Aliçka dhe Myftiu në një rrëfim për letërsinë shqipe në Paris

Shkrimtarët Ylljet Aliçka dhe Besa Myftiu do të jenë në një rrëfim mbi letërsinë shqipe në Paris. Ata do të jenë pjesë e dy takimeve letrare, që Biblioteka Universitare e Gjuhëve dhe Civilizimeve “Boulac”, në Paris, do të organizojë këtë fillim tetori, dedikuar posaçërisht letërsisë shqipe.

Botimet “Toena” bëjnë të ditur se “qarqet universitare europiane i kushtojnë gjithmonë e më shumë vëmendje letërsisë shqipe. Kjo gjë, natyrshëm, na bën të ndihemi krenarë dhe të jemi koherent me ju për ngjarje të rëndësishme letrare që ndodhin jashtë kufijve të Shqipërisë”.

Takimi i parë do të organizohet më 6 tetor 2018, me temë qendrore “Letërsia shqipe nga një gjuhë në tjetrën” dhe gjatë tij do të trajtohen çështje të tilla, si: Cila është natyra e shkëmbimeve mes autorit dhe përkthyesit? Cilat janë vështirësitë dhe pengesat e përhapjes dhe eksportimit të letërsisë jashtë kufijve të Shqipërisë?

Takimi i dytë do të organizohet më 9 tetor 2018, me temë “Brenda dhe jashtë” dhe gjatë tij do të trajtohen çështje, si: Shkrimtarë nga Shqipëria dhe diaspora; Hijet e komunizmit në letërsinë shqipe etj.

Botimet “Toena” duke i uruar suksese dhe arritje të tjera dy shkrimtarëve Besa Myftiu dhe Ylljet Aliçka, shpresojnë që letërsia shqipe të begatohet në vazhdimësi me ngjarje të tilla letrare./k.s/