Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit unanimisht kanë miratuar vendimin për binjakëzimin e kësaj komune me Bashkinë e Beratit.
Në këtë mënyrë sipas autoriteteve lokale plotësohet trekëndëshi i bashkëpunimit Prizren, Berat (Shqipëri) dhe Amasja (Turqi), shkruan sot “Koha Ditore”. Madje lidershipi komunal është optimist se Berati e Amasja do të ndihmojnë në ecjen e Prizrenit drejt listës së UNESCO-së.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka paraqitur kërkesën për miratimin e nismës për bashkëpunim komunal ndërkombëtar të Prizrenit me Bashkinë e Beratit.
“Qëllimi i bashkëpunimit është zgjerimi i shkëmbimeve dhe eksperiencave në sektorët e kulturës, ekonomisë, turizmit, trashëgimisë, me qëllim për të dhënë një kontribut për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet qyteteve”, shkruan në kërkesën e tij…/ KultPlus.com
Etiketë: Berati
Gazetarja italiane: Berati, qyteti magjik me bukuri mahnitëse
Të kthehesh në Berat, çdo herë është një kënaqësi. Qyteti, nga 2008 është në listën e pasurisë së Unesco-s falë arkitekturës së tij të mrekullueshme që daton prej epokës otomane dhe nga bashkëjetesa paqësore e shumë feve, është i shkëlqyer.
Në vizitat e mëparshme kam ndenjur vetëm disa orë në Berat, por këtë herë, kisha kënaqësinë të kaloja një fundjavë në qytetin më romantik të Shqipërisë dhe të zbuloj me qetësi vendet ikonike të tij.
Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e njohur italiane, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top World”.
Berati është një qytet magjik ku historia e tij është e ndërthurur me tregime legjendare. Ashtu si ai i dy vëllezërve Shpiragu dhe Tomorri në zënkë për një vajzë të bukur, me të cilën ishin të dy të dashuruar dhe luftuan me njëri-tjetrin deri në vdekje. Nga historia e tyre janë lindur malet, ndër të cilat është vendosur Berati: mali i Shpiragut që duket se është prerë në feta dhe mali i Tomorrit, i cili ka gropa të mëdha. Vajza, e trishtuar për rivalitetin midis dy vëllezërve, derdhi shumë lot që, sipas legjendës lokale, i dhanë jetë lumit Osum që sot e ndan qytetin në dy, transmeton atsh.
Çfarë të shikosh në Berat
Goricën
Gorica është një lagje historikisht e krishterë e Beratit. Arrihet duke kaluar Urën e Goricës, një urë që ka një veçori shumë të veçantë: pavarësisht se është një ndërtim masiv, duke ecur sipër lëviz. Unë ju këshilloj që të ndaleni përafërsisht në gjysmë të rrugës në urë për të admiruar pamjet e bukura dhe për të marrë disa fotografi në lagjen tjetër historike të Beratit, Mangalem, për të cilën do të flas më vonë.
Në Goricë gjenden dy kisha ortodokse guri, shtëpi të shumta otomane, kopshte të fshehta. Ecja nëpër rrugët e Goricës është sikur të katapultuar në një dimension përralle: dyer me ngjyrë që fshehin kopshte plot me bimë, macet që flenë në mure, lule në anët e rrugëve. Kjo lagje më impresionoi dhe është e vështirë të mos bie në dashuri me të.
Mangalemi
Nëse Gorica është tradicionalisht zona e krishterë e Beratit, Mangalemi është mysliman. Një nga arsyet që e shtyu UNESCO-n për të përfshirë Beratin në listën e trashëgimisë njerëzore, përveç bukurisë së saj të pamohueshme, ishte bashkëjetesa e vjetër e feve. Berati është, në fakt, një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës fetare në Ballkan.
Mangalem është lagja e njohur për shtëpitë e stilit otoman të mbushura me dritare të shumta, të cilat i kanë dhënë Berat pseudonimin qyteti i një mbi një dritareve, për Muzeun Etnografik, në brendësi të të cilit gjenden artefakte të gjetura në zonë dhe për xhami historike. Më të rëndësishmit janë Xhamia e Plumbit, e vendosur përgjatë lumit Osum, e cila në të kaluarën frekuentohej nga djemtë që kërkonin grua, dhe Xhamia e Mbretit, pranë së cilës është edhe Teqeja Halveti, një vëllazëri e myslimanëve.
Kalaja
Zona e tretë që përbën qendrën historike të Beratit është Kalaja, zona e kështjellës. Për ta arritur atë ju duhet të përshkoni një ngjitje mjaft impenjative që ka origjinën në lagjen Mangalem (ju gjithashtu mund të arrini me makinë, por unë e kam bërë gjithmonë rrugën në këmbë). Hyrja në kështjellë kushton 100 lekë për person, që korrespondon me rreth 70 centë të euros. Zona e kështjellës, ende e banuar sot, është mjaft e gjerë, dhe brenda saj gjenden kisha dhe xhami, përfshirë Xhaminë e Bardhë, nga e cila sot kanë mbetur vetëm mbetjet e vendosura në pikën më të lartë të lagjes, ku gjendet një bar që përgatit një kafe të mrekullueshme turke për t’u shijuar në ajër të hapur.
Dhe kur mendoni se ke parë çdo gjë, Berati të dhuron një surprizë të fundit të këndshme: e fshehur prapa rrënojave të lashta të kalasë, ndodhet kisha më fotozhenike e Shqipërisë, kisha e Shën Triadhës e Shekullit të 13-të. Një xhevahir i fundit për t’u admiruar dhe bërë fotografi, para se të përshëndesësh këtë qytet të bukur që në çdo vizitë të dhuron kujtime të mrekullueshme./ KultPlus.com
The Culture Trip liston Prizrenin dhe Beratin në 8 qytetet që duhet vizituar në Ballkan
Faqja “The Culture Trip”, e ka listuar Prizrenin dhe Beratin në top listën e qyteteve të Ballkanit që duhen vizituar.
Janë Prizreni dhe Berati, Pirani, Rovinjini, Mostari, Ohri, Novi Sadi dhe Budva.
“Gadishulli Ballkanik nuk është destinacion i madh turistik si disa vende tjera evropiane, Por, kjo zonë ka plazhe e male të bukura, qytete kulturore e parqe arkeologjike, dhe janë përgjysmë më të lira se disa destinacione turistike të famshme në Evropën Perëndimore”, thuhet në një shkrim në këtë faqe, transmeton Koha.net.
BERATI
I njohur si qyteti i njëmijë dritave, Berati është një ndër qytetet më të bukura të Shqipërisë dhe Ballkanit. Nëse e vizitoni, do ta kuptoni pse! Qendra e vjetër karakterizohet nga ndërtesat otomane, me kulmet ngjyrë kafe, fasada të bardha dhe dritare të vogla. Ata që do ta vizitojnë kalanë, ta dinë se është e vendosur në maje të kodrës, dhe do të jenë në gjendje të shohin pamje mahnitëse të qytetit.
PRIZRENI
Kosova është një nga vendet më pak të vizituara në Ballkan, por megjithatë, mburret me vendet e bukura dhe të ruajtura. Ka fortesa e panorama të mrekullueshme, një rast i tillë është qyteti i Prizrenit. Në Prizren gjendet edhe kalaja, ku nga aty shihet i gjithë qyteti i bukur i vjetër, kafe e lokale të ndryshme, dhe lumi i bukur që rrjedh.
Berati në vendin e dytë të qyteteve më të bukura të Evropës
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë është renditur në vendin e dytë mes 30 vendeve më të bukura në Evropë. http://www.telegraph.co.uk/travel/lists/The-30-most-beautiful-towns-in-Europe/
E përditshmja britanike “The Telegraph” ka publikuar një artikull referuar Shoqatës Japoneze të Agjencive të Udhëtimit, (JATA) për qytetet më të bukura në Europë.
Në listën e publikuar mes 30 qyteteve, renditet edhe Berati në vendin e dytë.
“Mangalemi, në qytetin e Beratit shtrihet në brigjet e lumit Osum dhe është në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Në periudhën e mesjetës ka qenë një qytet kufitar i Perandorisë Bizantine, që gjë e dëshmon kështjella e tij”, thuhet në shkrimin e publikuar nga “The Telegraph”, përcjell atsh.
Qendra urbane e Beratit, reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë
Këto janë 30 qytetet më të bukura në Evropë, sipas Shoqatës Japoneze të Agjentëve të Udhëtimit (JATA)./KultPlus.com
Më poshtë është lista e qyteteve sipas renditjes.
1. Kilkenny, Irlandë
2. Berat, Shqipëri
3. Civita di Bagnoregio, Itali
4. Procida, Itali
5. Conëy, Ëells
6. Lech, Austri
7. Hindeloopen, Holandë
8. Lefkara, Qipro
9. Rovinj, Kroaci
10. Soglio, Zvicër
11. Visby, Suedi
12. Setenil de las Bodegas, Spanjë
13. Piran, Slloveni
14. Vlkolinec, Sllovaki
15. Marianske-Lazne, Republika Çeke
16. Quedlinburg, Gjermani
17. Bernkastel-Kues, Gjermani
18. Golyazi, Turqi
19. Reine, Norvegji
20. Sopron, Hungari
21. Koprivshtitsa, Bullgari
22. Porvoo, Finlandë
23. Saint-Cirq-Lapopie, Francë
24. Riqueëihr, Francë
25. Sint-Martens-Latem, Belgjikë
26. Zalipie, Poloni
27. Monsanto, Portugali
28. Ohër, Maqedoni
29. Kotor, Mali i Zi
30. Gura Humorului, Rumani
Berati, qyteti më i vizituar nga vendasit dhe turistët e huaj gjatë vitit 2017
Qyteti i Beratit, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, gjatë periudhës janar -tetor 2017 është vizituar nga 38 650 turistë të huaj dhe vendas.
I njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, qyteti 2400-vjeçar i Beratit ka zgjuar interesin e turistëve të shumtë që e kanë vizituar.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat konfirmon se “nëse do të bëjmë një shikim të vizitueshmërisë në periudhën janar- tetor 2017 do të kemi vërtet një shifër impresionuese, 38 650 vizitorë dhe 6 706 800 lekë të ardhura nga biletat”.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, janë gati 10 000 vizitorë më shumë se i gjithë viti 2016.
“Ndërsa në muajin tetor, në gjysmën e të cilit u shënua edhe mbyllja e sezonit turistik të verës, vazhdoi të kishte një fluks të lartë prej 4029 vizitorësh nga të cilët 3183 vizitorë janë të huaj”, thekson QKMB-ja.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se ”destinacioni më i rëndësishëm mbetet Muzeu Ikonografik Onufri, i cili në këtë periudhë u vizitua nga 32 658 vizitorë, por dhe Muzeu Etnografik pati një vizitueshmëri të kënaqshme prej 6165 vizitorësh”./ KultPlus.com