhe Muharrem Mërria me të bijtë bënë këmbë në këtë festë, ku askush nuk pyeste më për mish e raki. Taqo Mullisi solli tavat e mëdha me klumështuar që të ëmbëltonin gojën gostarët, teksa vesa e natës lagu gjethet e ullinjve.

Dikur, kur agu po zinte natën, dhëndri kërceu mbi automobil dhe nisi t’i binte kazasë me fëmijët përsipër që qenë ngjitur cit më cit. Pastaj i mori me rradhë burrat dhe i çonte lart e poshtë. Patën guximin dhe hipën bashkë me të bijtë dhe dy gra, Shanishaja e Grikohorëve dhe Havaja e Hadove. Muharrem Mërria nuk dëgjoi që nuk dëgjoi të ngjitej”.
Në të gjithë librin, përshkrimet lirike por edhe të situatave e bëjnë autorin jo thjesht ta administrojë lëndën, por edhe të tregojë se tashmë mund të konsiderohet si një zejtar i mirë i letërsisë. Dhe, këtë e shikon jo thjesht nga gjuha por mbi të gjitha sensi i masës.

Pikërisht kjo e fundit e bën që të mbledhë të gjithë atë tis, që kanë përcjellë personazhet dhe në pak faqe të fundit të na sjellë masakrën, që është sinteza më e dhimbshme e historisë së Çamërisë. Kjo e fundit tashmë nuk ka shifra, por ka emra, orendi dhe kob.

E gjithë ajo prehje e bukur merr fund sepse tashmë për çamët fillon tmerri i jetës së gjallë, ku ata enden si të vdekur. Pleqtë bëjnë paktin e madh të vdesin si nënë Zisja. Të rinjtë vazhdojnë më tej…por me kokën pas, duke mundur të shpëtojnë kë të mundin E gjithsesi… shpresa vazhdon edhe pas thirrjes kobzezë: I paskan prerë e përvëluar Takenjtë, Muharremenjtë, idrizlerët, Tahirenjtë, Dinejtë, Shabanejtë. A e ndien Avdul? Ky është edhe fundi, ai që e trand lexuesin e thjeshtë dhe e heq nga ai lexim i këndshëm për ta lënë të mendojë… për historinë. /KultPlus.com

Normaliteti shqiptar, vajzat e pasura të show dhe profesorët e varfër

Nga Ben Andoni

Nuk është se Shqipëria bën ndonjë dallim të madh nga vendet e Lindjes, më saktë vendet e krahut matanë të kampit komunist, sa i përket trajtimit të njeriut të mendjes. Intelektualët që kanë derdhur djersë, atyre që u dedikohen shumica e bërjes së veprave në vend, janë dhe do të mbeten të varfër. Përndryshe, pseudot, hileqarët dhe shumë nga njerëzit e konjukturave janë të pasur. Disa prej intelektualëve tanë më të njohur tashmë në pension ose në moshë të thyer nuk mund t’i dallosh nga skamnorët e zakonshëm, që kanë pasur punë mbijetese dhe përballen njësoj me pensione qesharake. Vazhdojnë punojnë e gjallojnë në shtëpitë me kubaturat e ulta, në lagjet më të varfra të kryeqytetit në mjedise krejt modeste, të rregulluara shumë keq, pa shije, e mbi të gjitha me gjurmë tipike të një vjetërsie që shfaqet normale tek ta.

Ish-kryetari i Akademisë, i ndjeri Shaban Demiraj punonte deri në fund të jetës (pak vite më parë), në tavolinën e bukës me librat në një cep dhe pjesën tjetër ia linte vendit të ngrënës; profesor Kristo Frashëri, jetonte i veçuar në një apartament, që pak vite më vonë do jetë patjetër krejtësisht i pabanueshëm. Ndërtuesi i njohur Petraq Kolevica jeton ende në prag të 90-ve një apartament modest afër Bërrylit, krejt i harruar nga shoqëria, njësoj si shkrimtari i njohur Gaqo Bushaka dhe Inxhinieri Kristo Goga, mes shumë e shumë të tjerëve syresh, që nuk na bie dot rasti t’i përmendim të gjithë. Po sa të tjerë vallë?

Ndodh shpesh, që nga rrugëtimet e tyre ose më saktë baresjet ditore u kalojnë pranë vajzat e bukura, ato që shohin në stacionet televizive. Pakkush nga këto bukuroshe që u hedhin vështrime përbuzëse nga makinat e fundit, ka dëgjuar për ta. Madje, nëse do të drejtohej ndonjë pyetësor atëherë do të merreshin përgjigje nga më të jashtëzakonshmet prej tyre, pasi vajzat e bukura me gjasë dinë të gjitha skutat nga nxirret leku, dollari dhe euro, por aspak për kontributet e këtyre njerëzve. Po ç’u duhet vallë? Një makinë e bukurosheve vlen gati me krejt banesën e skamnorëve intelektualë. Dhe, ata që kanë ngritur diga, kanë projektuar hidrocentrale, kanë tharë moçale, kanë projektuar fabrika, sot të pagojë e të nëpërkëmbur jo pak, ecin drejt fundit të tyre, duke u kujtuar në nekrologjitë ose në rastet më të mira kur i kujton dikush shkarazi për homazh. Për hir të së vërtetës, shumë syresh, janë të harruar se e tillë është kjo shoqëri, ku janë bjerrur vlerat morale dhe për vlerësime konsiderohen vetëm gjërat që kanë dukje në lëbyrjen e këtij vendi fals, që tashmë po shndërrohet drejt një sensi të paimagjinueshëm.

Po çfarë listojnë vallë njerëzit sot në vlerësime? Më së shumti dihet. Statusin shoqëror, paratë dhe njohjet. Për hir të tyre, gjykatësi ta kthen vendimin dhe ia jep pronën e trashëguar një akshi, që nuk ka pasur turp të falsifikojë tokën e tjetrit, thjesht se ka lidhje me pushtetin. Mjeku të rrëmben dhe lekun e fundit, në mënyrë që njeriu yt të mbijetojë dhe pak ditë. Politikani të merr nëpërkëmbë në çdo të dalë publike. Koha ka ikur për vlerësimin e vërtetë të atyre që mësohet në shkollë. Morali është i panevojshëm, dinjiteti, studimi, librat ca më keq. Në botën e sotme vlejnë paratë, asetet hirnore të femrave dhe në rastin e Shqipërisë dhe përkatësitë politike. Këtë kanë kuptuar profesorët e rinj të shekullit XXI, ndryshe nga profesorët e vjetër që kanë ndërtuar Shqipërinë. U mjafton një aderim në parti, apo mbajtja e interesave të një grupi afër një përkatësie politike, lëpirja pas interesave të ngushta të disa kinse-pronarëve, që të mos përsërisin fatin e paraardhësve të tyre. Veçse këta nuk e kanë ndërtuar Shqipërinë, thjesht jetojnë ende duke kompiluar librat e paraardhësve dhe kolegëve të huaj. Po vajzat e show? Të ngratat dhe viktimat e paradokseve thjesht mbushin hapësirat e pangopësisë publike. Ndaj, u ngjajnë fluturave, që vinë dhe ikin, duke u zëvendësuar me të tjerat dhe duke mbetur vetëm imazhe, që harrohen sa hap e mbyll sytë.

Po vallë ia vlen të ndihmosh dhe të kontribuosh për zhvillimin e vendit tënd, nëse idealizmi yt do të shpërblehet pas një moshe me harresë dhe skamje? Kjo është pyetja, përgjigja e të cilës dihet qartë për shumicën. Jo, nëse nuk ke interes. Pasi, edhe këtë të fundit duhet ta dish ta materializosh në para të thata. Se, nëse fati nuk të jep mundësinë e hirushit apo të vajzave të bukura, që në masë jo të vogël janë trofe dhe kreditë të pabarazisë së shoqërisë së bukur, shkëlqimit të rremë të civilizimit tonë, asaj që sot bota nuk e zgjidh me shkollat e saj të mendimit dhe realizimet e jashtëzakonshme të ideve, ti je një vdekëtar që ecën në botën e të gjallëve. Anipse sa të zgjidhet kjo, profesorët idealistë të vendit tim do mbeten të varfër dhe shpesh të përbuzur, kurse ato vajzat e bukura do vazhdojnë të na përplasin luksin dhe fatin e tyre të jashtëzakonshëm. Po kjo nuk përbën më ndonjë çudi në ditët tona.

Pse Shqipëria nuk bëhet dot me Kosovën?!

Shkruan: Ben Andoni

Jemi dy vende, me gati përbërje popullsie të njëjtë, me histori deri diku të ngjashme, por gjithmonë e më shumë larg me njëra-tjetrën. Për ta afruar këtë realitet ka takime qeverie, konferenca dhe punë burokratësh, por dy njësitë gjithnjë shtyhen kundrejt vetes. Ka shumë arsye, por në mënyrë të thjeshtë mund të rendisim pak syresh.

Shqipëria me Kosovën e ka shumë të vështirë të bashkëpunojnë, sepse shqiptarët asnjëherë nuk e kanë parë Kosovën si pjesë të natyrshme të Shqipërisë. Në historinë e tyre moderne, Kosova ka qenë nën autoritetin administrativ shqiptar në kohën e fashizmit, porse koha e pakët e bashkëpunimit, diferencat e thella të mënyrave të jetesës, kulturës dhe predispozitës nuk është se lanë aq gjurmë. Përjashtim bëri iniciativa e ish-Ministrit shqiptar të Arsimit Ernest Koliqi që dërgoi në Kosovë shumë arsimtarë nga Shqipëria, një pjesë e të cilëve edhe mbetën në vend. Sa i përket disa dhjetëra komunistëve, që u çuan nga Tirana zyrtare, ata nuk mundën të përcillnin dot më shumë sesa ideologjinë dhe përpjekjen që Kosova t’i dedikohej më shumë antifashizmit dhe ku ta dish, në të ardhmen t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo nuk funksionoi ashtu si nuk funksionoi vetë komunizmi alla shqiptar në Kosovë. Ndërkohë përfshirja e njësive kosovare dhe e ministrave të saj në qeveritë kuislinge shqiptare ka qenë e hidhur. Më e hidhur akoma kujtesa që lanë ata.

Nga ana tjetër, veç episodeve, Kosova ka qenë e pareshtur sa i përket kontributit patriotik ndaj Shqipërisë. Jo vetëm individualisht, por një grup i madh luftëtarësh kanë qenë të përfshirë në historinë e vendit tonë, si edhe janë flijuar për Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një idil që ka mbajtur ëndrrat e njerëzve në kohë të ndryshme në Kosovë, kurse prosperiteti i saj i imagjinuar kulturor-ekonomik ishte një ëndërr për kosovarët për të ardhmen e tyre në një mundësi hipotetike. Vetëm se kur e kanë prekur këtë realitet shikimi i kosovarëve ka qenë gati patologjik. Lufta më e madhe e brendshme e jo pak individëve mbeti përkthimi i këtij realiteti të zymtë në vendin e tyre. Një pjesë jo e vogël e njerëzve të rezistencës së vërtetë kosovare kundër Titos, Rankoviçit dhe pastaj Millosheviçit janë ushqyer nga Shqipëria, moralisht, ideologjikisht, madje ka evidenca dhe financiarisht. Ky është ende një lëmi ku do të duhet të punojnë në të ardhmen historianët kur të fashitet pak zelli nacionalist.

Por të kthehemi në argumentin bazë: Shqipëria kurrë se ka parë Kosovën si qendër kulturore. Që do të thotë, shumë individëve u ka pëlqyer që i kanë botuar autorët e këtej kufirit, që i nderojnë, porse kurrë nuk e kanë vlerësuar poezinë, prozën, dramën, pikturën dhe skulpturën kosovare në lartësitë që i takon. Sot e kësaj dite, kultura kosovare nuk llogaritet në sistemet e kulturës shqiptare, pothuaj ata si janë art i huaj për ne. Kur neve na duhet të shpallim elementët modernistë të kulturës në disiplina të ndryshme, që në Kosovë kanë qenë organikisht, neve nuk i pranojmë si tonat. Për letërsinë dhe artin kosovar ne flasim njësoj si për vendet e tjera të Ballkanit.

Në ditët tona, Shqipëria i ka vendosur barriera vazhdimisht nga ana ekonomike, kurse kuota e fundit e pagesës në Udhën e Kombit është gati vrastare. Aq e fortë sa e bëri Haradinajn kryeministrin kosovar të apelonte dhe t’ia thoshte hapur zotit Rama se duhet ta mirëmbante më parë rrugën dhe pastaj të kërkonte këtë tarifë.

Sa i përket politikës, Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë një faktor, që mund të thuhet se ka fashitur problematika në Kosovë, kurse përfaqësimi ynë diplomatik dhe anasjelltas shpesh ka qenë shumë i dobët. Megjithatë, edhe në pak raste, janë vlerësuar ndërhyrjet e Shqipërisë dhe artikulimi i çështjes së Kosovës para Beogradit. Ndërkohë nga deklaratat e shumë deputetëve në Kosovë, kuptohet gjithnjë e më shumë se politika shqiptare nuk honepset në Kosovë për nivelin e ulët, ashtu si ajo kosovare gati përçmohet në Tiranë.

Problemet shtyhen në arsim dhe kontributet e përbashkëta që megjithëse ekzistojnë marrëveshje, ato duket se nuk funksionojnë, pasi elementi kryesor gjuha standarde është e panegociueshme për Shqiptarët e Shqipërisë ndërsa shpërfillet natyrshëm dhe nuk kultivohet në Kosovë.

Mbi të gjitha, Shqipëria s’ka qenë kurrë e sinqertë me Kosovën. I premtoi me bujë se do “t’i dhuronte” portin e Shëngjinit dhe kjo nuk u bë asnjëherë dhe me sa duket zvarritje do ketë dhe atributet që duan t’i japin Portit të Durrësit. Mbi të gjitha, me morinë e mbledhjeve që bënë dy qeveritë respektive duket se i kanë shtyrë më larg vendet e tyre, shumë më larg sesa ishin në kohët e para kur Kosova filloi edhe zyrtarisht mëvetësinë e saj. E mbi të gjitha fare, mënyra e jetesës së kosovarëve dhe ajo e shqiptarëve është krejt e kundërt dhe për fat të keq nuk po afrohet, sepse janë një grup maskarenjsh që nuk e duan dhe ta inkurajojnë tregun e përbashkët, që pengojnë integrimet dhe kanë përcjellë këtë imazh jo të mirë. Me pak fjalë: Armiku i shqiptarit është vetë shqiptari. / Homo Albanicus. / Gazeta Shqiptare