Vdes në moshën 76-vjeçare valltari dhe koreografi, Besim Jazexhiu

Ka vdekur në moshën 76-vjeçare, valltari i njohur i Ansamblit Popullor, Besim Jazexhiu.

“Ansambli Popullor humbi një nga ikonat e saj”, u shpreh ministrja e Kulturës, Margariti. Vallja shqiptare, pavarësisht se nga ç’trevë, nuk kishte kuptim pa pasionin dhe virtuozitetin e valltarit Besim Jazexhi. Solist i parë, koreograf dhe drejtues artistik, ai u kthye në një shkollë për breza të tërë valltarësh.

Ministrja e Kulturës u shprehu ngushëllime të ndjera familjarëve dhe komunitetit artistik, që humbën një guidë në rrugën e tyre profesionale.

Besim Jazexhiu ka filluar punë në vitin 1961 si balerin në Teatrin e Operës. Gjatë kësaj periudhe, krahas kërcimit në trupën e baletit ka realizuar personazhe në balete të ndryshme si “Halili dhe Hajria”, “Delina”, “Laurenca”, “Fadeta”, “Sheherazadja”, “Petja dhe Ujku” dhe etj.

Në 1965 fillon punë si solist në Ansamblin e Ushtrisë dhe më pas nga viti 1968 solist në Ansamblin Popullor. Në këtë periudhë, fillon edhe vëmendja për krijimin dhe përpunimin e valleve popullore në Ansamblin Popullor dhe për shumë trupa artistike amatore. Pas viteve ’90, kontributi i tij shtrihet dhe në Kosovë e Maqedoni. / KultPlus.com