‘Udhëtoni’ në Prizrenin e viteve 50-ta përmes pikturave të mahnitshme të Besim Danjollit

Jeta Zymberi

Përderisa jeni duke shëtitur në qendrën e qytetit të Prizrenit, këto ditë krejt rastësisht keni pasur rastin të shihni po këtë qytet të minimizuar në pikturat e Besim Danjollit përmes të cilave secili mund të bëjë një “udhëtim” në Prizrenin e viteve 50-ta, shkruan KultPlus.

Pikturat të cilat po ekspozoheshin në qendër të qytetit, tërhoqën edhe vëmendjen time, ku e mrekulluar nga ngjyrat e bukuria e tyre, u ndala për t’i soditur nga afër. Por fati tjetër ishte prezenca e piktorit i cili pa hezitim, teksa unë po tregoja interesimin tim për një intervistë së bashku, nisi të më rrëfej për secilën pikturë e historinë që fshihet pas saj.

Qyteti i këtyre pikturave na shpaloste objekte kulturo-historike pa të cilat Prizreni po rrezikon të mbetet dita ditës. Pikërisht këto shkatërrime e ndryshime të qytetit, e kanë shtyrë artistin që përmes pikturës ta ruajë të freskët çdo cep të Prizrenit të vjetër dhe vetë trashëgimin e qytetit, që dikur kishte një qetësi të thellë shpirtërore.

Me ngjyra të ndezura e një freski të jashtëzakonshme, Danjolli na shpalos rrëfime për secilën lagje të vjetër e për jetën e asaj kohe për të cilën ka jo pak nostalgji.

Siç na tregoi vetë piktori, takimi i tij i parë me artin e pikturës ndodhi qysh në klasë të tretë në fillore ku bashkë me nënën e tij arriti të realizojë katër “deneze” me lule e nga ku Danjolli mbeti i mahnitur nga ngjyrat e ndezura e kontrastet të cilat duket se i ka trashëguar nga e ëma. Por, ishte mosha 5 vjeçare kur Danjolli realizoi portretin e shokut të tij dhe udhëtimi në botën e artit vazhdoi rrjedhimisht.

Ky pasion që me kohë u shndërrua në profesion, e bëri piktorin që në letrën e bardhë të vendosë qytete të ndryshme, portrete e gjithçka tjetër që linte mbresë te ai. Por vendlindjen, krejt pavëmendshëm ai kishte harruar ta ngjyrosë me brushën e tij. Një vërejtje nga shoku i tij për këtë “moskujdes” e ngacmoi mendjen dhe shpirtin e Danjollit i cili iu kthye rrënjëve për ta jetësuar vendlindjen në mënyrën më të mirë, atë të viteve 50-ta.

Ngjyrat e ndezura në pikturat e tij tregojnë për gjallërinë e popullatës dhe jetës në këtë qytet.

“Përmes pikturave mundohem të paraqes një qytet plot gjallëri, plot civilizim e që në emër të zhvillimit urban janë degraduar shumë pjesë të qytetit të cilat kanë pasur dhe ende kanë një vlerë shpirtërore poashtu edhe ekonomike në pikëpamjen e turizmit. E disa nga objektet mund të përtërihen në mënyrë që të plotësohen vlerat e qytetit”, vlerëson Danjolli për KultPlus.

Në disa nga pikturat e Danjollit, pasqyrohet edhe jeta e përbashkët e grupeve etnike e fetare në Prizren, të cilat piktori i sheh pasuri të përbashkët të qytetit.

“Paraqitja e etnive të ndryshme të cilat kanë jetuar dhe jetojnë ende sot, unë i shoh si pasuri të përbashkët dhe si shpirt kozmopolit të qytetit të cilat në periudha të ndryshme kanë tentuar të reduktojnë me procese të ndryshme presioni, për “pastrim etnik” dhe përcaktim të kulturës, e që ka rezultuar me represione të ndryshme”, thotë Danjolli.

Qyteti që e frymëzon kaq shumë, dita ditës po shkatërrohet me apo pa dashje, e kjo veç sa po e shtynë edhe më shumë piktorin që këto vlera ti “konservojë” në pikturat e tij.

“E dhimbshme është të shkatërrohen vlerat shumë-shekullore!”

Shumë nga objektet e shkatërruara sot, janë të përfshira në pikturat e Danjollit, e dhimbja e tij për këto objekte që sot nuk janë, përmbushet kur të paktën i takon në veprat e artit.

“Janë aq shumë, jo vetëm objekte, por edhe sheshe dhe tregje, si dhe rendi i dyqaneve dhe shtëpive të cilat janë tretur. Ura e Arastes (ura e dytë e gurit), hanet gjatë bregut të lumit, pastaj restaurimi i keq i hamamit si dhe restaurimi i hamamit të dytë dhe sahat kullës, etj.

Në gjithë koleksionin e tij të pasur është e vështirë të zgjedhësh më të mirën, por për piktorin pamja ku shihet kalaja, xhamia e Sinan Pashës, Kisha Ortodokse Shqiptare, hanet, hambari i drithërave, ura e gurit dhe shtëpitë pranë lumit, është një prej pikturave me një rëndësi të veçantë për vetë faktin se brenda vetes ngërthen histori e objekte tejet të rëndësishme.

Krejt për fund, Danjolli ka treguar që interesimi për këto piktura të cilat janë edhe në shitje, është shumë i madh, por që ai i drejtohet me një kërkesë edhe institucioneve përkatëse për krijimin e një bagazhi të piktorëve në një galeri të artit të cilën deri më tani nuk e kanë. / KultPlus.com

Nesër në Prizren hapet Qendra Artizanale

Nesër në Komunën e Prizrenit do të hapet Qendra e Kurseve Artizanale, shkruan KultPlus.

Në këto kurse do të mbahen pesë drejtime të ndryshme si: Djegie ne Dru, Reliev në letër, Rrobaqepje, Punim të Shajakut si dhe Dizajnimi i Veshjeve Moderne.

Këtu keni njoftimin e plotë:

“Nesër, më 10 korrik (e premte) Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik do të bëjë hapjen e Qendrës Artizanale në Prizren, ku do të mbahen pesë kurse të ndryshme si: Djegie ne Dru, Reliev në letër, Rrobaqepje, Punim të Shajakut si dhe Dizajnimi i Veshjeve Moderne.

Këto kurse do të organizohen nga DTZHE, në bashkëpunim me agjencinë TIKA dhe Komunën Konya të Turqisë, ku do të marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrëse.

Hapja do të bëhet në orën 11:00, në ish objektin e Megasportit në qendër të qytetit, ku i pranishëm do të jetë kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DTZHE-së, Sevil Kazaz”. / KultPlus.com

Komuna e Prizrenit lë brendimin e qytetit në mëshirë të tenderëve

Ndonëse në rrethanat aktuale prioritet kryesor mbetet përballja me pandeminë Covid 19, RrOK e sheh të arsyeshme që ta publikojë këtë reagim, për faktin se vazhdon monitorimin online të Komunës, për proceset që janë në vijim e sipër.

Komuna e Prizrenit më 17 mars 2020 ka shpallur procedurë të hapur tenderuese për projektin “Krijimi dhe mirëmbajtja e brendit për qytetin e Prizrenit”, duke mos i përfillur rekomandimet e dhëna për brendim, të paracaktuara në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-2028. Për më tepër kjo thirrje përcakton vetëm kriteret financiare të cilat duhet t’i përmbushin operatorët potencial ekonomik dhe nuk i ka për bazë kriteret esenciale profesionale të përcaktuara nga dokumenti i lartcekur lidhur me brendimin e qytetit të Prizrenit.

Brendimi i një vendi, duke përfshirë marketingun dhe promovimin e tij, është një proces i rëndësishëm i krijimit të imazhit të një tërësie kompozicionale, duke pasur për qëllim identifikimin dhe vënien në pah të potencialeve kryesore të qytetit për komunitetin dhe për publikun e jashtëm të synuar. Si i tillë, RrOK konsideron që brendimi duhet të jetë një dokument i besueshëm, i matshëm dhe i prekshëm në mënyrë që të fuqizojë aspektin identitar të qytetit të Prizrenit, ashtu siç e përcakton edhe Plani i Menaxhimit.

Në qershor të vitit të kaluar është përmbyllur konsultimi publik përfundimtar i Planit të Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-28, një plan i përpjekjeve shumë vjeçare të institucioneve dhe shoqërisë civile të Prizrenit për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës historike të qytetit.

Ky plan, i iniciuar dhe financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe i përkrahur nga Komuna e Prizrenit dhe i zbatuar nga Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren, që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Komunës, trajton si kapitull të veçantë temën e brendimit të qytetit të Prizrenit. Në këtë kapitull theksohet se përpilimi i detyrës projektuese të konkursit për brendim të qytetit duhet bazuar në hapat në vijim: 1. Hulumtimi i materialeve arkivore rreth brendimit të qytetit të Prizrenit, me fokus në mbledhje të informatave për këto fusha: aktivitetet kulturore, trashëgimia kulturore dhe shpirtërore dhe vlerat ambientale; 2. Hapja e konkursit (ndërkombëtar) më shifër për metodologji të brendimit; 3. Organizimi i punëtorive specifike tematike për brendim të qytetit dhe formulimin e narracionit kolektiv sipas fushave të mësipërme; 4. Aplikimi i metodave të ndryshme të gjithëpërfshirjes qytetare në tematikë të brendimit (pyetësor në terren, pyetësor online në ueb faqen e komunës, konkurs fotografie, dhe konkurse tjera të ngjashme gjithëpërfshirëse etj); 5. Dizajnimi dhe zhvillimi i brendit (përfshirë anën tekstuale, konceptuale dhe pamore); 6. Dizajnimi i elementeve dhe shenjave urbane bazuar në brendimin e përgjithshëm të qytetit (përfshirë edhe shenjat orientuese për këmbësorë për trashëgimi kulturore e natyrore); 7. Aplikimin e brendit në mediume të ndryshme dhe target audienca të ndryshme dhe 8. Monitorimi i brendit dhe menaxhimi. Për dokumentin e plotë të PMQHP dhe kapitullin e brendimit (fq.197-207) shih vegëzën në vijim: https://konsultimet.rks-gov.net/viewConsult.php?ConsultationID=40669

Bazuar në faktet listuara më sipër, RrOK bën thirrje që të ri-shqyrtohet lënia në dorë e procesit të brendimit në duart e operatorëve ekonomik dhe i bën thirrje Komunës së Prizrenit që të përqendrohet në rekomandimet e dala nga Plani i Menaxhimit, duke krijuar mundësi për përfshirjen e komunitetit, profesionistëve dhe shoqërisë civile në këtë proces të rëndësishëm për qytetin.

RrOK konsideron se Komuna e Prizrenit duhet të hartojë një proces gjithëpërfshirës të hartimit të procesit të brendimit të qytetit dhe jo ta reduktojë vetëm në një tender të formës së dizajnit grafik. Procesi i

brendimit duhet të jetë fillimisht proces i hapur e transparent me publikun dhe më pas të përfundojë apo kulmojë me interpetimin grafik të saj. Prandaj kërkohet nga Komuna e Prizrenit që urgjentisht të anulojë këtë aktivitet të prokurimit, ku afati për dorëzimin e ofertave ka qenë 6 prill 2020.

Organizatat përkrahëse: EC Ma Ndryshe, Fondacioni Lumbardhi, Fondacioni Legatum, Dokufest, NGOMfest, Durmish Aslano, Autostrada Biennale, X40. / KultPlus.com

Traditat shqiptare në Prizren, po tjetërsohen në turke

Traditat kombëtare -shqiptare në Prizren, po tjetërsohen nga turqizmi.

Etnologu, Nexhat Çoçaj, tha se qyteti i Prizrenit, ka dal nga shtrati i traditave të veta.

“Në Prizren kemi tjetërsim të identitetit, pasi që shumë tradita shqiptare janë shndërruar në ato turke”, tha Çoçaj, në debatin e organizuar nga Qendra për Promovim Demokratizim dhe Integrim në Prizren.

Çoçaj, ka përmendur fenomenin e dasmës, fejesës, shënimit të Ditës së Verës etj.

“I kam në dorë disa punime të studiuesve turq, ku shihet se si ata tentojnë t’i tjetërsojnë traditat shqiptare të Prizrenit, në ato turke”.

“Populli duhet t’i rishikojë devijimet e traditës shqiptare”, tha ai.

Sipas tij, ndarja ekziston edhe mes qytetarëve dhe “katundarëve”.

Ndërkaq, Xheladin Kastrati, muzikolog, në këtë debat ka folur për traditën muzikore të Prizrenit.

Ai, tha se Prizreni është fidanishtja e muzikës në Kosovë.

“Muzika rrënjët i ka në Prizren”, tha Kastrati.

Sipas tij, SHKA “Agimi” mban meritat e ruajtjes së muzikës, në këtë qytet.

“Këngëtarët më eminent kanë dal nga “Agimi”.

Sipas tij, muzika e mirëfilltë, që është ruajtur në kohërat më të vështira, tash ka filluar të çalojë në Prizren.

Poeti Salajdin Krasniqi , ka kujtuar personalitetet e qytetit të Prizrenit.

Ai, numëroi disa figura, të cilat kanë dhënë kontribut në ruajtjen e traditave në këtë qytet./PrizrenPress.com/

Tradita qindravjeçare e ëmbëlsirave në Prizren

Prizreni konsiderohet të jetë kryeqyteti i kuzhinës së Ballkanit. Në këtë qytet, i banuar kryesisht me shqiptarë, desertët më të preferuar të Ballkanit janë tullumbat,bakllavaja,tes pishtja, krempitja dhe kajmaçini. Këto janë specialitete dhe tregues të qartë të epokës osmane, e cila kishte sunduar rajonin për shekuj me radhë.

Prizreni ka zeje të vjetra që shquhen në tërë Kosovën. Një nga ato janë edhe ëmbëlsirat që kanë një traditë mjaft të hershme në këtë qytet.

Në një dyqan të vogël, rreth 20 metra katrorë, në njërën prej rrugicave gjarpërore të Qendrës Historike të Prizrenit, shiten vetëm dy produkte. Janë të ëmbla. Tullumbat dhe eklerët janë dy ëmbëlsirat, shija e të cilave të përcjell gjatë.

E receta e kësaj të parës është katërfish më e vjetër sesa mosha e Ilijaz Shehut (50) pronarit të këtij dyqani, dhe zanatliut të këtyre dy produkteve. Ai e mësoi këtë nga babai i tij, Ibrahim Shehu, aktualisht 80-vjeçar, por që e ka lënë këtë punë.

Kënaqet vetëm kur sheh të birin se i bën si ai këto ëmbëlsira, derisa vetë, se si bëhen tullumbat e eklerët, kishte mësuar nga daja i tij, Nexhip Kulla.

Shehu pos zanatit ruan edhe disa porosi nga babai i tij. Ato janë bërë udhërrëfyese të punës së përditshme.

Zanati krahas shkollës

Këtë zanat e kam të trashëguar nga babai”, thotë prizrenasi Shehu. “Ai e ka marrë zanatin nga daja i tij, që ka punuar me ëmbëltore”, shton më tej.

Shehu tregon se ai dhe babai i tij kanë lindur në Prizren, por prejardhja e tyre është nga Shqipëria. E daja i babait të tij i takon një familjeje opojane që tradicionalisht është marrë me ëmbëlsira.

Daja ka qenë në familje që është marrë me ëmbëltore. Vjen nga një fshat nga Opoja”, thotë Shehu.

E teksa kthehet te vetja, ai tregon se kishte nisur të merrte zanatin krahas shkollës.

Familjet prizrenase e duan shumë ballkavanë e “Sulltanit”

Një nga këto familja është ajo Kadrija, e ardhur në Prizren që para 45 vjetësh nga fshati Zlipotok i Dragashit, e cila, si shumë familje të tjera boshnjake, është shumë aktive në sektorin e ushqimit tradicional. Familja Kadrija është e njohur si prodhuese e fundit e bozës sipas recetës tradicionale në Prizren i tullumbave dhe bakllavasë.

Me rastin e festës së Bajramit, njëra ndër ëmbëltoret që përkujdeset për shumicën e familjeve të Prizrenit dhe më gjërë për festat e Bajramit që ato të jenë sa më të gëzuara, është ëmbëltorja tanimë e njohur për traditë të gatimit të bakllavasë dhe ëmbëlsirave të tjera “Sulltan”, e cila me kualitetin dhe format dallohet në gjithë rajonin. Bakllavaja e “Sulltanit ” kërkohet shumë gjatë festës së Bajramit.

Siç shprehet Sanije Fusha Tatari, ëmbëlsirat e “Sulltanit” janë të njohura dhe të dallura dhe për kualitet. Ajo shton se shumica e familjeve prizrenase e duan bakllavanë e “Sulltanit”.

Brezi i tretë i familjes që merret me bozë

Pronari i ëmbëltores “Sulltan”, Zylfi Fusha tregon se këtë specialitet e bëjnë më së miri në Kosovë, kjo për faktin se tashmë është krijuar një traditë orientale në sferën e kuzhinës. Ndërsa, Fadil Quni thotë se kualiteti dhe format e bakllavave të “Sulltanit” janë ndër më të mirat.

“Kemi filluar me format më të bukura që bëhen në Turqi apo në ndonjë vend tjetër. Kualiteti i kësaj bakllavaje është shumë e vjetër”, ka thënë ai.

Njëri nga pronarët e ëmbëltores “Banana Split’, Destan Kadrija tregon gjithë hisorikun e familjes Kadrija, kur para 75 vjetësh i pari i tyre, Rexhep Kadija, jashtë Kosove kishte filluar me embëltore, e pak vite më vonë ishte kthyer në Prizren.

“Unë jam brezi i tretë i kësaj familje që merremi me prodhimin ekskluziv të tullumbave dhe bozës së Prizrenit”, tregon ai për gazetën.

Ai thotë se këtë zeje do ta vazhdojnë, sepse djalin i tij, Jasini, është regjistruar në Fakultetin e Teknologjis së ushqimit. Kjo familje janë prodhues të njohur të akullores më të mirë në Prizren. Tregon se e gjithë familja merret me këtë zeje.

“Më gëzon shumë kur tursitët kërkojnë bozën tonë apo tullumbat që mud të them se nuk i gjen kund tjetër në Balllkan. Jam i lumtur nga puna jonë”, tregon ai për gazetën./ Koha.net/PrizrenPress./ KultPlus.com

Reportazh: Historia frymëzuese e zonjës Shukrije nga Prizreni

Shkruan: Besnik Avdiaj

Prizreni ndoshta është qyteti i vetëm në Kosovë, që ka arritur ta ruajë më së miri konstruktin ariktektonik. Rrugët e shtruara me kalldrëm në sheshin “Shatërvan” e bëjnë ecjen të këndshme, ndërsa shtrirja përreth e objekteve që vazhdojnë të ruajnë një sharm të trishtë dhe mikpritës, të bën të ndihesh sikur ecën përmes vitesh historie.

Të gjithë, që kemi qenë të paktën njëherë, e njohim Prizrenin. Dikush më shumë e dikush më pak, të gjithë e kemi një ide të përbashkët se si duket sheshi, fontana e famshme e Shatërvanit, xhamia e Sinan Pashës, Ura e Gurit, Kalaja, aty-këtu ndonjëra nga kishat dhe shumë prej nesh na vjen në mendje edhe Marashi me rrapin shekullor. Por, jam i sigurt që jo shumë njerëz e dijnë historinë e zonjës Shukrije, ndërmarrëses që ka bërë një investim prej gjysmë milion eurosh në Prizren.
Rruga që të çon drejt Kalasë së Prizrenit është më shumë një trotuar i pjerrët dhe në gjendje të mjerueshme, sesa një rrugë normale, që, larg qoftë të bëhet me makinë. Por, nuk është çudi të gjesh makina të rralla që e kalojnë për të shkuar tek lagjia Nënkalaja, apo për t’u afruar deri tek restaurant “Villa Argjiro”. Ecja bëhet e mundimshme aty ku rruga fillon të ngushtohet dhe është e rrezikshme në kushte të temperaturave të ulëta dhe ngricave të mëngjesit e mbrëmjes, sidomos në zbritje. Megjithatë, duke qenë se e kisha bërë disa herë këtë rrugë për të vizituar Kalanë e Prizrenit, një monument arkitektonik që ka mbijetuar shekujt që nga koha e Bizantit, e kisha të njohur ndjenjën e mbushjes frymë në pjerrësinë pothuajse vertikale të ngjitjes.


Rruga që të qon te Kalaja e Prizrenit


Udhëkryqi mes Kishës, Kalasë dhe “Villa Argjiro”

Përafërsisht në gjysmë të rrugicës, në anën e djathtë gjendet një kishë e vogël ortodokse e shekullit të katërmbëdhjetë. Në të njëjtin udhëkryq, majtas shkohet me makinë deri tek restauranti, ndërsa drejtë përpjetë vazhdon ngjitja dhjetë-pesëmbëdhjetë minutëshe për te kalaja. Pas, ndoshta pesëdhjetë apo njëqind metrash nga Kisha e Shën Spasit, mund të hysh në restaurant nga hyrja që del në rrugicë.


“Villa Argjiro”

E gjithë historia e zonjës Shukrije fillon këtu. Ajo po bisedonte me një burrë në oborrin e vogël të lokalit, që më vonë doli të ishte i vëllai. Kur më pa, më përshëndeti ngrohtësisht dhe pasi e pyeta nëse kishin filluar punën (ora sa kishte shënuar dhjetë e gjysmë), më uroi mirëseardhje, teksa më udhëhoqi brenda restaurantit. E qeshur dhe plot energji, fliste lirshëm me mua, thua se ishim takuar kohë më parë dhe ky ishte vetëm edhe një takim më shumë mes miqsh.

Brenda nuk kishte njeri. Prizreni shquhet si një nga qytetet më të vizituara nga turistët në Kosovë, por kishte plot faktorë, që atë mëngjes të ftohtë dhjetori, i kishin mbajtur njerëzit në vende të ngrohta, ku nuk kërkohet të bësh ngjitje në këmbë në minus katër apo pesë gradë. Andaj edhe isha klienti i vetëm në gjithë restaurantin.

Lokali në pamje të jashtme paraqet një ndërtesë me arkitekturë orientale, tipike të zonës, me dritare me grila dhe korniza të drurit, fasadë të bardhë të rrafshët, terrasa me parmakë druri dhe pjesa e katit përdhes me mure prej guri. Brendia është krejt tjetër gjë. Shija e ideatorit është një përshtatje e modernes brenda tradicionales. Tavolinat dhe karriget me stil modern, janë përshtatur me ngjyrat e dyshemesë, ndërsa nga sipër varen disa llambushka të madhësive të ndryshme, ku sipër lidhjeve nyjë janë të vendosura tjegulla me ngjyrë terrakote. Bari (zhg. shank) dhe kuzhina janë krejtësisht transparentë dhe vizitorët mund të shohin procesin e përgatitjes së ushqimit. Tutje kah fundi i gjithë kësaj hapësire, janë tualetet moderne.


Ambienti i brendshëm


Ambienti i brendshëm

Ndërsa ulem në pjesën qëndrore, në një nga vendet për gjashtë persona, afër dritares, zonja Shukrije më shoqëron dhe ndërkohë i përgjigjet interesit tim për të ditur më shumë për vendin. Entuziazmi i saj teksa tregon se çfarë pajisjesh ka sjellur në Kosovë nga Zvicra, përbërësit e veçantë për ushqime të ndryshme, sfidat me të cilat është përballur dhe dëshira e saj për të sjellë frymë të re kulinarie dhe turizmi, është i mahnitshëm. Frymëzimi që më ngjall kjo zonjë modeste shkrihet me pamjen madhështore të qytetit të Prizrenit.


Pamja e Prizrenit nga dritarja

Zonja Shukrije është e lindur në fshatin Korishë të Prizrenit, por jeton në Zvicër me djalin dhe vajzën, pasi burri i saj, Hamdiu, ka vdekur në një aksident në vendin e punës. Në vitin 2016 e ka blerë objekin e shkatërruar tërësisht dhe meqë është i vendosur në zonën e mbrojtur, ka vendosur ta renovojë atë. Hidroizolimi i zonës dhe ruajtja e arkitekturës orientale i kushtuan më së shumti, por ajo është e lumtur me çfarë ka bërë. Kur e pyes pse, përgjigjet thjeshtë “kam dëshiruar të ndryshoj diçka në vendin tim.”

Pasi më prezanton me të vëllain, Ramadanin, me rekomandimin e saj, ky i fundit më sjellë një çaj Latte, të cilin zonja Shukrije e ka sjellë nga Zvicra. Ndërmarrësja modeste ma përgatit vetë dhe më shpjegon mënyrën e veçantë se si pluhuri i çajit duhet të hidhet në gotë, para se të mbushet me ujë të valë. Shija e çajit e eliminon nevojën për ta ëmbëlsuar me sheqer apo çkado tjetër.

Në pjesën e jashtme janë vendosur dy flamuj, i Shqipërisë dhe i Zvicrës. E shikoj me admirim teksa e shpreh dashurinë që ka për Prizrenin, për Kosovën dhe për shqiptarët kudo që janë. Njëkohësisht tregon sa mirënjohëse është ndaj shtetit të Zvicrës që i ka hapur dyert e perspektivës asaj dhe familjes së vet, andaj krahas flamurit shqiptar që e ka në zemër, e ka vendosur edhe flamurin e Zvicrës në shenjë respekti. “Po të mos ishte Zvicra, unë nuk do ta bëja këtë ëndërr realitet”, shprehet ajo.

Patriotizmi i zonjës Shukrije nuk ndalet vetëm tek investimi gjysmëmilionësh në Prizren. Ajo më tregon se si i ka paguar njerëzit rregullisht që të pastrojnë gjithë rrugicën që të dërgon nga Xhamia e Sinan Pashës deri tek Kalaja e Prizrenit, ndonëse mirëmbajtja e rrugës publike nuk është përgjegjësi e saj. Mundohet të mos shprehë negativitet, por nuk arrin dot ta mbajë mllefin ndaj papastërtisë së vazhdueshme dhe mosinvestimeve të komunës në rregullimin e infrastrukturës që të dërgon te Kalaja.


Gjendja e mjerueshme e natyrës – e shkaktuar nga faktori ‘njeri’

Kalaja e Prizrenit është monument i mbrojtur me ligj dhe në zonën përreth, që është pjesë integrale e Kalasë, nuk lejohen ndërtime tjera, përveç atyre që kanë pasur lejet e mëhershme. Kjo përfshin edhe çfarëdo ndërhyrje tjetër. Zonja Shukrije bën me dorë në drejtim të një pjese me plotë pemë nën hyrjen e Kalasë dhe thotë se aty është bërë pothuajse një deponi e mbeturinave, sidomos nga shishet dhe hedhurinat e tjera të plastikës. Kjo ndërmarrëse afariste, më emocionon teksa flet me entuziazëm se si planifikon të marrë lejen e Komunës për të bërë vetë pastrimin e gjithë zonës. Është mbresëlënëse t’i shohësh sytë e kësaj zonje se si vezullojnë nga shkëlqimi i ambicieve për të krijuar një ambient të pastër, për ta ruajtur dhe promovuar zonën dhe për të krijuar mjedis modern që rrit cilësinë e turizmit.

Pa përtesë, më tregon edhe dhomat e fjetjes që i ka kompletuar në muajin e fundit, menjëherë një kat më poshtë, dhe që janë të gatshme për shfrytëzim nga turistët që kalojnë natën në Prizren. Ndonëse ankohet për sjelljet e disa individëve që i kanë shkaktuar dëme, ajo prapë me vetëbesim thotë “ndoshta vitin tjetër do ta lë fare punën në Zvicër dhe të kthehem të punoj në Kosovë”.

Vlerësimi i saj për vëllain, për familjen dhe miqtë e tjerë që e kanë ndihmuar, është fisnik. Mesazhet mirënjohëse, që shpreh në çdo fjalë që thotë, janë brillante. Ambicia e zonjës Shukrije për të vazhduar me investime shtesë në biznesin e saj ështe e pabesueshme, ndërsa vullneti i hekurt për të bërë ndryshime pozitive në komunitet, konkretisht në ambientin përreth Kalasë së Prizrenit, është i pashembullt.

Më përcjellë deri aty ku parmakët e oborrit ndërpriten për t’i lënë vend një hapësire sa për të dalë në rrugicë. Me sytë plot dritë, më përqafon ngrohtësisht dhe, ndërsa unë marr rrugën drejt Kalasë, zonja Shukrije i rikthehet punës me zellin e pafund.

Ndonjëherë njeriu merr rrugën për të arritur në një destinacion të caktuar, por nuk duhet të ketë frikë nga marrja e kthesa të paplanifikuara, ngase ka aventura në jetë që na ndryshojnë rrënjësisht, na transformojnë dhe na bëjnë të jemi njerëz më të mirë. Kjo ishte historia e zonjës Shukrije, gruas shqiptare ndërmarrëse, që e do familjen, punën, suksesin e përbashkët, vendin e vet, dhe mbi të gjitha, është mirënjohëse për gjithçka në jetë.

Edhe unë, edhe ti që po lexon këtë histori, mund të bëhemi shembulli që zonja Shukrije është bërë për ne./ KultPlus.com