Publikohet për herë të parë hartimi i fundit i Agim Ramadanit (FOTO)

Sot, heroi i kombit tonë, Agim Ramadani do të festonte ditëlindjen e tij të 58-të, apo siç ka theksuar bashkëshortja e tij, ditëlindjen e 22-të si heroi i atdheut, shkruan KultPlus.

Shkukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, sot për herë të parë ka publikuar hartimin e fundit të heroit nga shkolla e mesme.

”Sot është ditëlindja jote e 58, Gimi jem, apo e 22 si hero i atdheut! Në gjurmim kujtimesh nga ato pak dokumente e foto të rinisë që kanë shpëtuar nga dora barbare kam gjetur hartimin e fundit nga shkolla e mesme, ku profesoresha Shejnaze Elezi te noton me 5 plus. Sot do ta ndajë me ju miq të nderuar, me ju që çmoni Agimin dhe vlerat e lirisë!”, ka shkruar Shukrije Ramadani në Facebook. / KultPlus.com

Osmani i ridorëzon dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” familjes së heroit Agim Ramadani

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, sot i është dorëzuar kopja e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ia kishte ndarë më 19 prill 2009, ndërsa ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual ka lejuar që ajo të ridorëzohet në raste të tilla, shkruan KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dekoratën “Urdhri Hero i Kosovës” ja ka dorëzuar sot bashkëshortes së Agim Ramadanit, duke vlerësuar lart figurën e heroit Ramadani.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Familjes së heroit të kombit, Agim Ramadanit, veprimtarit e luftëtarit të paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ia dorëzuam kopjen e dekoratës “Urdhri Hero i Kosovës”, të cilën ia kishte ndarë presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, e të cilën më 19 prill 2009 ia kishte dorëzuar presidenti Fatmir Sejdiu. Fatkeqësisht, medalja ishte humbur pa fajin e familjes dhe legjislacioni aktual lejon që ajo të ridorëzohet në raste të tilla.

Agim Ramadani është njëri ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili në betejën e Koshares e theu kufirin i cili i ndante shqiptarët dhe e krijoi shpresën për çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Duke ia dorëzuar këtë dekoratë familjes së heroit Ramadani ne e ritreguam kujdesin e institucioneve të vendit ndaj atyre që me heroizmin e tyre na mundësuan ta preknim lirinë, por edhe ndaj familjeve të tyre. Ky kujdes do të jetë i vazhdueshëm. / KultPlus.com

Arti i Agim Ramadanit

Ilir Muharremi, kritik i artit

I trishtë dhe i thellë është peneli i Agim Ramadanit i cili është ngjyer në magmën dhe vërshimin e trishtë të klithmës së lirisë dhe vuajtjet shekullore të këtij populli. Pikturat në frymën abstrakte sjellin përmbytje ngulmime plot ethe dhe pasione sidomos me ngjyrën e kuqe e cila të dehë me tërbimin dhe gostinë e zjarrit, me lumenjtë e gjakut. Një e kuqe e lehtë me tone dhe gjysmë tone, e përshkallëzuar e spërkatur nga dhimbja, aty këtu e vërshruar me njolla gjaku në tërë kompozicionin ku  pena e tij është ngjyer me gjak dhe lëshon vërshimin e vet si dëshmi të kufijëve. Ndoshta kjo ngjyrë prek simbolin e kthjelluar antik-historik gjithmonë të dyshuar nga armiqtë që turreshin me hov zjarmues.

Ngjyra e kuqe jetëson të gjitha të dëshirueshmet reale që dikur ishin vetëm përfytyrime. Zemra e Agimit e ndodhur mes territ, e prekur nga një shkëndi që ja mbulonte sythin e ofshamës, e ky zemërgur në pikturë nxori kompozcione klithmë-drite dhe vullnet pranvere, dhe ti gjithmonë soditë dhe lundron nëpër atë bukuri e cila edhe sot shumohet si çdo petale luleje.

Në vepra tjera vërejmë një blu të çelur të qiellit teksa lehtshëm duket sikur puth blunë e detit ose magjishëm ngjitet në shkallët e parajsës. Si në pkturat e Klod Monet, relaksohesh i tëri duke u ngopur me energji të dritës. Te Agimi bluja e hap kompozcionin, krijon thellësinë nxitë paqen, shpresën çliron ndjesinë e largësisë, distancës dhe perpsektivës. Pastërtia, ftohtësia e kësaj bluje qëndron rrëbeshëm përballë të verdhës, të kuqes, grisë, të bardhës dhe duket si një sakrificë. Ngjyrat nuk janë të ngopura me bojë, janë me një shtresë të hollë dhe duken si ilustrative.

Psikologjia e Agimit reflekton përmes këtij vërshimi ngjyror duke kthjellë një botë të trazuar, të trimëruar, të pastër, lojë kaosi, kontrast i qetësisë, mirëpo të gjitha janë të radhitura bukur dhe këtu shihet strategjia e kthjelltë e tij.

Biografia

Agim Ramadani (3 Maj 1963 – 11 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën Katana, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares. Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas vdekjes, iu dha dekorata Hero i Kosovës. “Mu shterrshin syt nëse pushoj lirin tënde me ëndërrue, mallkue qoft gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ Katana. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com

Ilir Muharremi

Bashkëshortes i thanë Katanën e kanë zënë peng: Nëse është Agimi që e njoh ai nuk bie në dorë të serbëve

Bashkëshortja e dëshmorit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, ka rrëfyer në Frontal se si kishte reaguar kur i kishin treguar se burri i saj është zënë peng nga serbët, raporton Express, përcjell KultPlus.

Ajo ka treguar se një oficer i kishte thënë se Katana është zënë peng nga serbët, e këtë nuk e kishte besuar.

“Erdhi në oficer dhe me tha, ti je zonja Ramadani. Më tha që  kam dëgjuar që Agimi është vrarë, por ende s’i kemi informacionet. Por ka diçka me keq, mendova çka mund të jetë me keq sesa vdekja. Më tha kemi informacione se e kanë zënë serbët. I thashë: Më fal, a e njeh ti Agimin? Tha po, i thashë jo ti nuk e njeh se ai Agimi që unë e njoh, nuk ju bie në dorë serbëve”, deklaroi Ramadani në Frontal.

Ajo ka treguar edhe për një rast kur Agim Ramadani kishte qenë në Zvicër, dhe e kishte pasur këmishën e grisur.

“Madje kur ka qenë, në Zvicër ia pashë një pjesë të këmishës të grisur, e pyeta çka ke këtu, më tha këtu e mbaj plumbin se unë në dorë serbëve nuk ju bi”, ka deklaruar zonja Ramadani./gazetaexpress/ KultPlus.com

Gruaja e Agim Ramadanit: E kemi pas të ndaluar me ligj të martohemi

Shukrie Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, e ftuar në emisionin “Frontal” në T7, thotë se vazhdon të jetojë me dhimbje. Teksa shton se ëndrra e Agimit dhe të tjerëve për pavarësinë e Kosovës është arritur.

Në një rrëfim të rrallë, Shukrie Ramadani, tregon sesi u njoh me Agim Ramadanin dhe pse e kishin të ndaluar me ligj të martoheshin.

“Nga klasa e parë njihemi me Agimin, jemi të të njëjtit fshat nga Zhegra e Gjilanit. Jemi rritur bashkë edhe në shkollë fillore edhe në të mesmën. Ishim ndër çiftet e pakta që e kemi pas të ndalur me ligj të martohemi. Agimi ka qenë i kërcënuar që në rast se martohet me mua do ta përjshatojnë nga Akademia Ushtarake, edhe unë isha e dënuar”, tha ajo në Frontal, transmeton Gazeta Express, përcjell KultPlus.

Ajo tha se gjatë kohës sa ka qenë Agim Ramadani në Akademinë Ushtarake, letrat ia ka dërguar në emër të një gruaje serbe.

“Kur ja dërgoja letrat i shkruaja në emër të një serbeje që në shqip emri i saj nënkupton Yllka sepse e doja atë emër, derisa u kry Akademia Ushtarake ashtu i kam dërgu letrat”, shtoi ajo.

“Kur e kreu Akademinë Ushtarake, ditën e parë të dielë e planifikuam të martohemi…Për pesë vite sa isha e fejuar kam bërë shumë çejiz…Kemi pas vazhdimisht sfida të shumta. Pas Akademisë, ajo që mund t’i bënin Agimit ishte mosdhënia e gradave, banesës etj. Por e kishim njëri-tjetrin”, u shpreh ajo.

Teksa shtoi se më pas e kanë krijuar familjen, dy djemtë dhe një vajzë.

“Si e dënuar nuk kisha të drejtë të kisha pasaportë”, tha ndër të tjera./gazetaexpress/ KultPlus.com

Gruaja e Agim Ramadanit rrëfen përshëndetjen e fundit me të: Nuk besoja se nuk do të shihemi më

Bashkëshortja e dëshmorit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, ka folur për herën e fundit që e kishte parë burrin e saj, para se ai të vritej nga forcat serbe, raporton Express, përcjell KultPlus.

Ajo në emisionin Frontal në T7 ka deklaruar se asnjëherë nuk e ka menduar se ajo do të ishte hera e fundit kur do ta shihte bashkëshortin e saj.

“E kisha vajzën e vogël. Dola me përcjellë deri të vetura. Nuk më la ta përcillja në aeroport tha se ligështohet. E përcolla, u përqafuam dhe kaq”, tregon Ramadani e cila se kishte menduar kurrë se ky do të ishte përqafimi i fundit.

Shkurija ka deklaruar se ka qenë e bindur se Agimi nuk do të vritej në luftë.

“Asesi, unë isha e bindur që Agimi që kaloi të gjitha sfidat, i bëri një vjet në luftë, nuk u plagos, kaloi luftart në ish-Jugosllavi, në luftën e Kosovës kjo nuk do t’i ndodhte. E dija që ushtarët e tij nuk do ta linin kurrë”, ka thënë Ramadani në Frontal./GazetaExpress/ KultPlus.com

Gruaja e Agim Ramadanit: Pa ty asgjë nuk është siç ishte më parë

Në 22 vjetorin e rënies në altarin e lirisë të Agim Ramadanit, gruaja e tij, Shukrije Ramadani, ka përkujtuar heroin e Kosovës. Ajo ka thënë se nga rënia dëshmor e komandant Katanës asgjë nuk është siç ishte më parë.

Gruaja e heroit ka shkruar se vitet bëhen numra e dhembja konstante e mungesës tënde zgjohet kryeneçësish duke sfiduar durimin e krenarinë edhe pak shumë vitesh.

“Vitet bëhen numra e dhembja konstante e mungesės tënde zgjohet kryeneqësisht duke sfiduar durimin e krenarinë edhe pas kaq shum viteve! Dromcat e lumturisë përzihen me ëndërrat,dëshirat e premtimet e këputura!!! Asgjë nuk është siç ishte më parë”, ka shkruar Ramadani. / KultPlus.com

Vitet bëhen numra e dhembja konstante e mungesės tënde zgjohet kryeneqësisht duke sfiduar durimin e krenarinë edhe pas…

Posted by Shukrije Ramadani on Sunday, April 11, 2021

22 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 22 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.


Historik i shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së Agim Ramadanit.

“M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com

Zbulohet mozaiku i figurës së heroit Agim Ramadani, vendoset në kazermën e FSK’së

Në dy vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kosovës, është zbuluar sot mozaiku i figurës së heroit të kombit, Agim Ramadani, në një ceremoni të veçantë në Regjimentin e forcave tokësore të FSK’së në Gjilan.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ndihet i lumtur që pas një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit, mozaiku me figurën e Agimit është zhvendosur në kazermën e FSK’së.

“Jam i nderuar që jam sot në shpalosjen e këtij punimi në këtë kazermë elitare. Këtu ndihesh i privilegjuar dhe sigurt për të gjitha pritjet që ne i kemi pasur për shtetin, institucionin  e në veçanti për pjesën ushtarake të Republikës sonë. Agimi ka zbarkuar prej një ekspozeu një vjeçar në qendër të qytetit në kazermë, aty ku e ka vendin dhe ky aty ku figura e tij të rrezatojë çdo ditë si roje e paqes dhe si emër i cili  ushtarit i jep motiv e mesazh që liria është e shtrenjtë dhe për liri shkohet deri në sakrificë”, ka thënë Haziri.

Ai tha se kjo është njëra nga veprat që është punuar fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut.

“Ne sot të gjallët na mbetet që ta kujtojmë, të gjunjëzohemi dhe ta respektojmë veprën e secilit. Kjo është njëra nga veprat që fal angazhimit personal të Muhamet Ajrullahut dhe punës së artistit. Kjo vepër i vije Gjilanit pas Abdullah Tahirit e para Kadri Zekës i cili që do të vendoset në vitin e ardhshëm”, shtoi Haziri.

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, tha se heronjtë tanë janë të pavdekshëm e dëshmon fuqishëm edhe kjo ngjarje.

“Vepra madhështore artistike e zbuluar sot e mozaikut me portretin e vëllait tim të armës dhe idealit, heroit të kombit, Agim Ramadani – Katana, e punuar në mënyrë të veçantë nga kreatori ynë Besart Gashi me mbështetjen e Muhamet Ajrullahut, e konfirmon fuqishëm faktin se dëshmorët janë të pavdekshëm”, tha ministri Quni.

Ndryshe, mozaiku me figurën e Agim Ramadanit është punuar me kapëse metali dhe ka hyrë në librin e rekordeve guinness. / Gazeta express/ KultPlus.com

Portreti i Agim Ramadanit zyrtarisht pjesë e librit të rekordeve Guinness

Portreti i Agim Ramadanit, sot zyrtarisht është bërë pjesë e librit të rekordeve Guiness,

Konfirmimi u pranua nga nipi i Agim Ramadanit, prej Guinness World Records – Global Headquarters, Londër, Britani e Madhe, përcjellë KultPlus.

Ndërkaq, lajmin e bëri të ditur gruaja e Agim Ramadanit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku shprehet krenare se tashmë Agimi është pjesë e këtij libri.

Kjo vepër është realizuar nga artisti Besart Gashi, nën përkushtimin e nën monitorimin e profesorëve dhe mediumeve.

“Portreti, tanimë pjesë e librit famëlartë është realizuar me 3 Milion e 138 mijë e 305 kapëse metali dhe këta numra jo rastësisht të tillë.
138 – Brigada “Agim Ramadani” dhe
305 – 3 Maj data e lindjes dhe muaji 05 maji qe solli Agimin në jetën që jetoi kaq shkurtë dhe kaq me intezitet!

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Shukrije Ramadanit. / KultPlus.com

Jemi krenarë dhe të mallëngjyer sot me faktin se Agim jonë,zyrtarisht ka hyrë në librin e rekordeve Guinness dhe…

Gepostet von Shukrije Ramadani am Donnerstag, 17. September 2020

Gruaja e Agim Ramadanit: Kur ta nie zanin tan, dekë me kanë çohna n’kamë

Sot shënohet 21 vjetori i rënies së luftëtarit dhe heroit, Agim Ramadani, i cili ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri abshkë me shokët e vet.

Heroin tonë e ka përkujtuar edhe gruaja e tij me një shkrim tejet emocionues në profilin e saj në Facebook, ku ka shprehur mungesën dhe mallin e madh që ndjen për të.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Shukrije Ramadanit.

“Kur ta nie zanin tan,dek me kon qohna n’kam” sa herë bashk kemi kënduar këtë këngë e vrik jemi ngritur në këmbë duke bërë shaka,cili u ngrit më shpejtë!!! Qe 21 vjet në heshtje të thërras e të pres të ngrihesh bashkë me mua! Më mungon buzëqeshja jote,shiqimi i thellë e fjala e ëmbël që ma bënte ditën të lumtur!Kitara jote,çiftelia,fyelli e kavaleti i pikturave kan mbetur të pa prekura! Ngjyrat jan tha e vyshkur bashkë me mua,se gjallërinë me vete e morre! E din Agim,unë kam besuar se dashuria ime është më e fortë se vdekja e gjithsesi do të nxjerrë nga thonjët e sajë dhe ende nuk dorėzohem,shpresoj se e kam këtë forcë!’ / KultPlus.com

Bëhen 21 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 21 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.


Historik i shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së Agim Ramadanit.

“M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com

Në Gjenevë u shënua 20 vjetori i rënies së Heroit të Koshares, Agim Ramadanit

Në këtë mbrëmje përkujtimore artistike ka marrë pjesë dhe i është drejtuar publikut edhe kryetari i komunës Vernier, Yvo Rocher.

Më 18 maj u mbajt në Gjenevë aktiviteti përmbyllës i  manifestimit tradicional “Ditët të Agimit”, kushtuar heroit të Kosovës, Agim Ramadanit. Aktiviteti i sivjetëm ishte më i veçantë për faktin se përkonte me jubileun, 20 vjetorin e rënies së Agim Ramadanit, të njohur si strategu i Betejës së lavdishme të Koshares dhe  i thyerjes së kufirit Shqipëri-Kosovë.

Në këtë mbrëmje përkujtimore dhe artistike, të organizuar shumë mirë nga shoqata “Zhegra” që funksionon në Komunën Vernier të Gjenevës ka marrë pjesë edhe kryetari i kësaj komune, njëherësh mik i shqiptarëve, Yvo Rocher. Gjithashtu edhe prania e përfaqësuesve të politikës kosovare ishte e një niveli të lartë, shkruan albinfo.ch. Aty ishte ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Rrustem Berisha, bashkëluftëtar dhe mik i ngushtë i Agim Ramadanit.

Bashkëluftëtarë të shquar të Agimit si Anton Quni, Musa Gjakova e Feriz Treshnjeva ishin po ashtu të pranishëm në këtë mbrëmje.

Një fjalë përshëndetjeje me evokim kujtimesh mbi Agim Ramadanin e ka mbajtur Rrustem Berisha ndërsa në emrin e Konsullatës së Kosovës në Gjenevë ka folur Avni Hasani, përfaqësues i saj. Fjalën e ka marrë edhe vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili ka folur në emrin e familjes së heroit.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Islam Pacolli dhe Arsen Shoshi, drejtor për investime në “Benedict Education Group”

Në kuadrin e programit artistik kanë qenë Shoqata “Vatra” e Bülach-ut (Cyrih) ajo e Gjenevës “Gëzuar” dhe grupi “Rapsodët” po nga Gjeneva që janë ngjitur në skenë me valle dhe këngë kryesisht të frymëzuara nga lufta dhe rezistenca shqiptare.

Kanë kënduar edhe Ardian Dema, Kudret Rrustemi, Xhelal Ramdani dhe Vëllezërit Alimusaj.

Ndërsa aktori i shquar Çun Lajçi  është paraqitur me një recital kushtuar luftës, shkruan albinfo.ch. Lajçi kishte sjellë këtu edhe librin e tij “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, i cili ishte në shitje.

Këngëtari i njohur Ilir Shaqiri i ardhur po ashtu nga Kosova ka kënduar një këngë ashtu si dhe Edona Llalloshi, e cila u prezantua me këngën kushtuar Heroit, Agim Ramadani. Po kështu këngë kushtuar Agimit kanë kënduar edhe çifti i këngëtarëve Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, shrkuan albinfo.ch Kori shqiptar i Gjenevës “Nostalgjia” i drejtuar nga Mira Bregu është prezantuar me këngë korale.

Ishte emocionuese dalja e Edona Llaloshit nga skena, e cila, duke u ndalur në rendin e parë, ka ngritur nga vendi bashkëshorten e Agim Ramadanit, Shukrije Ramadanin për të bërë së bashku simbolin e  Shqiponjës dykrenare.

Portretizohet figura e Agim Ramadanit në një mozaik, përdoren 276138 gëzhoja plumbi

276138 gëzhoja plumbi kanë formuar portretin e heroit kosovar Agim Ramdani, të cilat janë vendosur në mozaikun e punuar nga Besart Gashi, shkruan KultPlus.

Për këtë mozaik ka njoftuar për KultPlus vet Besart Gashi i cili ka treguar se për këtë mozaik ka punuar me kërkesën e nipit të Agim Ramadanit, Muhamet Ajrullahu.

“Do të jetë një dhuratë për familjen Ramadani, që do të shpaloset me rastin e datëlindjes së heroit të madh Agim Ramadani, e që është më 3 maj”, ka thënë Gashi.

Ai ka njoftuar se mozaiku është me dimensione 5X7 m, dhe sipas tij, ky mozaik është me dimensionet më të mëdha që ekzistojnë në vendin tonë.

Poashtu është bërë e ditur se ky mozaik do të shpaloset më 3 maj, në ora 14:00 në qendër të qytetit të Gjilanit./KultPlus.com

Artisti bën mozaik për Agim Ramadanin (FOTO)

Një i ri nga Drenasi është duke punuar një mozaik prej shtatë metra.

Në 20 vjetorin e rënies së tij, me 260 mijë gëzhoja të fishekëve, Besart Gashi po punon portretin e heroit Agim Ramadanit.

Ky mozaik do ti dhurohet familjes së heroit në ditëlindjen e tij më 3 maj, dhe më pas mozaiku do  të vendoset në Komunën e Gjilanit.

Gashi është shprehur se për të është kënaqësi dhe nderë të punojë një figurë të tillë si e Agim Ramadanit, një atdhetarë që jetën ja fali atdheut.

Gashi një dashuri të madhe ka edhe për poezitë që Ramadani i shkroi sa ishte gjallë, shumë prej tyre ai i reciton me shumë dashuri. / KlanKosova / KultPlus.com

Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani

Nga Halil Matoshi

Si sot, 20-vjet përpara, Agimi i ra gurit t’kufinit,
E ka me qindrue aty deri në fundin e kohës…

Stinët. Fundi

(Kantatë për dy zana dhe Agim Ramadani)

Zani –I-

Poeti sapo e kish gjetë lirinë artistike
Dhe po përballej me dimensionet e saj
Kur muzat i thanë: Po t’ish qielli kopsht
E retë gjethe…
Yjet kishin me kenë portokalle
Me i kputë për qef…

Zani –II-

Luftëtari sapo e gjeti arsyen e t’jetuemit 
Flamur mjesesh t’bardha me u ba…
Mija shigjeta mesjetare u nisën kah ai ditën me ia vërbue
E natës tina me zjarr me i vù!

Zani –I-

E shpirti i lirë i poetit po bridhte si hije e bardhë 
nëpër fushat e atdheut të sheklun nga qizmja e zezë.
I vetëdijshëm për estetikën e pranisë së mungesës 
se qielli s’â kopsht
retë s’janë gjethe 
e yjet s’janë portokalle
dhe s’ka me i k’putë kurrë njeriu qefli
Me i pa janë bâ
jo me i prekë

Zani –II-

Luftëtari për inat tha: Kam me e ndjek yllin tim të fatit
Dhe u nis në rrugëtimin e tij të fundit që plak shekujt

Se yjet kur të piqen e të bien
S’âsht stinë portokallesh
Âsht fundi i kohës…

Nga atdheu s’lypi asgjâ pos me iu bâ plaf dhe me luejt
me ato portokallet estetike qe me i pa janë bâ…
pa t’papamuna thjesht njerëz të mundun me trishtim në sy 
flakëve të luftës u përballi heshta fjale
anmikut zemërimin e shekujve
pak çaste para se me flatrue nalt’ 
ai pa thjesht njerëz të lirë
dhe buza i shkoi n’gaz e tha: Këtë andërr e kam pa ni jetë njeriu!

Të dy zanat bashkue në duet:

Liria âsht vepër arti që ngjizet në dejet e gufueme t’gjakut
Pa tundim ia falim kësaj toke si me mbjellë e ujit lule…

Agim Ramadani tha:
Poet jam e s’munem me pa lisa të perkulun tuj gjemue përball veriut…
Luftëtar jam dhe due me ia fal emnin ditëve të mbështjelluna me zi.
Përballja jeme epike ka me ia pëlcit damarët Fatherlandit 
Dhe stërkalat me qiellin kanë me u bashkue …
E terri ka me u tërhjekë
Siç terheq anmiku kufomat…

Nga rrashta jeme flaut kam me bâ
Në simfoninë e Shtatë të Bethovenit
Dhe në Oden e gëzimit kam me qenë ni zâ!
Himn i të munduarve që ka me jehue përtej historisë së botës
Me jehun e ernave e zukatjen e bletëve, 
me ciërrima trumcakësh e vaje bylbylash 
ka me u bashkëdyzue 
ni fëmijë kam me marrë përdore me e ngjit tek yjet përmi Kosovë
e kam me u dhanë emën tana ditëve prej këtu e deri në fundin e kohës…

Albin Kurti: I përkujtojmë sot Asdrenin dhe Agim Ramadanin

Politikani Albin Kurti, pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje ka përkujtuar në Facebookun e tij dy figura të shquara, në përvjetore të ndryshme.

Ai ka kujtuar Asdrenin në datëlindjen e tij dhe Agim Ramadanin i cili me 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejë e Koshares.

Ky është statusi i plotë i Kurtit:

Në 11 prill 1872 ka lindur Asdreni, poeti e pedagogu, veprimtari e Rilindësi ynë, fjalëve të të cilit u rrimë në këmbë kur këndohet Himni Kombëtar. Në vjershën e tij “Lulëkuqja” ai e poetizon një imazh të cilin edhe sot e kemi para syve tanë, brutal posi atëherë. Imazhi i atdheut të pambrojtur, të parritur, imazhi i një kombi për të cilin s’përkujdeset askush, imazhi i një populli të pastrehë, të mjerë, imazhi i një kulture të pakultivuar, pa stoli. Si lulëkuqja e mbirë anash rrugës. Megjithatë, kjo është lulëkuqja jonë, e cila kur valon ndez shumë zemra. E njëra nga zemrat e mëdha që i ka ndezur kjo lulëkuqja jonë në historinë e saj, është zemra e heroit, Agim Ramadanit, komandantit të Brigadës 138 të UÇK-së, i cili në 11 prill 1999 ra dëshmor në Betejën e Koshares, në luftën tonë për çlirim.

I përkujtojmë sot të dy, si dy nga kulmet e panteonit tonë kombëtar.

Agim Ramadani: Unë po e shoh lirinë, tash edhe me vdekë s’më mbetet peng asgjë

Sot janë bërë 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

KultPlus sot ju sjellë një pjesë të bisedës mes heroit Agim Ramadani drejtuar bashkëshortes së tij Shukrije Ramadanit, vetëm pak ditë para rënies së tij, më 24 mars 1999.

“Unë po e shoh lirinë dhe po ta uroj që tani! Tash edhe me vdekë, s’më mbetet peng asgjë, ngaqë po e ndjej zërin e lirisë. Më dhimbsesh që s’je këtu ta shohësh qiellin e përflakur dhe të kuptosh sa ngjyra të bukura ka liria”, i kishte thënë Agim Ramadani gruas. / KultPlus.com

Bëhen 19 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

Sot bëhen 19 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet.


Historik i shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies së Agim Ramadanit.

“M’u shtershin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani pat shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.

Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë.

Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës./ KultPlus.com