Hapet Këndi Arkivor në bibliotekën “Qemal Baholli” në Elbasan

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sot ka hapur Këndin Arkivor në ambientet e bibliotekës “Qemal Baholli” në qytetin e Elbasanit.

Siç e dimë kjo është një nismë e rëndësishme e DPA-së ku ndihmon në thelb çdo qytetar të qytetit përkatës për t’ia çuar arkivat pranë, njësoj sikur të ishin në zyrat e DPA-së në Tiranë.

Rregullat, procedurat, forma e shpejtësia janë të njejta si Salla e Studimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Të pranishëm në hapjen e këtij këndi arkivor ishin drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Dr.Ardit Bido, kryetari i Bashkisë së qytetit të Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtoresha e bibliotekës “Qemal Baholli” në qytetit të Elbasanit, Aida Gashi.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al.

Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.

Kjo nismë bëhet e mundur edhe falë bashkëpunimit me çdo bashki dhe jemi falenderues për përkrahjen e tyre. Jemi ende në fillim të kësaj nisme pasi këndi Arkivor Elbasan është këndi i rradhës pas çeljes së Këndit Arkivor Gjirokastër, Pogradec, Maqedoni e Veriut dhe Kosovë. Gjithsej do të hapen 100 kënde të tilla në të gjitha hapësirat shqiptare. /ata/ KultPlus.com