23 vjet nga Beteja e Koshares

Beteja e Koshares e zhvilluar më 9 prill 1999 në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri më 9 prill 1999 shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e Aleancës veri-atlantike NATO.

Rënia e kufirit Kosovë-Shqipëri kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar, transmeton KosovaPress.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë edhe motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.

Për nder të 20-vjetorit të Betejës së Koshares nën përkujdesjen e kryeministrit Ramush Haradinaj sot është mbajtur manifestimi tradicional “Ditët e shqipes”./ KultPlus.com

Bëhen 19 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.


Historik i shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së Agim Ramadanit.

“M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com

Sot mbahet manifestimi tradicional “Ditët e Shqipes”

Sot në Koshare mbahet tubimi përkujtimor, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes”, për nder të Betejës së Koshares.


Tubimi përkujtimor fillon në ora 12:00 dhe aty do të marrin pjesë edhe krerët e shtetit, kryetari Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj e kryekuvendari Kadri Veseli. Beteja e Kosharës, është njëra nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku për herë të parë luftëtarët e UÇK-së u ndeshën në një luftë frontale në kufirin shqiptaro-shqiptar, kundër forcave të armikut./ KultPlus.com