634 vite më parë u krijua koalicioni antiosman, i cili u pasua me Betejën e Kosovës së vitit 1389

634 vite më parë, popujt ballkanik shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe serbët krijuan një koalicion antiosman për shkak të depërtimit të vrullshëm të osmanëve në Ballkan.

Beteja e Kosovës u zhvillua në rrethinën e Prishtinës në Kosovë (Dardani) në vitin 1389 midis Serbisë (ndërmjet një koalicioni ballkanik), dhe Perandorisë Osmane.

Depërtimi i vrullshëm i osmanëve në Ballkan tronditi elitën politike drejtuese shqiptare, dhe atë të vendeve fqinje. Të ndodhur përballë një armiku të përbashkët, shqiptarët, bullgarët, rumunët e serbët i fashitën mosmarrëveshjet dhe grindjet e tyre dhe krijuan një koalicion antiosman.

Në të bënin pjesë personalitete të shquara shqiptarë si Gjergji II Balsha, Teodor Muzaka, Gjon Kastrioti, Dhimitër Jonima, Andrea Gropa etj. Këta, më forca të bashkuara, morën pjesë në betejën që u zhvillua në afërsi të Prishtinës, më 28 qershor 1389. Në këtë betejë të përgjakshme dhe të pabarabartë që u zhvillua ndërmjet 20.000 ushtarëve osmanë dhe 20.000 luftëtarëve ballkanas u shqua luftëtari shqiptar Millosh Nikolla Kopili, i cili arriti të vriste Sulltan Sulltan Murad I.

Megjithëkëtë ballkanasit pësuan disfatë të rëndë dhe kjo i hapi rrugën sulltanit pasardhës, Bajazitit I, për pushtime të reja në Ballkan. Gjatë sundimit të tij, osmanët arritën të vendoseshin diku përkohësisht e diku përgjithmonë në viset e tjera shqiptare, që nga Shkodra e Kruja dhe deri në rajonet e Korçës e të Përmetit.

Në Shqipëri u krijua kështu një situatë e rëndë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Vendi pësoi një copëzim të madh politik. Prijësit e shumtë shqiptarë, duke qenë ushtarakisht të pafuqishëm, përgjithësisht hynë në vasalitetin e sulltanëve dhe nxituan të lidheshin më vende të tjera.

Duke përfituar nga një situatë e tillë dhe në marrëveshje me prijësit vendas ose edhe më presion, Venediku arriti t’u merrte atyre qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në atë të Artës, si Buduan, Tivarin, Ulqinin, Shkodrën (bashkë me rrethinat e saj, Drishtin e Dejën), Lezhën, Durrësin, Butrintin, Pargën etj, që ishin edhe qendra shumë të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit.

Pas disfatës që pësoi ushtria e sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë më 1403 prej trupave mongole të Timurlengut, përkohësisht zotërinjtë shqiptarë i forcuan pozitat e tyre dhe në jetën politike të vendit dolën në plan të parë familje të tilla si Balshajt, Gojçinët (Çernojeviçët), Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, Stres-Balshajt, në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt, në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët; në Shqipërinë e Jugut etj.

Sapo erdhi në pushtet sulltan Mehmeti I (1413-1421) mori masa energjike për rivendosjen e zgjerimin e pushtimit osman dhe gjatë viteve 1415-1417 ushtritë e tij pushtuan njërën pas tjetrës kështjellat e rëndësishme, si Krujën, Beratin, Kaninën e Gjirokastrën./KultPlus.com

Më 16-19 tetor 1448 u zhvillua Beteja e Kosovës

Nga Jahja Drançolli

Si sot, më 16/19 tetor 1448, u zhvillua Beteja e Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europën mesjetare. Vëmendje e veçantë tërheqin burimet që dolën pas betejës të cilat së bashku me epikën popullore ngatërruan personazhet tregimtarë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 me ato historike të Betejës së Kosovës të vitit 1448!

Ndërsa, për Betejën e Kosovës në vitin 1389, historiografia e sotme ende nuk ka qenë në gjendje të dallojë Kosovën historike nga Kosova mitike, nga ana tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga më të famshmet betejat që ndodhën në Europën Mesjetare. Prandaj, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e frymëzuesve të luftërave anti-osmane të udhëhequr nga Janosh Hunyadi dhe Gjergj Kastriot-Skënderbeu.

Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë arena midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Hunyadi dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati II. Në krah të aleancës europiane ishin arbërorët e drejtuar nga Skenderbeu.

Në verën e vitit 1448, pasi mblodhi njësitë hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Hunyadi kishte kaluar Danubin dhe shkoi në Krushevac. Nga atje, ai mbërriti në Kosovë. Nga ana tjetër, Murati II, pasi u informua nga despoti Brankoviq, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje, kishte mbledhur rreth tij të gjitha njësitë, të cilat numëronin 50,000-60,000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre trefishohet. Njësitë e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore numëronin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta tre-ditore përfundoi me humbjen e ushtrisë së aleancës.

Premtimet e bëra nga Skënderbeu për t’u angazhuar në anën e aleancës së krishterë e kishin inkurajuar Hunyadin të nxitonte për t’u përballur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje dëshmohet sipas burimeve zyrtare dhe narrative. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhës dhe pasojave të betejës, burimet kohore japin detaje për vonesën e shqiptarëve në bashkimin me trupat hungareze. Arsyeja kryesore për vonesën e Skënderbeut ishin pengesat e despotit Gjuragj Brankoviq, aleat i dhëndrit Murat II, i cili mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet në të cilat ai mund të kalonte. Shumica e burimeve, duke justifikuar vonesën e Skënderbeut, nxorrën në pah dhe pa aftësinë e Hunyadit, i cili nuk duhet ta kishte pranuar betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave të epilogut, janë ruajtur detaje për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishin marrë rrugën drejt jugut jo larg Fushë-Kosovës, takuan Skënderbeun, i cili kishte filluar të bëhej bashkëluftëtar i Hunyadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, afër Vushtrrisë, u përpoqën të gjejnë Bogdanin, një paraardhës të Pjetër Bogdanit. Burimet që dolën pas betejës tërheqin vëmendje të veçantë, të cilat së bashku me eposin popullor kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Kosovës në vitin 1389 me ato të Betejës së Kosovës në vitin 1448. Si shembull, mes tjerash këtu, duhet parë librin e përmasave europiane të humanistit nga Raguza, Mauro Orbini (1601), dhe ndonjë tjetër pas tij.!

Datë 15 qershor 1389, kur u bë Beteja e Kosovës

Kanë kaluar 633-vjet nga zhvillimi i Betejës së Fushë -Kosovës, ose Beteja e Dardanisë.

Ajo u zhvillua më 15 qershor 1389 (sipas kalendarit të ri më 28 qershor). Kjo betejë u zhvillua midis ushtrive të principatave të Ballkanit dhe Perandorisë turke. Beteja e Fushë-Dardanisë është vepër e rezistencës antiosmane e popujve të Ballkanit.

Koalicioni ballkanik në Betejën e Fushë – Dardanisë përbëhej nga :
Shqiptarët me – Princi Gjergj Balsha II, sundimtar i Shkodrës. Kjo principate kishte në zotërim midis të tjerave në jug Vlorën, në verilindje Pejën dhe Prizrenin, në lindje gjithë Dibrën e madhe dhe në veri shtrihej deri në jug të gjirit të Kotorrit (përfshirë Ulqin, Tivar, Budva)
– Princi Teodor Muzaka, zot i Beratit dhe i Myzeqesë.
– Dhimitër Jonima, zot i trevave përgjatë rrugës tregtare Lezhë-Prizren.
– Andrea Gropa, zot i Ohrit dhe i rajoneve për rreth tij.
– Morën pjesë dhe luftëtarë me kapedanët e tyre nga Himara dhe Epiri
– Një pjesë e ushtrisë e Vuk Brankovicit, sundimtar i pjesës veriore të Drenicës dhe i Fushë Dardanisë, ishte me luftëtarë shqiptarë.
Serbët u përfaqësuan me:
– Princi Lazar, sundimtar i serbëve të Rashkës
– Vuk Brankovic, sundimtar i pjesës veriore të Drenicës dhe i Fushë- Dardanisë(me pjesën serbe të ushtrisë).

Në prag të fillimit të betejës Vuku u largua nga beteja. Rumunët me : -Vojvod Mirçea,Kroatët me -Bani kroat Ivan Horvat,Boshnjakët-Mbreti Tverko i Bosnjes. Pothuajse të gjitha trojet shqiptare dërguan luftëtarët e tyre në këtë luftë. / KultPlus.com

Si e shpjegon mitin e Betejës së Kosovës historiani serb

Historiani serb Dejan Ristiq tregon se si politika serbe e ka mitizuar një betejë të humbur të serbëve kundër Perandorisë Otomane.Ku e shikoni se si është dukur kjo betejë në filmin serb i cili në vitin 1989 është xhiruar në një afat rekord me porosi të politikës, as nuk i ngjanë fakteve historike. Ky është rast ideal që të shikohen ngjarjet, por edhe të definohet se cila është e vërteta e cila traditë në këto ngjarje kyçe, ka thënë historiani tjetër Aleksandar Uzellac.

Beteja e Kosovës është ngjarja më e mitizuar në historinë serbe dhe këto mite vetëm sa po shtresohen dhe po e marrin vëllimin edhe më të madh. Një nga këto mite është se kambanat në katedralen Noter Dame në Paris kanë lajmëruar fitoren e serbëve, e që nuk është e vërtetë. Këtë e ka dëshmuar prof. Diniq qysh në vitin 1937. Kambanat kanë kumbuar, por për nder të fitores së Koalicionit Krishterë në Betejën e Rovinës në vitin 1395 ku kanë marrë pjesë emrat e mëdhenj serb, mirëpo në anën e Perandorisë Otomane si vasalë të tyre”, thotë Ristiq.

Më duket se ne nuk ndalemi në mitizimin e disa segmenteve të historisë sonë, thotë Ristiq, dhe shton se Serbia është e prirur t’i hedhë poshtë faktet historike dhe t’i përshtatë politikave ditor/ Insajderi/ KultPlus.com