Besarta kujton babain e saj Hamëz Jasharin, në datëlindjen e tij

Vajza e Hamëz Jasharit, Besarta ka shfrytëzuar mëngjesin e ditës së sotme për të uruar datën e lindjes së babait të saj.

E mbijetuara e familjes Jashari, në Facebook ka shkruar për babin e saj, duke thënë se ndihet krenare për kontributin e tij që dha për këtë vend.

Besarta ka thënë se Hamza mbahet mend si njeri që bashkoi njerëz për qëllime të përbashkëta.

“Si çdo herë, edhe këtë vit po festojmë ditëlindjen tënde babush. Të tilla raste, po i shfrytëzoj të tregoj për ty babush dhe virtytet tua. Mbahesh mend, si njeri që bashkove njerëz për qëllime të përbashkëta – që sot na bëjnë krenarë. Dyli i vogël, që me mburrje mban nofkën tënde qetësisht po më dëgjon, teksa unë po i tregoj për ty. E mua po më mundon një pyetje “çfarë do të bëje për Kosovën, në rrethana aktuale ku po rritet Dyli?”. Jam e vetëdijshme që përgjigjen duhet kërkuar në kujtimet tona, por një gjë jam e sigurt se tërë jetën ke besuar në popullin tonë, në vlerat tona dhe në të drejtën tonë. Nga ky qëndrim kurrë nuk lëkundemi, këtë ta premtoj babush. Përgjigjen do ta gjej, edhe Dylit do ti tregoj!!! Urime ditëlindja babë. Vajza jote krenare, Besart”, ka shkruar Besarta Jashari në Facebook.

Besarta Jashari publikon video të rrallë të babait: Zëri që më qetëson shpirtin

“Fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria”

E mbijetuara e betejës historike të 5, 6 dhe 7 marsit, Besarta Jashari vajza e heroit, Hamëz Jasharit në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar një audio regjistrim të rrallë të babait të saj, në të cilën, Hamza dëgjohet duke rrëfyer sakrificat e familjes së tyre që i përcollën për vite me radhë.

Sipas Besartës, edhe sot  pas më shumë se 20 vitesh, fjalët e babait të saj përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria.

“…zëri që më qetëson shpirtin ! Sot, pas më shum se 20 vjet, fjalët e babushit përbëjnë një dëshmi se si duhet atëdheu e liria, dëshmon për familjën tonë… Në këtë audio regjistrim, që është i publikuar vetëm pjesërisht, mund të dëgjoni fjalët e babushit përmes të cilave e kuptojmë guximin e përkushtimin për liri, sakrificën për shumë vite që bënte familja jonë, presionin sistematik që përjetonim… por mbi të gjitha të palëkundur dashurinë dhe besimin në lirinë që po na priste… Gjatë këtij rrëfimi të babushit, mes tjerash përjetoj edhe harmoninë familjare që dikur kishim dhe sot më përcjellë si një kujtim i mire. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët për liri”, ka shkruar Besarta në postimin e saj të bërë në Facebook.

Hamëz Jashari u lind në vitin 1950 në Prekaz dhe u vra në mars të vitit 1998, bashkë me komandantin e UÇK-së, Adem Jasharin dhe me anëtarët e familjes, ndërsa Besarta në atë kohë si 11 vjeçare i mbijetoi asaj beteje. 

‘Më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit’

Në mars të vitit 1998 forcat serbe sulmuan bazën e figurës kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), pra familjen e Jasharëve, të cilët kanë marrë pjesë në sulme me policinë ku shumica e popullatës ka qenë me origjinë shqiptare .

Pas tri ditë bombardime, Adem Jashari, themeluesi i UÇK-së dhe më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij janë vrarë.

I vetmi person që ka shpëtuar ka qenë Besarta e cila ka qenë 10 vjeçe në atë kohë. Ajo ka folur për atë ditë kur e ka humbur famljen e saj.

“Për axhën tim Ademin më kujtohen shumë gjëra.
Gjithmonë ka pasur qejf kur ne fëmija ishim duke luajtur në arë. Kemi qenë thjesht shkurt një familje e lumtur.
Gjithmonë axha Adem u mundu me na largu atë se çka po ndodh në Kosovë. Unë në atë kohë sa ka ndodh ngjarja kam qenë 10 vjeçe.
Po ashtu më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit , e mos me na lanë mu frikesu dhe t’u na jep bukë e ujë.
Kjo është dhoma ku jemi kanë gjithë familja. Këtu është vendi ku kam qenë unë me nanën e motrat e mia, edhe të tjerët gratë e mixhallarëve me fëmijë dhe gjyshja.
Mbasi janë ofruar serbët këtu unë kam ardhur në drejtim kah kjo dhomë këtu, ku ka qenë bali Adem i vrarë këtu.
Dhe unë jam ardhur dhe jam strehuar këtu te magjja e bukës.
Kanë gjuajtur granata dhe bombe dhe janë vrarë të gjithë mirëpo unë nuk jam plagosur dhe asnjë grithë nuk e kam marr prej atyre granatave apo bombave si muj me thanë.”

Burimi: Albanian Women / Instagram